Kur, midis moshës 10-11
vjeçare shkrova poezitë e para, nuk mendova se kisha prirje për letërsi. Por
isha 14 vjeç kur i bëra një premtim pa mëdyshje vetes të cilin vazhdoj ta mbaj
edhe në këto çaste që i kam mbushur 45 vjeç, Që prej asaj ditë unë gdhihem dhe
ngrysem, nuk harroj të mendoj për letërsinë. Dhe kjo ishte sa për fillim.
Ndërkohë që më duhej të arsimohesha jashtë parashikimeve të mija, por që nuk
ndjej asnjë keqardhje për këtë gjë. Ndërsa në vitin 1991, kur isha 23 vjeç, një
mik, dhe fqinji im njëkohësisht më hapi derën e gazetës “Bashkimi”, ku punova
vetëm 6-të muaj si korrektor. Dy muaj pasi kisha filluar punë në këtë gazetë,
goxha të madhe e me influencë për kohën, iu drejtova kolegjiumit me një
shkrim-vëzhgim. Çuditërisht, shkrimi jo vetëm u pranua nga të gjitha hallkat e
kolegjiumit, por u botua dhe në faqen e parë të gazetës. Nga kjo ditë iu
bashkova gazetarisë, e cila në ato kohë po bënte përpjekje për t’u larguar nga
ndikimet e të kaluarës për t’u futur në një fazë të re.
Unë them se ndikim të
drejtpërdrejtë ka pasur vetja ime. Isha një fëmijë që kisha tentuar për vite me
radhë në pikturë, dhe po të marr konsideratat e mësuesve të mij në Pallatin e
Pionierit, më siguri do të kisha të ardhme. Por pasionin e pikturës e braktisa
për letërsinë. Babai im, si një ushtarak me profil ekonomist, besonte tek
matematika dhe ndikonte tek unë për t’iu drejtuar shkencave ekzakte. Por unë
nuk kisha prirje të tillë. Nëna, shumë më liberale, më la të drejtohesha vetë,
madje më shtypte në makinë shkrimi, (e rrallë për kohën) të gjitha poezitë që
ia jepja të m’i lexonte. Megjithatë asgjë nuk ishte e rastësishme. Në familje
unë trashëgoja një bibliotekë të madhe nga prindërit, ku midis një literature
të theksuar politike dhe ekonomike, kishte dhe një raft goxha të gjatë, me
letërsi mirëfilli. Kujtoj se për vite me radhë kam lexuar në një mënyrë të
vazhdueshme, si një makineri, duke mos përfillur më as frekuentimin e shkollës.
Në çdo kohë, të
lexosh letërsinë e mirë të kujtdo shkrimtari ka vlerë. Vitet e fundit kam
zbuluar se shkrimtarë si Orhan Pambuk, Jose Saramango, Kahled Hosein, por dhe
të tjerë, më kanë dhënë kënaqësi të madhe. Them se filozofia e King, ka një
vlerë universale.
Dashuria ndaj letërsisë.
Nuk kam pasur asnjë dyshim se mund ta braktisja, për as edhe një çast të vetëm.
Në kokë, subkoshiencë, por dhe në dosjen personale të kompjuterit kam plot
synopsuse. Dua vetëm kohë, të cilën realisht vitet e fundit nuk e kam. Të bësh
letërsi në Shqipëri, është luks. vështirë të mbijetosh vetëm duke shkruar
“fikson”. Ky është një risk që unë kam marrë përsipër ta përballoj për sa
mundem.
E gjithë krijimtaria ime
mban vulën “fiksion” ose thënë ndryshe ngjarje ireale të përpunuara në
laboratorin e shkrimtarit. Nëse je një vëzhgues i vëmendshëm dhe njeh
psikologjinë njerëzore, mund të mbledhësh lëndë pa kursim. Në ditët e sotme,
por dhe më parë, çdo që që mund të cilësohet si “ireale” është njëkohësisht po
aq reale.
