Sa
të mirë jemi ne shqiptarët. Jemi të mirë sa nuk thuhet. Pavarësisht se të mirën
rrallë ia dimë vetes. Sa për të tjerët, ajo dihet, ata s’na e dinë e s’na e
dinë.
E
kemi sharë veten sa jemi lodhur. Edhe të tjerët na kanë sharë e s’kanë lënë gjë
pa na thënë. Tregohet si anekdotë se në ato fillime të demokracisë kur u
lëshuam nga hekurat ku na mbanin mbyllur, na dinin njerëz me bisht.
Epo...
bota e qytetëruar i ka këto paranoja.
Pastaj
filluan akuzat e tjera: Një herë se vramë ca serbë andej nga Friuli italian,
herën tjetër se i premë mjekrën një prifti grek ortodoks, e pastaj që po kapnim
me shpejtësi tregun e drogës e prostitucionit në Angli, Zvicër e Gjermani. Të
thuash ti që këto vese të ndyra njerëzore i kishim shpikur ne e po ia
shpërndanim perëndimit me qëllim që ta “minonim” nga brenda.
Iku
dhe kjo valë... Ujërat rrodhën e gjërat sikur u qetësuan ca.
Këto
damka i kemi mbajtur edhe kur nëpër shkolla e Italisë apo të Greqisë, fëmijët e
emigrantëve shqiptarë dilnin gjithmonë të parët, aq sa u duhet të ngrinin dhe
flamurin e shtetit.
Prandaj
them, se tek e fundit nuk jemi aq të këqij. Gjithçka ka një njësi matëse, me kë
do të përballesh, për të kuptuar se cili je?
Mirëpo
këtë herë na ndriti fati, pasi ka dhe të tjerë që kanë dalë ku e ku më keq se
shqiptarët. Fjala vjen, a matet horrllëku i një shqiptari, të dehur me raki
Skrapari, me atë të një anglezi të dehur me birrë apo uiski Skocez?
E
kam fjalën për finalen Euro 2020 që në 2021 u luajt në Wembli.
Ajo
që ndodhi para se të niste ndeshja finale Itali-Angli, ishte sa skandaloze aq
edhe qesharake. Londra, një kryeqytet botëror, që ndotur e gjitha e qe bërë si
tualet publik. Se mos thoni që e bënë shqiptarët, ore... Rrjeti u mbush me
pamje të çuditshme. Njerëz që pinin, rrihnin, hidhnin gjithfarë mbeturinash në
tokë, aq sa rrugët e kryeqendrës britanike dukeshin si ato të lagjeve
periferike në qytetet e Bangladeshit.
Kështu
është kur shan të tjerët e nuk sheh pjellën tënde.
Rrugët
e Londrës ishin mbushur plot me mbetje ushqimesh, qese e kanoçe birre. Pisllëk
ngado.
Anglezë
të dehur e të qelbur, dukeshin sikur vinin nga kryqëzatat. Vetëm shpatat u
mungonin. Dhe shyqyr me kaq thuaj... Qëllimi i tyre ishte një: të identifikonin
italianët e t’u binin me shqelma bythëve. Të shkretët italianë. Në ’43-shin kur
Benito Musolini kapitulloi aq sa e varën me kokë poshtë, gjermanët i
ekzekutonin pa paralajmërim ushtarakët e Fashos, të cilët i cilësonin si
tradhtarë. Për së fundi me italianët e kishin kapur anglezët.
Në
një farë mënyre, anglezët për disa orë u kthyen si në mesjetën e hershme, ku
pasi garnizoni romak lëshoi territorin, vendasit shkuan e shkatërruan banjat me
ujë të ngrohtë që ushtarakët i kishin ngritur për t’u larë sipas rregullores së
tyre, një herë në javë, çdo të shtunë. Mirëpo fiset angle, saksone e vikinge që
u sulën të merrnin në zotërim tokën britanike, nuk e njihnin ujin.
Epo,
kohë të vjetra, ç'ti kujtojmë.
Ja
kështu ndodhi edhe në kohët super moderne, megjithëse Tamizi kalon mespërmes
Londrës, aq sa të lajë të gjitha mëkatet e njerëzve që jetojnë aty rrotull.
