Saturday, January 25, 2020

Arben Kruta: Ju rrëfej të pathënat për Lekën


INTERVISTA/ Flet i biri. Jeta e panjohur e aktorit të njohur të estradës Leka Kruta. Si e thirrën në Degën e Brendshme pas denoncimit se mbante në shtëpi fotografinë e Hitlerit


Nga Leonard Veizi

Në Vlorë, emri i tij është kthyer gati në një mit. Dhe emërtimin si aktor brilant e meritonte qysh herët. Elegant  e plot sharm, por dhe me një energji të  pashtershme, ai ngjitej çdo mbrëmje në skenë. Dhe dhuronte të qeshura pa fund. Me një sjellje tipike italiane, i dashuruar pas Napolit dhe muzikës së tij, ai do të sillte në skenën shqiptare një frymë perëndimore, pikërisht atëherë kur kufijtë ishin mbyllur dhe sinjalet e televizioneve të huaja ndaloheshin me zhurmues...

...Nga familje e tyre kanë dalë dy aktorë, të dy në zhanrin e humorit, duke vërtetuar katërcipërisht, apo dhe tërthorazi,  një shprehje zhargoni se: “dardha bie nën dardhë”. E ndërsa babai prej vitesh është ndarë nga kjo jetë,  pasionin e tij për skenën e vazhdon i biri, i cili me këtë rast ndan me lexuesin e “Fjala”-s çaste të pathëna më parë për aktivitetin e një prej korifenjve të skenës moderne shqiptare Leka Krutën.


Cili ka qenë Leka Kruta në jetën familjare?
Ka qenë bashkëshort i përkushtuar, një baba shkëlqyer e familjar model. Nëna punonte me dy turne dhe turni i dytë dilte në 11 të natës. Gjatë gjithë kësaj kohe me ne, tre fëmijët e familjes, merrej me babai. Gjithë pasdite, na ushqente, na lante e ndërronte, derisa na vinte në gjumë Kur kishte ditë pushimi na çonte në plazh, sepse motoja e tij ishte: fëmijët kanë nevojë për kripë e për diell. Im atë ka qenë shumë aktiv në familje, e përpos kësaj kujdesej shumë dhe për punën. Kur ishim të vegjë, mbaj mend që si na përgatiste gjithçka, e mbaronte detyrat me ne fëmijët dhe dilte në korridor. Dëgjoja zërin e tij dhe trembesha e thosha me vete: babai im ka një problem, është i sëmurë dhe flet me vete. Një herë e pyes: Po çfarë bën kështu o babi? Ai më thotë se po përsëriste rolin. Po pse nuk të mjafton orari i punës? - e pyes. Por ai më thotë: Që unë ta bëj sa më mirë rolin tim nuk mjaftojnë orët e punës. Detyra ime është ti bëj njerëzit të qeshin. Dhe unë dua që kur të dal para njerëzve të jem perfekt. Ndaj përgatitem dhe në shtëpi.

A ishte kjo rezonanca që të bëri dhe ty aktor?
Absolutisht jo. Madje im atë nuk ka dashur asnjëherë të bëhesha aktor. Mua më pëlqente humori, tregoja barsoleta me shokët, por kaq. As mua nuk më kishte shkuar në mend të bëhesha aktor. Ideja që unë të shkoja në Institutin e Arteve lindi e detyruar.

Që do të thotë...?
Leka Kruta dhe Arben Kruta
Ndodhi kështu. Mbaruam gjimnazin dhe me grupin shokëve bëmë dhe plazhin atë verë. Në gusht u afishuan të drejtat e studimit. Shoh që të gjithë shokëve të mi u kishin dalë nga një fakultet. Dikujt në filologjik, dikujt në mjekësi, shumë të tjerë për inxhinieri. Emri im nuk ishte asgjëkund. Ndjeva një tronditje të madhe. Por kur në shtator të gjithë morën valiçet dhe u nisën për në Tiranë unë u ndjeva shumë keq, madje mund të them se desh kalova në depresion. Mendova se të gjithë shokët e mij do të bëheshin dikush në jetë, ndërsa unë do mbetesha thjesht një mekanik, sepse si mekanik kisha filluar punë. Atëherë i vura detyrë vetes: ose do shkoj në shkollë të lartë o nuk kam zgjidhje tjetër. Mirëpo mesataren nuk e kisha të lartë. Dhe mendova: kush më pranon mua me këtë mesatare? Zgjidhja ishte: Instituti i Arteve. Por aty duhej talenti. Këtë ide ia them babait dhe i kërkoj që të më përgatiste. Harroje, - më tha – merr çdo lloj profesioni, por vetëm aktor jo.

