Monday, July 9, 2018

Libri i fundit i Kliton Nesturit, tetë tregime ose një leksion therës mbi jetën dhe vdekjen

 Nga Leonard Veizi

Çfarë është jeta? Po vdekja? Po ndeshja e përhershme e tyre çfarë përfaqëson në perceptimin e afërt apo dhe në projeksionin e largët e të pakapshëm? Mund të duhet të marrësh një leksion 90 minutësh në auditor për të ngopur kureshtinë tënde, ose të tërheqësh nga biblioteka një material letrar me detaje krejt jetësore. Kuptohet, nëse këtë material letrar e ke në bibliotekën tënde. Në të kundërt do të duhet t'i drejtohesh librarisë.
Dhe mundi nuk do të të shkojë kot.
Një titull i ri sapo është vendosur në raftin me etiketimin: “Letërsi shqipe”. Në kopertinë dominon e bardha, por në brendësi kemi një gri të thellë, ku hera-herës shpërthejnë dhe plot ngjyra të ngrohta.
Është një sfidë e madhe, ndonjëherë dhe krejt absurde, t’i kushtohesh letërsisë dhe rrëfimeve fiksionale, në të njëjtën kohë kur informacioni i shkurtuar e gjysmak, i shpejtë dhe i vrazhdë që merret nëpërmjet një celulari apo kompjuteri portativ, të zë pjesën më të çmuar të kohës. Ndërsa ai vjen sërish me një vëllim tjetër me tregime, duke konfirmuar edhe një herë se po lundron i sigurt në oqeanin e thellë të prozës.
“Në katin e tretë nuk troket askush”, është një libër me 8 tregime, shkruar nga Kliton Nesturi e botuar në vijimësi nga prestigjiozja “Omsca-1” . Në korpusin e tij letrar prej 8 titujsh, Nesturi ka të shkruara një vëllim poetik, një ese monografike, një dramë, një roman dhe katër vëllime, në përbërje të të cilave janë 36 fabula të ndryshme. Parë në këtë këndvështrim, krijimtaria e tij është fort e larmishme. Dhe siç ndodh në përgjithësi, që vëllimi pasardhës është më i mirë se ai paraardhës, mund të dalim në përfundimin e shpejtë se “Në katin e tretë nuk troket askush”, ka kapur kulmin e krijimtarisë letrare të deritanishme të autorit në fjalë.
Tregimi i parë i vëllimit: “E diel. Ora 5 pasdite” fillon me togfjalëshin ekstrem “Riku vdiq”. I largohemi disi vdekjes në dy tregimet pasardhëse “Pianoja” dhe “Manastiri”, për t’u rikthyer sërish tek një tjetër vdekje e trishtueshme. “Krisula” është tregimi i katërt i vëllimit, shkruar me një dashuri të veçantë, ku personazhi kryesor edhe pse mbulohet nga mirësia shkon drejt një fundi fatal. “Kjo është jeta”! Kjo është edhe sentenca me të cilën kemi rënë dakord, të pafuqishëm për të ndryshuar diçka nga një fat i parathënë apo i paracaktuar.
Në tregimin pasardhës “Në katin e tretë nuk troket askush”, edhe pse personazhi kryesor, Lorana, nuk arrin të vdesë deri në fjalinë e fundit të narracionit, sërish e paralajmëron vdekjen e saj të afërt. Ai pasohet nga “Njeriu me dy varre” një sagë sa letrare aq dhe historike, e cila një pjesë të mesazhit e jep nëpërmjet titullit. Vëllimi mbyllet me tregimet “Syujku” dhe “Tregim për Ana Belën”, ku edhe pse nuk zë vend vdekja si proces fizik, trishtimi dhe aludimet rreth saj janë po aq të pranishme sa dhe në tregimet paraardhëse.
Në tregimet e tij autori kërkon të përçojë me ngulm tek lexuesi, fuqinë e dashurisë. A e arrin ai një gjë të tillë? Mendoj se po. Dhe dashuria, si një proces më shumë platonik se sa fizik, është një çelës që ashtu siç hap dyer të panumërta, ngecet pa lëvizur në shumë të tjera. Sepse, sipas autorit dhe asaj çka ai lë të shkruar, gjithçka vjen nëpërmjet një dyzimi të madh e të pazakontë, që e mundon narratorin për të dalë nga rrethi vicioz, ku herë futet me dashjen e vetë dhe herë e fusin vetë personazhet e ndërtuara prej tij. Dhe këtu kemi të bëjmë me një kurth letrar, ku herë e ngre çarkun autori për të kapur personazhet, por ndodh dhe e kundërta, që personazhet bëhen aq të fuqishëm sa janë në gjendje të ngrenë një kurth për të kapur autorin dhe për ta drejtuar atë t'u japë një zgjidhje siç e kërkojnë ata. Por, duket se për autorin nuk ka rëndësi se si dashuria vjen në faqet e tregimeve të tij, butësisht dhe e pafajshme apo nëpërmjet një intrige që krijon dhe një pështjellim të vazhdueshëm ndjenjash gjatë komunikimit që vendos lexuesi me personazhet e veprës. Në logjikën e tij të ftohtë, por dhe në nënndërgjegje me siguri, autori kërkon të vendosë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm përballjen e jetës me vdekjen, por dhe përplasjen mes dy dashurive, asaj të ligjëruar dhe një tjetre informale që në gjuhën e përditshme e përdorim me termin: tradhti. Dhe kush triumfon në këtë ndeshje të përjetshme... 
Për më tepër se kaq, duhet të lexoni “Në katin e tretë nuk troket askush”. Janë vetëm 8 tregime, në 200 faqe, për të parë deri në fund magjinë e letërsisë së një shkrimtari shqiptar.


Botuar në:
http://www.mapo.al/libri-i-fundit-i-kliton-nesturit-tete-tregime-ose-nje-leksion-theres-mbi-jeten-dhe-vdekjen

No comments:

Post a Comment