Enxhi Nini, violinistja
e njohur shqiptare: Puna ime në dy orkestrat më të mëdha të Italisë. Bashkë me
Inva Mulën luajtëm në skenën “Rigoleton”, me Josif Gjipalin interpretuam në
Egjipt
nga Leonard Veizi
Nuk
ka dilema. Aty është pika më nevralgjike e botës së muzikës klasike a ndoshta qendra
e gjithçkaje që vërtitet rreth saj. Ndërsa ajo e nisur pikërisht nga Shqipëria mbërrin
aty. Rrugë e gjatë... Dhe për më tepër nuk e shoqëruan njerëz artificë që ta
mbanin me hatër e t’i jepnin lavde për lavdi të pakuptimtë. Aty ku ajo shënoi
emrin në pritjen e ankthshme gjithçka ndahej nga gabimi i mundshëm i një gjysmë
note akustike. Askush s’të falte dhe sikur të mbaje në pasaportë simbolet e një
familje papnore a perandorake. E pas fitores mbi këtë ‘terror spartan’, ajo, po
aq elegante sa dhe imazhi që përcjell nga ekrani, thotë se ishte shkolla
shqiptare e violinës që i transmetoi të dhënat teknike, të cilat e bënë të
kapërcente më pas pengesat e ‘lartësisë së epërme’. Dhe vetëm kështu, e sigurt,
mes shkallëve të panumërta në ngjitje, mbërriti pikërisht atje..., ku Belini
dhe “Casta diva” e munguar i dhanë jetë “Norma”-s ndërsa “Nabuco” ringriti
Verdin pas një dështimi të pashpresë. Është “La Scala”...
Enxhi e Dorian Nini |
...
Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Shekulli”, violinistja e njohur
shqiptare Enxhi Nini rrëfen për jetën e saj artistike në skenat e mëdha të
botës perëndimore:
Prej vitesh jeni
rezidente në Itali, ku jetoni aktualisht?
Në
këtë periudhe jetoj në qytetin e vogël Piacenza por meqenëse dy vite më parë
fitova konkursin në orkestrën e RAI-t një pjesë të mirë të kohës e kam kaluar në
Torino. Të Tiranë kam mbaruar Liceun Artistik. Ndërsa më pas studimet i
përfundova në Konservatorin e Romës, ku dhe jam diplomuar. Më pas u transferova
në Milano sepse pata mundësinë të bëja një audicion.
Ndiheni e huaj
tashmë...?
Vetë
fjala e huaj merr më shumë kuptim kur je larg vendit tënd dhe vetëm duke jetuar
mund të kuptohet. Është e vështirë, për disa më shumë e për disa më pak. Përveç
kohës që duhet të ambientohesh me mentalitetin duhet të tregosh veten për atë që
vlen, dhe për fat të keq të huajt në përgjithësi janë të paragjykuar. Por kjo
ndjehet shume më pak në ambientin artistik.
Një përvojë në
La Scala... patët ndonjë rekomandim apo dikë që ju ndihmoi?
Them
që për të arritur deri aty më janë dashur vite e vite punë. Nuk mund të futeshe
në “La Scala” apo në çdo orkestër tjetër të Italisë, as me miq dhe as duke
menduar thjesht “unë i bie violinës”. Fiton ai që ka të dhënat për të qenë
pjesë e orkestrës. Natyrisht, duhet një përgatitje e gjatë, prej vitesh. Duhet
të studiosh shumë. Ka qenë nxitje për faktin sepse vlerësimi i mirë të jep
kurajë për të ecur përpara. Audicioni i parë ku mora pjesë ishte viti 2002. Unë
jetoja në Romë dhe ishte hera e parë që udhëtoja për Milano. Ishte një audicion
ndërkombëtar dhe, kushdo mund të paraqitej. Mjaftonte të bëje kërkesë për pjesëmarrje
dhe mund të luaje përpara një komisioni. Në të gjithë botën artistit i jepet
mundësia të tregoj aftësitë e veta dhe nëse je i zoti i përgatitur në maksimum
nuk ke nevoje për asnjë rekomandim. Në këto 10 vite u desh të bëja disa prova të
tjera për të vazhduar bashkëpunimin dhe nuk ka qenë aspak e thjeshte por një
eksperiencë e paharrueshme.
Enxhi Nini dhe Violeta Gjoka |
Ndërkohë, ju
konkurruat për në orkestrën e RAI-t?
E
vërtetë është. Konkurrova në orkestrën e RAI-t ku dhe fitova fatmirësisht. Pra
unë kam hyrë me konkurs. Diferenca nga audicioni në konkurs janë gjëra teknike,
por të rëndësishme. Audicioni është për të thithur bashkëpunëtorë ndërsa
konkursi për vend punë përfundimtare. Atje ishin regjistruar gati 300 persona,
por u paraqitën 130 prej tyre.
Kishte dhe
shqiptarë të tjerë që konkurronin?
