Monday, May 6, 2024

“Shihemi së shpejti” tragjedia e ushtarëve francezë që mbijetuan nga tmerret e Luftës së Madhe


Nga Leonard Veizi
 
Më së shumti duket sikur e gjithë historia e bëmave të Luftës së Parë Botërore është e përmbledhur në romanin e ekranizuar tashmë në të paktën tre variante, të autorit gjerman Erih Maria Remark: “All Quiet on the Western Front” ose e ardhur në shqip “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”
Pas tij një peshë të madhe do të mbante dhe romani i kthyer gjithashtu në film: “War Horse” apo “Kali i Luftës” i shkrimtarit anglez Majkëll Morproger botuar të vitit 1982. “War Horse” do të kishte përshtatjen e tij skenike të vitit 2007
Ndërkohë që edhe francezët nuk do të mbesnin pas, sepse shkrimtari Pier Lymetr dha një panoramë mjaft interesante të frontit dhe të ngjarjeve të pas luftës me romanin e tij “Au revoir la-haut” apo në i ardhur në shqip si “Shihemi së shpejti” botuar në vitin 2013, i cili u përshtat në një film dramatik me skenar dhe regji të Albert Dupontel, prodhuar po nga francezët në vitit 2017. Fundi i filmit, krahasimisht me fillimin e tij duket fort spektakolar por që realisht është po aq i dhimbshëm sa të lë pa frymë.
 
Libri
“Shihemi së shpejti” konsiderohet si një roman tërheqës dhe mjaft origjinal. Është një satirë e jetës sociale të pas Luftës: mashtrimi përkujtimor i luftës, skandali i varrezave të luftës si dhe rindërtimi i fytyrave të thyera. Ngjarjet janë të vendosura në një periudhë kur Franca nuk dinte më çfarë të bënte me ushtarët e saj, duke qenë shumë e preokupuar me rindërtimin e vendit. Dy personazhet kryesore janë veteranë të Luftës së Madhe të paaftë për të rifilluar rrjedhën e jetës së mëparshme brenda shoqërisë civile. I pari, Eduardi, djali i një familje të pasur, me fytyrë të thyer, refuzon të kthehet në  familjen e tij, të besojnë se ai ka vdekur. I dyti, Alberti, me prejardhje modeste, bën ç'është e mundur për të ndihmuar njeriun që i shpëtoi jetën dhe tek i cili sheh një mik të përjetshëm. Dy të mbijetuarit e kaosit të Luftës së Madhe, kuptojnë shpejt se vendi nuk i do më. Franca lavdëron të vdekurit e saj dhe harron të mbijetuarit.
Roman i Pier Lymetr transmeton një reflektim ekzistencial përtej narrativës ku ngrihet dhe pyetja: a mund t'i mbijetojmë mizorisë së një lufte? Me sa duket Jo.
Ngjarja ka nisur në ditët e fundit të Luftës së Parë Botërore, ku toger Henri d'Alne-Pradel qëllon dy nga njerëzit e tij pas shpine për t'i bërë trupat e tjera të besojnë se janë vrarë nga armiku dhe të provokojnë një sulm përfundimtar ndaj gjermanëve, duke dashur të krijojë kështu reputacionin si hero lufte. Megjithatë, Albert Maiard dhe Eduard Periku ishin dëshmitarë të krimit të tij dhe janë plagosur rëndë kur Alne-Pradel tenton t'i vrasë gjithashtu. Albert Maiard dhe Eduard Periku, i mbijetojnë sulmit, megjithëse Periku është plagosur rëndë. Pradel, Maiard dhe Periku luftojnë për t'u përshtatur me jetën civile pas përfundimit të luftës. Periku dhe Maiard vendosin të hakmerren ndaj një shoqërie që duket se ka më shumë simpati për të vdekurit e luftës sesa për të plagosurit në luftë, duke ngritur një skemë për t'u shitur monumente fiktivë heronjve të luftës. Ndërkohë, Pradel, - i cili është martuar me motrën e Eduardit, Madalenën - ka krijuar skemën e tij mashtruese ku arrin të rivarrosi ushtarët francezë në arkivole të lira e jashtë standardit dhe të fitojë shumë para.
Autori i romanit ka shpjeguar në fund se mashtrimi me arkivolin bazohet në një histori të vërtetë, ndërsa mashtrimi me përkujtimoret e luftës është tërësisht imagjinar.
 
