Saturday, October 28, 2017

Bashkim Pitarka: Ju tregoj tim vëlla, Sulejmanin

Ish-diplomati rrëfen historinë e jetës familjare dhe asaj skenike të aktorit të madh të skenës dhe kinemasë shqiptare

nga Leonard Veizi

Ai ishte Abdi Mamani tek “Gjeneral gramafoni” dhe shoku Sokrat tek “Horizonte të hapura”. Por me siguri, roli i tij më i plotë e i jashtëzakonshëm ka qenë ai i gjeneralit rus tek “Ballë për ballë”, Zheleznovit. “Do ta kërkojmë Vlorë admiral...”. Sulejman Pitarka, ky gjigant i skenës dhe kinemasë shqiptare, do të festonte 90-të vjetorin e lindjes këtë 2 shkurt, nëse do të ishte gjallë sigurisht. Në të kundërt, ai vjen i gjallë për lexuesit e “Shekullit” nëpërmjet kujtimeve të vëllait të tij të vogël, Bashkim Pitarkës.

Si ka qenë fëmijëria dhe rinia e Sulejman Pitarkës?
Sulejmani, vëllai im i paharruar, lindi në qytetin e Dibrës së Madhe më 2 Shkurt 1924, në një familje të madhe e të pasur. Në vitin 1929, kur Sulejmani ishte 5 vjeç, nëna jonë e mori atë bashkë me vëllanë tonë më të madh, Rahmiun,7 vjeçar dhe me një barrë kali me plaçka, kryesisht për dy djemtë, u hodhën përtej kufirit dhe mbërritën në Durrës ku i priste babai ynë. Ai kish ardhur vite më parë në Shqipëri dhe nuk guxonte të kthehej pranë familjes në Dibër, për shkak të përndjekjeve që i bëhej familjes së tij nga serbo-maqedonët. Familja e tij ishte shpërndarë si ‘zogjtë e pulës’. Tri vëllezër të tij u hodhën në Turqi kurse ai dhe dy djemtë e xhaxhait të tij u arratisën për në Shqipëri, ku mbetën tërë jetën pa u kthyer dot më kurrë në Dibrën e Madhe. Nënës iu desh të linte haraç një torbë me xhevahire e florinj që autoritetet kufitare maqedone ta linin të kalonte kufirin me gjithë dy djemtë. Kështu, në Durrësin plak lindi e u krijua familja jonë e madhe Pitarka e përbërë nga 10 anëtarë, babai, nëna, 5 vëllezër e 3 motra. Nga një jetë e një familje e pasur në Dibër, filloi kalvari i një jete të mundimshme e me halle, me varfëri të madhe. Babai ishte i vetmi person që punonte. Kjo varfëri i detyroi prindërit tanë që krahas shkollës t’i fusnin në punë çfarëdo tri djemtë më të mëdhenj, për t’i pasur krahë. Edhe Sulejmani ndiqte liceun latin të Durrësit por edhe punonte për firma Italiane derisa mbaroi liceun dhe për aftësitë e tij në matematikë, shkrim dhe njohjen mjaft mirë të gjuhës italiane, e morën në punë, në Bankën e Shtetit në Durrës, e cila kish kryesisht punonjës italianë dhe drejtohej prej tyre. Shumë shpejt Sula ia mori dorën punëve të financës dhe nisi të ngrihej në përgjegjësi. Pushtimi fashist e gjeti familjen tonë në një barakë të vogël, të ndërtuar me dërrasa e teneqe mbi disa shtylla betoni, në buzë të ujërave të Adriatikut, brenda rrethimit të portit të Durrësit, që në atë kohë quhej “Lagja e peshkatarëve”.
Fillimi i luftës në çfarë kushtesh do ta gjente familjen Pitarka?
