INTERVISTA/ Ariola Prifti, Doktore e Shkencave në Trashëgimi Kulturore, flet
mbi studimin e saj më të ri
Nga Leonard Veizi
Italianët erdhën si pushtues në Shqipërinë e vitit 1939
por nuk u sollën si armiq. Madje ata, për qëllimet e tyre kolonialiste, u
munduan t’i japin një fytyrë “alla romana” qyteteve më të mëdha të tipit
orientalist në vend. Dhe për të vënë në jetë planin e tyre ambicioz, Benito
Musolini solli në Shqipëri arkitektët më të mirë të Romës.
Ariola Prifti, Doktore e Shkencave në Trashëgimi Kulturore, e cila është marrë gjatë me një
studim të thelluar mbi profilin arkitekturor të Shqipërisë në vitet 1925-1943,
na jep një panoramë më të qartë rreth investimeve italiane në periudhën e Zogut
dhe të asaj që u drejtua nga Fasho. Në një intervistë për “Fjala” ajo thotë:
Dr. e Shkencave, Ariola Prifti |
Në çfarë kushtesh ishte arkitektura shqiptare 13 vjet pas Pavarësisë?
Arkitektura shqiptare e viteve ‘20 ishte në kushtet e një
arkitekture mesjetare. Në vitin 1920 Kongresi i Lushnjes vendosi që kryeqytet
të bëhej Tirana dhe aty filloi kthesa. Filluan të bëheshin punime për
rehabilitime rrugësh e ndërtesash. Ishte një rikualifikim i qytetit për ta
kthyer Tiranën në një qendër urbane të vërtetë. Dhe jo vetëm Tiranën, por dhe
qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë. Lidhjet që u krijuan me Italinë, pasi
Ahmet Zogu mori pushtetin, ishin shumë të favorshme sa i përket dhe ndryshimeve
arkitekturore dhe inxhinierike që pësoi Shqipëria në ato vite. U çliruan fonde
për zhvillim, të cilat u morën hua nga bankat italiane dhe u përdorën për
rindërtimin e qyteteve.
Përveç huave, a pati ndikim tjetër nga Italia?
Pati një kërkesë nga qeveria shqiptare, që italianët të
merrnin në dorë planin rregullues të Tiranës. Qeveria fashiste do të dërgonte
një nga eksponentët më aktivë të urbanistikës italiane të kohës, arkitektin
Armando Brasini. Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1925, me dëshirën për të projektuar
një qytet monumental. Ai propozoi ndryshimin e Tiranës duke u frymëzuar nga
stili barok. Pas analizës që Brasini bëri për kryeqytetin, në të cilin
mbizotëronin tiparet orientale, mendoi të ndërhynte në mënyrë radikale në
raport me indin urban të qytetit, duke krijuar një prerje të fortë me sensin e
një bulevardi monumental. Orientimi i bulevardit do të ishte sipas aksit
veri-jug, tipar ky i ndërhyrjeve urbanistike që kryenin romakët e lashtë në
kolonitë e tyre, sipas aksit të ashtuquajtur në latinisht “cardo maximus”, duke
krijuar në pjesën e ndërthurjes së akseve një “Forum”, që në latinisht është
sheshi, pra “Piazza”. Brasini i dha një karakter të fortë gjysmë rrethor
sheshit të ministrive. Gjuha arkitektonike e propozuar prej tij ishte e tipit
neoklasik-monumental, ku shpesh dalin në pah trajtat baroke.
Brasini pati bashkautorë të tjerë në kuadër të rikualifikimi urban të Tiranës?
Në planet rregulluese të Tiranës u përfshinë edhe
arkitektët e talentuar të viteve ‘30, Florestano di Fausto dhe Gherardo Bosio.
Këta i dhanë Tiranës frymën e një kryeqyteti perëndimor modern. Kontributi i arkitektëve
italianë në ndërtimin e Tiranës pati një shtrirje kohore prej 20-vjetësh.