Novela e parë serioze, e
cila më pas u bë gati për botim ishte “Thyerja” e shkruar në vitin 1990. Ajo u
mbështet mbi një tregim të shkurtër me titullin “E dashura e tij”. Vendosa të
shkruaja novela që nga çasti që u përballa me një “fortunal 7 ballësh” si
Stefan Cvajk. Kisha lexuar thellësisht Balzakun, dashurinë time të përhershme,
Shekspirin, që personalisht e kam cilësuar si “Shkrimtarinë më të madh të të
gjitha kohrave” por kur u përballa me “Amokun” e Cvajkut u trondita shumë.
Duheshin pak më shumë faqe se një tregim dhe shumë më pak faqe se një roman,
pra një e ndërmjetme, dhe nëse e kishe argumentin dhe fuqinë e fjalës mund ta
gozhdoje lexuesin tënd. Shkrova një seri novelash, një pjesë janë botuar, një
pjesë kanë mbetur në tentativë, por janë synopsuse mjaft të mira. Por më pas
zbulova se të shkruarit e një romani jo vetëm që ishte në modë, por kishte dhe
disa përparësi: nuk nguceshe për ta dhënë ngjarjen sa më të koncentruar, por mund
të lundroje në të lehtësisht, sapo të zbuloje mekanizmin.
Fillimisht iu drejtova
literaturës. Lexoja filozofi dhe psikologji, këtë të fundit shumë më me qejf
madje. Më pas nuk ishte e nevojshme, puna si gazetar të përballte më gjithfarë
situatash. Tanimë pas 22 vitesh punë në gazeta e televizione, kam kaq shumë
ngarkesë sa do të më mjaftonte të shkruaja 100 romane. Me një veprim
matematikor të thjeshtë, ditë punë shumëzim për personazhe, duhet t’u kem vënë
mikrofonin apo diktofonin disa mijëra njerëzve, president e kryeministra, gjeneralë
e ministra, dhe padyshim njerëz me profesione të ndryshme, që gjithsesi kanë
për të thënë atë që ne në gjuhën e përditshme e quajmë “lajm”. E megjithatë,
personalisht deri tani, asgjë thellësisht shqiptare nuk më ka frymëzuar. Në
krijimtarinë time jam përpjekur të kem linja të përbotshme, pra që e njëjta
ngjarje mund të transkriptohet në shumë vende të botës. Kam ende një ngërç të
madh të strukturoj një ngjarje nga realiteti i vendit.
Për mrekulli, epoka e
Realizmit Socialist u mbyll. Ishte një periudhë ku Shqipëria fitoi shumë
shkrimtarë, pak prej të cilëve e kaluan klasën. Për të paktën 10 vjet pas
rënies së perdes së hekurt në letrat shqipe kishte veç amulli. Shkrimtarë që
për vite me radhë ishin vetë censuruar tanimë ishin të lirë. Por ata nuk e
menaxhonin dot më lirinë e tyre. Tanimë them se jemi futur në një epokë të re.
Shkrimtarë që të paktën aktivitetin e tyre e nisën post viteve ’90 po japin një
letërsi të qëndrueshme.
Boshti i romanit ka të
bëjë me veset e ndëshkuara dhe ato të pandëshkuara njerëzore. Nuk ka asnjë bazë
reale, por është krejt realitet gjithashtu. Jam munduar të çmitizoj njeriun që
i shërben Zotit. Ai edhe pse me një veshje tjetër, gjithashtu është me vese
njerëzore. Baza e njeriut janë instinktet. Kodet, dhe morali shoqëror e
frenojnë atë dhe e bëjnë një qënje urbane. Përndryshe ai njeri që e ndërtoi
botën me aq mund, mund ta shkatërrojë për shumë më pak kohë.
Ka shkrimtarë që i kanë
të dyja dhuntitë. Personalisht nuk di të shkruaj skenarë filmash, ose të paktën
nuk kam tentuar. Të shkruarit e skenarit, por dhe e dramës, ka teknikë tjetër.
