nga Leonard
Veizi
Ka ardhur koha që gjuha shqipe, ajo e
normuar, standarde apo letrare quajtur ndryshe, të mos mbahet më e presuar nga
vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit që u zhvillua 44 vite më parë? Kësaj
pyetjeje mund t’i japin përgjigje vetëm gjuhëtarët, madje jo dokushdo prej
tyre, por ata që janë marrë prej vitesh me një punë thellësisht shkencore në
këtë lëmë. E meqenëse gjuha cilësohet dhe si pasuri kombëtare, çdo gjë që bëhet
mbi shpinën e saj ka një kosto jo të vogël.
Megjithatë deri tani asnjë gjë nuk ka
ndodhur. Por, dilema është në mes gjithsesi. Zyrtarisht, në Shqipëri e trevat
përtej kufirit, njihet gjuha e standardizuar në vitin 1972. Ndërsa në botimet e
përditshme, ç’është e vërteta ndeshesh me gjithfarë deformimesh, që e bëjnë
“gjuhën e ëmbël e me vlerë” të Naimit, krejt të shëmtuar e ndonjëherë pa vlerë.
Një “ë” më shumë apo një “ë” më pak duket se vendos fatin e të gjithë fjalorit.
Ndërkohë një Këshill Ndërakademik që rrekej prej vitesh të bënte ndryshimet që
kërkon koha, nuk ka arritur të ndikojë aq sa
një Kongres i ri Drejtshkrimi të shfuqizojë shqipen e “vjetër”.
Xhevat Lloshi, Profesor-Doktor në fushën
e gjuhësisë dhe një prej delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit, ka një
qëndrim krejt të kundërt, madje fort të rreptë me atë çka ka prodhuar Këshilli
Ndërakademik. Sipas tij, nisma mori shtysë pas përmbysjes së diktaturës
komuniste në Shqipëri, e në këto rrethana u ushqye ideja, se duhej shpartalluar
gjithçka e ndërtuar më parë, rrjedhimisht edhe gjuha e normuar prej Kongresit
të Drejtshkrimit më 1972.
Por deri tani ndërhyrjet për të
“ndrequr” apo “prishur” gjuhën e normuar nuk ka gjetur mbështetje, sepse
pavarësisht gjynaheve të panumërta, politika vendimmarrëse ka pasur nuhatjen se
kjo çështje, ndoshta jo fort me rëndësi në dukje, mund të krijojë një tronditje
shumë më të thellë nga sa e mendojmë. E meqë ndryshime nuk kanë ndodhur, Xhevat
Lloshi shprehet se nëse do të lejohet një gjë e tillë, pasojat do të jenë të
vajtueshme, ndërsa pështjellimi do të ishte i përhershëm në sistemin tonë
arsimor, duke nisur që me librin e Abetares.
Gjuhëtarë të tjerë, por dhe ca që s’kanë
të bëjnë fare më këtë punë, kërkojnë që dhe dialektet të ngrihen në shkallën e
varianteve të detyrueshme. Duke iu referuar bisedës me profesor Lloshin, pikërisht
rreth një teme të tillë, dilet në përfundimin se kjo nuk ka ndodhur në asnjë
rast në gjuhët europiane.
Larmia kulturore dhe dialektore e
shqipes është një dukuri historike objektive. Gjuhëtarët që merren me
stilistikën ngulin këmbë se kjo larmi është një fushë tjetër e pasurisë së
shqipes, e cila duhet njohur sidomos nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit
dhe mësuesit. Ndërkaq, mëshimi i anës dialektore sot është përsëri në hullinë e
asaj që Xhevat Lloshi e cilëson si: “sulm tinëzar kundër gjuhës standarde”.
Askush nuk pengon sot dikë që të përdorë variantin gjuhësor të parapëlqyer prej
tij. Është lexuesi, i cili vendos ta shijojë një tekst ndryshe nga gjuha
standarde ose ta lërë mënjanë.
Ndërkohë, përzierja e pashembullt
demografike e periudhës së fundit e ka prekur fort tablonë dialektore të
shqipes, ndërsa gjuhëtari Lloshi thotë se është koha e fundit, ku duhen
shpëtuar mjaft gjëra me vlerë prej gjuhës së gjallë.
Por gjithësesi shqipja vazhdon të jetë e
rrezikuar dhe nga një mori fjalësh të huaja, e për më tepër ajo deformohet në të
shkruarën e saj. Dhe kjo në radhë të parë vjen nga shtypi i shkruar e portalet
pafund ku shkruajnë pa kontroll, akademikët dhe analfabetët. Për përkthyesit
dhe gazetarët nevojitet përdorimi i një fjalori në çdo ditë të punës së tyre. Kjo
është dhe kërkesa profesionale ndaj vetes në njohjen dhe zgjerimin e visarit
leksikor të shqipes. Gjuha jonë tashmë ka një pasuri të vërtetë për t’iu
përgjigjur gjuhëve të tjera. Ndërkohë qëllon jo rrallë që shqipërimit nga një gjuhë
e huaj t’i përgjigjen me një tjetër fjalë të huaj.
Padyshim, përmirësimi i gjuhës është
dukuri e pandërprerë dhe, po të flasim për kohën, ndoshta jemi të vonuar disi.
Botuar ne revistën "Grazia" më prill 2016
No comments:
Post a Comment