Tirana moderne në konceptin e përgjithshëm ngjason më shumë me qytetet e reja
të themeluara në Itali gjatë periudhës së pushtimit fashist dhe më pak me
planet që u zbatuan në kolonitë e tjera italiane. Kjo arkitekturë italiane në
Shqipëri u aplikua falë punës së teknikëve të rinj, të cilët i përkisnin
shkollës romane dhe asaj fiorentine.
Ku do të përqendroheshin punimet?
U bënë një sërë projektesh të rëndësishme në të gjithë
territoret e qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Vetë Musolini kishte një
interes të veçantë për arkitekturën e Italisë, dhe kërkonte që kjo të shtrihej
edhe në vendet satelite, si në rastin e Shqipërisë, Etiopisë, etj. Kështu, e
njëjta arkitekturë që është zhvilluar në Shqipëri e gjejmë të zhvilluar dhe në
disa vende të tjera. Dhe kanë disa pika të përbashkëta dhe pothuaj identike,
sepse janë të njëjtët arkitektë që kanë punuar si në Afrikën e Veriut ashtu dhe
në Shqipëri.
Cilat janë qytetet që përfituan nga fondi italian?
Përfituan Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra. Më pas u bënë
projekte, por nuk u përfunduan në qytetet e Beratit, Sarandës dhe Elbasanit.
Kemi projekte që ende ruhen në arkivat e shtetit të cilat shpesh janë riparë
nga qeveritë e mëvonshme. Diku ato vihen në zbatim e diku bazohen në to. Në
këtë periudhë u bë dhe një rregullim i qartë i gjithë këtyre qyteteve, pra
qyteteve më të rëndësishme të Shqipërisë. Që nga kanalizimet, urat lidhëse,
është bërë një punë kolosale edhe për sa i përket infrastrukturës rrugore.
Pse ndryshon koncepti arkitekturor i bllokut të ministrive me objektet tek
Politekniku?
Janë dy projekte të ndryshme. Arkitektëve Florestano di
Fausto dhe Vitorio Balio Morpurgo iu besuan detyrat për projektimin e
ndërtesave ministrore në Tiranë, në Durrës dhe qytete të tjera. Mbi bazat e
këtij projekti në vitin 1939 vjen Gherardo Bosio. Në këtë kohë Florestano di
Fausto ishte larguar me një detyrë tjetër, duke e lënë planin në mes. Bosio u
ngarkua posaçërisht nga Musolini për të vazhduar projektin.
Në këtë kohë, problemi më urgjent që kërkonte zgjidhje
ishte përcaktimi dhe organizimi i zonave të reja ku do pozicionoheshin lagjet e
reja rezidenciale të destinuara për popullsinë italiane. Bosio filloj nga
revizionimi i planit të vjetër dhe në vitin 1940 kompletoi planin e ri
rregullues. Mund të them se arkitektët ishin më së shumti artistë, pra piktorë
e skulptorë. Kjo është dhe arsyeja e ndryshimit të fasadave. Në bulevard pjesa
e xhamisë është ruajtur gjithmonë, kjo ishte kryesore për arkitektët. Sepse kishin
si synim të ruanin tiparet e vendit ku punonin. Pra nëse i referohemi ndërtesës
së Politeknikut, shohim që është ruajtur tipari i kullës shqiptare. Kjo lloj
kulle përdorej gjerësisht në Veri por dhe në Gjirokastër. Në këtë mënyrë u
përshtat arkitektura moderne në kontekstin arkitekturën vendase. Shumë prej
këtyre autorëve edhe në shënimet e tyre që kanë bërë gjatë periudhës që ndërtonin,
kanë lënë të shkruar këto lloj përshtypjesh.
Diçka mbi ndërtimin e godinës që sot njihet si “Pallati i Brigadave”?
