Rreth filmit dokumentar “Emancipimi i turmave”
të regjisorit Ervin Lera
Historia botërore ka njohur pa fund masa të
irrituara që kanë kaluar në ekstrem, vrasje e plaçkitje, ka njohur luftë
frontale e revolucione të përgjakura. E në këtë hark kohor dymijë apo tremijë
vjeçar, edhe në tokat ilirike e ato arbërore ka pasur furtuna të
herëpashershme. Por historia e re e Shqipërisë nuk është se ka surprizuar me
revolucione të tipit francez, ku njerëzit hidheshin mbi bajoneta për të marrë
Bastijën, as si lëvizja çartiste në Angli pas revolucionit industrial të viteve
1700.
Madje shqiptarët nuk njihen ta kenë ekzekutuar
ndonjë drejtues të lartë të shtetit, ashtu si në revolucionin e udhëhequr nga
Oliver Kromuelli, i cili në vitin 1649 përfundoi me ekzekutimin e mbretit te
Anglisë, Charles I, dhe as si revolucionarët francezë të cilët të udhëhequr nga
Maksimilian Robespieri, në vitin 1791 çuan në gijotinë mbretin e tyre Luigjin
XVI.
Këto më erdhën ndër mend teksa ndiqja i
përqendruar premierën e filmit dokumentar “Emancipimi i turmave”, të regjisorit
Ervin Lera.
Po çfarë përmbante dokumentari në tërësinë e
tij?
Në 60 minuta gjuhë filmike, Lera ishte munduar
të bënte maksimumin e mundshëm, për të trajtuar historinë 30 vjeçare të
“revolucioneve shqiptare” të cilat filluan me Lëvizjen Studentore në vitin 1990
dhe përfunduan me një tjetër lëvizje studentore, atë të vitit 2018. Dhe në mes
tyre, çudira shqiptare pa fund.
“Ky është një film që nxjerr në pah, apo më
saktë të them jam përpjekur që të bëj një vështrim antropologjik dhe filozofik
të shoqërisë shqiptarë që nga vitet e pas Luftës së Dytë Botërore e deri në
ditët ku ne jetojmë. Dhe nuk është çudi që nesër kur të presim një protestë të
shohim nëse filmi është i vërtetë apo jo”, thotë regjisori Lera. Dhe ka një
tjetër përgjigje kur e pyet: A ka turma të emancipuar? “Shqipëria nuk ka turma
të emancipuara, por ka turma të paedukuara. Më vjen keq që e them këtë sepse
edhe unë, qoftë dhe në pasivitet jam pjesë e këtyre turmave”, shprehet
regjisori i dokumentarit “Emancipimi i turmave”.
Duket se në optikën e personazheve publikë që
folën në dokumentar, por dhe të vetë regjisorit i cili kërkon ta çonte krijimin
e tij drejt asaj hullie, në Shqipërinë e 30 viteve të tranzicionit
postdiktaturë, nuk ka pasur një emancipim të turmave, por një keqpërdorje të
tyre. Dhe keqpërdorja, për ironi të fatit ka ardhur që në gjenezë, pra që me
lëvizjen e parë për demokraci, që në terminologjinë e përditshme sot cilësohet
thjesht si “Lëvizja e dhjetorit”.
Padyshim, Lera ka argumentuar mbi 30 vitet e
fundit, pasi në 45 vitet e diktaturës komuniste, jo revolucion, por as grupime
e nisma kundërshtare mbi regjimin nuk do të kishte. Dhe një gjë të tillë e
thotë dhe politologu i njohur Afrim Krasniqi, kur shprehet se: për shkak të
moskundërshtimit të diktaturës, shqiptarët mbeten populli që e pranoi më shumë
atë në gjysmë shekulli totalitarizëm.
Sipas vijës logjike dhe përfundimit të nxjerrë
përmes dokumentarit të Ervin Lerës, në fund e në krye të tij, emancipimi i
turmave nuk ka ndodhur përgjatë këtyre viteve, sepse e mbi të gjitha, ata që
kanë pasur drejtimin e shtetit, apo të tjerët që e kanë synuar atë, i kanë
përdorur këto turma, dhe për më shumë se kaq, i kanë keqpërdorur për interesat
e tyre politike.