Pse ky insistim i tij?
Sepse unë e di se ç’kam hequr”, - më tha. - “ Ti shikon pjesën e dukshme, por në verë në shkonin fshatrat, dhe rekuizitën e gardërobën e mbanim në kurriz. Pastaj shkonim fshat më fshat dhe jepnim shfaqe lëmë më lëmë. Unë e di çfarë vështirësish ka kjo punë ndaj ti nuk ke për t’u bërë kurrë aktor

Dhe si do të veproje pas kësaj?
Fati im që kisha dhe burrin e tezes, Qiriako Savën regjisor i trupës së Vlorës. Iu drejtova atij dhe ai e priti me kënaqësi. Madje me tha të përzgjidhja materialet. Unë zgjodha materialet, madje me tepri dhe fillova të ushtrohem me Qiriakon. Atë që bënte babai në shtëpi fillova ta bëja dhe unë. Punoja pasditeve në teatër por punoja dhe në shtëpi. Mirëpo duke ngritur zërin dyshonin dhe komshinjtë, e me siguri thoshin: çfarë ka ky i çmendur që bërtet.
Zakonisht ndodhte që për t’u përgatitur për në Institut punohej një apo një muaj e gjysmë. Ndërsa unë punova gati tetë muaj. Dhe kur unë i kisha perfeksionuar materialet, madje i kisha bërë pjesë organike të trupit tim, atëherë Qiriako fton babain që të më dëgjonte. Im at refuzoi. Ai do të gjente gjithmonë një arsye për të më prishur punë. Dikur u thye dhe erdhi. Unë u impenjova përpara babait tim ashtu si para jurisë së Institutit. Kur mbarova interpretimet ai mbeti i habitur dhe më pyeti: Ke lënë ndonjë gjë tjetër pa përgatitur? I them se kisha qejf të bëja dhe një pantonimë extra, një gjë që nuk ishte në listën e punëve që kërkohej nga Instituti. Këtë do ta punojmë bashkë - më tha. Kjo ishte dhe dita e kthesës sepse aty ai u bind që unë kisha talent dhe vendosi të më ndihmonte.
Leka Kruta me banden e qytetit

Si vajti konkursi?
Në konkurs më shoqëroi dhe babai. Mbaruam e kthehemi në Vlorë. Unë sërish çdo në plazh me shokët e mi. Një pasdite xhaxhai im, që gjithashtu ishte pedagog të Institut,  por që ndodhej me pushime në plazhin  Vlorës, kërkoi ta ndihmoja e t’i mbushja një bidon vajguri meqenëse i ishte mbaruar ai i furnelës që kishin në kabinë. Unë, si çdo ditë marr autobusin dhe zbres tek Monumenti Pavarësisë. Kur shoh mamanë, babain dhe dy motrat e mija shumë të qeshur e të gëzuar, duke më pritur të kthehesha nga plazhi. Më hidhen në qafë, duke më thënë:  Dolën listat, ke fituar. Unë e humba fare dhe mbaj mend që kam hedhur në më mes të bulevardit bidonin e vajgurit, aq sa njerëzit u habitën. Nuk u besoja veshëve. M'u duk sikur kisha fituar botën.