Rreth fundit të viteve ‘40-të, Sulejmani u martua me një kolegen e tij gjirokastrite dhe jetonte i ndarë nga ne, sepse im at nuk e miratoi kurrë atë martesë në atë moshë fare të re dhe me një vajzë me të meta fizike. Por Sulejmani i ri, shumë simpatik, aty e lëshoi dashurinë e tij të parë. Babai u çmend dhe i bërtiste: Po nuk i ke sytë në ballë mor katran! Ti pika e djalit, me shkollë e i bukur vajte more….”?! Dhe Sula, njeri me shpirt të madh, tepër i ndjeshëm e i sinqertë i përgjigjej: “Merrini sytë e mia dhe shiheni!” Të gjithë u dëshpëruam për këtë ndarje. Por më i dëmtuari dhe i pikëlluari isha unë, më i vogli i familjes dhe kanakari i Sulejmanit. Ai kish një dashuri të paparë ndaj meje që kur isha një foshnjë i vogël, me sy bojë qielli e flokë kaçurrela. Kur vinte nga puna hidhej më parë tek djepi apo më vonë tek shtrati im, m’i përziente flokët kaçurrela me atë dorën e tij të butë e të madhe dhe duke më ngritur në krahë më thoshte: “Po si je or kaçurrelsi i vëllait?” Më puthte e më pyeste se mos ndonjë nga të shtëpisë më kish futur ndonjë të sharë apo shuplakë. Për të tilla ngjarje ai bënte namin në shtëpi, zemërohej e nuk vinte me ditë të tera.
Po raporti juaj me Sulejmanin cili qe?
Unë nga ana tjetër e doja si një perëndi, e adhuroja dhe nuk ia ndaja sytë e veshët kur hynte e qëndronte në shtëpi. Nuk i ndahesha e i shkoja pas në aktivitetet sportive ku ai merrte pjesë në rininë e tij dhe, sidomos, i ngjitesha pas xhaketës, kur ai nisi të luante si aktor në teatrin amator të Durrësit. Që nga ajo kohë, rritej aftësia e arti i aktorit Sulejman Pitarka, e po ashtu rritej e forcohej adhurimi e dedikimi im pas atij vëllai, gjë që më ndoqi deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ai ishte për mua vëlla, baba dhe shok në vitet e rinisë, e më pas dhe i adhuruari im në rolet e tij në Teatrin Popullor, ku filloi të punojë më 1951 e më vonë i roleve të filmave shqiptarë, që ai vit e pas viti i realizonte me aq pasion dhe aftësi. Ai shpeshherë kur vinte tek ne, në shtëpinë tonë jo larg të tijës, ose kur unë shkoja tek ai, më lexonte e demonstronte me zë të lartë e me gjeste pjesë nga roli i ri që po përgatiste për teatrin apo kinostudion ose kur më lexonte skena nga dramat e komeditë që ai shkruante. Unë i ndiqja me gojë hapur këto seanca “private” të aktrimit e më tej në sallën e Teatrit Popullor, ku ndiqja me shumë pasion, shumicën e shfaqjeve, të dramave e komedive të vëna në skenë nga ai teatër i madh kombëtar e nga ajo plejadë madhështore aktorësh të talentuar. Shpesh, edhe kur nuk kisha para për biletë apo kur Sulejmani nuk donte të më fuste në sallë, unë megjithatë përfundoja atje sipër, tek qoshja nën çati e projektorëve të ndriçimit ku më shpinin miqtë e Sulës, elektricistët e punëtorët e skenës ose ndonjë herë xha Hasani, ai plak simpatik dhe zemërbardhë, përgjegjësi i sallës së teatrit. Më fuste në një nga lozhat qeveritare pasi fikeshin dritat e fillonte shfaqja. Dhe unë, i tretja sytë nga skena e ato më ndritnin e më fillonte njëfarë drithërimi kur në atë skenë hynte im vëlla, Sulejmani. Sa krenar ndihesha për të kur mbaronte shfaqja e salla buçiste nga duartrokitjet e thirrjet “Bravo!” Ndërsa aktorët e regjisori kapnin nga dora e nxirrnin në plan të parë njëri-tjetrin për të nderuar publikun. Nuk kish shfaqje që të mos e prisja deri sa të dilte tek porta kryesore e teatrit për t’u nisur së bashku për në shtëpi. Sa më mungojnë e më ngashërojnë këto momente, nga më të bukurat e më të ëmblat e fëmijërisë dhe rinisë sime. Me një fjalë teatri ishte bërë vendi i parë i adhurimit tim, sepse mbi të gjitha, adhuroja tim vëlla. Në ato kohëra shoqet e shokët aktorë të Sulejmanit si edhe regjisorë apo punonjës të skenës më quanin “Çuni i Sulës”, sepse ne ngjanim shumë me njëri-tjetrin dhe deri në rininë time Sulejmani nuk pati fat të kishte fëmijë, derisa u dashurua dhe u martua me Meri Budinën, shoqen e tij të jetës, nënën që i fali dy djem të mirë si pëllumba.
Mund të na tregoni për fillimet e jetës si aktor të Sulejman Pitarkës?
