Friday, February 2, 2024

Shoqëria jonë skizofrene, qeveria të nisë “vaksinimin” masiv


Nga Leonard Veizi
 
Ne jemi një shoqëri e çmendur në një tranzicion aktiv, se nuk ka mundësi që të ndodhin gjëra të këqija  çdo ditë e çdo natë të mundshme. Sepse krimi si bashkudhëtar i budallallëkut njerëzor vepron më së shumti natën. Ndaj ke frikë të ngrihesh në mëngjes e të njihesh me informacionet e fundit sepse gjëja e parë me të cilën do përballesh do të jetë një lajm i zi për vrasje apo vetëvrasje në kushte depresive.
Njerëz, pini ilaçet!
Shoqëria jonë është e sëmurë. Nga trutë e kokës pikë së pari. Ndaj nuk ka sjellje normale. Dhe kur thuhet se nuk ka sjellje normale, nënkuptohet që sjellja e saj është anormale. Dhe këtë anormalitet ne e kemi të përditshëm. E kemi para syve, por nuk arrijmë ta kuptojmë se kjo lloj çmendurie kolektive që e nënvlerësojmë, në fakt është skizofreni dhe është e gjitha mbi kurrizin tonë. 
Studime nga organizma serioze evropiane bëjnë të ditur se nga 93% e evropianëve që thonë se janë të shqetësuar për të ardhmen, një e treta e tyre vendosin koston e jetesës në vendin e parë së bashku me pasigurinë financiare dhe borxhin. Shqetësimet shëndetësore mendore dhe fizike janë të ngutshme për rreth një të katërtën e të anketuarve. Një në pesë evropianë besojnë se klima ekonomike globale po ndikon negativisht në mirëqenien e tyre mendore.
Po në Shqipëri? Sepse këtu mungojnë studimet e mirëfillta.
Gazetarja fort e njohur e kronikës së zezë, Anila Hoxha në një raportim për Top Channel bëri të ditur se sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, 438 të burgosur mbahen me mjekim të detyrueshëm të sistemit nervor. Dhe vetëm në ditët e para të Janarit, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar për shqyrtim në Gjykatë 20 persona për të cilët është kërkuar mjekim i detyrueshëm.
Kjo do të thotë se u duhen dhënë ilaçet me zor, o nga goja o nga... me supost e kam fjalën.
Sipas raportimit të gazetares në fjalë, dhuna në familje dhe problemet me pronën janë dy nga krimet më të hetuara prej Prokurorisë Shqiptare, për të cilat autorët shfaqin probleme të shëndetit mendor.
Dhe kur burgu qenka i mbushur plot me skizofrenë, spitalet psikiatrike afërmendsh që janë të mbushura plot e s’e gjen një vend ku të shtrihesh nëse të zë e keqja.
Këtu ngrihet pyetja: po jashtë burgut, sa njerëz të padiagnostikuar e normalisht edhe pa mjekim janë të lirë? Të vijnë vërdallë nëpër qytet, t’u hipin makinave, të shëtisin nëpër qendra tregtare, të qëndrojnë prapa oborreve të shkollave... Sa nga këta janë të aftë të na bëjnë hatanë në ditët në vazhdim? Se as budallai nuk e di veten për budalla dhe as i çmenduri për të çmendur. Për ta është normale të të bëjnë hatanë dhe të shtrihen për të fjetur të lumtur e të gëzuar në jetë të jetëve, se tek e fundit përmbushën misionin.
Qeveria të vërë dorën në zemër, t’u rimbursojë ilaçet. Që të paktën t’i pinë me qejf. Pastaj të dalë ku të dalë. Se këta qenkan shtuar kaq shumë sa dhe epidemia Covid që na e bënë gogol, është një miniaturë virusale.
Rrugët e Shqipërisë janë të mbushura me skizofrenë, por që e njohin veten për djem azganë e me informacion të gjithanshëm socialo-kulturor. Dhe pastaj del se të gjithë ata që na bëjnë gjëmën kanë nga dy fakultete, po dhe nga një master. Ose një fakultet e dy mastera. Ç’të thuash, një dosje me diploma e certifikata. Por mungon kryesorja. Ajo e mjekut psikiatër. Se psikologu nuk hyn më në këtë pjesë.
Qeveria duhet të shpallë fushatën e “vaksinimit”. Domethënë t’i kalojë në skaner të gjithë, dhe atyre me diagnozë t’u japë nga një qese ilaçe pa para. Po jo nga ato të skaduarat. Por nga ato më të mirat në treg. Që t’u bëjnë efekt.
Lajmet na tronditin çdo ditë me akte dhune të njerëzve, që nga hetimet e para del menjëherë se kanë çrregullime të shëndetit mendor.
Andej nga fillimi të muajit Gusht 2023, një aktor shqiptar bashkë me gruan e tij u hodhën nga kati i gjashtë i një ndërtese në Bronks të Nju Jorkut. U raportua se aktori 35-vjeçar vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se ndiqej në një klinikë për të mbajtur nën kontroll gjendjen e tij.
Në janarin e vitit 2024 një tjetër 35-vjeçar, i martuar dhe me dy fëmijë mbante të izoluar dhe dhunonte bashkëshorten e tij. Edhe ky me probleme psikike.
Një tjetër rast, thuajse i të njëjtës moshë, u regjistrua në Amerikë si paralele e ngjashme. Autor ishte sërish një shqiptar, ai dhunues, ndërsa ish-partnerja e tij, viktima. Ngjarja ndodhi në Florida, ku 34-vjeçari vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij dhe më pas rrëmbeu vajzën e tyre 8-vjeçare.
Si brenda territorit, si jashtë kufijve ne vazhdojmë të mbetemi shoqëri me probleme të spektrit psikik. Nuk qenka e vërtetë përfundimi se është toka ajo që i prish njerëzit.
Tek një spektakël i një ekrani shqiptar, i tipit “realitet shou”, banorët i thonë njëri-tjetrit: i ke pirë ilaçet? Me sa duket edhe mes tyre ka të paqëndrueshëm psiqikisht edhe pse deklarojnë me mburrje se para se të bëheshin pjesë e spektaklit janë konfirmuar me psikikë normale nga një psikolog. Megjithatë pyetja ngrihet ndryshe: Kur jeni në rregull nga trutë e kokës, pse i përmendni njëri-tjetrit ilaçet? Se paracetamoli nuk futet tek ilaçet tanimë. Ai është në vend të karameles.
Duke iu referuar sërish studimeve evropiane që thonë se në vendet e zhvilluara ky fenomen po haset rëndom, për arsye të humbjes së vendeve të punës dhe të cenimit të të ardhurave ekonomike, më vë në një dilemë të madhe: Çudi se ne në Shqipëri s’kemi as papunësi?! Madje këtu mund të dypunësohesh e të trepunësohesh. Tek ne të gjithë bizneset kërkojnë punëtorë e punëtorët s’i gjen as me qiri. Ç’ne që vuajmë nga stresi e nga ankthi, aq sa na bën të marrim armën në dorë e të vrasim kë të na dalë përpara... bashkë me veten ndonjëherë?!
Por studime të mirëfillta nuk kemi, kështu që për skizofrenët shqiptarë nuk ka një përgjigje shteruese.

No comments:

Post a Comment