Çfarë aktori ishte Leka Kruta, për të gjithë atë që nuk e njohin?
Babai im që i vogël ka kënduar në korrin e kishës. Ka pasur dhunti për të kënduar. Në kohën e luftës gjyshi im ka pasur një restorant në Vlorë. Aty vinin shpesh italianët. Babai duke u shërbyer, zuri miqësi me ta. Duke qëndruar afër tyre mësoi italishten. Ose mund të them, ua vodhi gjuhën. Por mori dhe këngën italiane nga ata. Qëlloi që shumica e ushtarëve ishin napolitanë. Dha babai mësoi theksi napolitan në mënyrë të shkëlqyer. Derisa në çastin që babai u dorëzua, këngën napolitane e këndonte në mënyrë perfekte. Kënga e ndihmoi shumë në jetë.

Si do të lidhej me Estradën?
Në fillim ai ka punuar në fabrikë që ishte në mesin e qytetit të Vlorës dhe që njihej si “Ekstratanin”. Ishte mekanik. Kur Komiteti i Partisë së rrethit mori mendim të çelte estradën e qytetit, e thirrën dhe babain e i thanë të bëhej pjesë e saj. Ai u vu para një dileme të madhe.  Këtë propozim e shtron dhe në familje. Vëllai i tij i madh i thotë: “Mendoje mirë këtë punë, se ku i dihet se si vete. E bën a nuk e bën dot aktorin. Ndërsa zanatin e ke, je mirë mekanik”. Babai, ngaqë e kishte pasion aktrimin vendosi ta provojë të paktën një muaj. Dhe vajti për një muaj po e mbylli jetën në Estradë.
Arben Kruta, Kardi Roshi dhe Leka Kruta


Si aktor humori, nga ishte i prirë më shumë Leka Kruta?
Ka bërë parodinë, pantonimën, skeçin. Por parodinë e kishte më me pasion. Zakonisht ndodhte që si sugjeronte një muzikë napolitane dhe mbi të viheshin fjalët në shqip dhe dilte një parodi e shkëlqyer

Si ishte Leka si koleg?
Në marrëdhënie me mua, si koleg, ishte pak i rreptë. Them me mua, sepse me kolegët e tjerë ishte tjetër gjë. Ata mezi prisnin të shkonte ora 08.00 që ta takonte. Por ndaj meje, ashtu sikundër dhe ndaj motrave, ka pasur kërkesë sistematike llogarie. Udhëzimet e tij përmblidheshin vetëm në tre fjalë: Punë, përkushtim dhe djersë.

Ju keni luajtur në skenë së bashku?
Babai doli në pension kur unë isha student, kështu që unë nuk pata fatin e madh të luaja me të. Kur mbarova Institutin më emëruan në estradën e Vlorës. Në prapaskenën e Estradës kam dëgjuar shumë për bëmat e tij.

Myqerem Ferra dhe Leka Kruta
Diçka më tepër nga kjo jetë pas kuintave?
Puna në Estradë fillonte në 08.00 të mëngjesit. Por regjisori i trupës gjithmonë do të gjente sebep që ta bënte Leka Krutën të tregonte histori nga jeta personale, sidomos nga fushatat kur Estrada shkonte me turne. Dhe Leka ia fillonte.  Sepse e kishte shumë pasion të rrëfyerin. Të paktën 15 minuta që Leka u tregonte histori, ekipi shkrihej së qeshuri. Kjo ishte zgjuarsi nga ana e regjisorit sepse ai krijonte që në fillim një atmosferë të ngrohte që më pas të fillonte puna me rritëm.

Mund të jetë rast unikal, akti i aktorëve më të vjetër të Vlorës që dhanë dorëheqje në skenë për t’i lënë radhën brezit të ri. Si ndodhi kjo?
Është mëse e vërtetë. Një gjë e tillë sot kjo nuk ndodh. Madhe dhe vetë “Parodistët e Vlorës” kanë pohuar: “Atë që bëri Leka dhe Myqeremi kur ishin 50 vjeç ne nuk e bëjmë edhe  tani që jemi 70 vjeç”. Parodistët e rinj të Vlorës u mblodhën nga grupet amatore.  Leka i qëmtoi duke argumentuar:  Ky këndon bukur, ky ka plastikën, ky bën dhe skeçin dhe këngën..., dhe kështu u mblodhën dhe u orientuan në zhanrin e parodisë katër të rinj. Kur e pa që grupi u poq, Leka bisedoi me Myqerem Ferrën, që ishte dhe regjisor, e i tha: “Ka ardhur koha t’ua lëmë radhën të rinjve”. Myqeremi ra dakord. Kështu një natë në shfaqe, pasi mbaruan parodinë, Leka iu drejtua spektatorëve: “Sot është nata e fundit që ne këndojmë parodinë. Vendin do tua lëmë këtyre katër djemve të rinj, të cilët do të jenë e ardhmja e estradës së Vlorës”. Atë natë dolën dhe katër parodistët dhe kënduan të njëjtën parodi, por jo me dy por me katër zëra. Them se ishte dhe një çast solemn.

