Nga Leonard Veizi
Në të gjallë të
tij nuk guxova t’i marr një ese mbi vdekjen, ngritur mbi një pyetësor nga ku do
të zbërtheja vetë ekzistencën e tij, të një njeriu me tru të ndërlikuar. Për këtë
jam fort i penduar, sepse gjithsesi ngërçi që të flisja për vdekje me një njeri
që e dinte se po bashkëjetonte etshëm me të, nuk më linte ta çoja deri në fund
egoizmin tim. Isha tërësisht i bindur që nuk do të hezitonte të ma përkufizonte
ekzistencën e vdekjes ashtu siç e përfytyronte vetë ai në halucinacionet e
patrajtshme, por ja që arrita ta kaloja dot autocensurën, mekanizmi i të cilës më
pengon sa herë kërkoj të jem më shumë i shpenguar.
Sot, më duhet të
shkruaj për vdekjen e tij. Por tanimë nuk ia vlen. Sepse për vdekjen ai do të
shkruajë shumë më mirë vetë, kur të mbërrijë atje ku i takon, në parajsë a në
ferr, mos qoftë thënë. Ndaj unë edhe tani jam i detyruar të shkruaj për jetën e
tij. Veç fare shkurt. Sepse shumë të tjerë, e njohin shumë herë më mirë, e mund
të shkruajnë shumë herë më shumë.
Në varfërinë
time prozaike me siguri do të shkruaja se Moikom Zeqo u lind në Durrës e vdiq
në Tiranë. Bosht 30 kilometrash në vijë ajrore, a ndoshta më pak. Por i
pasuruar nga vepra e tij nuk do ta bëj këtë gabim foshnjor i denjë për një
gazetar diletant. Sepse unë duhet të shkruaj diçka tjetër... por që në fakt nuk
di se çfarë.
Një tërësi
veprash poetike botuar në të gjallë të tij mban emrin “Mishellanea”. Një tërësi
veprash të tjera, që me siguri do të botohet pas vdekjes së tij do duhet të mbaj
një tjetër emër: “Moikomiada”. Është plejada e tij. E një njeriu të vetëm që pa
frikë mund të përfaqësonte një grupim të tërë. Dhe ky është tërësisht një
mendim personal, asgjë më shumë.
Nëntorin e vitin
2015, gazetari Xhevdet Shehu botoi në gazetën “Dita” një shkrim me titullin
apel: A ka një shtrat për Moikomin? Në këtë mënyrë ai ndau me lexuesit dhe
lajmin fort të trishtë se shkrimtari shqiptar ishte diagnostikuar me një
leucemi kronike.
Pak ditë më vonë,
teksa e takoja dhe isha i detyruar t’ia përmendja këtë fakt, mora si përgjigje
atë çfarë i kishin thënë mjekët: 7 vjet jetë në bashkëjetesë me të keqen. Te e
fundit njeriu ngushëllohet dhe nga ky fakt. 7-të vjet jetë nuk janë pak.
Qershori i vitit
2020 tregoi se sëmundja u tregua krejt e pabesë, duke i marrë nga premtimi të
paktën dy vjet prej atyre që u menduan si të dhuruara. Dhe padyshim, për një
njeri si Moikomi, që gjumi e zinte mbi libra e gdhihej po mbi ti, dy vjet nuk
janë pak. Sepse 700 ditë jetë mund të përkthehen dhe në disa vepra të tjera, mundësuara
prej dorës së tij.
Me Moikomin kemi
qenë kolegë. Që te jemi të qartë: jo se unë kam qenë deputet në ndonjë
legjislaturë, as drejtor i ndonjë institucioni simotër, porse me të kemi punuar
krah për krah në dy gazeta të përditshme. Pra kemi qenë gazetarë. Dhe po t’i
futem e të shkruaj kujtimet që kam me të, nuk kam për t’ia dalë kurrë. Sepse
kemi bërë biseda të gjata mbi artin e historinë, ku unë bëja “pyetësorin e
Prustit” e ai kishte përgjigje për gjithçka. Por edhe kafe kemi pirë, ndonjë
gotë rakie e kemi kthyer, por edhe ndonjë birrë me meze çasti e kemi konsumuar.
Moikomi ishte natyrë e thjeshtë, pavarësisht pasurisë së jashtëzakonshme që
kishte, e që ua kalonte dhe oligarkëve të cilëve u përmendet emri në Kuvend. Moikomi
duhet të ruhej me truprojë, ashtu si shumë institucione të rëndësishme të
shtetit. Por ai shëtiste rrugëve nëpër Tiranë, i fshehur poshtë kapelës së tij
republike. Në kokën e tij Moikomi kishte njohuri sa një Akademi Shkencash, dhe
nëse kjo vlerë do të konvertohej në para, mund t’i jepte hua shtetit sa të
kalonte krizat e tërmetit dhe të covidit bashkë. Por “Mjeshtër i madh” Moikom,
kishte një pension shteti dhe që t’ia dilte, botonte vazhdimisht shkrime nga
bota e tij e madhe enciklopedike.
