Impresione/ Ca fjalë për monodramën “Lopata e Artë” të
dramaturgut Ferdinand Hysi
Foto nga monodrama "Lopata e Artë" |
Nga Leonard Veizi
A e meriton një njeri i cili ka punuar të paktën 40 vjet, një çmim mirënjohjeje
për kontributin që i ka dhënë shoqërisë? Me siguri që po. Një gjë të tillë nuk
e mohon dot kush, sepse çdonjëri prej nesh, që ka punuar e paguar taksat, e
meriton një dekoratë mirënjohjeje, edhe në qoftë se ka bërë punë të thjeshta e
pa shumë mend, qoftë dhe kur firma i ka rënduar si burrë shteti për fatet e
kombit.
Po një varrmihësi, që ka mbuluar disa mijëra bashkëqytetarë të tij në
varrezat publike të qytetit, por që në fund fare nuk mban mend në varrin e vet
e ka hapur me duart e tij apo ia kanë hapur atë të ndërmarrjes funerale? Ama
pyetje. Padyshim punë është dhe kjo. Madje shumë e nderuar.
Por kur këtyre personazheve, u jepet çmimi i mirënjohjes pasi ata kanë
vdekur? Se në të gjallë të tyre shiheshin me përbuzje?
Bela e madhe me këto pyetje. Si the more??? Pas vdekjes??? Ah… po, kjo me
siguri nuk ka vlerë fare, edhe pse më skeptikët do duan të thonë se një çështje
e tillë mund të hajë debat.
Mirëpo në një monodramë, që dramaturgu Ferdinand Hysi e ka shkruar për
spektatorë të të gjitha kalibrave, thuhet se pikërisht varrmihësit të qytetit,
ditën e tij të vdekjes iu dha çmimi i mirënjohjes në formën e një Lopate Ari.
Dhe letrën me motivacion si dhe vetë lopatën e jashtëzakonshme, ia dorëzoi
qytetari numër një i kazasë, apo siç thuhet në ditët e sotme; vetë Kryetari i
Bashkisë. Nder i madh, jo për gjë.
Ç’është e vërteta lopata dukej e artë. Domethënë e gjitha në ar puro, apo thjeshtë
e larë në ar. Këtë detaj autori ka harruar të ta përmendi, por duke ditur si
venë gjërat në Shqipëri, mund të hamendësojmë se ajo mund të ishe e lyer dhe me
varak. Fundja për një të vdekur ishte. Se, kush është ai kryetar bashkie që
varros dy metra thellë një alamet lopate me vlerë të konsiderueshme?! Edhe
faraonit më jetëgjatë, me siguri stoli kallpe i kanë futur në sarkofag. E jo më
këtij varrmihësit tonë.
Me gjithë këtë nder që i bënë, - e që me siguri nuk i bëhet kujtdo, -
varrmihësi duhej ta mbyllte gojën e të mos ankohej më. Se boll ishte qarë për
dhimbje mesi, kockash e kyçesh. Tani mund të flinte i qetë, bashkë me lopatën e
tij, sepse në fund të fundit të gjitha nderet i ishin bërë. Madje ca më shumë, sepse
e kishin varrosur me një alamet kostumi që s’e kishte pasur kurrë në jetë dhe për
më tepër me këpucë lëkure që as i kishte ëndërruar sa qe gjallë. E si për t’i
vënë vulën gjithçkaje, apo siç thuhet në këto raste “qershia përmbi tortë”,
rreth qafës i kishin vendosur një papion, gjë që ngjalli xhelozinë e të
vdekurve të tjerë, sepse në parcelën e njerëzve dosido na ishte varrosur një
VIP.
Ja kësaj i them ceremoni model unë. Se vërtet varrëmihësi në jetën e tij
kishte pasur vetëm pantallona të shqyera e pa xhepa, por në botën tjetër shkoi
si gjithë të tjerët: i larë, i kollarisur e me ca xhel mbi flokë, sipas modës së
fundit.
Mirëpo ja, ndodh e kundërta. Drama mori kthesë. Dhe këtu autori i veprës na
habiti ca. Se na kishte bërë për personazh të parë një varrmihës grindavec. Ai
jo vetëm që filloi të ankohej sa s’ka më, por e refuzon lopatën të cilën ia
kishin varur në qafë. “Me të drejtë”, tha një spektator në plate. Ndoshta me të
drejtë. Se edhe po të donte ta shiste te dyqani i sendeve të çmuara, sërish
paratë që do fitonte nuk do ta gëzonin. Për më tepër që, ai ishte jetim e pa
familje, dhe nuk kishte as të afërm të tjerë që ta gëzonin këtë nder të madh që
u bëri Kryetari i Bashkisë. Shkurt: gjithë ai mund kot.
