Nga Leonard
Veizi
Regjisori
italian Giuseppe Tornatore inskenoi djegien e njërës prej kinemave të famshme
siciliane të viteve ’50 me emrin “Paradiso”. Por po aq, duke qenë dhe skenarist
njëkohësisht, e rindërtoi atë tempull në po të njëjtin vend dhe po në të
njëjtin film të titulluar “Cinema Paradiso”.
Paralelizmi
mund të mos jetë më i gjeturi, por një domethënie e ka. Mbi një objekt të
rrënuar për shkaqe madhore, ringrihet i njëjti institucion, për më tepër kur ai
është kthyer vërtet në një tempull popullor.
Në
Shqipëri kinemaja është në udhëkryq... Kur flasim për kinemanë nuk e kemi fjalën
për filmin si produkt fizik, por për vendin ku shfaqet ky film.
Megjithëse
i njohur rëndom si vend i vogël dhe i varfër, Shqipëria ka pasur një rrjet
kinemash për t’u pasur zili.
Kemi
pasur shumë kinema, gjatë monarkisë së Zogut e gjatë regjimit të Hoxhës. Fillimisht
ato ishin investime private të kompanive që kishin mjaftueshëm kapitale, e më
pas u sekuestruan nga shteti i punëtorëve që kërkoi të bënte një eksperiment të
ri social. Por, gjithsesi, kinemaja nuk e humbi as funksionin, as audiencën e
madhe. Madje, në kinemanë e para viteve ’90 e kishe mundësinë të shikoje një
film me ngjyra, sepse në televizorin e shtëpisë ndonjë “Adriatiku”, “Iliria” ose
“Lura” pa grup, montuar në URT-në e Durrësit, nuk e kishe një shans të tillë.
Sot
janë fare pak salla kinemaje, edhe pse popullsia e kryeqytetit është rritur
disa herë. Për pjesën tjetër të Shqipërisë as që flitet për salla kinemaje, me
përjashtim të ndonjë rasti sporadik.
Institucioni
i kinemasë është ende larg zhdukjes së tij, megjithëse për momentin po përjeton
ditët më të vështira të ekzistencës.
Për
efekt të asaj që tanimë cilësohet si “pandemia COVID-19”, sallat e teatrove dhe
të kinemave do të jenë të fundit që do të hapen për publikun. Por fundi ende
nuk dihet. Dhe fati i kinemave nuk dihet gjithashtu. E meqë flitet për kujdes
të tepruar dhe mundësinë e një vale të dytë pandemike, gjasa që një film të
shfaqet në një sallë të mbushur plot, duket shumë e largët. Për më tepër kur
bëhet fjalë për fare pak salla, aq sa nuk mbushin as gishtat e njërës dorë.
Në
Shqipëri kinemaja po i humbet spektatorët e saj. Nëse ajo do të mbetet pjesë e
karantinimit, dhe njerëzit do të kenë në vazhdimësi frikën për të qenë bashkë në
të njëjtën sallë, mundësia që ata të rikthehen për të parë një film me ekran të
gjerë e disa pista efektesh zëri, është në minimumin e mundshëm.
Kinematografia
ishte një shpikje e jashtëzakonshme e njerëzimit. Ajo u bë një nga format më
popullore të argëtimit që u ngrit lart në mesin e shekullit XX. Jo vetëm
dokumentarët, por filmat artistikë kanë qenë joshja më e madhe gjatë gjithë
kohës që kinemaja ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë si institucion.
Televizori
është munduar ta eklipsojë kinemanë, por deri në një farë pike, pasi diferenca
mes të dyjave është e madhe dhe e kuptueshme. Me ekranin e një kompjuteri ky
dallim thellohet. Por që nga çasti kur platforma interneti ofrojnë shfaqje
filmash, herë pa pagesë e herë me një kosto shumë të vogël, gjithçka ka
ndryshuar.