Në bibliotekën
time kam një dhuratë të çmuar prej Moikomit. Është libri i tij “Nostradami në 3
qershor - Antiprofecitë” të cilin ai e bleu tek një bukinist dhe shënoi me
stilolaps një autograf për vajzën time. Në faqen e parë të librit, një botim i
vitit 1999, mbante dedikimin “Ky libër i kushtohet Arnisës në 18 vjetorin e saj,
më 12 korrik”. Poshtë dedikimit, autografin me dorën e tij e citoj “Geas së
vogël, që ta lexojë këtë libër e të më kuptojë – Moikomi 2006”
Sepse nuk është
e lehtë të kuptohet Moikom Zeqon as në filozofinë e tij të të shkruarit, as
pikturën e tij moderniste. Mund të kuptohej qartësisht vetëm oratoria e tij, ku
arrinte të shkoqisë gjithçka në detaje e ku me shumë pasion fliste si për
letërsinë, ashtu dhe për historinë.
“Në botë nuk
është vetëm kritika që shkruan për librat, edhe shkrimtarët e mëdhenj shkruajnë
për njëri-tjetrin”, më pat thënë një herë gjatë një bisede informale, fjalë që
i kam përdorur si argument sa herë më është dhënë rasti.
Dukur e quajta
“Përbindësh”. Edhe sot nuk e di në kam bërë mirë apo gabim në këtë cilësim që
fillimisht erdhi tek unë i bëftë e në mënyrë pasiononte. Ishte viti 2017 dhe në
sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar, aty ku ai kishte drejtuar për 8-të
vite me radhë, u mbajt një simpozium rreth krijimtarisë së tij. Dhe folën shumë
prej miqve, njerëz të letrave e të shkencave sigurisht. Po unë çfarë mund të
shkruaja për Moikom Zeqon, përtej një lajmi të varfër. Fillimisht vendosa
titullin intrigues ““Përbindëshi” Moikom Zeqo, një korpus letrar me mbi 100
vepra”, dhe si më poshtë nisa tekstin:
Krijimtaria
e tij vjen nga kaosi. Letërsia nuk është letërsi, dhe as historia nuk shkruhet
si e tillë. Ato janë një amalgamë ku dhe poezia shtrihet gjerësisht. Pra
realisht kemi të bëjmë më një kaos. Herë i zgjidhshëm herë krejt i koklavitur.
Të duhet një lexim i dytë ndoshta dhe një i tretë që të mund ta shpërbësh.
Ndërkohë një muzikë xhaz të shoqëron në sfond. Herë pas here të duket se ajo
është aty në mes të atij kaosi letrar. Aspak e huaj. Dhe qëndron këmbëkryq.
Ndërkaq, ti, gjithashtu kërkon të shkrihesh me të gjithë amalgamën. Nëse ke
mundësi t’ia arrish dot, kuptohet. Shën Jeronimi kishte frikë nga mbiemrat.
Padyshim nga mbiemrat lëvdues shumë më tepër se të atyre që të vinin në dukje
ndonjë të metë të cilës ia dije dhe vetë vetes. Moikom Zeqo gjithashtu. Ai e
perifrazon shenjtin ilir nga Dalmacia që jetoi mes shekujve IV – V pas
Krishtit, si për të thënë se ai trembej ngaqë mbas emër mbiemrit origjinal, një
shtesë tjetër në mbiemër, si përkufizim i kontributit të tij, do ta vinin në
një pozitë më të vështirë se kaq. Madje ai shprehet se vetëm përtej kësaj jete,
atje ku nuk ka miq që të pompojnë me apo pa të drejtë dhe hipokritë që nuk ta
thonë asnjëherë të vërtetën në sy, shkrimtari mund të jetë i qetë dhe krejt i
çlirët nga mbidozimi. Por deri atëherë ka kohë, dhe shkrimtarit i duhet të
përballet ende në fushën e madhe të betejës, ku disa thonë se e ka fituar
luftën prej kohësh e ca të tjerë kërkojnë që ai të vazhdojë e të prodhojë
meqenëse makineria e tij është në një gjendje të shkëlqyer pune...
Shkrimi që bëra
më ketë rast fluturoi si era e u botua në disa portale. Pas kësaj pata një çast
pendimi, por zot i shkrimit më nuk isha për të bërë një retush, ndoshta të
domosdoshëm. A ishte “përbindësh” fjala e duhur për ta simbolizuar një poet
elegant si Moikomi, një piktor ai, një studiues historie e një arkeolog nënujor
gjithashtu. Dilemën ma hoqi vetë ai në një takim të ca ditëve më pas, teksa më
përqafonte e qeshte me të madhe. “Si më cilësoje?... Përbindësh... Ha ha ha. Shumë
e bukur ishte”. “Epo, - u justifikova unë, - me më shumë se 100 vepra të
botuara nuk më vinte në kokë asnjë fjalë më e përshtatshme. Te e fundit, vetëm
një përbindësh mund të përtypi aq shumë vepra sa ke përtypur ti”.
Moikomi ka ikur
të pushojë tashmë, pas një lufte të ashpër me sëmundjen e pabesë që i shkurtoi
të paktën dy vjet nga jeta e “premtuar”. Por vepra e tij ende nuk mund të quhet
një cikël i mbyllur, sepse padyshim ai ka lënë pas dhjetëra a qindra letra të
tjera formati në dorëshkrim, që do të presin radhën për të parë dritën e
botimit. Por gjithsesi, për studiuesit e tjerë, vepra e Moikom Zeqos nga ky çast
mbetet e hapur, për interpretim. Dhe në këtë mënyrë ai do të jetë gjithmonë mes
njerëzve duke marrë dhe titullin e përjetësisë.
https://www.facebook.com/watch/?v=265583451318820
https://www.facebook.com/watch/?v=265583451318820
No comments:
Post a Comment