Përveç
italianëve kishte edhe të huaj, por edhe shqiptarë mbase. Të them të drejtën përpara
një konkursi je e përfshirë nga emocionet dhe preokupimet e nuk ke kohë të shohësh
se kush merr pjese. Aq me tepër që ky konkurs u zhvillua në ditë të ndryshme. Por
në konkurse të tjera jam ndeshur dhe me shqiptarë të cilët i kisha njohur në
okazione të tjera pune. Ndërkohë shqiptarët
kanë qenë dhe janë të pranishëm vazhdimisht dhe në “La Scala”.
Në orkestrat e
mëdha italiane ka shqiptarë të tjerë?
Patjetër
që ka. Ka dhe shqiptarë të tjerë instrumentiste e unë njoh disa prej tyre, ndërsa
për sa i përket sopranove apo tenorëve ata punojnë me kontrata të shkurtra nuk
janë definitive në një teatër. Ndërsa në korin e teatrit te La Scala-s këndon
një djalë shqiptar me të cilin kemi qenë në shkollë që në fëmijëri në Tiranë
Duket se shkolla
shqiptare e muzikës është në nivele të mira?
Është
e vërtetë, ne e kemi shume të fortë shkollën e muzikës. Me shkollën e violinës
kemi ecur goxha, por edhe kantoja nga ana tjetër. Fakti që muzikantët apo këngëtarët
shqiptarë janë kudo ndër të mirët në botë e konfirmon këtë. Megjithatë, nuk
duhet vetëm shkolla e fortë, por edhe përshtatja e mënyrës së të rënit. Të
mësosh diçka më shumë për orkestrën, për Muzikën e Dhomës. Shkolla shqiptare si
bazë ka teknikën. Pasi ke përvetësuar atë, me vitet njeriu piqet edhe
muzikalisht. Di diçka më shumë.
Keni lëvizur në
orkestra të tjera në Evropës për të dhënë koncerte?
Kemi
lëvizur me grupet nga Italia. Me një orkestër që unë punoj vazhdimisht. Po kam
bashkëpunuar me shumë orkestra, po një bashkëpunim të gjatë, që fillon prej
vitit 2003, e kam pasur dhe kam akoma me orkestrën simfonike të Radio Televizionit
të Luganos në Zvicer. Por kam punuar njëkohësisht dhe me “Santa Cecilian” në
Romë. Dhe aty kam qenë pjesëmarrëse në një konkurs, ku kam mbërritur deri në
finale, por nuk munda të marr vendin fiks.
Spektatori
shqiptar ju mban mend edhe si këngëtare. A keni dëshirë të merrni pjesë në një
tjetër festival, pra të riktheheni?
Do
të kisha shumë dëshirë por asnjëherë nuk gjej kohë për ta realizuar, shumë vështirë
të mbash shumë impenjime në të njëjtën kohë. Më duhet të kombinoj punën në
Itali. Shpeshherë nuk kam dashur të prish punën atje e për t’u kthyer e për të
kënduar një këngë festivali. Pastaj një këngë të mirë është dhe e vështirë ta
gjesh, sepse duhet të përshtatet me natyrën dhe zërin e këngëtarit. Unë
gjithmonë e kam pasur problem këtë, sepse të them të vërtetën kam kënduar, por
asnjëherë një këngë që e kam zgjedhur vetë dhe që të më këtë pëlqyer paraprakisht.
Zakonisht, mbeteshin këngët nga njëri te tjetri dhe për mua mbetej njëra, që
unë mundej ta këndoja si mundesha. Pa iu përshtatur Enxhit apo sepse i pëlqente
Enxhit.
Ndonjë recital
do t’u pëlqente ta keni në axhendë?
Do
më pëlqente vërtet. Ne kemi një trio në Itali, ku i biem shpesh bashkë. Por ka
disa probleme financiare. Sepse nëse kjo orkestër e vogël vjen në Shqipëri, nuk
vjen për përfitim. Dhe natyrisht, që ky aktivitet e do një sponsor që të merret
me lehtësimin e kushteve. Në qoftë se, dikush na e mundëson do më pëlqente të
vija të luaja muzikë dhome. Në këtë fushë e ndjej veten dhe më mirë.
Jeta juaj në
aspektin personal?
Në
aspektin personal mund të them që jam e lumtur, kam një vajzë Mia-n, me njeriun
tim të zemrës që është një italian. Nuk do te doja te flisja shumë se kaq.
Plan për t’u
kthyer përfundimisht në Tiranë?
“Mai
dire mai”, thotë italiani. Jetës nuk i dihet asnjëherë. Megjithatë, mendoj se e
kam ndërtuar jetën në Itali tashmë. Me sakrificë e kam mundësuar lejen e
qëndrimit. Por, natyrisht, edhe në Shqipëri nuk mungoj. Vij shumë shpesh. E
megjithëse nuk shoh asnjë perspektivë për t’u kthyer përfundimisht në Tiranë,
ndonjëherë jeta është plot me surpriza.
