Nga Leonard Veizi
Padyshim që francezët janë ndjerë mirë
në territorin shqiptar, mes një populli sa mosbesues ndaj të huajve me
uniformë, aq edhe miqësor e besnikë po t’u fitohej besimi. Natyrisht ky nuk
është një konkluzioni i im, por në këtë përfundim dal pasi kam lexuar librin
“Bonjur D’Albania – shkrime nën hijen e bombave”. Edhe pse ishte kohë lufte,
madje edhe pse Shqipëria ishte në një situatë të mjerueshme
ekonomiko-shoqërore, trupat e ushtrisë franceze gjetën një aleat të çmuar tek
popullsia vendase. Gjithçka e mundshme vjen për lexuesit nëpërmjet ditarëve,
letërkëmbimeve dhe telegrameve të vetë ushtarakëve francezë, të cilët fronti i
Luftës së Parë Botërore i kishte sjellë në Shqipëri. Dhe i gjithë ky pasqyrim
origjinal bëhet i njohur për publikun, nga puna e çmuar e shkrimtarit dhe
studiuesit njëkohësisht, Luan Rama, i cili ka gërmuar me durim në arkivat e
Francës për të na sjellë me një realitet – sa të njohur aq edhe të panjohur –
Shqipërinë e viteve 1914-1918.
Të paktën 10 vjet më parë pasi isha
njohur me Luan Ramën nëpërmjet një mikut tonë të përbashkët, kam realizuar
bashkëpunimin e parë me të, një intervistë të gjatë, thuajse dy faqe gazete, ku
ai ka folur më së shumti për jetën e tij si krijues. Në vazhdën e bashkëpunimeve
tona, ne kemi realizuar edhe intervista të tjera qoftë të karakterit “dossier”
të jetës së tij si diplomat, por dhe të fushës së kulturës e letërsisë.
Gjithmonë më ka bërë përshtypje eleganca e tij. Padyshim nuk flas për pamjen e
tij të jashtme dhe as për modelin e kostumit, por të asaj që ai përcillte qoftë
nëpërmjet fjalës së thënë po ashtu dhe të asaj së shkruar. Tanimë unë hyj tek
ata njerëz që janë shumë dashamirës me veprën e tij si autor, vepër e cila
përfshin një korpus prej më shumë se 30 tituj në letërsi, studime e
publicistike si dhe shumë tituj të tjerë në fushën e përkthimit. Duke parë
volumin e madh të krijuar prej tij, disa mijëra faqe të botuara, mendoj se ai
është jo vetëm skrupuloz në atë që shkruan dhe që kërkon të publikojë, por ka
dhe një përqendrim dhe vullnet të jashtëzakonshëm në përkushtimin e kësaj pune,
gjë që bashkë me atë çka do botohet më pas, do të krijojë një trashëgimi të
vyer në letrat shqipe.
Në librin e tij të fundit “Bonjur
D’Albania”, Luan Rama, si një qëmtues i mirë i fakteve historike ka mundur të
na japë një panoramë mjaft interesante të Shqipërisë, gjatë viteve të Luftës së
Madhe, dhe kjo nëpërmjet shënimeve të gazetarëve francez në front si dhe të
shumë ushtarakëve të tjerë që kanë lënë shënime, gjatë ditëve kur ata luftonin
në një vend si Shqipëria. Në mënyrë absolute ne të gjithë (e kam fjalën për
auditorin konkret) i njohim kushtet në të cilat u zhvillua Lufta e Parë
Botërore. Ishte koha kur pas shpalljes së Pavarësisë, qeverisjes 14 mujore të
së parës qeveri shqiptare me kryeministër Ismail Qemalin dhe mbretërimit
6-mujor të Princ Vidit, paria e vendit, apo administratat lokale, nuk arrinte
të administronte as 28 mijë kilometrat katrorë që u vendos t’i mbeteshin në
pronësi shtetit Shqiptar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Në këtë
ndeshje të ashpër të politikës dhe ushtrive të dy kampeve të mëdha, “Antantës”
dhe “Bllokut Qendror”, Shqipëria pa asnjë lloj objektivi, ishte kthyer veç një
terren lufte gjysmë i fortifikuar, ku kaloi çizmja e 14 ushtrive të huaja.
Faktet që vijnë drejt e nga fronti i
luftës janë të jashtëzakonshme. Në të jepet me ngjyra të gjalla, jeta mesjetare
e Shqipërisë që sapo kishte dalë nga sundimi i gjatë 500 vjeçar i Portës së
Lartë. Them “sundimi” meqenëse kohët e fundit ka dalë dhe teza e re e
“administrimit” që na kanë bërë osmanët, si në vjeljen e të mirave në ekonomi
ashtu dhe në atë të rekrutimit të ushtarëve për t’i përdorur në repartet e
sulmit të parë. E megjithatë, ushtarakët francezë, ushtarë të thjeshtë apo drejtues
regjimentesh thonë se edhe pse tejet e varfër dhe e prapambetur, në Shqipëri
kishte dhe oaze ku mund të jetohej, siç ishte rasti i qytetit të Korçës.
