Xhikja, miku im i vjetër, me të cilin fati na ka puqur të jemi dhe në një
redaksi pune, më tha të shkonim andej nga Farka, edhe hanim ndonjë vorbë me
mish qengji që vlonte n’zjarrt, edhe unë si gazetar “kalibri” të bëja ndonjë
shkrim për aerodromin e Farkës, atje ku kishte ca helikopterë, nga ata që
mbronin Atdheun.
Demek një rrugë e dy punë.
Ja, këtij i thosha mendim gjenial unë. Edhe detyra-detyrë edhe qejfi-qejf.
Tamam punë shqiptarësh.
U nisëm me vrap, pa e bërë dysh fare.
Mirëpo unë ia dija hilet punës, se si gazetar “kalibri” apo “mikrometri”,
isha djegur jo pak herë, e nuk kisha venë mend. Ndaj si burrë me moshë të mesme
nuk më lejohej të bëja budallallëqe. Për më tepër që prej kohësh kisha filluar
t’i fryja qullit sa herë të mundesha. Ndaj edhe pse në timon të makinës mendova
të bëja një telefon andej nga Ministria e Mbrojtjes. Të dëgjoja çdo më thoshin
civilët që nuk mbanin spaleta, por dhe ndonjë me grada… kush të më delte para
në numëratorin e celularit, tek e fundit.
Sakën se i afrohesh bazës, – më thanë nën
zë.- S’ka
burrë nënë e as bir kurve të futet aty. Se për këto që kërkon zotrote, duhet të
kishe bërë një kërkesë, ohuuuu…, nja një muaj më parë. Pa kërkesa jote duhej
përcjellë te zyra e NATO-s që na janë atashuar këtu afër. Pa duhet specifikuar
mirë e mirë kërkesa më të dhëna të plota, se kush je e ç’farë kërkon të bësh në
një bazë që tanimë është nën mbikëqyrjen e forcave të Atlantikut të Veriut…
Hajde babam hajde…. U merrova.
Hoqa celularin nga veshi. Si u përqendrova të rruga plot gropa që
gjarpëronte matanë Poligrafikut deri në Shkozë, thashë me vete: Jallah, mirë më
këta të NATO-s, po mos na del para dhe Interpoli e na rras ndonjë gjobë për shkelje
të ligjit…
Si u ngjita malit përpjetë mbi Uzinën e Traktorëve, – siç jemi mësuar t’i
themi, – u lehtësova e fillova të kthjellohesha:
Ne gazetarët mundohemi të jemi operativë, t’i zgjidhim çështjet tak-fak. Ku
na pret gazeta sa të shkojmë me letra në duar e të merremi me burokraci, jo po
jam filani e do takoj fistekun, “jo po, a
i ke shlyer detyrimet, ku e ke flet-kuitancat e jo po… Jo po ujku të të çajë”.
Hodha vështrimin pas në kohë dhe u kujtova, duke i përsëritur vetes gjëra
të ditura: Unë kam hyrë në bazën ajrorë të helikopterëve pa teklif, kam
shëtitur nga më ka dash qejfi e s’më ka thënë plaç njeri. Pa kam bërë dhe një
xhiro me helikopter, të cilin e drejtonte një pilot i mrekullueshëm si Shyqyri
Dashi, i cili më thoshte se edhe pse ishte nga Kopliku i Shkodrës, më shumë e
ndjente veten si një katunar Tirone nga zona e Farkës për shkak të viteve të
shumta që shërbente në atë regjiment.
Për më tej akoma unë i kisha bërë një intervistë të gjatë komandantit
legjendar të aviacionit Edip Ohrit, pa i kisha bërë intervistë edhe një tjetër
legjende në aviacion, komandant Klement Alikajt kur drejtonte helikopterët e
ministrisë së Rendit. Pa kishte folur për mua, pa i marrë leje askujt,
Gjeneralbrigade Astrit Jaupi, kur ishte në detyrë si Komandant i Aviacionit.
