Intervista/ Aleksandër Meksi flet si
restaurator: Kultura ilire nën dhè është mbuluar nga ndërtimi i pallateve
Nga Leonard
Veizi
Historia
e Shqipërisë është shkruar më së shumti edhe përmes asaj çfarë na ofron një
objekt kulti. Në fillim janë ngritur kishat e ritit katolik, më pas ato të
ritit ortodoks, dhe në shekullin XV nisi dhe ngritja e xhamive e teqeve, një
pjesë e të cilave adoptuan si të tillë dhe godinat që deri më para invazionit
osman, kishin shërbyer si objekte kulti kishtare. Por më e keqja do të vinte më
pas...
“Feja
është opiumi i popujve”. Me këtë motiv, dhe nën ndikimin e drejtpërdrejtë të
Revolucionit Kulturor Kinez, më 6 shkurt Enver Hoxha mbajti fjalim për
"revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit" pjesë përbërëse
e të cilit ishte dhe lufta kundër ”ideologjisë fetare” e “zakoneve prapanike”.
Pas kësaj regjimi ateist e ndaloi ushtrimin e fesë në Shqipëri. Në nëntor të
1967-ës, doli dekreti me nr.4337, ku anulohej legalizimi i komuniteteve fetare
dhe ndaloheshin të gjitha ritet. Ndërkaq, me një iniciativë të pabesueshme e marrë
nga nxënësit e shkollave të Durrësit, të prirë nga shkolla "Naim
Frashëri", sulmuan dhe shkatërruan shenjtëroren ortodokse në Shëna Vlash. Në
këtë mënyrë nisi në të gjithë Shqipërinë shembja e objekteve të kultit. Revolucioni
përfundoi me shkatërrimin e 2169 objekteve, nga të cilat 608 kisha ortodokse e
manastire, 157 kisha katolike, 740 xhami dhe 530 teqe.
Me
vrullin e marrë mund të ishin prishur të gjitha, sa mos kishte mbetur gjë mbi
dhè, por diku dora u ndal. Vërtetë shumë monumente kulti të rëndësishme u
prishën, por disa të tjera po aq të rëndësishme arritën të mbijetonin. Ato u
morën në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve. Por çfarë ndodhi me monumentet e
mbetura? Prof. Dr. Aleksandër Meksi, një nga njohësit më të mirë të fushës së
restaurimit shpjegon për “Fjala”:
Si u
seleksionuan objektet e kultit në ato që duheshin shkatërruar dhe në të tjerat
që duheshin konservuar?
Objektet
e kultit nuk ishin të gjitha në mbrojtje shtetërore. Në këtë rast do të flasim për
ato që ishin në mbrojtje të shtetit. U bë një reduktim i listës ku ishin të
gjitha objektet e kultit. Më saktë, u krijua një komision, që bëri një reduktim
të kësaj liste. Nuk është se thuhej haptazi se cilat duhet të mbaheshin dhe
cilat jo, por ta zëmë se nga 200 objekte rreth 100 të tilla u prishën. U
ruajtën monumentet (kisha edhe xhami) që u gjykuan me vlera më të mëdha se ato
që do të largoheshin. Një pjesë e këtyre objekteve që ishin menduar për t’u
hequr, ndodheshin nëpër zona shumë të largëta dhe shpëtuan. Tanimë janë
rikthyer në pozicionin fetar që kanë pasur dikur. Por një pjesë edhe humbën.
Them se një pjesë u rrënuan, të tjera u transformuan dhe u përdorën për depo. Natyrisht
që pikturat murale të tyre nuk rezistuan. Kështu që shkatërrimi qe i madh.
Objektet e
kultit shkatërroheshin me urdhër nga lart apo dhe nga iniciativa që merrte
baza?
Padyshim.
Për shembull minaret e një pjesë të xhamive ishin shkatërruar kur u vunë në
mbrojtje shtetërore, sepse ata të pushtetit lokal kishin një zell të tepërt, dhe
nuk duruan që të dilte lista, por iu futën punës. Sepse u desh nja dy vjet
derisa u bë seleksionimi.
Përse u desh një
kohë kaq e gjatë?
Sepse
ky seleksionim u shoqërua me dokumentacionin shkencor të tyre, me fotografitë,
përshkrimin, rilevimin, etj. Në këtë mënyrë u bë. U gjykua sipas vlerës, kohës
së ndërtimit, autorësisë së piktorëve, në rastin e pikturave murale. Pra u desh
kohë që lista të plotësohej.
Gjatë punës për
restaurimin, ju ka qëlluar të ndeshnit që një godinë më e re të jetë ngritur
mbi themelet e një objekti të vjetër kulti?
Po
ka. Po kujtoj në Durrës ku në mes të qytetit është një xhami, xhami e Fatihut.
Ajo është ndërtuar mbi një kishë të shekullit të 10-të. Pas vitit1501 menjëherë
me pushtimin e Durrësit nga osmanët, ajo u kthye në xhami. Ishin osmanët ata që
ia morën venedikasve. Një pjesë e godinës u prish, sepse nuk i përshtatej një xhamie
si formë. Ajo është një nga rastet kur xhamia është ngritur mbi një kishë.
Është
gjithashtu kisha e Shën Stefanit mbi kalanë e Shkodrës, e cila gjithashtu është
kishë e kthyer në xhami. Por ka dhe dy-tri raste të tjera.
