Nga Leonard
Veizi
Makineria
është bërë gati, skenari tekniko-regjisorial është zbërthyer tashmë dhe
njerëzit e ekipit mbështetës e dinë mirë se ku i kanë vendet e tyre. E, megjithatë,
çaku i parë ende nuk është përplasur, që xhirimet të quhen të nisura. Ka ende
ca detaje të papërfunduara, por kjo nuk i sjell ndonjë ngërç. Natyrisht, do të
ishin në një situatë tjetër, nëse gjithçka nuk do ta kishte ndërprerë pandemia
“Covid” dhe vendimi për izolimin e plotë të shoqërisë brenda mureve të shtëpisë
që quhej karantinë...
...“Motor...”
“Ka motor...” “Këtu vallëzohet me hijet! - 14 dubël një”.
Ai
është mbreti i sheshit të xhirimit dhe si i tillë duhet të jetë një diktator në
miniaturë, apo simbolikisht i tillë. Ndoshta kjo që them ka të bëjë me shkollën
e vjetër, sepse ai nuk e manifeston një gjë të tillë dhe arrogancën nuk e
zotëron. Por titullin e “mbretit” nuk ka përse ta refuzojë, përderisa çdo
segment filmik nuk mund të bëhet pa urdhrin e tij. “Mbretëresha”, po nga e
njëjta dinasti, është Vjollca Dedei, e me një begraund të gjerë mban pozicionin e producentes. Thirrja e vjetër,
arkaike, me një portavoçe me bateri tashmë i përket së kaluarës. Kamerat digjitale,
aparaturat e zërit, miksterat dhe ekranet e kontrollit janë aty. Teknikat për
realizimin e një filmi kanë ndryshuar dhe një dron milimetrik që regjistron nga
ajri zëvendëson ngritjen e një helikopteri lufte.
Mbështetur
te një skenarist me përvojë si Bashkim Hoxha, duket se Pluton Vasi ka siguruar
suksesin paraprak dhe tani po mendon më së shumti se kujt do t’ia besojë rolin
kryesor, një aktoreje shqiptare apo një të huaje, jo domosdoshmërisht. Për së
fundi me shumë guxim regjisori i njohur shfaqi filmin “Ndërkombëtarët” dhe ca më
herët “Maya” realizoi objektivin për të thyer një mori tabush provinciale. Këtë
herë nuk e dimë nivelin e rrezikut, por, natyrisht, ai do të jetë i lartë. Fabula
që ka zgjedhur ngjall grishje pas një titulli fantazmë që, gjithsesi, të ngjeth:
“Këtu vallëzohet me hijet!”. Skenat paraprake i ngjasojnë horrorit. Në një
dhomë pihet konjak, cigare dhe dëfrehet. Në po të njëjtën dhomë përdhunohet.
Dëshmitarë janë muret. Por ato nuk flasin. Flet vetëm Ziguri, një agjent
ligavec i shërbimit sekret që përgjonte gjithçka ndodhte mes një grupi
artistësh të cilët kërkonin të merrnin nga jeta ca më shumë sesa pikatorja me të
cilën i ushqenin. Piktori i filmit, Adnand Kastrati, ka skicuar qindra ide,
ndërsa në kokën e regjisorit imazhet janë të qarta. “Nuk mendoj se ka ndryshuar
ndonjë gjë... mendoj se “...akoma vallëzohet me hijet”! thotë regjisori i
njohur i filmit artistik dhe dokumentarëve. E për më tej, për gazetën “Fjala”
Pluton Vasi zbulon disa prej detajeve të filmit të ri:
Bashkim Hoxha dhe Pluton Vasi |
Projekti juaj i
fundit është një film artistik me metrazh të gjatë. Cilët janë bashkëpunëtorët
tuaj në këtë ndërmarrje?
