Monday, February 5, 2024

Orient Express, treni legjendar mes romancës dhe krimit


Nga Leonard Veizi
 
Mbetet skena e romancës dhe e vrasjeve misterioze. Pikërisht sepse tërësia e tij është diçka jashtë standardit. Ose të paktën e një standardi të lartë që quhet ndryshe dhe: luks. Bëhet fjalë për trenin “Orient Express”...

...Ai është një tren i rrallë, lokomotivë e vagonë që s’kanë të krahasuar me asgjë tjetër. Por magjepsja dhe historia e pasur e tij shpeshherë i është kushtuar komplotit të librave dhe filmave dhe si subjekt i dokumentarëve televizivë. Ndaj duket vendi ideal për të qenë pista e një letërsie të verdhë, e aq më tepër, për të zhvilluar skenarin e një filmi triller.
Po përse këto ngjarje pikërisht në këtë tren...?
“Orient Express” ishte një udhëtim me tren për distanca të gjata, linja e të cilit funksionoi nga viti 1883 deri në vitin 2009. Dy emrat e qyteteve të lidhur më së shumti me Orient Express-in ishin Parisi dhe Stambolli, si dy pikat përfundimtare të shërbimit të planifikuar.
Vetë përmendja e “Orient Express” të krijon idenë e pasurisë e të luksit. Pas nisjes së funksionimit të tij në Belle Èpoque, itinerari ikonë i trenit ndryshoi gjatë viteve në vijim, por zakonisht kalonte nëpër qytete të mëdha evropiane, duke përfshirë Vjenën, Budapestin, Bukureshtin dhe Beogradin. Treni ishte i njohur për pajisjet e tij luksoze dhe ishte një nga mjetet më të njohura të udhëtimit për turistët e pasur, mbretërit, diplomatët, si dhe... spiunët. Natyrshëm “Orient Express” ishte më shumë se një tren, sepse ky treni legjendar lidhte Evropën me Azinë. Dhe si i tillë u përjetësua në letërsi dhe kinema.
E nisim që me ngjarjen e parë të vendosur në “Orient Express”...
 
“Treni i Stambollit” dhe “Orient Express”
“Orient Express” është një film dramatik amerikan i vitit 1934 me regji të Pol Martin dhe me Hedher Einxhëll, Norman Foster dhe Ralf Morgan. Ai bazohet në romanin e vitit 1932 “Stamboul Train” shkruar nga Graham Grin, i pari nga veprat e tij që u përshtat për ekranin. Është prodhuar dhe shpërndarë nga ”Fox Film”.
“Stamboul Train” apo “Treni i Stambollit” është romani i dytë i rëndësishëm i Greham Grin. I vendosur në një udhëtim me tren nga Ostendi në Stamboll, libri u riemërua “Orient Express” kur u botua në Shtetet e Bashkuara.
Dhe ja për çfarë bëhet fjalë: Ndërsa Orient Express vërtitet nëpër Evropë në udhëtimin e tij tre-ditor nga Ostendi në Konstandinopojë, jetët e shtyra të disa prej pasagjerëve të tij lidhen së bashku në një ndërthurje fatale. Menaxheri i personazheve përfshin Koral Masker, një vajzë e bukur; Kolltin Majet, një biznesmen i pasur hebre; Riçard Xhon, një mjek misterioz dhe i sjellshëm që kthehej në Beograd; gazetarja e keqe Mejbëll Uorren dhe Josef Grunlih, një hajdut dinak dhe vrasës. Ajo që u ndodh këtyre të panjohurve teksa vendosin dhe heqin maskat e identitetit, duke rrëfyer, duke u zhgënjyer dhe duke iu afruar njëri-tjetrit në "ajrin e vërtetë" të trenit që nxiton, e bën historinë emocionuese dhe plot dyshime.
 
“Vrasje në Orient Express”
Në vitin 1929, “Orient Ekspres” ngeci për pesë ditë në një stacion të vogël turk për shkak të një stuhie dëbore: në vitin 1934, ky fakt frymëzoi Agata Kristi për të shkruar një nga tregimet më të famshme të saj, “Vrasje në Orient Express”. Në realitet, një vrasje kishte ndodhur vërtetë. Drejtori i shkollës së modës të Bukureshtit, Maria Farkasanu, u grabit dhe u hodh nga treni në Austri. Vrasësi, njëfarë Karl Straser, u identifikua falë një stolie argjendi të vjedhur që i përkiste të ndjerit dhe që po ia shiste një gruaje zvicerane.
“Murder on the Orient Express” është një roman i shkruar nga Agata Kristi dhe që është sjellë në shqip nga Virgjil Muçi si “Vrasje në Orient Ekspres”. Mbi këtë bazë është shtjelluar dhe skenari i Majkëll Grin në filmin e regjisorit: Keneth Brein me të njëjtin titull, ku mes të tjerësh interpretojnë: Tom Beitmën, Penelope Kruz, Mishel Fajfer e Xhoni Dip.
Dhe ja për çfarë bëhet fjalë: Ndërsa udhëton në trenin luksoz, detektivi i prakrahasueshëm Herkul Puaro është i detyruar të merret me një vrasje misterioze. Ndërsa treni është i bllokuar në dëborë, një pasagjer godet për vdekje pasanikun Rashet. Në të vërtetë, vrasësi është i fshehur mes udhëtarëve, por në vështrim të parë duket se asnjë prej tyre nuk ka një motiv të fortë për ta kryer këtë krim. Të gjithë janë të pafajshëm dhe të gjithë të përfshirë apo të dyshuar. Një hetim i komplikuar qëndron përpara detektivit të pagabueshëm.
 
