“Rrënimi”, një roman ndaj mafies së kontrabandës së armëve në post-komunizëm
Nga Rezart PALLUQI
Rezart Palluqi - Shkrimtar |
Është e trishtë kur shkrimtari, përveç krijimeve të tij
duhet të plotësojë edhe vakumin e tmerrshëm të kritikës së pavarur letrare. E
nuk jam i pari që e ngre këtë problem, sidoqoftë duke qenë se kritika letrare shqiptare heshti me
porosi, mora mundimin që ta lexoj romanin më të fundit të shkrimtarit të begatë,
Leonard Veizi, roman i cili mban edhe një titull mjaft domethënës: “Rrënimi”, botuar prej shtëpisë botuese "BUZUKU", i cili e ka bërë tashmë traditë botimin e letërsisë shqiptare anembanë.
Puna ka shkuar deri aty saqë letërsia shqipe po i ngjan Biblës në zanafillën e
saj: ajo lexohej dhe vlerësohej kryesisht vetëm prej dishepujve të saj.
Sidoqoftë ky shkrim, kurrsesi nuk është një qokë. Në të
kundërtën, është një vetreflektim i sinqertë ndaj një vepre të re që na vjen.
Tematika
Shkrimtari Leonard Veizi na ka sjellë ndoshta romanin më
të veçantë të vazhdës së gjithë atyre romaneve që kanë si qëllim kryesor
ruajtjen e kujtesës kolektive. Mirëpo këtu NUK kemi të bëjmë siç jemi mësuar me
një roman që trajton kujtesën e gjakosur të diktaturës komuniste, genocidit çam,
luftën në Kosovë, qindra betejave shqiptaro-turke, etj. Jo! Kemi të bëjmë me një
tekst letrar që trajton plagët më të freskëta gjatë pluralizmit post-komunist. Çështja
e tregtisë së armëve të prodhuara gjatë regjimit komunist është përmendur
shkaras në shtypin shqiptar. Mirëpo kjo nuk mjafton. Rinia nuk lexon gazeta, as
dëgjon lajme. Nën këtë prizëm ky roman do të shërbejë për më vonë si një ndër
kronikat më të mrekullueshme letrare të çerekshekullit të parë të tranzicionit
shqiptar. Leonard Veizi ka plotësuar deri diku një boshllëk të madh letrar. Kjo,
ngaqë midis shkrimtarëve shqiptare dominon ende ajo ideja tinëzare (post) komuniste
se letërsia nuk merret me aktualitetin por vetëm tematikat e mëdha. Veizit i dhëmb
më shumë plaga e hapur dhe e mohuar e një shoqërie sesa mania absolute e të
sjellit në jetë vetëm romane mbimesatare.
Struktura e romanit
Veizi, - e them këtë me përgjegjësinë më të madhe, - është
mjeshtër i strukturës, të paktën në këtë roman. Kjo më gëzon shumë ngaqë ajo që
vërej shpesh tek brezi im i shkrimtarëve është paaftësia për të strukturuar
tekstin letrar. Ata e bëjnë ndoshta këtë gabim kryesisht prej manisë për të trajtuar
shumë tematika njëherësh e që zakonisht
janë tematika madhore por që nuk letrarizohen në nivelin madhor ngaqë
shkrimtari nuk ka pjekurinë as talentin sipëror . Veizi, ndoshta falë gazetarisë, që edhe
njihet për koncizitetin dhe kompaktësinë e saj, ia ka dalë mbanë që romanin “Rrënimi”
ta ndërtojë mbi një arkitekturë të admirueshme. Edhe pse në roman ndeshim dhjetëra
personazhe, ato riciklohen siç riciklon natyra muajt e vitit. Struktura përbëhet
prej kapitujsh të shkurtër e që përfaqësohen çdo herë prej njërit nga
personazhet e shumtë. Në total hasim rreth 80 personazhe. Falë kësaj aftësie, tematika trajtohet fort
mirë.
I gjithë lëmshi i romanit janë arsenali i madh i armëve të
prodhuara në komunizëm, por që kontrabandohen mbas vitit 1992 prej krerëve post-komunistëve
nëpër shtetet ballkanike dhe ato afrikane. Përkrah kësaj ulërin lavatriçja e
madhe që pastron paratë e mafiozëve shqiptarë me pozita shumë të larta në
qeveri dhe bizneset e saj paralele. Veizi, nuk e humbet rrugën. Nuk ka asnjë çast
kur thua: u bë lëmsh kjo histori. Çfarë rrëmuje e pashpjegueshme!
Gjuha
Ajo është e kthjellët dhe ka një dinamikë të paulshme.
