Wednesday, August 19, 2020

Të vdesësh në këmbë si Petro Luarasi

17 gusht 1911 – Vrasja e mësuesit të gjuhës shqipe, i cili u helmua nga njerëzit që punonin për qarqet antishqiptare

 


Nga Leonard Veizi

 

Ai kërkoi të udhëtonte mbi mushkë nga Erseka deri në fshatin e tij, Luaras. Por dëshmitarët thonë se mbeti në Gostivisht. Brenda trupit zbërtheheshin dhe shpëndaheshin me shpejtësi elementet kimike të një substance vdekjeprurëse. Kishte pirë vetëm një kafe te një “mik”, por pas kësaj nisën spazmat e ethshme që i shkaktonin djersë të vazhdueshme dhe mjegullimin e vështrimit. Ndërsa ai mbahej fort pas samarit të mushkës dhe nuk rrëzohej. Veç nxirrte vrerin që binte mbi jelet dhe qafën e kafshës. “Vritmëni, por mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve dhe mbesave për të shkruar gjuhën shqipe”. Petro Luarasi kishte vdekur vërtet. Pas tij dhe vetë mushka e cila kishte marrë sasinë e mjaftueshme të helmit përmes lëkurës së qafës. Një gjë e tillë do të kishte rrëzuar në tokë çdo burrë tjetër. Por jo Petro Luarasin. Atë natë të 17 gushtit 1911, ishte 47 vjeç...


 ...Petro Nini, mbetet një prej figurave më emblematike të gjuhës shqipe. I paepur si ai. Dhe pse e dinte mirë se ishte në shënjestrën e administratës osmane dhe pjesës shoviniste të klerit grek, që të dy aspak dashamirës me gjuhën shqipe, ai nuk u tërhoq asnjëherë. Dhe veç kësaj mbetet simboli i një burri, vdekjen e të cilit do ta kishte ëndërr çdo shqiptar që merrej fort me punët e Shqipërisë, pikërisht atëherë kur askush prej atyre që na rrethonin nuk donin të flitej shqip dhe, ca më pak, që ajo të shkruhej. Jo se nuk do të ëndërronin një vdekje si ajo e Mic Sokolit mbi grykën e topit dhe po aq si të Selam Musait. Por sepse Petro Nini, shqiptari mbi të cilën ranë aq shumë mallkime priftërinjsh e mitropolitësh, “vdiq në këmbë”, ashtu si nuk do të donin kurrë ta shihnin armiqtë e tij. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”. Dhe ai, si një burrë i vërtetë, i sertë e luftarak, ra dhe u ngrit aq herë sa duhej, duke u bërë njëherazi dhe modeli më i mirë i shprehjes së tij monumentale.

 

Mallkimet

Gjithçka për gjuhën shqipe, deri në vetmohim. Petro Nini mbajti mbi shpinë mallkimet e tre priftërinjve. Ishin tre dhespotët e Kosturit që hynin e dilnin nga Kolonja sa herë informoheshin se Petro Nini kishte bërë “prapësinë” e radhës: Cirili, Gregori dhe Fillareti. Dy të parët e mallkuan për veprimtarinë e tij si mësues i gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe. Por i treti nuk u mjaftua me kaq, sepse asokohe Petro Nini kishte bërë një blasfemi të madhe: kishte përkthyer në shqipe pjesë të psalmeve të cilat u meshuan po shqip në kishën e Luarasit. Ndaj Fillareti e shkishëroi atë familjarisht.

Mesha në gjuhën shqipe i kishte acaruar në vazhdimësi dhespotët e Kosturit, që prej kohës kur Papa Kristo Negovani u masakrua po për të njëjtën gjë. Sepse kjo binte në kundërshtim me udhëzimin e Patrikanës së Stambollit, e cila kërkonte meshim vetëm në gjuhën greke, meqë në strategjinë e tyre ortodoksët shqiptarë i konsideronin grekë, duke ngatëruar qëllimisht fenë me kombësinë.