Disa kineastë thonë se një pjese e titujve të mij janë gjysmë të gatshëm për
skenarë. Madje njëri prej tyre, Artan Minarolli, ende ka në dorë dosjen ku ka
mbetur në projekt një skenar i frymëzuar nga novela ime “Treni i fundit i
metrosë”. Do ta cilësoja një arritje të madhe nëse një prej veprave të mija do
të ekranizohej. Për më tepër në Shqipëri ku prodhohen fare pak filma artistik.
-Kur shkruani cili është
vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke
pirë kafe diku?
Unë mund të shkruaj
kudo. Asnjëherë nuk kam pasur një vend të preferuar dhe asnjëherë nuk kam qenë
tekanjoz për këtë gjë. Vitet e fundit e kam ndarë kompjuterin e punës: në pjesë
kohe kur shkruaj për llogari të gazetës, dhe gjatë kohës së pushimit shkruaj
letërsinë time. Nuk ka të bëjë me ndonjë paradoks, është thjesht gjetje në
kushtet e pamundësisë për më tepër. Për momentin unë kam dy fëmijë në rritje e
sipër dhe në apartamentin tim ka gjithmonë zhurmë, gjë e cila e bën të pamundur
krijimtarinë. Ndërkohë, unë nuk jam nga ata shkrimtarë që frymëzohen nga fushat
e gjelbëruara apo dallgët e detit. Unë e frymëzoj veten kudo që të jem, madje
dhe duke udhëtuar në autobusin e një linje interurbane me ajër të
pakondicionuar.
Them se është shumë e
brendshme, të cilën nuk di se ku e kam dëgjuar por më pëlqen ta quaj “espri”.
Padyshim që ka të bëjë me gjenetikën. Në çdo rast tjetër do të isha një prodhim
i sforcuar. Nuk ka shumë lidhje me atë që kërkon t’i transmetosh ti vetë. Unë e
ndjej se kur jam në një valë të tillë ajo, espria, më përvëlon në stomak dhe më
përfshin gjithë kraharorin. Në ato çaste dua që të më lenë të qetë për pak
minuta sa ta mbaroj atë që kam për të hedhur në letër. Një tringëllimë celulari
në këto raste është shkatërruese.
Në publicistikë jam
marrë shumë me të kaluarën, por në letërsi nuk e kthej kokën mbrapa. Për të
krijuar një bazë të suksesshme, në fakt duhet që letërsia dhe gazetaria të
rrugëtojnë vetëm një segment kohe së bashku, më pas tendenca që gazetaria t’i
hyjë në pjesë letërsisë është e rrezikshme. Unë them se ia kam arritur deri në
një farë mënyre duke i mbajtur në linjë të dyja. Por e ndjej se ka ardhur koha
të braktis gazetarinë.
I pavarur, një shkrimtar
a publicist është vetëm në veprën që mban emrin e tij. Nëse punon për median e
dikujt tjetër, person apo bord, nuk ka më kuptim të bërtasësh dhe as të
betohesh për pavarësi. Çdo gazetë ka një linjë editoriale, ti i bashkohesh
asaj, ose për shkak të pikëpamjeve të kundërta largohesh, madje nuk është e
nevojshme se të nxjerr jashtë vetë ajo. Në letërsi unë jam krejt “Leonardi” me
të mirat dhe të këqijat e mia. Në publicistikë jam unë dhe gazeta ku punoj për
atë segment kohe. Pra jemi dy.
Më kujtohet që jam
gëzuar pa masë, kur botova shkrimin e parë në shtator 1991, kur mora një
“cart-press”me emrin tim ku cilësohesha “gazetar” dhe kur pas një farë kohë u
emërova në sektorin politik dhe si mjet pune më dhanë një diktofon. Unë u futa
në gazetari meqenëse ashtu siç mu tha dhe në fillim “të shkruar për të shkruar”
je më afër letërsisë duke qenë në një redaksi. Vitet e para nuk kam menduar
seriozisht se karriera ime do të ishte shumë e gjatë në gazetari, madje duke
mos e pasur këtë frikë kam bërë kapërcime të hatashme. Tani e ndjej se ky
profesion më ka shtrënguar fort dhe sado që unë mendoj se e kam mbaruar
mandatin tim në këtë fushë, sërish nuk arrij të largohem dot prej saj.