Inva Mula në
Parma
“Në fillim do
takoj shqiptarët pastaj të huajt”
Në
kujtesën e largët vjen Tedi Papavrami, por dhe Klodjana Skënderi e Arben
Spahiu. Më pas do të ishte Enxhi Nini që do të kishte po aq shkëlqim. Të gjithë
do të zinin vende të rëndësishme në orkestrat e mëdha evropiane të muzikë
simfonike. Ndërkaq, Europa do të njihte në skenat e saj dhe këngëtarët lirikë
të “importuar” nga Shqipëria. Duke folur për bashkëpunimet e saj me disa prej
tyre Enxhi Nini thotë: “Ka rastisur të jemi në të njëjtën skenë me sopranon me
famë botërore tashmë, Inva Mula. Luhej opera “Rigoleto” e Xhuzepe Verdit, disa
vite më parë. E kam takuar, edhe në Parma në një koncert. Më kujtohet që ajo u
tregua shumë e sjellshme. U fut midis orkestrantëve dhe tha: “Unë dua të shikoj
njëherë shqiptarët e t’i takoj, pastaj të respektoj të huajt e tjerë”. Por
dihet se në këto raste ka shumë njerëz kur mbaron opera ata dhe vrapojnë të
gjithë për ta takuar”.
Me Josif
Gjipalin në Egjipt
Italianët thonë:
“Na mbytët ju shqiptarët”
Disa
prej tyre janë bërë të famshëm në të gjithë botën. Lëvizin nëpër turne, ku
rastis jo rrallë të bashkëpunojnë me po të njëjtët njerëz, si të ishin pjesë e
Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, këtu në Tiranë. Duke folur për këto
bashkëpunime, Enxhi Nini thotë: “Kam pasur mundësinë të bashkëpunoj edhe me
emra të tjerë të njohur shqiptarësh të njohur në skenat e botës si për shembull
me Josif Gjipalin. Kemi bërë një koncert bashkë në Egjipt. Atje e kam njohur. U
prezantuam të dy si shqiptarë, në të njëjtën trupë, plus që kjo merr më shumë
vlerë kur janë solistë dhe me famë në të gjithë botën. Unë isha pjesë e
orkestrës dhe ai këndonte në skenë. Sa herë kemi raste të tilla u themi
kolegëve tanë italianë: Ah, e shikon atë, (ai, apo ajo) është shqiptar. Dhe
italianët me shaka na thonë: “Na vdiqët ju shqiptarët, na mbytët”.
Këndova dy
kompozime të babait tim, Dorian Nini
Dorian
Nini, një kompozitor i talentuar, por me një fat të trishtë pas Festivalit të
11 në RTSH, është edhe babai i të talentuarës gjithashtu Enxhi Nini. E pyetur
rreth bashkëpunimeve me të ajo thotë: “Unë kam kënduar dy këngë të babit dhe një
të tretë të cilën nuk mundëm ta realizonim plotësisht. Bashkëpunimi i fundit qe
po aq i bukur por tanimë dhe i dhimbshëm. Mundësia që na dha Pandi Laço në
emisioni e tij “Histori me Zhurmues” qe si një dhuratë për ne. Na dukej të
kishim këtë kujtim të bukur dhe emocionohem kur kujtoj kohën qe kemi kaluar
bashkë në ato ditë përgatitjesh për emision. Ishte bashkëpunimi i parë serioz me
babain. Mendova se do të ishte fillimi i një udhëtimi të gjatë, sikur çdo gjë
po rilindte, por asnjëherë se dimë se ç’na pret në të ardhmen. Ai u nda nga
jeta dhe shumë gjëra mbetën përgjysmë”.
Me orkestrën e
“La Scala”-s, turne në gjysmën e Botës
“Kam
marrë diplomë, gjithashtu edhe në Muzikën e Dhomës. Pas diplomës kam punuar dy
vite në orkestrën rajonale në Romë. Më pas mora pjesë në një audicion
ndërkombëtar në orkestrën filarmonike të La Scala-s, ku dola e dyta. Ndërkohë,
punoj edhe në Orkestrën e Zvicrës Italiane, Radio Zvicera. Plus kësaj, kam bërë
edhe muzikë të lehtë. Kam bashkëpunuar me shumë këngëtarë të famshëm italianë,
duke filluar me Renato Zeron, e duke e mbyllur me Gigi D’Alession, gjithashtu,
kam bashkëpunuar në mjaft emisione televizive në Rai e Mediaset e TMC TV. Puna
në orkestra të rëndësishme e të famshme më ka dhënë mundësinë të ngrihem shumë
profesionalisht e, për më tepër, kam pasur mundësinë të shikoj botën. Me
orkestrën “La Scala” kemi bërë shumë turne. Kam qenë në shumë vende, në
Meksikë, Japoni, Kinë, Egjipt, Siri pa përmendur këtu koncertet në teatrot e
sallat më të njohura në Europë. Orkestra “La Skala” është një orkestër me
traditë të konsoliduar dhe jo çdo orkestër ka mundësitë e saj. Kam qenë një vit
në Spanjë, sepse fitova një konkurs në një orkestër spanjolle. Një eksperiencë
e re për mua, në një vend që nuk e njihja”.
No comments:
Post a Comment