E kam shumë të vështirë t’ju flas për këtë temë, sepse shumëkush, historiografë e kritikë të teatrit e kinematografisë si dhe ish-kolegë apo nxënës të tij, kanë shkruar e kanë folur më së miri për Sulejmanin si aktor, në një numër aq të madh dramash e komedish, si dramaturg dhe si artist kinematografie që ka realizuar sa e sa role në filmat e shumtë. Këto anë mendoj se spektatorët dhe lexuesit bashkatdhetarë i njohin mirë nga ndjekja e atyre shfaqjeve e filmave apo nga kronika të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe Radio-Televizioni Shqiptar, në raste kremtimi të ditëlindjes së tij apo ceremonive për dhënien e aq e aq shumë dekoratash e çmimesh vlerësuese për krijimtarinë e tij. Më lejoni të flas shkurt për fillimet e karrierës së tij, nga kujtimet e mija apo të mësuara nga prindërit, vëllezërit dhe motrat e mija më të mëdha në moshë se unë, por mbi të gjitha, nga tregimet e vetë Sulejmanit për këtë karrierë artistike. Shpesh, kur e intervistonin Sulën, ai me seriozitet të plotë tregonte se regjisorja e parë e tij për aktrimin kish qenë nëna jonë, Feride. Ai më tregonte shpesh se si që në fëmijërinë e tij e më vonë (ashtu siç më kujtohet edhe mua në rininë time të hershme, nga jeta e vazhdueshme pranë nënës) e ndiqte me kërshëri dhe interesim nënën tonë tek fliste ose bënte shumë shakara në shoqëri të grave dibrane, në vizita reciproke, në pas-darkat e famshme dibrane rreth oxhakut të zjarrit. Ajo nuk fliste e lëvizte me gjeste të ndryshme, tregonte Sula, ajo imitonte e interpretonte si aktore e vërtetë. Këto vlerësime bënte për atë Sulejmani, sepse kishte një dashuri e adhurim të veçantë për nënën e tij, që në rini e deri në ditën që dha frymën e fundit ajo plakë e shumëvuajtur por edhe e lumtur. Për Vitin e Ri do të ishte i pari kurdoherë Sulejmani, që do të vinte tek ne për vizitë në orët e para të mëngjesit. Do trokiste lehtë me tre të rënat e zakonshme me unazën e tij. (Kështu bënte edhe nëna kur shkonte në shtëpi të tij, e kishin si parullë! Ha!Ha!Ha!) E merrte në grykë duke e puthur në faqet e saj të rrudhura e të rreshkura nga jeta, ia uronte Vitin e Ri dhe përkulej pastaj në gjunjë para saj dhe i thoshte: “Lërmë të të puth aty nga ku më ke mbajtur për 9-të muaj rresht moj nëna ime. Të përgjërohem e të falënderohem që më solle në jetë dhe më bëre njeri!”
Të kthehemi tek fillimet e Sulës si aktor e dramaturg?
Ai që në rini, në shkollë e në shoqëri, aktivizohej me shfaqje amatorësh. Tregoi talent në recitime dhe në shkrimin e vjershave e poezive rinore, e më vonë ato revolucionare e patriotike. Pas luftës, në fund të viteve ‘40-të, e dërguan të kryente shërbimin e detyruar ushtarak trevjeçar në një repart në qytetin e Gjirokastrës. Atje ai u dallua për përgatitjen e tij arsimore e kulturore dhe e caktuan si shkrues e përgjegjës të bibliotekës së repartit ushtarak. Nisi të aktivizohej më pas edhe në shfaqjet e grupit amator të repartit dhe të shkruante edhe ndonjë pjesë apo skeç të shkurtër drame apo komedie për atë trupë amatore. Pas kthimit nga ushtria, Sulejmanin e aktivizuan menjëherë në trupën e Teatrit Amator të Durrësit, ku luajti shumë role dhe ra në sy si aktor me talent e me perspektivë. Roli i Halilit në dramën “Halili dhe Hajria” ishte roli i parë i suksesshëm i Sulejmanit dhe që aty nisi ajo karrierë e gjatë dhe e suksesshme si aktor i Teatrit Popullor të Tiranës dhe artist në role të ndryshme në filmat shqiptarë, që nga “Skënderbeu” dhe “Furtuna”, të xhiruara