Bashkëpunëtorët
në zhanrin tonë nuk mund të futën në një dadabaze
për të thënë në fund se janë “X” bashkëpunëtorë. Sepse bashkëpunëtorët në këtë
profesion janë gjithmonë në lëvizje, shtohen dhe pakësohen. Por nuk mund të rri
pa përmendur këtu bashkëpunëtorin tonë kryesor që është skenaristi Bashkim
Hoxha. Është fat për mua që pas kaq e kaq vitesh që jetojmë në një qytet, siç është
Durrësi, erdhi ora që unë të bashkëpunoj me të. Përveç kësaj, në periudhën e
gjimnazit e më parë, unë thuajse jam rritur me poezitë dhe tregimet e Bashkim
Hoxhës. Thënë shkurt, është fat që po bashkëpunoj me një emër të tillë, si
Bashkim Hoxha. Sigurisht, pasi ramë dakord për skenarin, në listën e bashkëpunëtorëve
rreshtohet Vjollca Dedei, e cila është dhe producente e filmit që, sigurisht, është
dhe një ndër bashkëpunëtoret e mia kryesore, si në aspektin e marrjes së vendimeve,
ashtu dhe në aspektin e udhëheqjes drejt zhvillimit të filmit. Një tjetër bashkëpunëtor
është piktor i filmit, Adnand Kastrati. Nuk mund të lë pa përmendur konsulencat
me miq të ndryshëm. Sepse, pasi vendoset për skenarin, merren konsulenca se ku duhet
ndërhyrë dhe ku jo, çfarë duhet sugjeruar dhe çfarë nuk duhet. Filmi është një
art kompleks, pra është një martesë e disa gjinive siç është muzika, loja e aktorit,
piktura, imazheria. Në këtë aspekt, bashkëpunimi paraprak është në konsulencë e
sipër.
Është tërësisht
produksion shqiptar?
Në
këtë status që jemi është produksion shqiptar. Por ne kemi marrë një “ok” dhe
pothuaj është një proces i mbyllur, bashkëpunimi me një studio belge përfaqësuesit
e së cilës e kanë pëlqyer jashtëzakonisht projektin. Së fundmi, kemi një
trokitje dere nga ana e maqedonasve, sepse mendohet që do të hyjnë edhe ata në
bashkëpunim. D.m.th gjithmonë shikohet statusi i subjektit, i asaj që serviret,
që në historinë e bashkëprodhimeve, unë do t’u thosha në kuptimin simbolik
“paterica”. Janë këto patericat që na ndihmojnë. Do të ishte shumë mirë që bashkëprodhimet
të mos ishin të karakterit të shpëtojmë dhe të zgjidhim problemet financiare
dhe të mbeten paterica. Bashkëprodhimet të ishin të përcjellëse të ideve, sa më
koncize e sa më konkrete.
Filmi do të luhet
i gjithi në Shqipëri, apo ka dhe skena jashtë vendit?
Kjo
varet nga bashkëprodhimi, sepse një pjesë e mirë e bashkëprodhuesve kanë kushte
edhe për lokacionin, për vendet ku
kryhen xhirimet. Por nëse hyjnë në lojë maqedonasit, do të ketë skena edhe në Maqedoni.
Sepse duhet thënë që në film është personazh edhe figura e Nënë Terezës.
Karakteri kryesor i filmit është një gazetare, e cila jeton jashtë dhe vjen në Shqipëri
për të bërë një reportazh për Nënë Terezën. Përveç takimeve me të afërmit e
shenjtores në Tiranë, ajo do të shkojë edhe në Maqedoni, të regjistrojë vendin
ku ka lindur Nënë Tereza, ku ka shtëpinë në Shkup, apo nga ka dalë në
manastirin e Strugës. Këto janë elemente që sjellin apo ndërtojnë historinë e bashkëprodhimit.
Vjollca Dedei dhe Pluton Vasi |
Sapo treguat detaje
nga filmi, por do të doja të dija më shumë rreth përmbajtjes së skenarit?
Skenari
i Bashkim Hoxhës është mbështetur mbi një ngjarje të vërtetë. Fillimisht ka qenë
e shkruar si dramë, por pasi ramë dakord u përshtat për skenar. Është historia
e një vajze shqiptare, e lindur në Shqipëri; nëna e saj ishte një artiste,
balerinë. Në vitet ‘90 edhe vajza bashkë me shumë shqiptarë të tjerë emigrojnë.
Jeton në një vend perëndimor dhe pas shumë vitesh rikthehet në Shqipëri për të
bërë një reportazh për Nënë Terezën. Ditën e parë që vjen, shkon në shtëpinë ku
është rritur. Ajo është një shtëpi e braktisur, pasi nëna kishte më shumë se një
vit që i kishte vdekur. Por në shtëpi troket dikush. Është një burrë i moshuar
i cili i prezantohet si Ziguri dhe i thotë se i bëhej qejfi që takohej me të. Ai
i thotë se dinte gjithçka rreth asaj shtëpie, njihte çdo tingull e çdo lëvizje.