“Nga Rusia me dashuri”
Gjatë Luftës së Ftohtë, “Orient Express” ishte një nga lidhjet e pakta midis Lindjes dhe Perëndimit dhe ishte sërish, skenë e një vdekjeje misterioze në vitin 1950, kur atasheu amerikan në Bukuresht, Juxhin Saimon Karpe vdiq duke rënë nga treni, tek po përshkonte një tunel pranë Salzburgut. Episodi i dha shkrimtarit Ian Fleming frymëzim për romanin “From Russia with Love” apo “Nga Rusia me dashuri”, botuar në vitin 1957. Pjesa më e madhe e aksionit zhvillohet në Stamboll dhe në ambientet e trenit “Orient Express”. Më pas ky roman u bë edhe film si një nga seritë e të famshmit Xhejms Bond.
“Nga Rusia me dashuri” është një film i vitit 1963 prodhuar nga “Eon Productions”, si dhe roli i dytë i Shon Konëri si agjenti 007 i MI6  Xhejms Bond. Filmi u drejtua nga Terenc Xhang, prodhuar nga Albert R. Brokoli dhe Herri Saltzman, dhe shkruar nga Riçard Maibaum dhe Xhohana Haud.
 
“Romancë në trenin Orient Express”
Shumëkush e ka parë filmin “Romance on the Orient Express” i cili në shqip vjen “Romancë në trenin Orient Express”. Është një prodhim televiziv britanik i vitit 1985, në zhanrin e dramës dhe romancës, me regji të Lorenc Gorden Klark. Filmi ku luajnë të mirënjohurit Sherri Led dhe Stuart Uilson është xhiruar në Itali, Francë dhe Angli. Ai ka lënë mbresa të forta tek shikuesit, jo vetëm për motivin e ngjarjes por edhe sepse pjesa më e madhe e filmit ishte realizuar në një tren me kabina e restorante luksi, që quhej “Orient Express”.
Dhe ja për çfarë bëhet fjalë: Lili, një gazetare amerikane që udhëton me trenin e famshëm nga Venecia, Itali, në Paris, Francë, papritmas ndeshet me ish të dashurin e saj, Aleks, me të cilin kishte pasur një romancë 10 vjet më parë gjatë pushimeve në Francë. Por romanca përfundoi befas. Aleks përpiqet të kompensojë kohën e humbur me Lilin, ndërsa ajo gërmon në të kaluarën e tij për të zbuluar se çfarë sekretesh kishte ai që çoi në ndarjen e tyre të papritur. Ndërkohë që mes tyre është edhe një fëmijë: Aleksa.
 
Pak histori
Projekti i një treni luksoz
“Orient Express” nisi nga stacioni “Gare de l’Est” në Paris në 4 tetor 1883 me destinacion Stambollin. Në bord ishin 30 të ftuar, të zgjedhur për udhëtimin e parë nga George Nagelmackers, themeluesi i kompanisë UAGONS-Lits. Bir i bankierëve belgë, gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara, ai u impresionua kur hipi në vagonët e pajisur me shtretër të kompanisë “George Mortimer Pullman” ku mund të flihej, por pa ndonjë intimitet të vërtetë. Sapo u rikthye në shtëpi, themeloi kompaninë “Compagnie Internationale des Wagons-lits” për të prodhuar trena të klasit të parë, luksozë dhe të rehatshëm, për klientelën më të zgjedhur. Në fund ia kish dalë që të transferonte në Evropë intuitën e tij.
Por Orient Express i 4 tetorit 1883 u ndal në Bukuresht, sepse hekurudha në Serbi dhe Bullgari nuk ishte ende e përfunduar. Për të arritur në Stamboll ishte e nevojshme që të kalohej nga Deti i Zi, dhe udhëtarët të hipnin në një avullore që të mund të arrinin në destinacion.
Vetëm në 1888 u përfunduan binarët e fundit, duke lejuar Orient Express që të mbulonte përafërsisht 3 mijë kilometra të udhëtimit në një kohë të pabesueshme, prej 68 orësh.
Suksesi i “Orient Express”-it ishte aq i madh, sa që midis viteve 1883- 1940 rrjeti hekurudhor kishte 29 linja që lidhnin Londrën me Parisin dhe Stambollin, Athinën, Damaskun, Teheranin. Por edhe me Madridin, Lisbonën, Romën, Nisën.
 
Fundi i udhëtimeve
Në vitet ‘60-‘70 konkurrenca e udhëtimit me avion nxori jashtë loje Orient Express-in.
Ndërsa në vitet ‘60 u ndërpre linja Paris-Stamboll, më vonë lindi një tjetër “Orient Ekspres” me emrin “Venice Simplon-Orient-Express”, i cili përshkonte Venecian dhe Stambollin një herë në javë, për disa muaj rresht. Kostoja për një person arrinte në dymijë euro.
Më 14 dhjetor 2009, Orient Express pushoi së funksionuari dhe rruga u zhduk nga oraret evropiane të hekurudhave.
Ajo që thuhet tanimë është se Orient Express ishte një "viktimë e trenave të shpejtësisë së lartë dhe linjave ajrore me tarifa të ulëta".
Megjithatë Orient Express mbetet i ngulitur fort në kujtesën kulturore, ndoshta si mundësia e një udhëtimi aq të njohur me tren në histori – një legjendë e vërtetë.
 

No comments:

Post a Comment