kryesisht në BS e deri tek filmi franko-shqiptar “Loin des barbares” (Larg barbarëve) xhiruar në Paris më 1994. Për rolet në teatër dhe në kinematografi, janë shkruar artikuj e të dhëna të cilat gjenden edhe në internet, ku të dhënat janë më të sakta se dhe memoria ime. Sulejmani ishte një aktor me kërkesë të lartë për veten dhe ekzigjent me partneret. Ai punonte shumë për rolin, si në teatër, gjatë provave me regjisorët, po ashtu edhe në shtëpi. Një ditë i shkuam për vizitë Sulës në shtëpi dhe tek iu afruam derës së tij dëgjuam zëra. Kur hyjmë, e gjejmë Sulën të veshur me rrobat e protagonistit që do të interpretonte. Ishte i lyer e përlyer me makijazhin përkatës. Nëna ime e pa me habi dhe i tha: “Eh, mer Sulë, çish zanat të fëlliçun që kini ju artistët! Liheni e përliheni për dreq si ato…”. Qeshëm të tre. Telashet e atyre bojërave i hiqte më shumë bashkëshortja e Sulës, Meri, të cilës i duhej të lante përditë çarçafët dhe këllëfët e jastëkëve të Sulejmanit. Shumë nga aktorët dhe historianët apo gazetarët që kanë folur e shkruar për Sulën, vënë në dukje jo vetëm talentin e tij të madh si aktor, por mbi të gjitha cilësitë e tij të rralla në të folurit skenik. Ata thonë se Sulejman Pitarka ka krijuar shkollën e të folurit skenik në teatrin dhe filmin shqiptar. Zëri dhe aftësia e tij për t’i folur të gjitha dialektet e shqipes, puna që bënte ai para pasqyrës dhe magnetofonit, etj., e bënin vërtetë të kish një të folur skenike të veçantë, që e dallonte shumë nga aktorët e tjerë.
Cili ishte roli më i mirë që ka luajtur Sulejman Pitarka?
Më kujtohet mbrëmja e premierës së dramës “Pjata prej druri” e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar më 2006, ku Sula luante rolin kryesor. Shkova ta shoh bashkë me shumë pjesëtarë të familjes. Në sallë takova edhe të madhin e më të mëdhenjve aktorë shqiptarë, të ndjerin Kadri Roshi. Në një bisedë me të pas shfaqjes, e takova përsëri dhe e gjeta aty në radhë të parë të sallës, tepër i prekur dhe i emocionuar. Sytë i kish me lot (si shumë të tjerë), sepse drama ishte vërtetë e fortë dhe të jepte emocione. Dija që ai kish lënguar gjatë në shtrat. Ishte mjaft i dobësuar e sëmurë dhe u habita kur e pashë. (Pak muaj më vonë ndërroi jetë). Ndër të tjera më tha: “Kisha thënë, mos vdeksha pa e parë edhe një herë në skenë të madhin Sulejman. Ai u kthye përsëri në skenë pas një mungese dhe lëngimi të gjatë nga sëmundja dhe ja, na tregoi edhe një herë se ai mbetet aktori më i madh”. Unë e falënderova për ndjenjat që ai shprehte për Sulën, por i thashë: “Jo, i nderuari Kadri, më i madhi i të mëdhenjve jeni ju. Sula është një ‘trim’ më shokë shumë. (Duke evokuar titullin e një drame të shkruar nga Sula për Skënderbeun “Trimi i mirë me shokë shumë”). Jo, më tha Kadriu, Sulejmanin e kemi pasur kurdoherë zili për arritjen e tij më të madhe. Ai bëri shkollë në teatër, sidomos me aftësitë e tij të mrekullueshme e të paarritshme në të folurit skenik. Ja, më tha, provo të më dëgjosh mua apo shumë aktorë të tjerë në një pjesë teatrale apo film me kurriz kthyer nga skena e ekrani. Të gjithë më kuptojnë menjëherë se jam unë. S’kam mundur ta ndryshoj dot të folurin dhe zërin tim. Provojeni me Sulën, as nuk e kuptoni cili aktor interpreton, se ai bilbilon aq bukur dhe ndryshe si personazhi nga Tirana, nga Korça, Dibra apo edhe Çamëria… Ai ka ngritur monumente në skenën dhe ekranin tonë e jo role, more çuni i Sulës! Mban mend Bashkim, kur të gjithë ne të teatrit të thërrisnim “çuni i Sulës” kur ishe fëmijë?! Në fotot e mija nga ajo mbrëmje i kam fiksuar edhe lotët e të madhit Kadri pas shfaqjes. Pjesëmarrja e tij në rolin e babait në dramën “Pjata prej druri” ishte e fundit në jetën dhe veprimtarinë e tij të gjatë e aq të suksesshme me skenën e teatrit shqiptar. Në ekran ai nuk do të mungojë kurrë në sajë të “youtube-it” në internet dhe të videokasetave e CD-ve të shumta. Ai rol, si të thuash, ‘i vuri kapakun’ gjithë asaj jete të gjallë të një aktori të madh si Sulejman Pitarka. Loja e tij në atë dramë gjeti duartrokitjet e fuqishme të publikut shqiptar (Sulejmani kish munguar tepër gjatë në skenën e atij teatri) dhe fitoi vlerësimet më të mëdha. Por më duket se vlerësimin më të madh e më të bukur Sulës për atë rol e të gjithë rolet e tij, ia bëri një mësues i thjeshtë pensionist nga Saranda. Ai e kish pritur ta takonte Sulën pas shfaqjes, para Teatrit Kombëtar. E ndali dhe në prani të familjes, kërkoi ta përqafonte e ta puthte në ballë Sulejmanin. Ishte mjaft i emocionuar dhe me lot në sy i tha: “Lërmë të të puth në ballë ore i madhi Sulejman Pitarka! Të gjitha rolet i ke luajtur me yll në ballë, por me këtë të fundit i ke vënë vërtetë kapak floriri!”. Sula e falënderoi me përzemërsi, duke theksuar se ky ishte ndër vlerësimet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë, e do ta mbante mend derisa të vdiste, sepse vërtetë ky ishte roli i tij i fundit.
Sulejman Pitarka
A ndihej vetë ai se e kishte marrë vlerësimin e duhur për punën e tij?
Sulejmani thoshte shpesh se: “Aktorët e mirë vdesin në skenë!” Dhe ai u largua nga kjo botë, i ngopur me duartrokitje dhe vlerësime të larta nga kritika letrare e profesionistët, por mbi të gjitha nga artdashësit e spektatorët e teatrit, nga populli i thjeshtë, më shumë se sa nga titujt apo dekoratat e autoriteteve zyrtare. E di që u zgjata shumë, por besoj është me vend të kujtoj këtu një ngjarje në vitet 2002-2003 në Florida të SHBA-ës. Nëpërmjet një miku shqiptaro-amerikan, m’u dha rasti të takoj rastësisht në një klub golfi, aktorin e madh amerikan të filmit, Shvarceneger. Pas prezantimit të rastit, miku im i tregoi atij se kush isha dhe ndër të tjera i përmendi se isha vëllai i një aktori të madh, një ndër yjeve të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Atij i erdhi mirë të flitej kështu për një artist nga një vend i vogël, ndoshta i padëgjuar e njohur për të, por shprehu dëshirën sikur të kish mundësi të shihte ndonjë film të luajtur prej tij. I thashë se kam dy videokaseta dhe i premtova se do t’ia dërgoja nëpërmjet mikut tonë të përbashkët. Kështu bëra dhe i nisa dy nga filmat shqiptarë ku kish luajtur edhe Sula: “Gjeneral Gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Miku im, kur m’i ktheu kasetat, më përcolli falënderimet dhe vlerësimet mjaft pozitive për filmat shqiptarë dhe Sulejmanin për aftësinë e tij “të mahnitshme profesionale”. Shvarcenegeri ndër të tjera i kish thënë mikut të tij shqiptar se: “Gjatë karrierës së tij të rrallë kish parë një film të huaj aq realist e të xhiruar e interpretuar aq bukur, një oficer rus të interpretuar aq bukur e me aq mjeshtri aktoreske”. Atij i kish pëlqyer sidomos mimika dhe impresioni që jepte Sula në atë rol. Madje, ndoshta për të na bërë qejfin, kish shprehur urimin që një ditë edhe ai të luante në një film me këtë ‘yll’ të kinematografisë shqiptare.
Sulejman Pitarka ishte edhe dramaturg. Keni ndonjë kujtim lidhur me këtë fushë të veprimtarisë së tij?
