Wednesday, February 25, 2026

Viktor Hygo, shkrimtari i vuajtjes njerëzore



Nga Leonard Veizi
 
Ai është babai i Kozetës, Kuazimodos, Guimplenit, Zhan Valzhanit e Zhaverit. Por fëmijët e tij nuk janë vetëm këta. Mjafton të përmendim “Të mjerët” dhe ai e ka kryer misionin e tij ndaj letërsisë. Por nëse do t’i shtohet dhe “Katedralja e Parisit”, pa dyshim Viktor Hygo barazohet me idhujt më të mëdhenj të letërsisë botërore...
 
...Poet e prozator i shquar, Viktor Hygo lindi në Bezanson të Francës më 26 shkurt 1802. Vitet e para të jetës i kaloi në shumë vende të ndryshme, i detyruar me familjen për shkak të punës së babait, i cili ishte një gjeneral në fushatat aktive napoleoniane. Pas 3 vjetësh në Korsikë, 2 në Paris dhe disa vjet në Italinë Jugore, ai nisi shkollën në Spanjë dhe më vonë e vazhdoi në Paris.
 
Fillimet
Publikimi i tij i parë ishte një vëllim i "Odet", të cilin e publikoi vetëm kur ishte 20 vjeçar, një vepër nën influencën e shkollës klasike. Në letërsinë franceze tashmë kishte filluar të përhapej romantizmi, ku Hygo, bazuar në këtë, botoi pjesën e dytë të "Odet". Gjatë viteve 1831–1841 ai shkroi shumë vepra të cilat ia rritën shumë reputacionin dhe, si rezultat i këtyre arritjeve, ai u bë pjesëtar i Akademisë Franceze në moshën 39 vjeçare. Romani "Notre Dame de Paris" dhe dramat "Lucrece Borgia", "Marie Tudor" dhe "Le roi s’amuse", nga e cila Verdi mori subjektin për operën e tij "Rigoletto", patën një sukses të madh.
 
Në politikë
Gjatë viteve 1841–1851 Hygo shkroi pak dhe u mor me politikë, fillimisht si përkrahës i monarkisë së Lui Filipit, me ide të zjarrta napoleoniane. Më vonë ai shfaqi dhe mbështeti Lui Napoleonin si president, por nuk përkrahu Napoleonin III dhe kjo i kushtoi atij dëbimin nga Franca. Megjithatë, vitet e mërgimit ishin shumë të frytshme; gjatë kësaj kohe shkroi dhe romanin "Të mjerët", i cili e bëri të njohur edhe jashtë Francës, si dhe "Punëtorët e detit", "Njeriu që qesh" etj.
Me rënien e perandorisë, Hygo u kthye në Paris dhe bëri një tentativë, pa sukses, pjesërisht në jetën politike të Francës. Vitet në vazhdim e deri në vdekje i kaloi në Paris. Në vitin 1881 u emërua senator i përhershëm. Vdiq më 22 maj 1885 dhe u varros me një ceremoni madhështore në Paris.
 
Familja
Gjatë rinisë së tij ndoqi të atin, Léopold-Sigisbert Hygo, ushtarak i ushtrisë së Bonapartit, që guxonte të merrte me vete në spostimet e tij të shoqen Sofia Trébucher dhe të bijtë Victor, Abel dhe Eugene. I ati pati dhe një rol vendimtar për kapjen e Fra Diavolos në Itali; për këtë u emërua Guvernator i Avellinos. Më tej u dallua edhe në Spanjë, ku Bonaparti i dha gradën e gjeneralit.
Në periudhën nga 1815 deri në 1818, Viktori frekuentoi për një periudhë, për të plotësuar dëshirën e atit, Politeknikun e Parisit, por shumë shpejt i la studimet teknike për t’iu dedikuar letërsisë, drejt së cilës e shtyu e ëma. Shkroi "Odet", dhe këto ishin kompozimet e para letrare. Së bashku me vëllain Abel themeloi Konservatorin Letrar (1819); shkroi më pas "Odet" dhe poezi të ndryshme (1822) dhe shumë shkrime të tjera, deri te "Odet dhe balada", që i vleu një rentë prej 1 mijë frangash nga ana e mbretit Luigji XVIII.
 
Jeta intime
Në 1823 u martua me Adele Foucher, një shoqe fëmijërie; dasma u kremtua në kishën e Saint-Sulpice (në të njëjtën kishë ku u pagëzuan markezi François de Sade dhe Baudelaire). Në të njëjtën periudhë nisi të frekuentojë rrethin e romantikëve të Parisit, mes të cilëve edhe atë të Charles Nodier. Nga martesa me Foucher lindën katër fëmijë: Leopoldinë, Charles, François-Victor e Adèle. Zbulimi, pas disa vjetësh, i tradhtisë së të shoqes me mikun e familjes Sainte-Beuve, do ta çojë të bëjë një jetë të lirë; e dashura e tij për gati 50 vjet u bë Juliette Drouet, një aktore teatri të cilën e njohu gjatë provave të "Lucrezia Borgia" (1833). Drouet i qëndroi gjithmonë pranë, pavarësisht tradhtive të shumta të Viktorit.
 
Në letërsi
Viktor Hygo është konsideruar si nderi i letërsisë franceze dhe ka arritur majat e saj. Ai u vlerësua në radhë të parë si poet, por edhe këtu ai i theu rregullat kryesore, thelbësore, në të cilat bazohej letërsia franceze e asaj kohe. Stili i tij epik dhe lirika e tij janë të paarritshme. Ai do të ngelet përherë një nga shkrimtarët më të ndritur e të lavdishëm të Francës.
Hygo ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të romantizmit në Francë, nga proza e tij te poezia dhe shfaqjet e tij. Si i tillë, veprat e tij përqafuan kryesisht idealet romantike të individualizmit, emocioneve të forta dhe një përqendrim te personazhet dhe veprimet heroike. Këto ideale mund të shihen në shumë prej veprave të tij, përfshirë disa nga veprat më të dukshme. Emocioni i spastruar është një shenjë dalluese e romaneve të Hygo, me gjuhë që i bie lexuesit në ndjenjat e forta të karaktereve pasionante, të ndërlikuara. Edhe djajve të tij më të famshëm – Archdeacon Frollo dhe Inspektori Javert – u lejohen trazira të brendshme dhe ndjenja të forta. Në disa raste, në romanet e tij, zëri narrativ i Hygo shkon në detaje të jashtëzakonshme rreth ideve ose vendeve specifike, me një gjuhë intensivisht përshkruese. Më vonë në karrierën e tij, Hygo u bë i shquar për përqendrimin e tij në temat e drejtësisë dhe vuajtjes. Shkrimet e tij arritën të mbulonin të gjitha gjinitë letrare, nga lirika, te tragjedia, te zakonet, te satira politike, te romani historik e social, duke ngjallur konsensus në të gjithë Evropën.
 
Pasvdekja
Viktor Hygo vdiq më 22 maj 1885. Shkaku i vdekjes së tij ishte pneumonia. Si një i moshuar, 84 vjeçar, ai mori pjesë në një sfilatë për nder të tij, në të cilën mori një ftohje, dhe kjo sëmundje u zhvillua më vonë në pneumoni.
Pas vdekjes së tij, arkivoli me trupin e tij u vendos nën Arc de Triomphe në Paris për 10 ditë. Rreth një milion njerëz erdhën për t'i thënë lamtumirën. Për nder të shkrimtarit të madh u emërua një nga stacionet e metrosë në Paris. Një nga krateret në planetin Mërkuri u emërua “Hygo”.

No comments:

Post a Comment