Dokumentari në fjalë sjell një historik të
protestave të mëdha gjatë 30 viteve të fundit, por ajo që të bën të shohësh pak
dritë në fundin e një tuneli të errët është protesta e studentëve në vitin
2018.
“Ajo që
ndodhi me studentët në vitin 2018 duhet të ishte përditshmëria jonë në
vend të kësaj përditshmërie që ne po përjetojmë”, shprehet regjisori Lera.
Nëpërmjet analizës dhe gjuhës filmike, Lera na
sjell gjithashtu edhe prapaskenat e përdorimit të turmës gjatë revoltave
kryesore të saj, të cilat kufizohen më së shumti në vitin 1997, 1998 e 2011.
“Ne
kemi shumë nevojë të dalim nga sjellja përmes turmave dhe të hyjmë në sjelljen
institucionale. Ky është një nga thelbet e revolucionit demokratik në Shqipëri,
që ende nuk është bërë. Nuk janë turmat që mund të imponojnë vendimmarrjen e
institucioneve, janë institucionet që janë të zgjedhura apo të emëruara për të
mbrojtur apo për të shprehur interesat e demokracisë kolektive përfaqësuese dhe
të grupeve të caktuara të interesit” do të shprehej Përparim Kabo, gjithashtu një prej tre
personazheve kryesorë që përbënin boshtin e dokumentarit të Ervin Lerës, për ta
bërë atë një të vetëm.
Dhe në vazhdim të argumentit, mund të themi se
është krejt kaotike historia shqiptare e pas pavarësisë, me kryengritje,
revolta dhe revolucioneve të munguara.
Kjo histori nuk njeh shumë akte njerëzish të
revoltuar, që tentojnë të ngrenë krye e të bëjnë revolucione. Dhe nëse merret
për bazë kryengritja e Haxhi Qamilit, kryengritja e Fierit qoftë dhe
Revolucioni i Qershorit nga Fan Noli atëherë jemi vërtet të dështuar e për të
na qarë hallin. Për këtë shkak, edhe revolta ngritur mbi skemën e stisur të
rrëzimit të firmave piramidale, erdhi në mënyrën më të keqe të mundshme, një
revolucion pa revolucion, ku njerëzit të mbushur me urrejtje drejtonin armët
drejt qiellit e zbraznin karikatorët me fishekë në boshllëk dhe pa asnjë
kundërshtar konkret.
“Psikologjia e turmave”, u ka marrë shumë kohë
filozofëve, antropologëve e psikologëve të dy shekujve të fundit. E kudo kudo
që të kërkosh me këtë togfjalësh, do të të dalë si fillim filozofi francez i
pas vitit 1800 Gustave Le Bon.
Por me dokumentarin “Emancipimi i turmave”
Ervin Lera ka ekranizuar jo vetëm teorinë e filozofit Gustave por dhe atë të
Giovanni Pico della Mirandola apo José Ortega y Gasset, të cilët gjithashtu
kanë folur e shkruar shumë për psikologjinë e turmave apo janë marrë me studime
antropologjike.
Për ta realizuar deri në fund, “Emancipimin e
turmave” shqiptare, regjisorit Lera i kanë dhënë një ndihmë të çmuar
intervistat-refleksione të Përparim Kabos, Afrim Krasniqit dhe Ben Andonit.
“Të rebelohemi në mënyrën më të edukuar më
intelektuale dhe më të disiplinuar të mundshme, të që refuzojmë”, ky ishte dhe
një prej mesazheve që vinte përmes dokumentarit, dalë dhe si logjikë konkrete.
Ndërkohë që për të marrë jetë në mënyrë
tërësore, me fotografi, e muzikë, skenarin e shkruar po prej tij, Ervin Lera, e
ka veshur me figurën e operatorit të njohur Agim Kuri, si dhe muzikën e
kompozuar nga Everest Ndereca. Sa për montazh, me të është marrë një tjetër
mjeshtër i kësaj teknike, Gjergji Pano.
No comments:
Post a Comment