Si gazetar për herë të
parë kam hipur në një helikopter të policisë, kam shkuar me urgjencë deri në
Sarandë për të bërë një intervistë dhe jam kthyer duarbosh pasi personi na
kërcënoi se do të priste më pushkë në dorë, ia kam hedhur vitit 1997 brenda
unazës së Tiranës, por kam përjetuar ditë të vështira në 12-14 shtator 1998 kur
në ekipin tonë e kërcënuan me një mitraloz 12.7 mm të çmontuar nga tanku i
Gardës, kam punuar për gazetat kosovare gjatë luftës së vitit 1999, si dhe kam
shkuar disa herë deri në dyert e gjykatës për shkrime të ndryshme por që për
fatin tim në fund situatën e kemi zgjidhur me “marrëveshje xhentëlmenësh”. Kjo
është ajo që mund të lakojë si revistë përpara syve, por në thellësi ka me
qindra episode të tjera. Gazetaria është një punë intensive, e përditshme me
shumë të papritura.
Në fakt gjithmonë kam
rriskuar të marr personazhe që kur thonë diçka publikisht, krijojnë reagimin sa
pozitive aq dhe negative. Këto reagime duan të thonë se në fakt intervista
është lexuar dhe ka shkuar atje ku duhet, përndryshe çfarë vlere ka. Futja në
këtë rrugë ndodhi shumë vite më parë kur unë u ngarkova nga kryeredaktori të
bëja një edicion special, prej dy faqe gazete. Edhe këtu më ndihmoi letërsia. Të
merrje dy faqe në gazetë ishte luks. Edhe sot, me gjithë abuzimet e mundshëm të
vetë tregut mediatik, sërish është luks të vësh emrin në dy faqe të një të
përditshmeje. Meqenëse specialja ime e parë mori notën maksimale m’u desh të
bëja një të dytë e me radhë. Isha nga të paktët që siguroja një volum prej dy
faqesh në gazetë, për shkak të gjetjeve speciale. Pastaj ambicia zgjerohet
vetë. Kërkon të gërmosh sa më shumë. Por kam kontaktuar dhe me shumë njerëz që
nuk kanë dashur t’i publikojnë dëshmitë e tyre
Absolutisht nuk e mbaj
mend. Intervistat e para janë bërë më shumë se 20 vjet më parë. Pastaj jam
marrë për 6-7 vite më intervista dhe kronika televizive dhe më pas u riktheva
sërish në gazetë. Në intervistat e para duket të ketë qenë me siguri një
politikan, pasi në atë periudhë unë mbuloja politikën, pasi kisha bërë një seri
shkrimesh, që nuk bazoheshin mbi intervista. Për sa i përket sfidës, padyshim,
nga një interviste, apo dëshmi, duhet të dali ajo që nuk është thënë më parë,
pra të bëjë një “bum”.
Të jeni të bindur që
kostumi i politikanit mua më ri shumë keq. Ndërkohë nuk kam pasur asnjë sekondë
dëshirë për të qenë i tillë. Gazetarin e bëj mirë dhe në një gazetë më duket
sikur jam në shtëpinë time. Unë do të ndalesha tek shkrimtari. Nëse një gazetar
duhet të shkruajë mbi një fakt konkret, apo të zbardhësh një intervistë ku ka
folur dikush tjetër. Një shkrimtar duhet të punojë në boshllëk, me një fantazi
të shfrenuar, në shumicën e rasteve krejt të improvizuara. Një gazetar i
zakonshëm, nëse ka në ngjarje të mirë, e cila ndodh për shkak të realiteteve, e
bën menjëherë lexuesin të kthejë kokën. Shkrimtarit i duhet një punë shumë e
madhe për të arritur ta bëjë lexuesin të zgjedh librin e tij, pastaj të ulet e
të shfletojë 200-300 faqe narracion.
