Nga
Leonard Veizi
Në kulturën
anglosaksone të psikologjisë ajo njihet si “depresion blu”.
Por a e dini
çfarë është depresioni blu?
Që të mos futemi
në shpjegime të lodhshme, shkurtimisht mund të themi se kjo njihet si një
gjendje që vjen pas mbarimit të pushimeve dhe kthimit në punë. Pra, pasi ke
marrë mjaftueshëm një dozë antistresi dhe të duhet të përballesh sërish me
stresin. Por është dhe një gjendje depresive që ndodh pasi ke kaluar
mjaftueshëm një gëzim, ku ke pasur një gjendje të lartë euforie. Fill pas kësaj
vjen rënia.
Shkurt, depresioni
blu, edhe pse ka një emër të mahnitshëm, është një nga ato gjëra që ta prish
fare qejfin që ke kaluar, aq sa bëhesh për t’i thënë vetes: Isha më mirë, kur
isha keq.
Kështu edhe në
rastin konkret. Shqiptarët nisën të mësoheshin me karantinën edhe kur ajo i
kaloi të 40-at. Më pas filloi të na lirohej zinxhiri, dhe tani jemi mjaftueshëm
të lirë. Por nga çasti i fitores së pergamenit ku cilësoheshe “i lirë” e deri
më tani, lajmet që vijnë për ditë nga
podiumi i Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se më afër lirisë kemi sërish
prangat e karantinës.
“Depresioni blu”
vërtitet mes nesh.
Pra na u deshën
vetëm pak ditë lirie të qeta, dhe aspak të harbuara për mungesë mundësish, dhe
menjëherë shifrat në rritje bënë që ca e ca të vlerësonin më shumë mungesën e
lirisë, sesa vetë lirinë. Nuk themi, ka plot njerëz që jeta në burg u duket më
e mirë se jashtë saj. Ka ca të tjerë që sipas cilësimit “sindromi i Stokholmit”
edhe gardiani të dera e qelisë që e penalizon me nga një shkop gome kurrizit, i
duket “vëlla e kaluar vëllait”. Mirëpo fatit nuk i shpëton dot edhe në vrimën e
miut të fshihesh, e jo më në “burgun” e shtëpisë. Për këtë rast populli ka një
shprehje që thotë se “plumbi të kap dhe kur je shtrirë”.
Problem mbetet
kontingjenti i atyre që urrejnë burgun, madje janë gati të vdesin e të mos e
kalojnë një ditë në mungesë të lirisë.
Shifra e të
prekurve me COVID 19, që tani mund të cilësohet dhe si më seriozja e
fillimshekullit të ri, në trojet e Republikës së Shqipërisë fillimisht kishin
nga një dhjetëshe përpara, pra 17 apo 18 si me thënë. Pastaj dhjeta u bë njëzet,
e njëzeta tridhjetë... e me radhë, e tani së fundi kemi shifrën 50 e kacafiu,
të padëgjuar kurrë më parë nga këto anë, që kur nisi epopeja e luftës frontale me
armikun e padukshëm.
Keq puna.
“Depresioni blu”
po vërtitet mes nesh si fantazma e Bankos... Po fantazmën e Bankos e njihni?
Nëse nuk dini gjë as për të mos prisni t’jua shpjegoj. Në fund të fundit një
fantazmë ishte. Dhe fantazmat duket sikur trembin vetëm fëmijët, por, në fakt,
ato trembin edhe të rriturit. Në shumë institucione nuk të lënë të futesh pa
maskë. Mirëpo OBSH-ja pasi ka kundërshtuar disa herë veten, sërish ka dalë në
përfundimin se maskat, që të zënë gjysmën e fytyrës aq sa të dukesh si grabitës
profesionist, nuk janë të nevojshme.
Në Tiranë në ca institucione
të tjera nuk të lënë të futesh pa vënë dhe doreza plastike. Mirëpo OBSH-ja pasi
ka kundërshtuar ca herë të tjera veten edhe në këtë pikë, na ka bërë të ditur
se dorezat plastike më shumë na dëmtojnë se na mbrojnë.
Si t’ia bëjmë?
“Depresioni blu”
është ulur këmbëkryq, edhe pse ne nuk po arrijmë ta perceptojmë si duhet.