Filmi
Skena hapëse e filmit flet për vitin 1920, ku Albert Maiard, një ish-kontabilist dhe ish-ushtar, i cili sapo kishte ikur nga Franca, u mor në pyetje nga një oficer i Xhandarmërisë Franceze në Marok, ku u arrestua. Aty ai tregon historinë e tij dhe të Eduard Periku, një dizajnë brilant, djali i një borgjezi, të cilin nëna e kishte lënë të vogël dhe ndihej i lënë pas dore nga babai i tij. Kjo ishte dhe arsyeja pse Eduard në formë rebelizmi ishte regjistruar në ushtri, ishte larguar nga familja dhe kishte luftuar në front.
Marrëdhënia në llogore e miqësisë mes Albertit dhe Eduardit, mori një kthesë më 9 nëntor 1918, pak para përfundimit të Luftës së Madhe. Alberti ishte dëshmitar i një krimi të tmerrshëm: toger Pradel, megjithëse kishte marrë urdhrin formal për të ndërprerë luftimet, arrin të nisë një ofensivë përfundimtare duke bërë të besohet se gjermanët, - të cilët megjithatë presin armëpushimin si francezët, - vranë dy zbulues. Gjatë ofensivës, Pradel, duke e ndjerë veten të demaskuar, e shtyn Albertin në kraterin e një predhe, ku ky i fundit për pak varroset për së gjalli. Éduard, në minutën e fundit, e shpëton Albertin nga vdekja e tmerrshme, por me çmimin e lartë pasi një copëz predhe i dëmton krejtësisht pjesën e poshtme të nofullës.
Të çmobilizuar pas Lufte, Albert dhe Eduard, jetojnë plot vështirësi në Paris. Eduard është i varur nga morfina, që i qetëson dhimbjet e plagës, të cilën Alberti, duke mos mundur ta sigurojë dot, fillon t'ua grabisë të plagosurve të luftës. Alberti humbi punën si llogaritar dhe e fejuara pasi e mashtroi e braktisi. Albert ndërkohë duke ndërruar emrin e Eduardit, ka bërë të besojnë dhe familjarët se djali është vrarë në Luftë. Ndërkohë Eduard, si mjeshtër i dizajnit, përgatit gjithmonë maska të ndryshme për të fshehur poshtë tyre problemet me fytyrën e tij të dëmtuar.
Falë zgjuarsisë dhe talentit të Eduard, më pas këmbënguljes së Albertit, dyshja zhvillon një mashtrim tregtar të shoqëruar me një mashtrim bankar: ata marrin pjesë në një konkurs kombëtar për të shitur nëpër komuna të ndryshme, përkujtimore për të vdekurit, të cilat në fakt do të mbeten fiktive.
Nga ana e tij, Pradel përfitoi nga ushtarët e shumtë që vdiqën dhe u varrosën në varre të improvizuara në fushën e betejës për të nënshkruar një kontratë me shtetin që parashikonte rivarrosjen e tyre, me dinjitet, në varrezat ushtarake. Por, në vend të kësaj, ai përdor mijëra arkivole të shkurtuara, ndonjëherë të mbushura me dhe dhe gurë, madje edhe me kufoma ushtarësh gjermanë, për t'u pasuruar në mënyrë të paskrupullt.
Me afrimin e 14 korrikut, - që është dhe festa kombëtare e Francës - ngjarjet dalin jashtë kontrollit. Gazetat zbulojnë një mashtrim të mundshëm me monumentet. Marsel Periku, - i cili është dhe babai i Eduardit, - mëson se ata janë mashtruar dhe i kërkon Pradelit, dhëndrit të tij, tashmë i akuzuar për një skandal shtetëror, të gjejë fajtorë. Ky i fundit gjen gjurmët e Eduardit, i cili jetonte në hotelin “Lutetia” ku Alberti po bën përgatitjet e fundit për t’u larguar jashtë vendit.
Marsel Periku vendos të shkojë në hotelin ku strehoheshin fajtorët, si i shtyrë nga një forcë e papërmbajtshme, pasi mendon se ka njohur nënshkrimin e djalit të tij në fund të vizatimeve në katalogun e monumenteve. Eduardin e gjen në tarracën e dhomës së tij të cilin e njeh pavarësisht maskës që mban. Babai kërkon falje dhe pendohet para djalit të cilin nuk dinte ta donte më parë. Dy burrat përqafohen dhe duket sikur gjithçka po shkon mirë. Por befas Eduard, me maskën e një zogu në fytyrë, hidhet nga tarraca. Dhe gjithçka mbyllet këtu.
 
Vlerësime
“Shihemi së shpejti” si film u nominua për 13 herë në çmimet e edicionit 43 “César”, - që është një version francez i “Oscar”, - duke fituar 5 prej tyre. Filmi fitoi edhe çmime të tjera ndërkombëtare.
Romani me titullin origjinal: “Au revoir là-haut” u botua në frëngjisht nga “Albin Michel” në 2013, u përkthye në anglisht nga Frank Uin në 2015 dhe u botua nga “MacLehose Press” nën titullin “The Great Swindle” ose “Mashtrimi i Madh”. Romani fitoi disa çmime të rëndësishme, si çmimi “Goncourt”. Është i pari nga tre romanet e planifikuar të Lymetr që përfshin periudhën ndërmjet luftërave. Romani i dytë i serisë, “Couleurs de l'incendie”, u botua në janar 2018. Romani i tretë dhe i fundit i serisë, “Miroir de nos peines”, u botua në janar 2020.
Për “Au revoir là-haut” kritika është shprehur se është magji e pastër e filmit. “Au revoir là-haut”, para së gjithash, të bën përshtypje për madhështinë e saj vizuale. Në të vërtetë, kinematografia magjepsëse rigrupon pamjet e fantazisë, ngjyrave, por edhe errësirës që na kujton se filmi përmban elemente dramatike por dhe komike.
Filmi përfshin gjithashtu aktorin Luron Lafit, aktorin argjentinas Nauel Pérez Biskajart, Nils Arestrup, aktoren belge Emilie Deken në rolin e Rosetës, Melani Tiri dhe aktoren fëmijë Eluis Balster në rolin e saj të parë.

No comments:

Post a Comment