Me
sa duket ka të bëjë me thirrjen e të parëve.
Mirëpo
lavdi Zotit që në shqiptarët nuk u ndodhëm pranë në këtë rast. Pra nuk ishim ne
iniciatorët e rrëmujës, siç ndodh rëndom të na e veshin, kur nuk ka dëshmitarë
e kamera sigurie. Ata ia bënë vetes. Domethënë trimat anglezë me vandalizma e
skena dhune, kërkuan një fitore, për të cilat Zoti i ndëshkoi: Kupën ua dha
fakirëve italianë që ta çonin në Romë. Anglezët mbetën me gisht në... gojë.
Ç'është
e vërteta, edhe unë desha që trofeu të mbeste në Londër. Se edhe në ‘66-tën me
brekë nëpër këmbë e mori Anglia botërorin, finalja e të cilit gjithashtu u
luajt në Wembli. Po që s’kanë pikë shansi këta anglezët. Që nga koha kur
Maradona u bëri një gol me dorë e s’pati sistem VAR që ta kapte.
Që
në adoleshencën e hershme kam pasur prirje ndaj kulturës anglo-saksone, fiks si
avokat Ngjela që e thotë në televizor sa herë i bie rasti. Për pasojë, isha
tifoz edhe me kombëtaren angleze. Se kështu është, kur nuk të përfaqëson dot
kombëtarja jote, vete e gjen një kombëtare tjetër t’i bësh fresk. Po hajd, mo,
si të gjithë shqiptarët, që shumica ishin me Italinë, dhe ata që mbeteshin
ndaheshim mes Gjermanisë, Holandës, ca e ca ishin me Brazilin e ca të tjerë me
Argjentinën. Ne të Anglisë numëroheshim me kokrra. Por kjo nuk di pse na bënte
më superior. Tek e fundit ishim tifozë me një skuadër të jashtëzakonshme... që
nuk fitonte asnjëherë. Ishte koha kur nga bankina drejtonte Bobi Robson, i
ftohtë e ironik, por gjithsesi krenar, si një britanik i vërtetë. Edhe aso
kohe, tifozeria angleze e tillë ishte, e dhunshme. Edhe atëherë meazallah se
fitonin.
Besoj
ka ende shumë nga ata që e kujtojnë, 29 majin e vitit 1985, kur luhej finalja e
Kupës së Kampioneve në Belgjikë. Përballeshin Juventusi me Liverpulin në
stadiumin “Hejsel” të Brukselit. Por, ndryshe nga ç’pritej, ajo ndeshje nuk
ishte thjesht një lojë futbolli. Tifozeria ekstreme britanike shkaktoi dhjetëra
viktima. Me tifozët e Liverpulit u bashkuan edhe ata të Çelsit dhe kështu nisi
sulmin ndaj tifozëve kundërshtarë. Nga pesha e trysnia e njerëzve bie tribuna
duke zënë poshtë shumë prej tifozëve. Të vdekurit ishin 39, ndër të cilët 32
italianë. Mbi 600 të plagosur. Të gjitha kanalet televizive transmetuan pamje
“live” nga “Hejsel” atë çfarë çfarë po ndodhte.
Eh
italianët e shkretë, kanë bilanc lufte me anglezët.
Ndërsa
ne shqiptarët jemi rehat nga ajo anë. Vetëm një herë na ndriti ylli e të
futeshim deri tek finalet e një evropiane. Këtë herë e ndoqëm ndeshjen te
klubet e lagjeve dhe përveç ndonjë basti kë humbur, asgjë tjetër nuk na bënte
merak. Na kishin harruar krejt ndërsa në qendër të vëmendjes kësaj radhe ishin
huliganët anglezë që rrihnin italianët, ashtu siç i kishin rrahur dhe më parë,
me dru.
Kësaj
radhe po, shqiptarët rrinin gjithë qejf para televizorit duke parë spektaklin e
ofruar pa para. Ndaj me të drejtë u lejohej të brohorisnin: O sa mirë me ken
shqiptar... ohe...
No comments:
Post a Comment