Sa i vlerësuar ka qenë Leka Kruta, nga ana morale, pasi dihet që  për vitet që flasim rrogat ishin të përcaktuara nga shteti?
Im atë kishte titullin “Artist i Merituar”. Nuk e di sa vlerësohej  titull ekstra mbi rrogën. Por Leka ishte inkuadruar në bandën e qytetit dhe i binte një vegle bronzi që quhet c, pra është si një lloj trompe. E kam mirë parasysh këtë vegël, pasi qëllonte shpesh që Leka ma vinte përpara, më jepte një kuti me pastë jeshile, ca vajguri dhe një copë fanellë leshi dhe më thoshte: “Jepi bir se nesër kemi koncert”. Sepse ajo duhej të shkëlqente, dhe unë e bëja atë të llamburiste. Kjo m’u bë rutinë. Sa herë gjeja xhenisin dhe veglat e tjera mbi tavolinë hidhja sytë nga babai me nëntekstin: “Përsëri”. Dhe ai më thoshte vetëm një fjalë: “Jepi” Një ditë më erdhi në majë të hundës e i them: Mjat o baba se më lodhe. Por ai ma ktheu: Jepi qën, se ajo vegël po na lan kredinë e shtëpisë. Mbaj mend që kam qeshur me të madhe, e qepa gojën dhe iu futa punës.

Pas viteve ‘90 Leka Kruta ka qenë pak i ekspozuar si aktor. A e merrte malli për skenën?
Ai e kishte të pamundur të shkëputej nga skena. Por ai nuk kërkonte rol. Megjithatë rolet ia caktonin. Sepse regjisori e shikonte që materiali ishte tipik për Lekën. Atëherë vinin në shtëpi e i thoshin që duhej nisur puna për premierën e re. Dhe ai gjithë gëzim shkonte në Estradë. Gjithmonë i pari. Deri në fund të jetës ai nuk tha që kam dalë në pension por thoshte: Jam aktor, jam pjesë e trupës.

A pati çaste të vështira në jetë?
Babai e ka pasur një moment të vështirë. Vëllai i tij 45 vjeç pasi një infarkti u nda nga jeta. Kjo ndodhi në mëngjes por në darkë kishte shfaqe dhe biletat ishin shitur. Leka doli në skenë, fshiu gjithçka nga kujtesa dhe u fut në rol. Por kur mbaroi u shkreh në lot dhe vrapoi për tek vëllai i vdekur.
Leka Kruta ne rolin e Hitlerit

