Nuk
është se i besojnë thjesht a në mënyrë të verbër një formulimi shkencor që flet
për transmetimin e kodit gjenetik nga njëri brez tek tjetri. Ata shkojnë më tej
se kaq, me një ndjesi të brendshme që e bën dhe më të papërballueshme
temperaturën e asaj çka kërkojnë të thonë. Bashkë me ADN-në kanë marrë dhe
sasinë e mjaftueshme të kohës që u duhet për të përligjur aureolën që i jep
prapashtesa e emrit. Ndaj duket se përjetojnë gjithçka, si të kenë qenë edhe ata
të dy pikërisht atje, 102 vite më parë, mbi ballkonin e shtëpisë dhe kanë
vendosur duar e tyre mbi dorën e tij, për të ngritur Flamurin. Nuk është
thjesht një ëndërr që fanitet diku pas mesnate e prishet në mëngjes pa aguar,
por një ndjesi që fluturon në kohë me shpejtësi kozmike për ta përsëritur të
njëjtin veprim disa qindra herë me radhë, pa u lodhur...
...Të
paktën dy prej djemve të tij prodhuan meshkuj të tjerë. E as që mund të
mendohej se vazhdimësia e familjes Vlora do ta kishte pikën e këputjes te
vdekja e Ismail Qemalit. Për më tepër që ai la pas vetes 9 fëmijë, 6 djem edhe
3 vajza. E megjithatë për shumëkënd, familja Vlora, në vijimësinë e saj
mashkullore pushoi së ekzistuari. Në qitapë ishte shënuar data e vdekjes së
tij. Më tej asgjë... Por nuk ishte kështu. Ariana Vlora, pasardhëse e Ismail
Qemalit dhe mbesa e Qamil Vlorës, si dhe Darling Vlora, me të njëjtin status
rrëfejnë detajet e panjohura të jetës së familjes patriotike, e cila jo vetëm i
dha Perandorisë më të madhe të kohës disa drejtues të fuqishëm guvernash, por
dhe kryeministrin e parë të shtetit Shqiptar, të cilin ai vetë e shpalli “të
mosvarme”.
Si e keni ndjerë veten kur u
përballët me faktin se jeni një nga pinjollët e familjes së Ismail Qemalit?
Ariana Vlora: - Kjo ndjesi e fortë, në fakt
ka ardhur shumë natyrshëm tek unë. Jam rritur në një familje ku flitej për
tradita e vlera njerëzore dhe isha e parapërgatitur që unë isha trashëgimtare e
një familje që kishte vlera dhe që kishte bërë diçka të mirë për vendin. Dhe
natyrisht kur u përballa dhe mësova plotësisht të vërtetën e ndjeva veten shumë
krenare. Kur në shkollë bënin lëndën e historisë e letërsisë dhe kur flitej për
rilindjen, pavarësinë e posaçërisht për figurën e Ismail Qemalit, unë ndjeja
një krenari të ligjshme që isha një pasardhëse e tij. Pra isha pinjolle e
familjes që shkriu pasurinë për të bërë shtetin shqiptar. Në familje ne mbanim
një album me fotografitë e rilindësve dhe të shumë figurave të tjera të shquara
të kombit, ku për të thënë të vërtetën, ajo e Ismail Qemalit dominonte dhe
ishte më e madhe se të tjerat. Kur mësuesit na kërkonim që të sillnin në klasë
dhe tekste jashtëshkollore për të ilustruar më mirë lëndën, unë me një dëshirë
të madhe çoja gjithmonë këtë album.
Në 100 vjetorin e Pavarësisë
familja juaj u përfaqësua gjatë ceremonialit. Për 50 vjetorin një gjë e tillë
nuk ndodhi. Përse?