Kjo vjen jo vetëm prej talentit të shkrimtarit por edhe personazheve që luftojnë
kush për të mbijetuar, kush për t’u pasuruar edhe më shumë. Veizi nuk e mundon lexuesin
me sinonime e fjalë të harruara. Kjo vjen ngaqë ai fokusohet tek rrjedha e
ngjarjes që është e ndërthurur me frymën policore. Ndoshta ngaqë Veizi ka
dashur që të krijojë një tekst lehtësisht të lexueshëm dhe të depërtueshëm.
Kemi një ndërthurje të zhargonit zyrtar dhe gegnishtes me
toskërishten. Veizi ndonjëherë nuk e shmang fjalorin banal e kjo justifikohet
plotësisht po të marrim parasysh sferat dhe figurat mafioze që edhe e përçojnë
tekstin tejpërtej. Një prej përbërësve të suksesit të një romani është lexueshmëria
e tij. Në këtë pikë Veizi ia ka arritur më së miri. Romani lexohet me kërshëri
deri në faqen e fundit. E ai me sferat e
tij herë gjakngrirëse herë romantike, të bën të kujtosh shkrimtarin e famshëm
italian, Roberto Savianon!
Leonard Veizi - shkrimtar |
Personazhet dhe fatet e tyre
Veizi di mjeshtërisht që të na servirë 80-të personazhe. Për
personazhet e tij do të doja të flisja orë të tëra. Kjo, ngaqë Veizi është me të
vërtetë një mjeshtër për t’i gdhendur ata në mënyrë të atillë që ty të përngjajnë
me persona reale. Ato janë sa të pangjashëm aq të trishtë por ndonjëherë edhe dinjitozë.
Ashtu si gjykatësve romakë, që nuk kursenin as fëmijët e tyre kriminelë, edhe Veizit nuk i dhimbsen personazhet e tij,
sidomos kur ata janë parazitë.
Romani dominohet kryesisht prej të paktën dy personazhesh.
Ata janë arkitekti Martin dhe gazetari investigativ, Nik Morina. Nuk ka qenë
rastësi që Veizi ka zgjedhur një arkitekt ambicioz, të talentuar dhe kokëfortë.
Ai projekton rregullisht ndërtesa, hotele gjigante anembanë Shqipërisë. Mirëpo
Martinit i ka rënë për hise të marrë projekte prej padronëve të mafies shqiptare
e që nëpërmjet kontrabandës së armëve shpëlan miliona euro. E këtu qëndron edhe
ironia e madhe. Ata që deri dje krenoheshin për armatimin komunist, sot i
tregtojnë ato kundrejt shumave qesharake. Martini beson në kapacitetet e tij
profesionale, grindet me eprorët e tij, është i etur për karrierë dhe shpesh ndërmerr
rreziqe që nuk i shkojnë për shtat. Mirëpo ai rrënohet prej pasojave që vijnë nga
lufta e brendshme mes dy grupeve konkurrente, ku secili tenton të përlajë llokmën
më të madhe prej shitjes së armëve. Projekti i tij më i madh, një hotel me 850
dhoma, restorante, meqenëse përdorej ilegalisht për demontim armësh, shembet i tëri, çka nënkupton edhe shembjen e
të tërë ngrehinës së shtetit shqiptar
por edhe tragjedinë e Gërdecit.
Përkrah Martinit ndeshim një femër nobël në kuptimin e
plotë të fjalës: Ingridi. Ajo zotëron një
trup shumë të bukur, e ky trup drejtohet
prej një mendje po aq te bukur, fisnike dhe besnike. Ingrid nuk e tradhton
Martinin, e këtu kemi të bëjmë me një rast të rrallë në Tiranën e sotme që është
shndërruar në një lagje pornografike.
Por edhe Ingrid luhatet. Veizit i pëlqejnë personazhet e lirë dhe që janë
vetvetja. Ndaj edhe Ingridit i shkon shpesh ndër mend të shtrihet në krevat me
burra të tjerë. Ingrid është edhe piktore. Duke qenë se ajo e do vërtetë
Martinin, ajo përpiqet që ta pikturojë atë
ndër vite. Njeriu evoluon, po kështu edhe personazhet e Veizit. Ingrid e
mbaron portretin e të shoqit e përfundimi i tij na jep një Martin me dy
personalitete: ai i buti, romantiku dhe ai i babëzituri dhe karrieristi.