Në
mënyrë të shpejtë dhe pa shpenzime, madje pa humbur kohë për të zënë radhë për bileta,
për të blerë kokoshka, e pije të gazuara, në ekranin e telefonit të dorës mund
të shohësh një film, qoftë dhe kur mbyllesh brenda mureve të banjës. Jashtë
kësaj, të shkuarit në kinema është një eveniment, sepse duhet të kujdesesh edhe
për veshjen, duhet të respektosh edhe të tjerët që ndajnë të njëjtën sallë.
Po
të kthehemi pas në kohë, arkivat na kanë dhënë mundësinë që të gjejmë se kur ka
hyrë së pari filmi në Shqipërinë tonë. Dhe studiuesit nuk gabojnë, pasi njëzëri
kanë rënë dakord që filmi hyri në Shqipërinë e prapambetur të viteve 1911-1912,
ende pa u shpallur Pavarësia. Pra, jemi vetëm 16 vite larg nga shpikja së kinematografisë
që u realizua nga vëllezërit Lymier, me origjinë franceze.
Në
Tiranën e para viteve ’90, me 250 mijë banorë, veç kinemave të mbuluara, ka
pasur edhe kinema verore. Kinema “17 Nëntori” dhe “Republika” të jepnin mundësi
që gjatë netëve të nxehta të verës ta shihje filmin nën qiell të hapur. Para
vitit 1945, po në Tiranë, por këtë herë me 45 mijë banorë, kanë qenë verore kinematë
“Ideal”, “Imperiale” dhe “Impero”...
Tirana
ka pasur një seri kinemash të cilat në vitet e diktaturës komuniste u riemërtuan.
Kështu ishin kinematë Orient “REX”.
“Ideal”, “Popullore”, “Diana”, “Imperiale”, “Rozafat”, “Haverik”, “Dopo
lavoro”, “Savoia”, “Kosova”, “Skënderbej”, “Tomori”. Më pas të njëjtat kinema u
pagëzuan me emrat e rinj, si “Brigada”, “Agimi”, “Dajti”, “Ali Demi”, “Ylli i
Kuq”, “Republika”, “17 Nëntori”, “Partizani”.
Pra
njerëzit kishin mundësi të mëdha për të shkuar në kinema, për të ndjekur një
film e për t’u argëtuar, ashtu si pjesa tjetër e botës.
Për
më tej, Amerika por dhe shumë vende evropiane kishin investuar në salla
gjigante kinemaje, ku filmin mund ta ndiqje nga makina. Por kjo nuk ka sens dhe
nuk është fort joshëse në një vend të vogël si Shqipëria.
Aktualisht
Tirana ka vetëm Kinema “Millenium 2”, rrjetin “Cineplex”, si dhe disa salla
alternative me kapacitet të vogël, pjesë e hotelerisë. Në këtë mënyrë mund të
themi se kinematë e dikurshme, që pushuan së funksionuari dhe u kthyen në depo
e bingo, nuk u zëvendësuan më, edhe pse numri i banorëve të kryeqytetit
shqiptar rritet çdo ditë.
Kjo
ishte sa për informacion, sa për të thënë se koha e artë e kinemave ka kaluar edhe
në Shqipëri me të njëjtat vlera. Nuk ka asnjë gjurmë tradite të kinemasë
publike. Por nëse në Evropë e Amerikë kinemaja vazhdon të jetë një institucion
i palëkundur kulturor, transmetues filmash dhe arkëtues të ardhurash pa fund, në
Shqipëri kinemave u është bërë gati dryni.
Në
fillim të këtij shkrimi, jo rastësisht mora si shembull filmin fort të ndjekur
italian “Cinema Paradiso” me regji e skenar të Giuseppe Tornatore-s. Filmi
është realizuar në Palazzo Adriano, një ngulim arbëresh në Sicili, banorët e të
cilit ruajnë vetëdijen e të qenit arbëresh dhe ritin, por jo gjuhën. Një
shoqërim idesh është kësaj radhe i pashmangshëm, shqiptarët sot e kanë ende në kujtesën
e tyre kinemanë, edhe pse thuajse e kanë humbur atë fizikisht.
No comments:
Post a Comment