Nga Leonard
Veizi
Pas
siglës 10-sekondëshe, herë me glob që rrotullohet e herë me shirita që
kryqëzohen e shpalosin një slogan, busti i tij mbush ekranin e televizorit në
një nevojë të përnatshme e të pashtershme për të ditur se ç’ndodh përreth dhe
pak më tej: “Po japim lajmet”. Përballja është e përditshme, e butë, e
njëtrajtshme, inatçore, e mërzitshme deri në marrëzi. E, megjithatë, ai është
aty, i pamërzitur, i pavrenjtur dhe krejt i paqortueshëm, por shumë miqësor me
të gjithë ata që ndjekin çdo grimasë të tij përmes ekranit shumëpolësh, por që
ai nuk mund t’i shohë dot nga gryka optike e kamerës së studios. Ai është aty,
dhe ka qenë qysh më parë, te “Revista Televizive”, “Edicioni informativ” apo
thjesht “Lajmet”. Dhe, pa dyshim, është më i njohur se presidenti i Republikës,
kreu i qeverisë dhe ai i Bashkisë, sepse është ai që për 45 vite me radhë, ka
transmetuar për ne lajmet e ditës, ato që ka përgatitur redaksia me montazhierë,
operatorë e gazetarët në terren. Dhe për të gjithë punën e madhe të 45 viteve në
ekran, por edhe për jetën e tij përtej ekranit, ai ka menduar të bëjë një
libër. Për më tej, Dhimitër Gjoka, regjisor në profesion dhe folësi më i dashur
për publikun e lajmeve, për lexuesit e gazetës “Fjala”, tregon disa detaje nga
libri ende i padalë në treg, e që ka për fabul jetën e tij dhe punën e
përbashkët me kolegët e Radio Televizionit Shqiptar.
Libri që nuk ka
dalë ende nga shtypi është libri juaj i katërt. Çfarë përmban ai?
Është
një libër autobiografik. E shkrova vetë. Them e shkrova vetë, sepse mund të
kisha abonuar dhe dikë tjetër për ta shkruar. Por vetëm kur e bën vetë një gjë
të tillë, merr më tepër ndjesinë e të shkruarit dhe të hedhurit të shpirtit në
letrën e bardhë. I përjeton më mirë ngjarjet, sepse ke të bësh me një ndjesi
ndryshe. Prandaj nuk ia besoja dikujt tjetër të shkruante biografinë time.
Përse kjo
autobiografi në këtë kohë?
Mendova
që ajo të dilte pikërisht, me rastin e 60-vjetorit të Televizionit Shqiptar. Unë
vetë kam një jetë 45-vjeçare nëpër televizione. Mendova që në këtë sinkron të
hedh në letër gjithë ecurinë time në Radio dhe Televizion. Besoj se është diçka
interesante.
Kapitulli i parë
i librit, nga e keni filluar?
Nga
fëmijëria. Me ndjesinë e prindërve të mi, të gjyshërve të mi që u munduan të më
fusnin në rrjedhën e artit, duke më detyruar të lexoja romane, tregime, të mësoja
poezi të autorëve të ndryshëm, përveç atyre që bënim në shkollë. Kështu që
shpesh herë në fillore apo në 8-vjeçare m’u dha mundësia që dhe të recitoja nëpër
evente të ndryshme. Në shkollë të mesme gjithashtu interpretoja në teatër. Deri
në vitet e gjimnazit pata një aktivitet të gjallë artistik, në të cilin falë
pasionit dhe përkushtimit të njerëzve që më rrethonin e më dhanë krahë, unë
them se arrita rezultate.
Pas kësaj
vazhduat me Institutin e Arteve...?
Instituti
doli si nevojë e mëvonshme. Në çastin që unë dëshiroja të shkoja në shkollë të
lartë, nuk m’u dha kjo mundësi. Ishte koha kur nëse kishte një vëlla apo motër
më të madhe në shkollë të lartë, nuk e merrje këtë të drejtë edhe po të ishe me
rezultate shumë të mira. Kështu që u detyrova të shkoja ushtar. Për kohën, unë
kisha një biografi të mirë. Por dhe biografia, me sa duket, ashtu siç të ngre edhe
të ul ndonjëherë. Në rastin konkret mua nuk më vlejti, sepse shkollën s’e bëra
dot në kohën e duhur, por bëra tre vjet ushtri. Pikërisht atëherë më kishte përfshirë
pesimizmi.
Ku e kryet
shërbimin e detyrueshëm ushtarak?
Pata
fatin të isha në regjimentin e helikopterëve në Farkë. Shumë shpejt edhe në
ushtri u hapën dritare për mua. U bënë festivale teatrosh midis regjimenteve. U
njoha me shumë personalitete. Pata fatin të punoja me Marie Logorecin si regjisore.