Darling Vlora: - Marrëdhëniet e familjes
Vlora me sistemin komunist nuk kanë qenë aspak të mira. Gjyshi im, Qamil Vlora
nuk pranoi të bashkëpunonte me regjimin e Hoxhës kështu që me një pretekst për
armëmbajtje pa leje, ai kaloi dy vite në një burg ordiner. Më pas familja e tij
u la në hije të plotë duke e detyruar të ndërronte dhe mbiemrin, me qëllim që
të mos bëhej lidhja e pasardhësve me Ismail Qemal Vlorën. Dhe morëm mbiemrin
Ismaili. Pas vitit 1990 ne rimorëm sërish mbiemrin tonë të vjetër, atë që na
takonte. Regjimi komunist përkujtonte burrin që shpalli Pavarësisë, por
denigronte familjen e tij, madje deri aty sa u tha se Ismail Qemali nuk ishte
martuar e nuk trashëgoi fëmijë. Ndërkohë unë vetë jam marrë me studimin e pemës
gjenealogjike që e kam përfshirë në një libër të ribotuar së fundmi. Në vitin
1962, në festimet e bëra me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, asnjë prej
pjesëtarëve të familjes Vlora, pasardhësve të Ismail Qemalit nuk ka qenë
pjesëmarrës dhe as i ftuar. Por në 100 vjetor përfaqësuesit e familjes Vlora
ishin të pranishëm në të gjitha aktivitetet e bëra me këtë rast. Kemi pasur
ftesa nga Presidenca, Kuvendi i Shqipërisë, Kryeministria e Ministria e
Jashtme. U deshën 50 vjet që ne pasardhësit e Ismail Qemalit të mos ishim më
anonim.
Të qenit pasardhëse e njeriut
të Pavarësisë u jepte mundësinë të ishit “e para e klasës”?
Ariana Vlora: - Aspak. Nuk ndihesha e
privilegjuar. Madje më bënte përshtypje, sepse disa nga shokët e shoqet e
klasës, që familjarët e tyre kishin lidhje me Luftën Nacionalçlirimtare, bie
fjala kishin ndonjë partizan apo dëshmor, trajtoheshin moralisht shumë më mirë
se unë që isha pasardhësja e drejtpërdrejtë e atij burri që i dha pavarësinë
Shqipërisë. E njëjta gjë ndodhte edhe me vëllezërit e motrat e mia. Analiza
erdhi më pas, por unë kam menduar që atëherë me trishtim: “Përse ne që jemi
trashëgimtarët e këtij patrioti, për të cilin flitej shumë në mësimet e
shkollës dhe kudo, trajtoheshim moralisht më pak se të tjerët?” E megjithatë
mbetesha shumë krenare edhe pas këtij “diskriminimi”. Madje një gjë e tillë më
bënte mua, por dhe të gjithëve ne që ishim pjesë e familjes Vlora, që ta
kultivonim këtë krenari edhe më shumë.
Sa probleme do të sillte për
ju, fakti që ishit nipi e mbesa e Qamil Vlorës djalit të Ismail Qemalit?
Darling Vlora: - Mund të them vetëm që ishte
qesharake të shpjegonim se përse e kishim ndryshuar mbiemrin. Shpesh gjenim
arsye atje ku nuk kishte arsye. Fjala vjen, u shpjegonin fqinjëve tanë që nuk
na lejohej të mbanim për mbiemër një emër qyteti. E kështu me radhë. Pra nuk
mund ta thoshim hapur se na kishin detyruar ta bënim një gjë të tillë.
Megjithatë të gjithë fqinjët në lagje e dinin historinë e familjes sonë. Në
shkollë, pasi krijova besim me disa nga shokët gjithashtu u tregova se si
qëndronte puna. Në atë kohë flisja hapur kundër regjimit me Benin, Anilën e
Tomin. Por një herë ndodhi që kur kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të
thërritesha nga komandanti i batalionit për shkak të një thyerje disiplinore që
kisha bërë. Më pyeti se nga isha me origjinë. “Nga Kanina”, i them. Qëlloi që
edhe ai ishte nga Kanina. E më thotë: “Kanina ka nxjerrë burra të famshëm, si
Ismail Qemalin, ndaj dhe ti nuk duhet të gabosh më”. Ç’t’i thosha. Heshta për
momentin, por ia shpjegova më pas se unë isha një nga pasardhësit e Ismail bej
Vlorës.
Për shumë kohë nuk njiheshin
pasardhësit e Ismail Qemalit. Ndërkohë që ata jetonin në mes të Tiranës. Si u
izolua familja juaj?