Por kisha marrë në intervistë dhe ish-komandantin tjetër të Forcave Ajrore Gjeneralbrigade
Dhori Spirollarin. D.m.th, intervista një lumë, aq sa edhe sot e kësaj dite
mund të them përmendësh si në “dërrasën e zezë” historikun e aviacionit më mirë
se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Por ja që në Farkë nuk shkoja dot. “Ndal. Zonë ushtarake”.
Veç të shkoja aty te liqeni i Farkës, të sodisja natyrën e të porositja një
tavë dheu që vlonte mbi vorbë e një gastare rakie.
Makina e kishte marrë përpjetën duke shpenzuar naftën si ujë…
-Ka ndonjë karburant këndej? – pyes Xhiken, si djalë zone që ishte. – M’u
tha serbatori.
-Mos çaj kokë, – ma kthen ai, – Ta mbush unë serbatorin “full”. Veç na ço në vend.
-Mos çaj kokë, – ma kthen ai, – Ta mbush unë serbatorin “full”. Veç na ço në vend.
Mirë e kishte… por me kë e kishte…
Se shteti është shtet or daj. Nuk do shkosh ti si mushka, yxhum përpara, të
dalë ku të dalë. “Ndalu bek se ka hendek”. Nuk bëhet shaka. “Zonë militare”.
Dhe në fakt kështu duhet. Se me humor a pa të tillë, shteti e ushtria kanë
rregulla. Po kur e mendova hollë-hollë thashë me vete: Po ç’farë ushtrie o
malum, hapësirën tonë ajrore një herë na e patrullojnë një çift avionësh grekë,
e një herë i fusin një xhiro dyshe italianët.
Të dhjefsha shtetin…
Një herë e një kohë, kur Farka, si bazë ajrore, kishte 36 helikopterë MI-4,
edhe hahej. Por sot, me nja 8 a 10 helikopterë emergjencash, ç’gadishmëri zeza.
Këta janë nga ata helikopterë që si kishin mbaruar punë e s’u duheshin më,
Franca na i ngop me çmim të lirë. Po e patën nga një mitraloz të lehtë në bord,
jarebi… Se nga ata 12.7 milimetra, si zor ta kenë. Ku gatishmëria këtu.
Epo iku ajo punë. Nuk jemi më në Luftën e Ftohtë ku gatishmëria ishte në
kulmin e saj.
Sot në Shqipërinë tonë ish-socialiste, baza të rëndësishme si Gjadri po u
ndryshken dyert e hekur betonit që ishin parashikuar të mbanin dhe një bombë
atomike 5 kilotonshe. Nja 200 avionë që kërkonim t’i shisnim nuk na e bleu
njeri. Ndaj ata shëllehen në diell e në shi. Ndërsa ne na rrofshin
shkresurinat.
-A vijnë këta ushtarakët e bazës këtej nga lokali? – pyesim të klubi më i
afërt pranë regjimentit ajror.
-Ahaaaa, një herë e një kohë i kishe këtu tërë ditën e ditës. As punë as
zanat. Vetëm kafe e raki. Tani ua kanë mbledhur, orar zyrtar 08.00 me 16.00.
Pikë e zezë. Domethënë edhe “inkonjito”, as që bëhej fjalë të merrja ndonjë
llaf për Farkën, çfarë bëhej brenda bazës, e sa herë ngriheshin në ajër pilotët
me helikopterët e tyre.
Hallall. Tek e fundit kështu ka lezet. Këtij i them shtet unë. “Or ti cub, asht çeveri e fortë kjo. Ia ka bo
Kalcës 8 me 2”.
Vate dhe kjo punë.
-Na iku kot rruga, – i them Xhikes, si shkrepa nja dy herë aparatin nga
matanë gardhit rrethues, të bazës ajrore, që dikur quhej regjiment, e ku po
shihja të flinin nja dy helikopterë, – nuk bëhet reportazhi në të thatë.
-Vari mor trapin bazës, - ma kthen ai. – Njoh një vorbaxhi këtej rrotull.
Një që bo poça balte deshta me thon… Rob Zoti osht. Bëji atij një portret, e
pimë dhe nga një gotë rakie pa hile, dhe je i lamë…
Nuk ia prisha. Morëm rrugën për nga poçeria ku një mjeshtër i vërtetë i
zanatit na priti me krahë hapur.
No comments:
Post a Comment