Më pas pata fatin që të merrja pjesë në një konkurs për spikerim në RadioTirana.
Nga të gjithë pjesëmarrësit unë arrita të marr një vlerësim të madh. Edhe pse
ushtar, vija në Radio Tirana si bashkëpunëtor i jashtëm. M’u besua mikrofoni. M’u
besuan shumë emisione. M’u besua revista radiofonike e mbrëmjes. Njoha shumë
yje të mikrofonit, që ishin profesionistë të Radio Tiranës siç ishin Piro Noti,
Elsa Xhaji, Meropi Mathia, Liljana Meçani, Vera Zheji. Njoha shumë gazetarë,
njoha Agron Çobanin etj. Njoha regjisorë si Xhelil Aliu. Njoha shumë teknikë e
montazhierë. Dhe kjo më mbrujti e më mbajti gjallë në tre vitet e ushtrisë.
Dhe pas ushtrisë...?
Pas
ushtrisë në një farë mënyrë u detyrova të konkurroja në Institutin e Lartë të
Arteve. Kuptohet ky nuk ishte më një vendim i Komitetit Ekzekutiv që të jepte të
drejtën e studimeve, por ky ishte një konkurrim. Shkova në konkurs me ndjesinë
që, nëse fitoja, do të kisha të drejtën të bëja dhe shkollën e lartë. Konkurrova,
fitova, madje u vlerësova shumë mirë. Pas kësaj nga Radio kalova në Televizion,
megjithëse nuk u shkëputa nga radio.
Ku u emëruat
pasi përfunduat studimet?
Pasi
mbarova Institutin e Arteve u emërova si regjisor në Teatrin Popullor. Por
televizioni doli më i fortë si institucion dhe mbeti pezull ëndrra ime për skenën
që të isha dhe regjisor dhe aktor e që të isha bashkë me korifenjtë e artit. Kisha
menduar dhe se çfarë do të vija në skenë për mbrojtur diplomën. Mirëpo fati nuk
më la ta ushtroja profesionin e regjisorit në Teatër dhe një fuqi madhore si
politika bënë që unë të vazhdoja punën në Televizion. Unë ngaqë kisha filluar në
prej kohësh në Televizion isha bërë dikushi, isha bërë një autoritet ekrani, dhe
teleshikuesi më donte. Drejtuesit e institucionit kishin respekt dhe simpati për
mua duke thënë: “Na erdhi një zë si i Kiço Fotiadhit”. Pra, për drejtuesit
ishte një zbulim i madh. Ndërsa unë kërkoja zbulimin në Teatrin Popullor. Doja
të bëhesha një regjisor i skenës.
Në 45 vite punë,
çfarë u ka dhënë Televizioni?
Televizioni
më dha një sadisfaksion, më dha njohje, më ka dhënë vlerësim. Por më dha dhe shumë
dritare të cilat unë fillova t’i hapja një e nga një. Nisa të ngjisja shkallët e
po vlerësohesha me çmime kombëtare. Këto ishin privilegjet që kisha si njeri
publik në Televizion, krahas me Teatrin.
Shumë njerëz ju
njohin si folës. Ndërkohë jeni regjisor. Çfarë keni sjellë në anën e padukshme
të punës suaj?
Njohja
si folës është ana e dukshme e ekranit. Si regjisor je prapa kuintave. Unë kam
ecur paralelisht, sepse në televizion nuk mund të jesh vetëm në një profil. Në
regji kam bërë që nga Rubrika Sportive, lajmet, dokumentarë, telereportazhe e
deri te spektaklet.
Si e vlerësoni
rolin e regjisë televizive në ditët e sotme?
Ka
shumë mangësi. Regjisorët sot janë kthyer në teknikë pulti, shtypës butonash.
Ka varfëri mendimi regjisorial në emisione. Nëse gazetari është skeleti i ndërtimit
të një emisioni apo të një dokumentari, regjia është ajo që e mbush me mish, i
jep frymë, i vesh kostumin, i jep fjalën, i jep lëvizjen, gjallërinë ritmin,
Prandaj nuk mund të shkëputen gazetaria më vete dhe regjia më vete. Sepse televizionet
lindin në funksion të ecjes paralel të këtyre dy gjinive. Në TV gazetari nuk bën
dot pa regjinë dhe anasjelltas. Janë të dy si një trup i vetëm që ecin.
RTSH-ja nuk ka
një enciklopedi për jetën e vet. Libri juaj është nga të paktët i shkruar nga një
punonjës me kontribute. Mendoni se kjo është mënyra më e mirë për të lënë gjurmë
e për të treguar jo vetëm historinë personale, por edhe atë të Televizionit?
