Tuesday, December 14, 2021

Mes vargjesh kozmike të Arben Dukës


Nga Leonard Veizi
 

Mund të shtrosh kilometra të tërë me vargjet e tij, po aq sa makineria shtron asfaltin mbi gurë e çakull. Sepse ai shkruante çdo ditë. I duhej vetëm një penë, pak bojë e ca letër. Dhe puna ecte vetë. Pa ndaluar. Nuk kish pushim për të.
 
Kaq kam mësuar unë nga kjo jetë,
jo thjesht për faktin se më la rinia,
po Bota krejt lëviz-në të vërtetë,
o nga urrejtja-o nga dashuria.
 
Ai thurte vargje papushim, kur ishte mirë me shëndetin dhe kishte optimizëm me tepri, por dhe kur kishte probleme të pashprehura dhe pesimizmit i vinte fre. Nuk jetonte dot ndryshe. Poezia për të ishte po aq si oksigjeni. Dhe nëse nuk do të kishte njërën, nuk do të kishte as tjetrën.
Stili i tij njihej nga të gjithë, amatorët e poezisë dhe profesionistët sigurisht. Duheshin vetëm pak vargje për ta kuptuar se ishte ai:
 
S’shkruaj si Ezopi,/ apo Anderseni,
dhe kur nuk vë emër,/ thonë: “Ky është Arbeni!”
 
Arben Duka iu bashkua poetëve të tjerë në panteon. Iku lart. Nuk ka më garë tokësore. Zënka e debate për gjëra të vogla. Dhe as sherre për kauza të mëdha. Tanimë gjithçka do të jetë hyjnore dhe krejt e pakonceptueshme. Sepse të gjallët nuk i kuptojnë dot kurrë të vdekurit.
 
Dikur, kur shkrova “Lamtumirë”,
Pyeta veten pse u ngute,
Se përveç vdekjes s’ka në botë,
Asgjë më tjetër absolute!
 
Ai ishte një poet i lindur, nuk kish dyshim. Mendonte duke rimëzuar vargje. Në kokën e tij, si në një memorie të pafund që pranonte të stivoste gjithçka, strofat zinin vend mbi njëra-tjetrën.
Begraundi i tij është nga më të rrallët për një poet. Me tremijë tekste këngësh dhe 50 vëllime poetike të botuara, ai mbetet në krye të klasifikimit.
 
Kur shuhet një zjarr,/ Mbetet një dorë hi,
Kur shuhet një zjarr,/ Dhe një dashuri!
Mbi një zjarr të tretur,/ Mos u lodh më kot,
Se hiri i mbetur,/ Zjarr nuk bëhet dot!
 
Dhe po aq sa kish vargje të tjera për erosin dhe dashurinë, aq dhe qëndrimet e tij social-politike i shprehte po në vargje, të cilat botoheshin nga shtypi i ditës. Sepse ai e kishte të lidhur jetën e tij edhe me një gazetë që do ta kishte në krah të djathtë, për të botuar e bërë publike tek gjithkush që e dashuronte artin e tij, vargjet e sapodala prej frymës nga diafragma.
 
Të gjitha kurrë s’mund të thuhen,
në pllakë të varrit për njerinë,
ndaj unë kam lënë që të më shkruhen:
“Jetoi dhe vdiq për Dashurinë!”.
 
Dhe po aq i njohur është edhe në prozën e tij. Sepse shumëkush e mban mend sinonimin, kur për vite me radhë në një gazetë periodike javore, ai realizonte intervistat plot satirë e humor nën identitetin Kaso Kosa.
Sepse Arbeni donte t’i thoshte troç gjërat, ka u fshehur nëpër vargje, dhe pa nënkuptime.
Në jetëshkrimin e Arben Dukës thuhet se ai ka marrë dhjetëra çmime si autor dhe bashkautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Kaq është shumë për të. Por gjithsesi, ai mbeti i pavlerësuar nga shteti, në të gjallët e tij. Sepse nuk ishte një “Mjeshtër i madh” dhe as një “mjeshtër në perspektive...”.
 
Sot asgjë në Shqipëri,/ nuk është si njëherë,
sepse fjala besë e nder,/ nuk ka asnjë vlerë!
 
Po sistemi që jetojmë,/ s’e sheh si të metë,
besa rron nëpër legjenda,/ se s’është e vërtetë!
 
Dhe për nderin e shqiptarit,/ s’kam pse ju flas kot,
sepse po të jesh i ndershëm,/ të quajnë idiot!
 
Arbeni u ngjit në panteon, së bashku me poetët e tjerë. Ishte një opozitar i pandreqshëm dhe nuk donte të bënte kompromise të pamoralshme. Ndaj dhe në një epitaf virtual, do të gdhendja vargjet e tij:
 
Njeriu në jetë,/ rrugë të mesme s’ka,
o do jetë i ndershëm,/ ose maskara!
 
Arbeni u largua për në panteon. Atje ku e ka vendin. Atje ku e prisnin.
Lamtumirë mik!

No comments:

Post a Comment