Një ndër personazhet më kompleksë por edhe rrëqethës është
vrasësi me porosi, Gregu. Veizi, si rrallë shkrimtarë ka ditur që vrasësin
serial të na e skicojë në mënyrë të atillë që të bën edhe ta urresh sepse merr
jetë njerëzish të pafajshëm por edhe ta mëshirosh. E këtu qëndron humanizmi dhe
mjeshtëria e një shkrimtari. E Veizi e arrin këtë sepse ai e zhbiron të kaluarën
e vrasësit. Ai na jep informacione se si u rrit vrasësi. Cilat ishin arsyet që
e detyruan të bëhet vrasës me pagesë. Gregu, bëhet i tillë prej drejtësisë së
kontrolluar shqiptare. E atëherë mafia e shpëtoi nga burgu duke e shndërruar në
vrasësin e saj me pagesë. Përkrah Gregut, Veizi vendos një nënë të dashur, të
butë dhe që e ka shumë të vështirë të depërtojnë në skutat e errëta të të
birit. E kjo i jep ngjyresa tragjikomike fatit të Gregut e nënës së tij. Mirëpo
edhe Gregu duket sikur është ngopur me këtë lloj mbijetese. Ai i premton
vetvetes se mbas vrasjes së radhës do t’ia mbathë larg për të krijuar një jetë
të re. Kjo lloj perspektive na paraqet edhe anën humane, sado e vogël qoftë
ajo, e një njeriu të zhytur në humnerën e krimit.
Mirëpo “Rrënimi” nuk është vetëm një roman politik. Aty ndeshim
personazhe të dashuruar ose jo. Një prej tyre është punonjësi i bankës, Admir
Trina. Admiri përballet me një dashuri të dyfishtë por që vendoset në kohë të
ndryshme. Ai dashurohet me mësuesen e tij, e prej kofshëve të saj ai zbulon
edhe ndjenjat e ereksioneve të para. Fati do t’ia rrokullisë jetën në mënyrë të
atillë që më vonë ai do të dashurohet me vajzën e mësueses së tij. Veçse këtë
ai nuk e dinte paçka se ruante një marrëdhënie të fshehtë me të bijën e mësueses.
Rrënimi i troket Admirit dyfish në portë
dhe përnjëherë. Në të njëjtën ditë ai zbulon se e dashura e tij, Gresa është e
bija e mësueses. Admiri u përball papritur me dy lloj dashurish shumë-shumë
komplekse. E kjo e hutoi keq. Sikur të mos mjaftonte ky shok, në të njëjtën ditë
e thërret shefi i tij, i cili e kërcënon me jetë nëse ai nuk e shlyen një kredi
për të cilën ky kishte dalë garant. Admir Trina rrënohet dyfish. Rrënimi i parë
është një lloj dhurate e zezë e fatit, ndërsa i dyti, është pjesëmarrja e tij në
shpëlarjen e parave të pista.
Një tjetër personazh tragjik është edhe koloneli Ernest
Arbana. Ky në fillim u përpoq që të bllokojë çdo hetim gazetaresk që do të
zbulonte edhe shitjen e jashtëligjshme të armëve. Mirëpo në fund kur punishtja
gjigante e çmontimit të armëve u bë hi, ai u vetëvra në korridorin e
Ministrisë.
Edhe pse romani i Veizit përmban një konotacion shkatërrues,
për mua, i vetmi personazh që nuk rrënohet është gazetari investigativ Nik
Morina. Kam vite që pyes vetveten: përse lundrojmë në një det të thellë
kriminaliteti dhe nuk na është vrarë deri më sot një gazetar shqiptar?
Nuk më pëlqen aspak që ata të vriten, por në një shoqëri si e jona ata edhe
mund të zhduken, ashtu siç ndodh në Rusi, Ukrahinë etj,. Në romanin në fjalë, Nik
Morina është një gazetar trim i cili në fund ekzekutohet. Ai nuk e bën këtë punë
vetëm për të fituar para, paçka se joshet prej tyre, por sepse ndjen përgjegjësinë
morale që mbart mbi supe dhe është i vetëdijshëm për pasojat katastrofike me të
cilat do të përballet një shoqëri nëse krimi dhe korrupsioni i organizuar nuk
dalin në shesh. E kjo është detyra e gazetarit të racës, gazetarit të betuar.
Nik Morina është një i tillë. Veizi duket sikur e ngre shumë lart etalonin e me
këtë duket sikur u thotë gazetarëve aktualë shqiptarë: se ju nuk mund të
konsideroheni të tillë nëse nuk e bëni punën tuaj me aq ndershmëri dhe guxim,
sa Nik Morina. Ai mund të merret si një shembull ideal i gazetarit të vërtetë.
Më tragjikja këtu qëndron se Nik Morinën nuk e vret vetëm mafia nga lart, por e tradhton edhe vetë
kryeredaktori i tij.
Romani i dhjetë i shkrimtarit, Leonard Veizi, “Rrënimi” është
një tablo e të gjitha atyre pasojave të një shoqërie që ka rënë në rrethin vicioz
të mafies së organizuar e dirigjuar nga lart. Ndaj edhe pothuajse të gjithë
personazhet e tij, edhe pse janë shumë dinamikë, të mprehtë, të talentuar, rrënohen.