Asgjë nga këto nuk e tuti Petro Luarasin, që të trembej e ta linte në mes rrugën që kishte nisur. Dhe po ashtu do ta portretizonte Petro Luarasin një aktor si Gulilem Radoja, te filmi “Kush vdes në këmbë” i regjisorit Vladimir Prifti, nëpërmjet një shprehjeje të shkruar nga skenaristi Naum Prifti: “Mua mallkimet e atij horri s’më zënë as opingën.”

I ofruan poste, pushtet e para, e më pas e kërcënuan dhe e burgosën. Por ai u mbijetoi presioneve dhe për 24 vite me radhë nuk e zuri asnjë prej mallkimeve të mitropolitëve që vinin nga Kosturi enkas për të.

 

Jetëshkrimi

E çfarë të reje mund të thuash për jetën e një personaliteti si Petro Nini? Asgjë më shumë sesa faktet e njohura tanimë, të cilat tregojnë se ai luftoi për Shqipërinë e gjuhën shqipe jo vetëm me penë, por dhe më pushkë.

U lind në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës. Dhe Kolonja ishte një nga trevat që nxori prej gjirit të saj shumë mësues, të cilët kontribuan në hapjen e shkollës së parë shqipe, më 7 Mars 1887, në Korçë.

Studimet i kreu në shkollën greke të Qestoratit e Hotovës në Lunxhëri të Gjirokstrës. Qëndroi në shtëpinë e mikut të babait, patriotit Koto Hoxhi, ku mësoi privatisht të shkruante e lexonte shqip. Punën si mësues i greqishtes e nisi në shkollën e Bezhanit. Atje nisi t’u mësonte nxënësve shqip. Më pas dha mësim shqip në disa fshatra të Kolonjës, Pogradecit e Korçës. Përgatiti dhe mësues të ardhshëm të gjuhës shqipe. Punoi si mësues në Shkollën e parë Shqipe të Korçës dhe më pas si drejtor i Mësonjëtores së parë të vajzave. Në prill 1904 Petro Luarasi arratiset nga burgu ku e ishte mbyllur qeveria osmane. Mbërrin në Shtetet e Bashkuara, si emigranti i parë politik shqiptar. Atje zhvillon një aktivitet të gjerë, duke futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane: “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”. Ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës ortodokse autoqefale shqiptare në SHBA. Themeloi librarinë e parë me libra shqip. Më 1908 u kthye në Shqipëri për të luftuar si komit për çlirim, duke krijuar një çetë në bashkëpunim me Çerçiz Topullin. Po më 1908 Petro Nini Luarasi shkoi si delegat në Kongresin e Manastirit. 

 

Libri

Në gushtin e vitit 1911, sipas dokumenteve të kohës, thuhet se ishin agjentë në shërbim të dhespotit të Korçës, Joakimit, ata që arritën ta helmonin. Kërkuan ta shpallnin si të vdekur nga kolera dhe tentuan t’i djegin kufomën me gëlqere. Por hasën në kundërshtimin e fortë të dashamirësve të tij që ishin mbledhur për t’i bërë nderet e fundit. Ai vdiq si martir i gjuhës shqipe, duke mos e gëzuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë 15 muaj më vonë, atë pavarësi për të cilën luftoi aq shumë.

''Priftëria patriarkike bëri vegël të qëllimtë të saj fenë, të cilën e tund si këmborë friksonjëse kundër cilitdo shqiptari që dashuron shkronjat e tij, dhe që ta rrëmbejë më tepër në rrjetat e aforizmit e shkishërimit, duke i lënë vetëm një rrugëz shpëtimi: pendimin d.m.th. të mohuarit të gjuhës amtare shqipe dhe të kthyerit e tij në helenizëm. Ç’të keqe kemi bërë që na pengon neve nga udha që caktoi perëndia për tërë njerëzinë? Përse ndaloni shkrimin e këndimin e gjuhës sonë, kur tërë gjuhët e popujve janë pëlqyer prej perëndisë dhe të vlefshme për të përhapur me ato predikimin e ungjillit?'' do të shkruante Petro Nini Luarasi në librin e tij: ''Mallkimi i shkronjave shqipe dhe shpërfolja e shqiptarit'', që solli jo pak shqetësim në qarqet antishqiptare të kohës.

 


No comments:

Post a Comment