Po le ta ndërpresim pak këtë narracion mbi tekstin dhe le ta shohim dramën
nga një aspekt tjetër:
Me një humor fin, me pak sarkazëm e ironi, ca kripë e piper dhe një vijë filozofike
mendimi që të shoqëronte gjatë gjithë kohës, spektatori kryeqytetas ndoqi në
Sallën e Teatrit Eksperimental pranë ArtTurbina, monodramën e shkruar nga
dramaturgu i mirënjohur Ferdinand Hysi: “Lopata e Artë”. Shfaqja në fjalë ishte
vënë në skenë dhe interpretuar nga Leonard Hamitaj, një bashkëpunim që erdhi në
kryeqytetin shqiptar falë një shoqatë teatrore të kryeqytetit të Kroacisë, “Mërgimtari”
i Zagrebit, nga të paktat, - në mos e vetmja, - që po përkrahur fort dramën
shqipe. Një natë më parë, e njëjta monodramë ishte ngjitur në skenën e teatrit
Petro Marko, në Vlorë, por këtë herë si premierë. Me një lojë mjeshtërore të
aktorit Leonard Hamitaj, regjisori, - i cili është po ai vetë, - kishte
preferuar që jo si në monodramat klasike, në skenë të bashkëvepronin dhe dy
personazhe të tjerë, një femër dhe një mashkull, të cilët duhet u futur herë
pas herë në rol e pantonimë, e ç’tensionuan spektatorin, duke bërë në këtë
mënyrë dhe mbajtjen gjallë të ritmit, sepse ç’është e vërteta tek monodramat në
përgjithësi risku i humbjes së ritmit është i lartë. Dhe kaq sa i përket
skenës, sepse dua të rikthehem edhe një herë tek monodrama, që duhet të them se
më impresionoi.
Por cili ishte morali i fabulës në më shumë se një orë vepër skenike? Se
nuk ka vepër artistike pa një moral, apo jo?
Me siguri autori donte të thoshte se varrmihësit të shkretë do të ishte më
mirë t’i kishin rritur ca rrogën për shkallën e vështirësisë së punës, dhe aty
nga fundviti t’i jepnin gjithmonë ndonjë shpërblim, sepse me siguri do të ndihej
shumë më i vlerësuar se sa me kostumin “alla
frënga”, këpucët me shollë, papionin rreth qafës dhe Lopatën prej Ari, një
arsenal i tërë luksi me të cilët e kishin futur në gropë, apo në “banesën e
fundit” siç thuhet në mënyrë të kulturuar. E meqenëse nuk ishte mësuar me
salltanet e të tilla, i gjori varrmihës, pak nga pak i hoqi të gjitha, papionin,
xhaketën, këmishën, dhe së fundi pantallonat, duke bërë një skenë striptizmi,
por këtë herë jo nën tingujt e “You can
leave your hat on” të Joe Cocker-it.
Dhe në fund, kur shumica e spektatorëve mendoi se shkalla e striptizmit do
t’ia kalonte dhe skenës së Kim Basinger,
aktori Leonard Hamitaj nën lëkurën e varrmihësit e mbajti dorën: “Brekët jo, ato nuk i heq, - tha në fund, - sepse nuk do kuptohet më se çfarë
ndryshimi ka mes një njeriu dhe një qeni që nuk ka mbajtur kurrë brekë”. Dhe
kjo është të vendosësh pikën mbi “i”, sepse në fund të fundit ka të bëjë me
dinjitetin.
E ja, kjo ishte fabula e kësaj radhe të shkruar nga Ferdinand Hysi, autori
i më shumë se 40 dramave, një pjesë e madhe e të cilave janë vendosur në skenat
e Vlorës, që është dhe dashuria e tij e parë, por dhe të Tiranës e Durrësit. Ndërkohë
që vitet e fundit drama e shkruar prej tij e ka kapërcyer kufirin shtetëror për
të mbërritur për herë të dytë deri në Zagrebin e Kroacisë.
botuar në:
http://revistapsikologji.com/nga-leonard-veizi-ironia-e-fatit-kur-te-harrojne-per-se-gjalli-e-te-nderojne-pas-vdekjes/?fbclid=IwAR3GDmZUyFhWHs0dFQuAXMPMhdQc-re_XcMWsiy50SvucNFgEDMvurt0uyM
https://americaneye.al/ironia-e-fatit-kur-te-harrojne-per-se-gjalli-e-te-nderojne-pas-vdekjes/
botuar në:
http://revistapsikologji.com/nga-leonard-veizi-ironia-e-fatit-kur-te-harrojne-per-se-gjalli-e-te-nderojne-pas-vdekjes/?fbclid=IwAR3GDmZUyFhWHs0dFQuAXMPMhdQc-re_XcMWsiy50SvucNFgEDMvurt0uyM
https://americaneye.al/ironia-e-fatit-kur-te-harrojne-per-se-gjalli-e-te-nderojne-pas-vdekjes/
No comments:
Post a Comment