Monday, December 22, 2025

Mes propagandës dhe bidonit, kur lekët e rrogës shkojnë për ujë dhe letër higjienike


Nga Leonard Veizi

“Ditën që erdhi haberi… dilni se erdhi E…”.
Prisni se ngatërrova regjistër. E nisim sërish, da capo:
Ditën që erdhi lajmi se qeveria e rriti rrogën e punonjësve nga 400 në 500 mijë lekë (të vjetra), hyra në shtëpi me hapin e një njeriu që sapo ka fituar lotarinë dhe nuk di ku t’i prishi paratë. Me gjoksin ngrehur dhe sytë drejt një rrezeje të re shprese, thirra që te pragu:
Grua, doli dielli edhe për ne! Je abdejtuar me të fundit? Qeveria rriti rrogat e klasës punëtore dhe shtresave në nevojë, që ia marrsha të keqen!
Por, siç ndodh rëndom në familjet tona, entuziazmi i burrit që lexon titujt e lajmeve u përplas me muret e ftohta të realitetit që mban në dorë gruaja – ekonomistja e vërtetë e familjeve tona me buxhet të kufizuar. Ajo tundi kokën, pa asnjë shenjë gëzimi, dhe aty buzëqeshja më ngriu në fytyrë.
Më pëlqen ky entuziazmi yt. Po kur ta mbash ti llogarinë e shtëpisë, do ta shohësh rritjen e vërtetë, — më tha me një zë që parashikonte stuhinë.
-E ekzagjerove, - iu kundërvura unë. – Tani jemi në kohën kur mund të heqim dhe ndonjë lek mënjanë.
Pas kësaj ndërhyrjeje,  me sa duket krejtësisht të pamotivuar, fytyra e gruas u nxi edhe më shumë.
Sa kafe në ditë pi zotrote? — më pyeti ajo.
Kështu nisi “seanca” e llogaritjes; jo me makroekonominë e ministrisë, por me mikroekonominë e bidonit të ujit.
Dy, - iu përgjigja unë i habitur nga kthesa e gruas. – Të tretën ma ka ndaluar doktori se më ngrihet tensioni.
Dhe sigurisht i shoqëron me nga një bidon ujë, apo jo?
Nënqesha hidhur. Hajde grua, hajde.
Po ke parë të pihet kafja pa ujë? Dhe duhet nga ai i paketuari, se po pive nga ai i çezmës, të zë purtha e përfundon tek Infektivi.
Për çudinë time gruaja filloi të avanconte duke u thelluar:
Po sa ujë paguajmë në muaj si faturë bashkie, e di? Eja të bëjmë një llogari bashkë.
Unë, i gatshëm në punët e shtëpisë, hapa kalkulatorin. Dava uji! Sa rëndoka në buxhetin e familjes?
Sa ishte fatura e ujit këtë muaj?
22 mijë lekë.
Birinxhi. Çfarë janë 22 mijë lekë në fund të fundit? Hiçgjë.
— Sa ujë me bidona konsumojmë në muaj?
Nisa të mendohem.
-Besoj nja 13–15 nga ai 10-litërshi që, me 1200 lekë bidoni, na rezulton nja 20 mijë lekë të tjera.
Kishin ikur më shumë se 40 mijë lekë nga kuleta dhe nuk kisha kuptuar gjë.
— Po katër të rritur në shtëpinë tonë, sa ujë konsumojmë rrugëve, kafeneve apo në zyrë?
Shfryva. Se me këtë punën e matematikës nuk është se i kam pasur punët mirë.
— Po e lëmë me tre bidonë mesatarisht në ditë, nga ata që kushtojnë 700 deri në 900 lekë… — zëri filloi të më dridhej, llogaria po më shtrëngonte fytin.
Fluturuan dhe nja 80 mijë lekë. Bo, bo... u katandis kokoshi një thelë.
— E sheh? — ndërhyri ajo. — Të paktën 120 mijë lekë vetëm ujë!
Pra, rreth 22 për qind e 500 mijë lekëshit shkon vetëm për të shuar etjen e për të larë surratin.
Kulmi! Ishim në mesin e dimrit, por gryka m’u tha. Vajta të rrëmbeja një bidon, por kur mendova koston, bërtita:
Sikter me gjithë ujë! Edhe qumësht dhie të pinim, do na dilte më lirë!
Por nuk mbaroi me kaq. U hap thesi... dhe lista bashkë me të.
Vazhdojmë me artikujt higjienikë, — vijoi bashkëshortja me tonin standard të Ministres së Financave. Më kishte ardhur në majë të hundës dhe vendi s’po më nxinte.
Po pse, moj grua, u sosën gazetat kështu? Le që ne në gazeta punojmë, e kemi lëndën e parë falas.
— Eh, po kanë plumb! Mjekët thonë se plumbi është i keq për organizmin. Pastaj shtëpia ka nevojë për letër higjienike, piceta higjienike, solucione higjienike… ka lloj-lloj asortimentesh higjienike sot.
— Po te pjata e gjellës kur do shkojmë?
— Do vemë dhe aty, po prit se ka rradhë puna.
— Lëre me kaq! — i thashë duke ngritur duart përpjetë, si i dorëzuar para fatit. — Se e shoh që, kur të vijë puna te buka, do përfundojmë te misri foragjere, nga ai që përdoret si silazh për lopët e mushkat. Se për brekë, kanotjere e ndonjë bluzë për ndërresë, e kemi gjetur zgjidhjen te “Gabi”.
Jo po doje edhe pushime në Jug ti…, — shtrembëroi fytyrën ajo, si për ta mbyllur përfundimisht bisedën dhe për ta zbehur deri në fund entuziazmin tim.
Kështu siç përfunduam, do t’i marr çelësat e tarracës Bajramit. Blejmë dy karrige portative dhe një çadër dhe ja ku e bëmë plazhin, — propozova unë.
Gruaja buzëqeshi dhe aprovoi me një “Ok”-ej të plotë.
— E sheh? Filluan të të vijnë mend.
Dhe unë për kompesim i dhashë një tjetër “Ok”, sigurisht po aq të plotë.
Qeveria mund të shtojë zero në rrogat tona, por për sa kohë kostoja e jetesës galopon më shpejt se vendimet e Këshillit të Ministrave, ne do ta kapërcejmë gjithnjë me borxhe pragun e shtëpisë. Në fund të ditës, suksesi i një rritjeje rroge nuk matet me duartrokitjet në parlament, por me faktin nëse gruaja do ta tundë kokën për miratim apo si dëshpërim kur të shohë listën e pazarit.
Për momentin, dielli që “doli” mbi strehën e shtëpisë tonë u mbulua sërish nga retë e zeza të bidonave me ujë, dhe... letrave higjenike.

No comments:

Post a Comment