Nga Leonard
Veizi
Kur flasim për
Zhani Ziçishtin, nuk flasim thjesht për një aktor që numëronte vitet mbi skenë,
por për një profil njerëzor që rrezatonte fisnikëri dhe vërtetësi. Ndarja e tij
nga jeta nuk shënon thjesht fundin e një biografie, por mbylljen e një
kapitulli të rëndësishëm të asaj që mund ta quajmë “shkolla korçare” e
interpretimit...
...Në moshën
86-vjeçare, kur perdja e jetës bie përfundimisht, ajo që mbetet pas nuk është
thjesht jehona e duartrokitjeve, por gjurma e pashlyeshme që një artist lë në
shpirtin e publikut të tij. Zhani Ziçishti ishte pikërisht ky lloj artisti: një
figurë që nuk kërkoi kurrë zhurmën, por gjeti të vërtetën në çdo rol, duke u
bërë një nga emblemat më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.
I lindur dhe i
brumosur me traditën e pasur kulturore të Korçës, ai – i njohur ndryshe edhe si
Zhani Petro – ia kushtoi jetën artit interpretativ me një përkushtim thuajse të
shenjtë. Teatri ishte shtëpia e tij e parë. Aty ai gdhendi mjeshtërinë, përpara
se kamera ta sillte përpara një publiku më të gjerë.
Në vitin 1970 u
shfaq për herë të parë në ekranin e madh me rolin e mësues Agronit në filmin
Lumë drite, një interpretim që shënoi fillimin e një rrugëtimi kinematografik
me 16 filma artistikë.
-“Do një
gjashtën, bëje pastërma. Unë të rrah ty edhe me gurë të hapur. Mos ke qejf edhe
ndonjë duel në fushën e shahut?”
Por shifrat nuk
tregojnë dot peshën e artit të tij. Ziçishti ishte aktor i nëntekstit, i
finesës dhe i qetësisë shprehëse – një prani që nuk impononte, por bindte.
Në filmin “Përballimi”,
ai skaliti me mjeshtëri figurën e shokut Kopi, një zyrtar partie që njihte mirë
teorinë, por përballej me vështirësitë e praktikës.
-“Kjo është tragjike,
more shokë, është tragjike të mendohet se qyteti do të mbetet pa drithë… Çna
mbetet? Një rrugë: të lajmërojmë urgjentisht Komitetin Qendror dhe Qeverinë të
na dërgojnë drithë. Nuk kemi pse të mburremi. Mburrja pa bazë është demagogji.”
Po aq i arrirë
ishte roli i tij edhe në filmin “Nga mesi i errësirës”, ku interpretoi zotin
Jani, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme në vitet e pushtimit
fashist. Me një qetësi të ftohtë dhe një elegancë të brendshme, ai i jepte
personazhit thellësi dramatike:
“E di çfarë do
të bësh: çoja këtë zotit Ugolini. Besoj se atij do t’i duhej më tepër. Dhe
dëgjo, nuk është nevoja t’i thuash se ishe këtu tek unë.”
Ajo që e dallonte
Zhani Ziçishtin nuk ishte vetëm talenti i lindur, por mënyra si ai e përdorte
atë. Në një kohë kur interpretimi shpesh kërkonte tone të larta, ai solli një
ndjeshmëri të rrallë dhe një vërtetësi që krijonte menjëherë “pakt besimi” me
publikun. Ai nuk luante personazhe – ai i mishëronte, duke u dhënë jetë me
natyrshmëri dhe dinjitet.
Në filmin “Kur
xhirohej një film” ai interpretoi rolin e regjisorit Bashkimi:
-“Dëgjo këtu,
Kujtim, le të flasim pak më hapur. A e vure re Gencin që desh të të njihte pak
më parë me shokët dhe sa u gëzua kur të gjithë të panë e të njohën? Por ti nuk
e dije se ai donte të të merrte sidomos për këtë, që shokët ta besonin që ka
dhe ai baba. Dikush dje i foli për të kundërtën.”
Ndërsa në filmin “Dhe
vjen një ditë”, përmes inxhinier Gjinit, Ziçishti solli një tjetër dimension të
talentit të tij, atë të ironisë së hollë dhe humorit inteligjent:
“Erdhe më në
fund? Si? Drejt e nga stacioni po më telefonon mua? Shiko se nuk i ha unë ato.
E po ashtu thuaj de: i telefonova një vajze që quhet Vjollca, por ajo nuk
përgjigjej. I iku humori çunit. Po ti tani do ta kesh çdo ditë në zyrë, mor
djalosh.”
Ikja e Zhani
Ziçishtit lë një boshllëk të dukshëm në artin shqiptar. Por trashëgimia që ai
lë pas është e qëndrueshme: role që flasin ende, personazhe që jetojnë në
kujtesën kolektive dhe një model profesionalizmi që i reziston kohës.
Në këtë mënyrë Zhani
Ziçishti mbetet jo vetëm një aktor i spikatur, por një prezencë fisnike e
skenës korçare – një dëshmi se arti i vërtetë nuk ka nevojë për bujë që të cilësohesh:
i madh.

No comments:
Post a Comment