Tuesday, May 17, 2016

Dështimet e Ministrisë së Kulturës...me kulturën

nga Leonard Veizi


Kultura nuk është nga pikat më të forta të qeverisë Rama, e padyshim edhe në platformën e Këshillit të Ministrave, ajo zë faqen e parafundit, ashtu si prodhimet mediatike, ku në faqet e parafundit të edicioneve informative apo gazetave të ditës rreshtohet gjithashtu... kultura.
Ka pasur rëndom raste nga kritizerë thellësisht mediokër që bëjnë pyetjen e vazhdueshme me ironi e sarkazëm bashkë: “Pse ka art në Shqipëri?!” Natyrisht që ka, përderisa në kryeqytet zhvillon aktivitetin e pandërprerë një institucion elitar si Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, e pas tij edhe Teatri Kombëtar, kinematë, Galeria Kombëtare e Arteve, Cirku, i cili tashmë ka marrë një status gjithashtu si trupë kombëtare, përderisa ka muze gjithëllojesh e një Qendër për Realizimin e Veprave të Artit, pa përmendur këtu edhe trupat e ndryshme teatrore apo edhe atë jetë artistike që buron nga Universiteti i Arteve. Të thuash që nuk ka art në Shqipëri, padyshim që është një nihilizëm absurd.
E megjithatë sërish, duke parë pritshmëritë dhe ecuritë, më duhet të them se viti 2014 nuk ishte i artë për kulturën. Po t’i pyesësh me zëra një e nga një, të gjitha drejtoritë dalin me realizim të planit, në mos me tejkalim të tij. Këtë e di mirë... Po t'u referohesh shifrave në letër e diskutimeve në Kuvend ne ia kalojmë dhe vendeve më të zhvilluara. Realiteti është i ndryshëm. E megjithatë deri më tani, Ministria e Kulturës nuk ka bërë publike një shifër, jo se sa janë paratë që ka hedhur për këto projekte, por se sa kanë qenë të ardhurat që i ka sjellë kultura buxhetit të shtetit, pra shqiptarëve. Në fund të fundit edhe ministria e Kulturës operon nëpërmjet parave të mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë. Por e thamë edhe më sipër, shifrat në letër janë gënjeshtari më i madh. Këtë e di mirë. Ashtu siç di të them që grupet e arkeologëve kanë ndërprerë punimet për mungesë fondesh. Galeria Kombëtare e Arteve ka të njëjtin kontingjent vizitorësh krahasuar me vitet e mëparshme. Rrallë të ndodh të shohësh që grupe të internuara vizitorësh t’i afrohen në grup këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës kombëtare, veç rasteve kur këto mund të jenë të organizuara prej shkollave të ndryshme, por edhe këto të fundit jo shpesh. Muzeu Historik Kombëtar nuk gjen qetësi. Prej vitesh vazhdon me restaurimin e pavijoneve. Historia shkruhet e rishkruhet. Objektet lëvizin vazhdimisht nga stenda në bodrum e anasjelltas. Trishtim i madh, sigurisht. Teatri Kombëtar vendos të njëjtin numër premierash ndërsa Teatri i Operës dhe Baletit po riciklon më së shumti vëniet e vjetra në skenë me kostume të reja. Nisur edhe nga biletat e shitura, që nuk sjellin ndonjë të ardhur të madhe në llogaritë e këtyre institucioneve, dalim në përfundimin se nuk mund të flasim për një “bum”. Në intervistën e saj të paradisaditëshme, Ministrja Kumbaro foli për sukseset që pati TKOB gjatë këtij viti, por projektet që ajo përmendi, si koncerti i Papavramit e ndonjë tjetër ishin më shumë evente personale se sa institucionale. Askush nuk mund të thotë se këto evente e rritën numrin e spektatorëve në këtë tempull, e po kështu edhe të ardhurat e tij. Emërimi i drejtorit të ri në Teatrin Kombëtar po shoqërohet me një kalendar të ri pune. Janë hapur dyer për regjisorë të rinj, por ende ne nuk kemi një strategji të qartë të Ministrisë së Kulturës se çfarë do të bëhet në Teatrin Kombëtar, si do të jenë drejtimet dhe buxhetet e tij, cilat do të jenë raportet mes trupës artistike dhe të atyre që vijnë jashtë teatrit, e plot e plot të tjera. Deri më tani Teatri Kombëtar falë edhe mosstrategjisë së Ministres së Kulturës po shndërrohet në institucion me dyer të shqyera.
Si rrallë ndonjëherë gjatë dy dekadave të fundit, Ministria u mundua të eklipsonte panairin e botuesve duke zhvilluar një tjetër panair libri, por në kushte shumë më mizerabël si ai i prillit 2014 në oborrin e Muzeut Historik. Pavarësish tendave, stendat e librave qëndronin të ekspozuara ndaj shiut, në të njëjtën mënyrë si të ishte tregu i fruta-perimeve te Pazari i Ri. Gjithashtu si rrallë herë, këtë vit Ministria e Kulturës nuk e mbështeti Panairin e Librit të Tiranës. Ky qëndrim nuk ishte ndonjë e papritur, pasi në lidhje me politikat e librit, qëndrimi i Ministrisë ka qenë pa bosht, ashtu si pa bosht ka qenë edhe politika ndaj filmit. Se sa ishte prezente kjo fushë në buxhetin e ministrisë, këtë Ministrja Kumbaro u mundua ta thoshte nëpër konferenca shtypi, por pa thënë asgjë konkrete.
Deri tani Ministria e Kulturës arrin të mburret me bashkëpunimin që u bë për pritjen e Papës Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe në zbukurimin e Bunk’artit. Restaurimi i kalave dhe menaxhimi i tyre sa më i mirë ka mbetur në vend. Askush nuk mund të thotë se projekti i vitalizimit të kësaj pasurie të trashëgimisë kulturore tashmë ka shkuar aty ku duhet. Shpesh menaxhimi i tyre mbetet një njollë e errët, të cilën nuk mund ta zbardhin as ahengjet e dasmave që nisën të organizohen rëndom, herë me bujë e herë në mënyrë më diskrete.
Deri më sot, Ministrja Kumbaro ka mundur të flasë në vija të përgjithshme, por konkretisht ende nuk ka një gozhdë ku ajo të varë pallton e rëndë.

Postuar në ResPublica 28 Dhjetor, 2014


No comments:

Post a Comment