Sigurisht,
me këtë ndjesi unë u ula të shkruaj. Është një epokë ku ka punuar një ekip i
caktuar. Ata kanë dhënë mundin e djersës, kanë arritur rezultate, kanë kapur
majat. Dhe nga kjo anë unë shkunda diçka për t’i risjellë sërish ish-kolegët e
televizionit pas kaq vitesh. Një nga shtysat ishte që pas disa vitesh endeje në
televizione private, unë u ktheva në Televizionin Publik. Ndjeva keqardhje, sepse
sigurisht koha bën të vetën. Shumë nga ish-kolegët e mi kishin dalë në pension,
shumë të tjerë kishin mërguar për arsye ekonomike, por sërish gjeta një bërthamë
shumë produktive në TV, gjeta elementë shumë të suksesshëm, të cilët i kisha lënë
në kohën që fillova të lëviz nëpër televizionet private. Por gjeta dhe shume të
rinj të talentuar, gjithashtu. Dhe një gjë e tillë më mbushte, sepse kisha
ardhur sërish në shtëpinë time.
Flasim për vitet
para ’90. Sa trysni ka pasur një folës lajmesh që punonte nën një regjim që nuk
i falte gabimet?
Në
profesion nuk ka regjime. Profesioni është i njëjtë kudo. Nëse je një
profesionist i mirë, nuk do të thotë se duhet të jesh dhe një partiak i mirë.
Mund të mos e llogaritësh fare anën politike të gjërave. Dhe nëse shikon punën
tënde, pra nëse ushtron profesionin tënd, në shkallën dhe nivelin e duhur, këtu
nuk hyn më politika. Edhe nën diktaturë, te ne, profesion bëhej ashtu si dhe
tani. Pra në TVSH si atëherë, edhe tani, profesioni nuk ka ndonjë dallim në
thelb. Ndryshe është po të flasim rreth përmbajtjes që sjell formën, e që të
dikton mënyrën e të qëndruarit. Nëse në kohën e diktaturës gjërat ishin pak më
strikte dhe brenda disa kornizave të caktuara, era e re e pas viteve ‘90 i zhveshi
nga kjo mënyrë e të konceptuarit. Por profesioni i njëjtë mbeti si atëherë,
edhe tani.
Libri që nuk ka
dalë ende në treg përmban dhe çaste tuaja të vështira gjatë jetës profesionale?
Momente
të vështira përveç se me veten, unë nuk kam pasur. Kam pasur të bëj me gjendje shpirtërore
në të përditshmen e daljes në ekran. Kam qenë mirë apo jo fizikisht, kam qenë sëmurë,
duhet të qeshja kur nuk më qeshej apo të flisja kur nuk më flitej. Sepse këto t’i
detyron profesioni përpara kamerës. Gjithmonë para kamerës duhet ta ushqesh
veten që ke një destin të caktuar. Destini është teleshikuesi që të ndjek. Dhe
ti a ka mundësi që atë teleshikues nëpërmjet formave dhe aftësive të tua ta
bësh për vete që të të shohë vetëm ty. Ky është koncepti bazë. Kjo punë shkon
deri në personalizim të orareve. Fjala vjen, në qoftë se në orën 20:00 është
Dhimitër Gjoka në ekran, ai teleshikues e di që do të ulet para televizorit, sepse
do t’i shohë lajmet me Dhimitrin. Mirëpo që ta bësh këtë duhet punë, punë,
punë. Ky është destini ynë. Ky është qëllimi ynë, i njeriut që del në ekran. Nuk
janë thjesht 30 minuta para kameras. Por çfarë të bën që ta thithësh tjetrin,
që ta bësh të thotë se lajmet do t’i ndjekë me këtë folës. Mirëpo ky është një
ushqim i përditshëm, ndaj për ditë duhet të mendosh edhe në punë, por dhe në
shtëpi, në tavolinë duhet të mendosh se çfarë të veçante do të bëj sot nga dje,
kur të dal në ekran, që telespektatori të më ndjekë hap pas hapi.
Të gjithë kolegët
ju njohin për përkushtimin dhe ndihmën që keni dhënë ndaj tyre. Sa bashkëpunojnë
sot brezat me njëri tjetrin?
Ka
një vlerësim jo shumë serioz të përgatitjes së elementit që del në ekran. Dhe
kjo është puna regjisoriale që është e dobët. Në mos është e mangët. Pra, një
njeri që del në ekran, nëse nuk kalon në filtrin regjisorial, nuk mundet që siç
vjen nga rruga të dalë para kameras. Pra kemi të bëjmë me një bashkëpunim të
munguar.
No comments:
Post a Comment