E kjo ndodh, sepse ata, e këtu qëndron tragjikja, e hedhin vallen e vdekjes në
ring me vetëdije. Ata e dinë se janë
pjesë e një mulliri mafioz, por secili shpreson që një ditë do të dalë i
palagur. Mirëpo në kësi lloj situatash nuk nevojitet profeci. Të gjithë janë të
destinuar të rrënohen. E përmasa e rrënimit varet pastaj se sa lart pretendon të
fluturojë dikush nën një qiell që i vjen era barut, fishekë e hajdutëri
lakuriqe.
“Rrënimi” është një kronikë letrare sa e trishtë por aq
edhe e mrekullueshme e Shqipërisë mbas viteve 1992. Jam i mendimit se ky roman
duhet përfshirë në tekstet shkollore: jo për fabulën e veçantë të tipit kafkian, sepse atë nuk e ndeshim këtu. Dhe kjo
është një prej arsyeve që Veizin e bën origjinal. Ai nuk vuan prej sëmundjes së
riprodhimit/ riletrarizimit të fabulave helene, as imitimin e shkrimtarëve
gjenialë. Veizi është ai që është. Ai i
urren heronjtë hollivudiane dhe hijet e huaja, sado të lavdishme qofshin ato.
Ky roman nuk dallohet edhe aq për gjuhën tejet të pasur
figurative. As për erudicionin e spikatur. Jo. Ky roman duhet bërë pjesë e letërsisë
shkollore për personazhet e jashtëzakonshëm që ndeshim aty. Për moralin gjithëpërfshirës,
një vlerë që i mungon fort letërsisë shqipe. Për strukturën fantastike në të
cilën rri në këmbë teksti. POR arsyeja kryesore, gjithnjë sipas mendimit tim
modest është ruajtja e kujtesës kolektive. Unë uroj që Shqipëria të bëhet sa më
shpejt një vend i jetueshëm dhe të MOS mbesë një mitër që syrgjynos bijtë e
saj. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë ky roman do të jetë një burim i vyer për të gjithë
ata që do të donin të kuptonin Shqipërinë e viteve 1992-2018 në të gjitha
aspektet e saj: politike, financiare, shoqërore, erotike dhe shpirtërore.
Uroj që Veizin ta ndjekin edhe shkrimtare të tjerë duke
hedhur në koshin e plehrave idenë fikse se letërsia nuk duhet të merret me
problemet aktuale. E kanë gabim. Një shkrimtar i denjë mund të shkruajë 7
romane që trajtojnë problemet e përjetshme por DUHET të bëjnë kurban nja 2-3
romane që trajtojnë kohën e tij e nuk duhet të shqetësohen nëse ata nga ana
letrare mund të qëndrojnë pak më poshtë se romanet e kategorisë tjetër. Ky është
një lloj flijimi letrar i domosdoshëm e që e bëjnë vetëm ata shkrimtarë që nuk
i tuten murtajës së kohës së tyre e nuk arratisen
si burracakë drejt betejave me krokodilët e vdekur të së kaluarës vetëm e vetëm që të mos përballen
letrarisht me bishën e gjallë të shekullit të tyre.
Në mbyllje, vlera e këtij romani dyfishohet nëse do të
merrja parasysh se Leonard Veizi ka karakter dhe moral. Ai është ndër gazetarët e paktë
shqiptarë që edhe pse ka punuar si gazetar gati 30 vjet ai ka ruajtur
integritetin e tij profesional dhe moral. E kjo e bën atë që ky roman të jetë vërtetë
një pasqyrë shpirtërore e tij. Që këndej e tutje, sa herë që do të shoh gazetarët
e mercenarizuar shqiptarë nëpër ekrane do
të them: sa të vegjël që jeni o qyqër përballë gazetarit trim, NIK MORINA!
Botuar në:
https://m.gazetaexpress.com/arte/rrenimi-nje-roman-ndaj-mafies-se-kontrabandes-se-armeve-ne-post-komunizem-602672/?fbclid=IwAR2HsB8O7oy3flVhcb62ums8ayUVnxNnXIA4Sdcq4KocR0DSS0SxdScHWfU
https://atunispoetry.com/2018/12/06/rrenimi-nje-roman-ndaj-mafies-se-kontrabandes-se-armeve-ne-post-komunizem-nga-rezart-palluqi/?fbclid=IwAR1sCdpyKFxs0WfswD5H1yvQ6kFU7oSy-b_B-DCnSqYiPbY_DebfJbJcu_0
https://atunispoetry.com/2018/12/06/rrenimi-nje-roman-ndaj-mafies-se-kontrabandes-se-armeve-ne-post-komunizem-nga-rezart-palluqi/?fbclid=IwAR1sCdpyKFxs0WfswD5H1yvQ6kFU7oSy-b_B-DCnSqYiPbY_DebfJbJcu_0
No comments:
Post a Comment