Nga Leonard Veizi
Koronavirusi nuk ka çfarë t’i bëjë dot botës.
As e pakëson, dhe për më tepër, as mundet ta asgjësojë atë. Këtë tragjedi botës
nuk ia bëri dot as ebola me ethet hemorragjike, as gripi i derrit i njohur me
kodin e frikshëm AH1N1, as H5N1 që u mbiquajt ndryshe si gripi i pulave dhe as
viruset e tjera me gjithfarë emra kafshësh që kanë qarkulluar vitet e fundit
anembanë globit.
I frikshëm ka qenë vetëm gripi spanjoll i 102
viteve më parë, por edhe pandemia e tij pati “sukses të garantuar”, për shkak
të kushteve të tjera të trajtimit njerëzor. Por, botës ky lloj virusi nuk i
nxori dot ujët e zi, siç ndodhi në rastin e përmbytjes së madhe në kohën e
Noes.
Në këtë mënyrë teoria e prifti Maltus nuk gjeti
zbatim as 220 vjet pas shpërthimit të veprës së tij “Essay on the principe of
Population”. Bota nuk u bë më e vogël nga Lufta e Madhe ku kufomat qelbeshin
nëpër hendeqe, as nga Lufta e Dytë Botërore me ndihmën e madhe të
krematoriumit, madje as nga virusi AIDS që doli në treg nga vitet ‘80 të
shekullit të kaluar.
Bota ka pak më shumë se 7.5 miliardë njerëz
sot dhe bota nuk futet dot në kolaps për çështjen e Krimesë, as atë të Iranit
dhe aq më pak për Rripin e Gazës. Kriza më e frikshme në shpërfaqe të saj mund
të jetë ajo e ujit. Këtu ka vend për debat.
Teoritë konspirative se viruset qarkullojnë
për të ulur numrin e popullsisë, martesat gay dhe ulja e lindshmërisë te gratë
nëpërmjet mekanizmave të sofistikuar herë ushqimor e herë mjedisorë, nuk e kanë
bërë aspak botën të pësojë një krizë demografike.
Pra, të gjitha janë teori e praktika të
dështuara.
Tomas Robert Maltusi, demograf dhe ekonomist
anglez, por edhe një prift njëkohësisht, lindshmërinë dhe popullsinë në
përgjithësi i konsideronte madhësi të pandryshuar në hapësirë dhe kohë. Në
vitin 1798 kur botoi librin “Mbi parimet e popullatës”, pati shpjeguar se
popullsia dhe varfërimi i saj nuk vareshin nga kushtet shoqëroro-historike dhe
institucionet sociale, por nga të ashtuquajturat ligjet konstante natyrore.
Maltusi shtroi çështjen e rregullimit të numrit të popullsisë përmes masave
preventive dhe ndëshkuese. Ndër masat preventive ai propozoi: vonesën në
martesë dhe përmbajtjen seksuale të njeriut. Kurse ndër masat ndëshkuese
parashihte: mungesën e ushqimit, epidemitë, luftërat dhe disa forma tjera
antinjerëzore.
Teoria e Maltusit nuk u vërtetua nga zhvillimi
i mëpasshëm material e mendor i njerëzimit ndaj dhe u konsiderua thellësisht
antishkencor dhe antinjerëzore.
Në vitin 2020, kjo teori quhet e marrë fund.
Uria u mposht me prodhimet OMGJ dhe viruset luftohen me gjithfarë injeksionesh
antivirus. Ndërsa jetëgjatësia është rritur në kufij të skajshëm. Kështu që,
globi do të vazhdojë të shumohet.
Koronavirusi mund të marrë shumë jetë
njerëzish, por jo më shumë se një fundjavë me aksidente në një vend të
rëndësishëm të perëndimit apo në Indi.
As tërmetet nuk i kanë bërë gjë globit, sado
të fuqishëm kanë qenë. Nëse boshti i tokës ka lëvizur, kjo ka ndodhur për arsye
shumë më të mëdha nga sa ne e mendojmë.
Tokës i janë dashur 200 mijë rrotullime rreth
Diellit derisa numri i qenieve njerëzore të shkonte në 1 miliard. Por, vetëm në
200 viteve e fundit numri i tyre i kaloi 7 miliardët.
Ishte viti 1987, kur bota u bë me 5 miliardë
banorë. Vetëm 12 vjet më pas statistikat do të tregonin se bota e vitit 1999 u
bë me 6 miliardë banorë. Dhe po 12 vite të tjera u deshën që bota të mbarsej
dhe me 1 miliard të tjerë. Pra, çdo 12 vjet me një shtesë njëmiliardëshe.
Dhe nuk po flitet më për uri si 30 vite më
parë, por vetëm për etje.
Shkencëtarët thonë se bota është duke
përjetuar një mungesë të ujit të pastër dhe kjo vetëm do të keqësohet për shkak
të shtimit të popullsisë dhe ndryshimeve klimatike.
Rezervat e naftës janë taposur e dyllosur duke
e siguruar lëvizjen motorike edhe për shumë vite, por uji jetik, edhe pse me
prurje të njëjta si më parë, do të duhet të mbajë shumë më tepër njerëz në
jetë.
Në Australi lajmi që do të vriteshin dhjetë
mijë deve se konsumonin shumë ujë, mori dhenë. Ndërkohë, 7,5 miliardë njerëz në
botë duan nja dy litra ujë për të pirë çdo ditë, nja 10-15 litra të tjerë për
t’u larë dhe nja 20-30 për të shkarkuar WC-të.
Por, edhe kësaj i është gjetur zgjidhja:
shkripëzimi i ujit të deteve dhe oqeaneve e ka pakësuar etjen.
E çfarë mund ta bëjë botën të pakësohet…?
Koronavirusi jo një herë, nuk ka shanse. Ai
nuk mund ta zvogëlojë dot botën, edhe pse ajo sot nuk është aq e madhe sa
dikur.
Vetëm në 20 vite të ekzistencës së tij,
interneti na tregoi se globi që na dukej gjigant, i paeksplorueshëm dhe pa një
të dytë në galaksi, të na duket fare e vogël, ku njerëzimi mezi qëndron në krah
të njëri-tjetrit.
No comments:
Post a Comment