Ne informohemi
çdo ditë për të prekurit nga Covid, por nuk dimë gjë rreth vdekjeve me diagnoza
të tjera. Nuk dimë çfarë ndodh me pacientët që vuajnë nga sëmundjet
kardiovaskulare, as nga ata që kanë metastazat kanceroze nëpër trup. Ne dimë
vetëm atë që na japin. Nëse do të na thoshin zyrtarisht se ka shpërthyer malaria,
edhe në mungesë të kënatave e të mushkonjave anofele, sërish do ta besonim. Por
nëse do të na e kishin kursyer këtë informacion të frikshëm, për të cilat janë angazhuar
gratë e Institutit të Shëndetit Publik, punët pa dyshim do të shkonin më mirë.
Mirëpo, duke na
i bërë publike çdo ditë, duket sikur heqin nga vetja peshën e rëndë të
informacionit “top secret”. Ç’është e vërteta, kjo është një transparencë që
kur s’e duam na i japin, kur e kërkojmë, informacioni bëhet krejt hermetik.
Edhe këtu nuk ke nga ta kapësh, dhe mundësia që të mësosh të vërtetën lakuriqe është
në kufijtë e zeros.
Në Amerikën e
viteve ‘30 të shekullit të kaluar, u shpik termi “Depresioni i Madh”. Tani, në
vitet ‘20 të një shekulli më pas, me sa duket, jemi në ditët e “depresionit
blu”.
“Depresioni blu”,
emër i bukur. Ashtu si “Batalioni blu” i “Gjeneralit” të Kadaresë, repart
ushtarak ndëshkimor, që udhëhiqej nga një kolonel me inicialin “Z” por pa
mbiemër. Ashtu si “mbreti blu”, heroi negativ i dramës “Gjaku i Arbrit” të
Fadil Krajës, që dërgonte ngado kasnecë aleancash me kuaj të mbuluar me pëlhurë
blu. Pra, në të gjitha rastet “blu”.
Emër i bukur.
Fama, aspak e tillë.
Shqiptarët janë
në dilemën e madhe, në do të bëjnë ndonjë ditë plazh këtë vit apo fare. Më kokëshkretët
e kanë nisur zhytjen në det dhe shullimin nën rrezet e diellit, edhe kur janë
penguar nga policia “bregdetare”. Ndërkohë, sinjalet e mjekëve tanë, që
sigurisht orientohen nga raportet që rifreskon OBSH-ja, pasi thanë që uji i
detit e shpërndan më shpejt virusin, dolën në një konkluzion të dytë: bëni
plazh, se s’ju gjen gjë, uji i detit e largon virusin.
Kë të besosh?
Se po bëhen 8
muaj që OBSH-ja, e cila ka nën mbikëqyrje majën e shkencës botërore të
shëndetësisë, çfarë thotë sot e mohon nesër.
Ky është një
panik paraprak. Apo më mirë të themi një panik paralajmërues. Demek: mos na
thoni, që nuk ju thamë.
Pa dyshim, e
gjithë kjo situatë e paqartë lë vend për interpretimin e teorive
konspiracioniste, të cilat mbrojnë idenë e frikshme se “Sars Cov 2” është një
virus i manipuluar nga dora njerëzore, i cili po përdoret si armë biologjike...
Për më tepër, ajo që pretendojnë konspiracionistët përveç se e frikshme, duket edhe
e pamundur: shkaktimi brenda një 10-vjeçari i 6 apo 7 miliardë kufomave, për ta
lehtësuar botën nga teprica njerëzore. Një gjë të tillë nuk e kishte parashikuar
as themeluesi i kësaj teorie, ekonomisti anglez Tomas Maltus, i cili për çudi,
a për ironi të fatit, mbante dhe rrason e priftit. Një gjë të tillë nuk e
shkaktuan as dy luftërat e njëpasnjëshme botërore, ku numri i viktimave në
ditë, i atyre që vriteshin në front dhe i atyre që digjeshin nëpër krematoriume
e kalonte ku e ku shifrën e vdekjeve që i faturohen COVID-19.
Që në fillim të pandemisë
“Sars Cov 2” u tha se nga fillimi i vjeshtës do të kishte një valë të dytë.
Tani ca e habitshme që të dish prej marsit se çfarë do të ndodhë në shtator.
Edhe Nostradamusi do të ishte më i kursyer në këto parashikime. Por, po e
marrim të mirëqenë. Se parashikuesit e sotëm janë më të talentuar se ata të
mesjetës. Ndaj po përgatitemi që diku nga vjeshta, pesë ditë para a pesë ditë
pas, do të zbarkojë një valë e dytë e virusit “Sars Cov 2”, ndoshta i njëjtë me
atë që na përfshiu në dimrin e këtij viti, ndoshta me një mutacion të ri...
surprizë.
Kjo do të thotë
se karantinën e kemi në prag.
“Depresioni blu”
ka mbërritur tashmë.
No comments:
Post a Comment