“Dhe dua që këtu të vdes, të var veten”, – i thotë në fund. Kjo është ndër gjërat që
krijon goditjen e parë, ose hedh ngjitëset e para për të krijuar një suspancë
interesante. Pyetjes së vajzës se kush ishte, ai përgjigjet se ishte një ndër
njerëzit, por më kryesori, që kishte përgjuar jetën e nënës së saj. Sepse në
atë shtëpi nëna e saj bashkë me miqtë bënin mbrëmje dëfrimi apo party, siç quhen sot. Dhe Sigurimi i Shtetit i përgjonte të gjitha
lëvizjet e këtij grupi artistësh, ku midis të tjerave kishte dhe elementë
përtej barrikadës. Pra, ishin pjesë disidente. Jo në kuptimin e disidentëve
aktivë, por disidentë të shkarkimit emocional dhe ideor. Filmi ka një
retrospektivë ku kthehet, dhe e bija njihet me të gjitha ngjarjet. Paralelisht,
teksa bën punën për Nënë Terezën, ajo është e detyruar të dëgjojë edhe
historinë e nënës së saj prej Zigurit, i cili e ka përgjuar. Në fund të
tregimit Ziguri i thotë që, veç të tjerave, ishte babai i saj, pasi ai kishte përdhunuar
nënën e saj. Por i thotë, gjithashtu, se ajo grua ishte dashuria e tij e rrallë.
Ndërsa vajza nuk e pranon dhe ia kthen që ajo e kishte një baba. Ditën që
mbaron reportazhin për Nënë Terezën, dhe bëhet gati të ikë, në shtëpinë e saj
gjen të varur Zigurin. Pra, ai kishte varur veten pikërisht te vendi i krimit,
pikërisht në vendin ku ai kishte përdhunuar nënën e vajzës.
Dua
ta theksoj këtë që thelbi i filmit është një ndër problemet kryesore që kemi ne
shqiptarët, sipas mendimit tim, krejt ndryshe nga çfarë thuhet dhe krejt ndryshe
nga ç’është. Ne e kemi shumë lehtë të themi, të flasim për të tjerët dhe, ç’është
më kryesorja, mbetet shumë e rëndësishme marrëdhënia e njerëzve, pavarësisht ambientit
dhe vendit ku ndodhin. Për mua është shumë e rëndësishme marrëdhënia midis
njerëzve, edhe po qe në diktaturë, por edhe po qe në demokraci. Janë të tjerë
parametrat që përcaktojnë marrëdhënien midis njerëzve më fort sesa sistemet.
Kodi që vendosin dy njerëz, duke u marrë vesh me sy, mund të jetë dhe një
superdiktaturë, por komunikimi midis njëri-tjetrit
është shumë më me vlerë dhe shumë më njerëzor. Ky është dhe thelbi i filmit.
Postproduksioni,
është shpejt për të folur, por a do ta lançoni këtë film në festivale ndërkombëtare,
duke qenë se tema të tilla janë të prekshme jo vetëm për shqiptarët?
Përpjekjet
dhe hapat e parë janë shumë premtues. Sigurisht, nuk mund të lë pa thënë se përgjithësisht
në festivale të kategorive ku bërtitet, apo janë ato festivale që po “shenjtërohen”,
e them me cinizëm këtë, duhet se s’bën një ndërmjetësim i domosdoshëm i shtetit.
Ku ndërmjetësimi nuk ka si qëllim individin, por përfaqësimin. Prej kohësh
shteti ynë është shumë indiferent
karshi artit, dhe kur them shteti, e kam
fjalën për njerëzit, sepse shteti nuk është një mobilie. Pra shteti janë
njerëzit që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë ose të zhvillojnë artin, ose përfaqësimin e Shqipërisë kudo në botë, jo kanë fjetur gjumë, por nuk
janë dukur fare.
Insistoj
që shteti duhet të rishikojë rritjen e buxheteve në sferat e artit. Nuk them vetëm për
kinemanë, them për teatrin për pikturën... Duhet ta marrë shumë seriozisht këtë
gjë. Jemi një komb që mendohemi para se të flasim, dhe kjo është treguar
historikisht. Dhe në fushën e artit, në një vend ku ka 300 ditë diell, ku
lulëzon gjithçka, dhe është një vend i bekuar nga natyra, sigurisht që
komunikimi është shumë më i mirë dhe shumë inteligjent.
Pluton Vasi - regjisor |
No comments:
Post a Comment