Sot kritika në Shqipëri
nuk ka atë intensitet të viteve më parë. Kritikë ka, madje të kualifikuar do të
thosha unë, por të papaguar. Në media faqet që mund të mbushen me një kritikë
letrare cilësohen si “faqe inerte” që nuk shesin. Ky është një handikap që
vazhdon ta vuajë jo vetëm autori por dhe lexuesi, që kërkon një orientim në
tregun e madh të librit. Ndërkohë vendin e kritikëve të papaguar e zënë shumë
shpejt ata të pakualifikuarit, të cilët e çorientojnë tregun.
Më pëlqen të bëj
vazhdimisht shkrime me tema speciale. Nuk më pëlqen nxitimi i editorëve për të
botuar një shkrim që nuk i ka të gjithë elementët.
Jam përballur. Herë
ashpër e herë me diplomaci. Është një luftë ku fiton dhe humbet. Qëllimi është
që pasi ke hedhur hapin e parë në start, ta çosh garën deri në fund.
Kundërshtarin duhet ta respektosh, por jo të lejosh cënimin nga ana e tij. Në
këtë garë të ashpër të flasësh për “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”
është e tepërt.
Në vitet e diktaturës
komuniste, mendoja se isha një kundërshtar i regjimit. Sot mendoj se kjo është
një gjë e tejkaluar, madje krejt naive. U trondita shumë kur më thanë se
poezitë e mia mund të cilësoheshin pa frikë si “dekadente” dhe as që mund ta
shihnin ndonjëherë dritën e botimit. Kjo më krijoi një mllef të pamat. Ndaj sot
nuk e ndërroj me asgjë demokracinë. Megjithatë asgjë nuk u tentua seriozisht sa
që unë të kaloja në krahun e kundërt. Pra thjesht isha një kundërshtar në hije.
Pas viteve ‘90 ajo për të cilën jam akuzuar, në tryezë dhe nën zë, është fakti
i një nacionalizmi arrogant që kam shpalosur publikisht. Sot teknikisht mund të
them se Evropa është shtëpia jonë e përbashkët, por meqenëse më ra për pjesë të
lindja dhe jetoja në Shqipëri, nga prindër shqiptarë, dua t’i mbroj fort dy
ngjyrat e flamuri dhe sikur përpjekjet e mia të jenë krejtësisht të kota.
Do të veçoja prozën e
Kadaresë, të cilën e kam lexuar dhe rilexuar por dhe një poet si Migjeni.
Përtej kufijve do të veçoja atë që nuk e kam përmendur në asnjë rast deri tani,
Servantesin.
Projekte kam plot. Ato
do të vijnë njëra pas tjetrës. Nëse do të quaj peng, është fakti që letërsinë
time dua ta lexojnë dhe të tjerë, përtej kufijve të Shqipërisë, pra si një
vepër të përkthyer
Kam përshtypjen se media
e ka vetrregullimin e rotacionit. Përsa i përket lirisë së shtypit ai është
pjesërisht i tillë. Unë vetë si një redaktor, jam gjithashtu një çensor.
Çensorët më të mëdhenj janë ata që në shkallën e hierarkisë vijnë sipër meje.
Ne, ashtu si kudo gëzojmë një liri të kufizuar. Por në Shqipëri ekzistojnë të
gjitha hapësirat që mendimin e lirë që ta censuron dikush, ta shprehësh në një
vend tjetër. Ligji të favorizon.
Të vetmin rol që nuk dua
ta marr është ai i mesazherit. Në konceptin tim, mesazhet e mëdha i kanë dhënë
burra të mençur shumë vite më parë. Atë që ne praktikojmë sot e pa përkufizuar
Konfuci 2500 vjet më parë. Mesazhe kanë dhënë Jezusi, Muhameti, Robespieri dhe
Sartri… Them se inteligjenca shqiptare mjafton të deshifrojë këto mesazhe, dhe
është në rregull si me filozofinë e krishterë ashtu dhe me egon e revolucionit,
përndryshe nuk bën gjë tjetër veçse bie në plagjiaturë.
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU
No comments:
Post a Comment