Qëndrimi i francezëve ndaj kësaj kazaje, ndihma e madhe politike dhe
administrative që iu dha krerëve të rinj, bëri që në një shtet pa shtet,
“Republika autonome e Korçë” të bënte epokë edhe pse jetëgjatësia e saj ishte
diçka më shumë se një vit. Gjithsesi duhet theksuar se krerët lokalë në
juglindje të vendit, dhe vetë popullsia e zonës kërkoi një autonomi nën
autoritetin e Francës, gjë që i vinte fre dhe tundimit të madh dhe tentativave
agresive të Greqisë për aneksimin e kësaj zone. E quajtur si “Republika
franceze e Korçës”, ajo do të jetonte prej dhjetorit të vitit 1916 deri në
shkurtin e vitit 1918, kohë kur u abrogua protokolli për funksionimin e saj.
Pas luftës francezet do të qëndronin në Korçë deri në majin e vitit 1920, dhe
më pas trupat e tyre do të tërhiqeshin përfundimisht. Megjithëse një kohë
relativisht e shkurtër dhe për më tepër në kohë lufte, sërish ndikimi francez
në juglindje të vendit do të ishte i tillë që përveç “Liceut”, emërtimeve të
objekteve të veçanta në terminologjinë franceze, vetë Korçës do t’i mbetej si
një pagëzim togfjalëshi: “Parisi i vogël”
Dua të them se nëpërmjet këtij libri,
shqiptarët njihen më mirë me qenësinë e tyre në Luftë, me figura si Themistokli
Gërmenji e Sali Butka, që edhe pse cilësoheshin rëndom si “komitaxhinj”, në
ditarët e francezëve, duhet thënë qartë se ata ishin patriotë dhe luftëtarë që
në idealin e tyre kishin vetëm Shqipërinë etnike dhe të pacoptuar, gjë që ata
shpresonin ta bënin përmes aleancave me fuqitë e mëdha të Francës apo
Austro-Hungarisë. Ndërkohë, po në të njëjtën luftë dhe demarshe për aleanca,
ishte dhe një figurë tjetër që prezantonte shqiptarët, por që vazhdon dhe sot e
kësaj dite të mbetet krejt e panegociueshme, dhe që ishte ajo e Esat Pashë
Toptani, i cili gjithashtu ishte i gatshëm të bënte marrëveshje, por më shumë
se me Fuqitë e Madha preferonte fqinjët tanë veriorë apo dhe ata që shtriheshin
në Jug, veç jo për konsolidimin e kombit, por vetëm për interesa krejt
personale.
Libri në fjalë është i pajisur me një
numër të madh fotografish të rralla të atyre viteve ku aparati është bërë një
dëshmitar i rëndësishëm duke fokusuar çaste nga jeta reale e ushtrisë franceze
në Shqipëri, që padyshim e bëjnë më interesant historinë e rrëfyer, sa përmes
ditarëve aq edhe me narracionin e vetë autorit. Përmes imazheve tregohet qarte
se trupa të armatosura shqiptare iu bashkuan në luftë ushtrisë franceze. Të
gjitha këto, fotografi dhe ditarë autentikë të ushtarakëve francezë, që Luan
Rama na i sjell në shqip, pasqyrojnë Luftën e cila filloi 100 vite më parë, dhe
ku për fat të keq nga vetë shqiptarë, dëshmitarë të atyre viteve, kjo pjesë e
historisë rezulton të jetë thuajse e paevidentuar.
Mendoj se në fund të këtij prezantimi të
shkurtër do të ishte me vend ta mbyllja duke huazuar fjalinë e një shkrimtari
si Remark, i cili duke perifrazuar stërlodhjen e të gjitha palëve ndërluftuese
në ditëve të fundit të Luftës së Parë Botërore, tek bëheshin gati bisedimet për
Paqe shkruante thjeshtë: “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Por në fakt në
frontin e Ballkanit, fundi i Luftës së Madhe do të jepte një paqe të
përkohshme. Shqipëria do të përballej me sfida të reja. Ndërsa epilogu kësaj
lufte për francezet e Shqipërisë do të ishte një varrezë për ushtarët e vrarë
dhe një memorial në nderim të tyre ku shkruhet “Rënë për Francën”.
Botuar në TIRANA OBSERVER 17/05/2014
http://www.tiranaobserver.al/bonjur-dalbania-shkrime-nen-hijen-e-bombave/
http://www.tiranaobserver.al/bonjur-dalbania-shkrime-nen-hijen-e-bombave/
No comments:
Post a Comment