Po me regjimin si i ka pasur marrëdhëniet?
Ai nuk kishte probleme me regjimin. Por unë them se Zoti e ka shpëtuar  atë nga burgu. Ai tregonte shumë barsoleta provokuese. I tërhiqja vëmendjen: Po mjaft o baba me këto gjëra. Por ai ma kthente: E çdo më bëjnë mua.
Por ndodhi që një herë në një dasmë qëlloi të ishte në një tavolinë me një oficer që ishte nga ana e krushqisë e nuk njiheshin. Mirëpo muhabet tavoline e dasme, u kthyen ca gota e u ndez gjaku. Atëherë Leka ia filloi: “Gëzuar vëlla. Ja rron qëni rrojmë dhe ne”. Dhe vazhdonte dasma. Iku ajo punë, Pas shumë vitesh takon një burrë në rrugë i cili e ndalon dhe e pyet në e mbante mend. “Jam ai oficeri që ishim në dasmë” – i thotë. Leka u kujtua. “Po hë ç’thotë puna?”, i bën pyetjen standarde. “Çfarë pune, unë sa dola nga burgu”, - ia kthen tjetri. “Po pse?”. “Sebep u bë ajo shprehja jote. Më pëlqeu shumë, dhe një ditë në një tavolinë e teprova me ca gota dhe thashë: ‘Rron qëni rrojmë dhe ne’. Por në mëngjes e pashë vetën në qeli”.
Oficerin e kishin denoncuar, por Lekën nuk e denoncoi njeri. Megjithatë edhe kjo puna e denoncimit e ka një histori. Sepse qëlloi një herë që babain ta thërrisnin në Degën e Brendshme. Një njeri që kishte hyrë në shtëpinë tonë si mik, e kishte marrë fshehurazi nga albumi i fotove një foto ku Leka pozonte në rolin e Hitleri. Dhe e denoncon. "Në shtëpinë e Leka Krutës mbajnë fotografinë e Hitlerit”. Kryetari i Degës kishte qeshur. E thirri babanë në mënyrë shoqërore dhe i tha: Shiko çfarë kanë bërë për ty. “Po kusht qenka ky që vjen si mik në shtëpinë e më vjedh fotografinë?”, pyeti Leka. Por kryetari qeshi dhe normalisht siç ia donte puna nuk e tregoi.

Sa i respektuar ishte Leka Kruta kur dilte në ambiente shoqërore në Vlorë?
Njerëzit lumturoheshin kur e takonin. Më e pakta donin t’i jepnin dorën. Se kishte shumë nga ata që e ftonin në tavolina. Ka ndodhur dhe kur e ftonin në ndonjë datëlindje a dasmë, por që më pas mendja nuk ishte më të nusja e dhëndri se e gjitha kalonte tek Leka i cili tregonte pafund histori me humor.

Çastet e fundit, si iku nga kjo jetë?
Im atë fillimisht vuajti nga prostata. Unë u kujdesa shumë për të. Madje kam marrë rrugët e Evropës për të gjetur 12 flakona që nuk gjendeshin në Shqipëri. U kurua dhe u bë mirë. Pastaj me kalimin e kohës pati probleme polmonare. Unë nuk reshta duke i bërë kontrolle. Por një ditë një mjek shumë i vlerësuar në Vlorë më thotë: “Ben, Leka është në një çast kur nuk duhet t’i ndalosh asgjë. Lerë t’i përdori të gjitha”. Kjo ishte një kambanë alarmi por dhe një kujtesë që Leka nuk kishte më kthim prapa. Unë ia ndaloja alkoolin dhe duhanin. Ai nuk abuzonte. Pinte ndonjë gotë verë, por cigaret nuk e hoqi nga buza dhe e piu deri në fund.
Por kishte një zakon, rruhej çdo ditë. Kur u rëndua më thoshte; “Eja më ndihmo të rruhem, më mbaj nga mbrapa që të qëndroj në këmbë”. Më pas më kërkonte veglat t’ia çoja në kuzhinë. Por kur u rëndua edhe më shumë më thoshte ta ndihmoja të rruhej. Një ditë, nga fundi, pasi e rrojta dhe e parfumosa i them: “Dua parat se nuk punoj badjava unë”. Ishin çastet kur atij i ishte shuar zëri. Dhe meqë nuk fliste dot më tundi gishtin e madh. Dua të them që dhe në ato çaste aq të vështira ai kishte dëshirë të bënte humor. Dhe kështu iku.

Jetëshkrim i shkurtër
Leka Kruta u lind në Vlorë në 19 shtator 1927. Është ndër themeluesit e Estradës Profesioniste të Vlorës. Në jetën e tij të gjatë krijuese ka interpretuar në 150 premiera me rreth 800 personazhe. Për këtë kontribut përgjatë karrierës 40-vjeçare është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi i Vlorës”. Presidenti i Republikës Bamir Topi, i akordoi Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. U nda nga jeta me 21 Mars 2011.
E botuar ne gazeten FJALA






No comments:

Post a Comment