Ariana Vlora: - Familjen Vlora e ka ndjekur
një histori e gjatë persekutimi. Ajo është lënë në harresë qëllimisht.
Fillimisht i kam bërë pyetjen vetes: “Vërtet nga shqiptarët na vijnë këto të
këqija?”. Dhe përgjigjen sigurisht e kam marrë. “Natyrisht që jo”. Kanë qenë
linjat anti-shqiptare që kanë vepruar fort për ta mbajtur nën presion familjen
e atij burri që i dha pavarësinë e Shqipërisë, pikërisht në kohën kur trojet
tona lakmoheshin të copëtoheshin mes fqinjëve. Babai im, Ismail Vlora, studimet
e mesme i kreu në Paris. Në vitet e para të pushtimit mori pjesë në lëvizjet
antifashiste studentore dhe bojkotoi studimet në Siena të Italisë. Por, duke
parë vijën që po ndiqte lëvizja nacional-çlirimtare, shpejt u distancua dhe
shkoi në Vjenë, për të vazhduar studimet e larta, në Fakultetin e Mjekësisë.
Studimet e larta nuk i përfundoi dot, pasi u kthye në Tiranë për të takuar
familjen dhe nuk mundi të largohej më, për shkak të mbylljes së kufijve. Pavarësisht se im atë kishte një kulturë të gjerë, ishte shkolluar
në Perëndim, fliste disa gjuhë të huaja, në Shqipërinë komuniste ishte thjesht
punëtor. Megjithatë e rëndësishme është që ai jetoi kryelartë, duke nderuar
veten e tij dhe emrin që trashëgonte”.
A keni qenë gjatë gjithë
kohës krenar që paraardhësi juaj shpalli Pavarësinë e Shqipërisë?
Darling Vlora: - Them se krenaria ka qenë dhe
është maksimale, por nuk është se më bën superior. E kam menduar gjithmonë me
vete se jo dhjetë për qind, por edhe sikur një për qind t’i ngjaj Ismail Vlorës
jam shumë i lumtur. Sepse ajo çka bëri ai ishte një vepër e madhe, që i qëndroi
kohës dhe e përkujtojmë edhe sot pas 102 vitesh. Por gjithsesi, jo çdo çast më
duhet të mburrem me këtë fakt. Kjo vlen vetëm për situata të caktuara. Në të
kundërt unë jam një njeri i thjeshtë, që merrem me punët e mija e me familjen
time.
Jeni pinjolle e fisit Vlora.
Cila është pema gjenealogjike që ju çon tek Ismail Qemali?
Ariana Vlora: - Ismail bej Qemal Vlora la
6-të djem, njërit tyre, më i vogli, Qamil bej Vlora ishte dhe gjyshi im. Në
fakt, vetëm dy nga djemtë e Ismail Qemalit, i madhi dhe i vogli, lanë
trashëgimtarë meshkuj. Qamili u trashëgua me dy djem Ismail Vlorën që është
babai im dhe Xhevdet Vlorën. Ismaili gjithashtu do të trashëgohej me dy djem
Qamilin dhe Darlingun. Bëra të ditur vetëm degën e meshkujve, meqenëse ata
trashëgojnë edhe mbiemrin. Si pinjollë të familjes Vlora ne jemi shumë afër,
vetëm dy breza na ndajnë nga Ismail Qemal bej Vlora.
Cila ishte historia e
familjes Vlora para shpalljes së Pavarësisë?
Darling Vlora: - Një nga familjet e mëdha që
luajti një rol të rëndësishëm në historinë tonë ishte edhe familja ‘Vlora’, e
cila, siç thekson Ismail Qemali, në ‘Kujtimet’ e tij: “për shkak të origjinës
së saj të lashtë dhe të karakterit të pasur gjeografik të rajonit, ku ushtronte
pushtetin, ka pasur ndikim të madh mbi çështjet dhe fatet e Shqipërisë”.