Fillimisht u njoh si “Pallati i Mbretit”, edhe pse mbreti
u largua nga Shqipëria para se pallati të përfundonte së ndërtuari. Kjo
ndërtesë është një muze më vete, por mund të konsiderohet edhe si një galeri e
kryeveprave dhe arkitekturës botërore. “Pallati Mbretëror” nisi të ndërtohej në
fund të periudhës së monarkisë së mbretit Zog, në vitin 1938. Ai do të
shërbente si pallat mbretëror dhe si seli zyrtare për mbretin. Projekti i
Pallatit u realizua nga një grup prej tre arkitektësh italianë, Florestano di
Fausto, Giulio Berte dhe Gherardo Bosio. Ky projekt u realizua nga ekipi
italian i sipërpërmendur, si dhe nga inxhinierë dhe arkitektë të njohur
shqiptarë si Vasil Noçka e Kristo Sotiri. Basorelievet dhe skulpturat janë
vepra të artistëve italianë, midis të cilëve Antonio Maraini, por edhe
shqiptarë si Odhise Paskali.
Pallati është në stilin e racionalizmit monumental dhe
sot ruan të njëjtin stil dhe dizajn, si në pamjen e jashtme ashtu dhe në
arkitekturën e brendshme të interierëve, në mobilimin e ambienteve e deri në
pajisjet më të vogla të jetës së përditshme. Më parë se kaq, në vitin 1928-30, Di Fausto kishte ndërtuar për
Mbretin Zog “Pallatin Mbretëror” të Durrësit.
Godina e Bankës së Shqipërisë është cilësuar nga më të veçantat në këtë
kompozim...
Kjo godinë i përket stilit arkitektonik të
"Racionalizmit" , rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit
XX në Europë. Ky stil shquhet për volumet e mëdha dhe linjat e forta në fasada.
Kryesisht ai është aplikuar në ndërtimet shtetërore me karakter zyrtar, me
qëllim që të shprehte forcën e qeverive të asaj kohe dhe është përdorur në
shumë vende të Europës Perëndimore. Në këtë këndvështrim edhe godina e Bankës
së Shqipërisë bën pjesë në ndërtimet më të spikatura të asaj kohe në llojin e
vet, rrymës Racionaliste.
Pse u ndal studimi juaj në vitin 1943?
Sepse këtu ndërpriten marrëdhëniet me Italinë, pikërisht pas
rënies së regjimit fashist dhe kapitullimit të Fashos gjatë Luftës së Dytë Botërore.
A i qëndruan kohës ato çfarë ofruan arkitektët italianë të fillim shekullit
të kaluar?
Këto ndërtesa të ndërtuara në njëzetvjeçarin fashist,
kanë lënë shenja të thella në të gjithë kolonitë italiane ku ato janë ndërtuar.
Pas manisë së madhështisë së Benito Musolinit, fshihet një rrymë arkitektonike
ndër më interesantet dhe inovativet. Ndërmjet neoklasicizmit të thjeshtëzuar,
artit romak dhe funksionalizmit, fashizmi ka ridizenjuar qendrat drejtuese dhe
pallatet publike me rezultatin për të mbajtur në kohë, lagje të tëra dhe
ndërtesa.
Qendra monumentale
Tirana, e ngjashme me sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan
“Brasini propozoi një plan që parashikonte një ndërhyrje
në qendër të qytetit të Tiranës, që do të përbëhej nga një grup prej gjashtë
ndërtesash për godinat e Ministrive dhe në mes të tyre do të kishte një
bulevard qendror. Ky plan në vazhdimësi do të kishte edhe variante të tjera, të
cilat u thjeshtëzuan nga Florestano di Fausto. Projekti i Brasinit ishte
madhështor, madje të krijohet përshtypja sikur ka ngjashmëri me sheshin e Shën
Pjetrit në Vatikan. Ai mendonte të krijonte një qendër monumentale gjatësore,
pa u përzier me pjesën tjetër të qytetit ekzistues. Ky aks monumental duhet të
ishte zinxhir linear i lidhjes ndërmjet qytetit të vjetër dhe atij të ri që do
të ndërtohej. Në perspektivat që paraqisnin aksin vihen re muret e qytetit të
vjetër si një referim ndaj aktit të themelimit, që ndodh me një gjest sa ceremonial
(laik apo fetar) që përkon me dallimin e kufijve, të asaj që qëndron brenda apo
jashtë”, shpjegon Doktoresha e shkencave Ariola Prifti.
No comments:
Post a Comment