Sigurisht që kam, por më mirë për këtë veprimtari kanë folur e mund të flasin dramaturgët dhe kritikët e artit. Di vetëm se Sula ka qenë shumë prodhimtar në këtë fushë të veprimtarisë së tij, pavarësisht se ankohej se nuk kish patur kurrë kohën e duhur për të shkruar më shumë drama, komedi e libra. Sulejmani ka botuar dhe i janë vënë në skenë vetëm një numër i vogël nga dramat e komeditë, siç kanë qenë: “Familja e Peshkatarit”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, të vëna në skenën e Teatrit Popullor, dhe drama “Heronjtë e Linasit”, vënë në skenë nga Teatri Amator i Kuçovës, në kohën kur Sula ishte dërguar atje dhe në Berat si qarkullim për të ndihmuar amatorët e atyre dy qyteteve. Drama e tij e parë “Familja e Peshkatarit” u vu në skenë nga Teatri Popullor dhe teatro të tjera profesionale të vendit. Ajo u botua në formatin e një libri, i cili u përkthye dhe u botua në disa gjuhë të huaja në vende të ndryshme. Teatri Nacional i Pekinit e vuri në skenë në atë kohë dhe ditët që u ndodh atje, Sulejmani në një vizitë të një delegacioni shqiptar, ai e ndoqi shfaqjen e dramës së tij në skenën e teatrit të Pekinit. Atë natë ajo shfaqej për të 200-ën herë. Salla shpërtheu nga duartrokitjet kur u njoftua se në sallë ndodhej autori i saj. Por shumë të tjera drama e komedi të shkruara nga Sulejmani, nuk e panë skenën apo dritën e botimit, sepse u shkruan në kohët e vështira të komunizmit, kur komisionet e ngritura nga komitetet e partisë në pushtet, me pjesëmarrjen e amatorëve të klasës punëtore, bënin kërdinë mbi to, dhe shumë vepra të shkrimtarëve, dramaturgëve e poetëve shqiptarë të talentuar. Në atë kohë Sula thoshte: “Unë veç një kokë kam, e s’mund të shkruaj 10 variante për 10 komisione!” Në vitet ‘70-të, Sula bëri një tentativë edhe për botimin e një romani satirik. E kish titulluar “Ilaç për tullacët”. Kish shumë vite që e shkruante. Me të fshikullonte barbarët dhe gjytyrymët pa shkollë, në krye të pushtetit vendor në Shqipërinë e mbretit Zog, pra në vitet ‘20-’30-të. Unë kam lexuar disa faqe të atij libri ose e kisha dëgjuar tek e deklamonte Sula kur e ndihmoja ndonjëherë t’ia daktilografoja disa pjesë të atij romani, derisa ai siguroi vetë një autorizim për të blerë një makinë shkrimi nga “Lidhja e Shkrimtareve”, ku bënte pjesë si anëtar shumë i vjetër. Komisioni nuk e miratoi për botim. Një ndër ‘argumentet’ dhe ‘arsyet’ kryesore ishte: “I mungon personazhi pozitiv, njeriu i klasës punëtore e fshatare të asaj kohe!” E Sula i varfër u thoshte: “Po ç’ka ishte pozitive në regjimin e asaj kohe?!” I thanë ta ripunonte, por Sula nuk e kish ‘ripunuar’ asnjë vepër të tij dhe nuk ia hyri më asaj pune. Ia nisi punës ta ripunojë për botim vetëm në vitet ‘90-të, pas fitores së demokracisë dhe ardhjes në pushtet të qeverisë së Partisë Demokratike, por romanin ia dogji politika, rehabilitimi dhe ngritja lart e mbretit Zog dhe e ish-regjimit të tij, ardhja në Shqipëri e të birit të tij, Lekës së Parë dhe familjes së tij pretenduese të fronit dhe pronave të tij. Ky ishte edhe pengu i fundit i jetës së Sulejmanit, të botonte qoftë edhe një nga librat që kish shkruar e mbajtur si ëndërr në sirtar.
Sa u nderua një aktori si Sulejman Pitarka pas vdekjes?
Për kujtimin e Sulejman Pitarkës, Bashkia e Tiranës gjeti një rrugickë 50-100 metra të gjatë në një qoshe të kryeqytetit, kur qyteti i tij i lindjes, Dibra e Madhe, e shpalli me një ceremoni madhështore “Qytetar Nderi”! Në atë ditë, pllakën e “Qytetarit të Nderit” të Dibrës, autoritetet vendase ia dorëzuan mikut të Sulës, aktorit të famshëm Kadri Roshi. Ja sa pak e vlerësojnë autoritet shqiptare plejadën e madhe të artistëve shqiptarë, për të cilët kujtohen vetëm që të jenë të pranishëm në funeralet e tyre për të pozuar si “artdashës të mëdhenj” para kamerave të televizioneve tona.


Botuar në gazetën SHEKULLI më 03. 02. 2014


No comments:

Post a Comment