Familja Vlora drejtoi për gati 5 shekuj, thuajse në mënyrë të trashëguar, një
nga sanxhaqet më të rëndësishëm, atë të Vlorës, që zinte një sipërfaqe prej
gati 7.000 km². Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishëm të
familjes së njohur Vlora, një familje e pasur e me shumë tradita. Por familja
Vlora ka nxjerrë shumë burra të shquar, që në vitet 1500 kur i pari prej tyre,
Sinan Pasha do të merrte poste të larta në Perandorinë Osmane. Pas tij edhe
disa të tjerë që u emëruan kryevezirë e guvernatorë. Por në të gjithë linjën
familjare, objektivi kryesor ka qenë i njëjtë: Të punojmë për perandorinë por
t’i shërbejmë edhe kombit tonë, Shqipërisë. Dhe kështu u mbajt Shqipëria derisa
Ismail Qemali arriti të shpallë Pavarësinë. Duhet saktësuar që gjyshin e Ismail
Qemalit e ekzekutuan në Stamboll pikërisht se kërkonte t’i jepte autonominë
vendit të tij, babanë e tij gjithashtu. Ismail Qemali pavarësisht se punonte
për Portën e Lartë si qëllim të vetëm në vetvete kishte bërjen e shtetit
Shqiptar. Dhe në fund ia doli.
A keni relika e dokumente të
tjera nga Ismail Qemali?
Ariana Vlora: - Ne kemi arritur të ruajmë
fare pak relike nga shtëpia e madhe e Ismail Qemalit. Në vitin 1926, disa vite
pas vdekjes së Ismail Qemalit, sarajet e tij u shpërdoruan dhe u shkatërruan.
Njerëzit e tjerë të afërt të tij jetonin jashtë shtetit dhe kështu që pasuria e
tij pësoi një fat të keq. U zhdukën dhe shkuan në duar të tjera, shumë sende me
vlerë dhe dokumente të cilat nuk po i gjejmë më. Prej kohësh edhe dy vëllezërit
e mi janë aktivë në çështjen e familjes Vlora, por më shumë spikat Darlingu. Ai
ruan si gjërat më të shtrenjta dhe disa relike të familjes.
Çfarë keni të ruajtur nga reliket
e Ismail Qemalit?
Darling Vlora: - Ato që ruaj unë janë shumë
të pakta. Kam në koleksionin tim disa gazeta e revista që mbante Ismali Qemali,
e ku kishte dhe intervista të tij. Ndër to kam një revistë të vjetër franceze
të vitit 1917 me një intervistë interesante. Por kam dhe disa foto origjinale.
E veçantë është një kartolinë e vitit 1908 kur karroca e tij tërhiqet nga
njerëzit për ta futur në Vlorë. Por kam dhe një Kuran të tij ose më saktë të
familjes. Është një gjë e rrallë, sepse është unik. Një kuran me format të
vogël, të cilët bëheshin me porosi nga shkrues të veçantë.
Pra shtëpia e Ismail Qemalit
nuk ekziston më?
Ariana Vlora: - Jo. Atje tani është ndërtuar
“Sheshi i Flamurit”. Ndërsa pikërisht atje ku është vendosur shtiza që mban
flamurin Kuq e Zi, binte dhoma ku është ngritur realisht flamuri me shqiponjë
në 28 nëntor të vitit 1912. Më pas shtëpia e Ismail Qemalit u përdor si selia e
parë e shtetit shqiptar, sepse në ato kushte natyrisht që nuk flitej për ndonjë
godinë tjetër. Ismail Qemali vuri në dispozicion të shtetit të sapoformuar
gjithçka të tijën, paratë dhe sarajet. Sigurisht që kemi foto origjinale, por
madje ne kemi dhe skicat e shtëpisë. Natyrisht jemi të gatshëm të ndihmojmë që
kjo shtëpi të rindërtohet pikërisht aty ku ka qenë, me qëllim që të ngrihet në
kultin që i takon, vendi ku u ngrit flamuri i shtetit Shqiptar dhe selia ku
mori vendimet qeveria e parë shqiptare.
Ku jetojnë pasardhësit e
Ismail Qemalit, tanimë?
Darling Vlora: - Një pjesë janë në Tiranë, por
ka me banim edhe në Itali, Francë e Angli.
Botuar në:
No comments:
Post a Comment