Tashmë
së fundi xhamia Mbret që po restaurohet nga fondacionet turke, atje ku është
teqeja e Helvetivëve, dy-tre metra në thellësi doli një mozaik që i përket
periudhës paleokristiane të shekullit V-VI. Pra në themele ka një histori në
shumë raste më të vjetër se ajo që duket në sipërfaqe.
Vetëm ndërhyrja e administratës osmane solli ndryshime të objekteve të kultit apo ka pasur dhe rate të tjera?
Ka
pasur dhe më parë se kaq. Shumë objekte të tjera janë prishur sepse
shkatërrimet që sollën dyndjet sllave kanë qenë të mëdha. Pastaj në qoftë se në
një qytet që ka qenë i ndërtuar dhe i zhvilluar më përpara, ndërtohet përsëri,
përgjithësisht gjenden ndërtime më të vjetra. Ashtu siç shpeshherë thuhet se
është ndërtuar mbi një kishë, por nuk rezulton e tillë. Duhen kryer gërmime të thella
arkeologjike për të gjetur që realisht ka qenë mbi një kishë apo jo. Kurse ka të tjera që janë rindërtime
mbi kisha më të vjetra, të themi pjesërisht ruhen muret e periudhës paleokristiane
të shekullit V-VI. Më vonë objekti është
rritur edhe në mure të tjera të qëndrueshme për të mbijetuar.
Në literaturë
shkruhet se në Ilirinë antike ka një amfiteatër të kulturës helene apo një
tjetër të kulturës romake. Po nga kultura ilire çfarë gjurmësh ka?
Ka
edhe gjurmë nga kultura ilire. Në disa raste gjen varreza të vjetra, ndërtime
të vjetra. Durrësi sot mund të ishte një vend i rëndësishëm për të gjetur
mbetje nga kultura ilire. Por pas vitit 1997 pikërisht zona arkeologjike e
qytetit ka humbur, pasi është kthyer në truall për ndërtime pallatesh.
Në studimet
tuaja keni shkruar shumë dhe për kishën e Mesopotamit. Mendohet se është nga të
rrallat në Europë ku kryheshin në të njëjtën kupolë si ritet katolike ashtu
edhe ato ortodokse...
Këto
objekte kulti janë të rralla përgjithësisht. Gjatë fundit të shekullit të XIII-të
anzhuinët, dinastia franceze që kishin nën zotërim dhe një pjesë të Arbrit,
marrin për nuse në oborrin e tyre vajzën e despotit të Epirit. Në atë kohë,
Mesopotami bënte pjesë në despotatin e Epirit. Ishte manastir që varej
direkt nga patrikana e Kostandinopojës. Pra nuk varej nga peshkopi vendas,
fjala vjen nga ai i Gjirokastrës, i Himarës apo i Butrintit. Në atë kohë katolikët
shtinë në dorë edhe Butrintin dhe kishin peshkopin e tyre për 100 vjet të
paktën, ku në listë janë 3-4 emra peshkopësh katolikë. Pra në këtë periudhë
kohore morën në dorë edhe manastirin, i cili asokohe kishte vetëm të krishterë.
Ka dhe sherre ndërmjet tyre së paku deri nga 1304 kohë kur u prishën dhe
katolikët u larguan nga ndikimi. Sherri ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve
është i dokumentuar, sepse igumeni i këtij manastiri bashkë me dy-tri igumenë
të tjerë, kur katolikët ishin shtrirë në Epir, shkojnë në Napoli të ankohen ndaj
vështirësive që kishin për ushtrimin e ritit ortodoks. Kjo është arsyeja që
kemi të bëjmë me një ndërtesë, e cila ka një formë unikale thuajse në këto
përmasa, në këto vlera, në të tërë në kulturën bizantine.
Pra
gjatë kësaj kohe manastiri ishte dhe i ortodoks dhe katolik. Pra ky ndërtim i
ri që u bë brenda manastirit, ishte më i vjetër. Aty ka dy altarë. Ka dy variante
për to: një objekt kulti ka dy altarë, ose kur ato janë për dy shenjtorë, ose në
rastin që një altar përdorej për ortodoksët e një për katolikët, të cilët
bashkëjetonin në të njëjtën kupolë.
Kjo do të thotë
që katolikët rreth viteve 1200 kanë qenë dhe në jug të Shqipërisë?
Çerekun
e fundit të shekullit të 13-të, janë këta kufijtë kohorë që e përcaktojnë, kanë
hyrë në Butrint dhe janë vendosur njëfarë kohe atje. Kanë qenë në Vlorë kur vendi
ka qenë nën ndikimin e mbretërisë së anzhuinëve, deri në 1307 kur vërtetohet se
janë rikthyer ortodoksët. Ka ndërtime në një sërë vendesh, themi edhe Portiku i
Jashtëm që është në Kishën e Manastirit të Apolonisë, ka skulptura që janë
qartë ndikime të shkollës romanike-gotike. Me shumë gjasa në rastin e Apolonisë,
ky ndikim nuk ka ardhur direkt nga jugu, por nëpërmjet Dubrovnikut, Tivarit,
Kotorrit, ku ishin Balshajt, të cilët në të njëjtën kohë i kishin të shtrira
zotërimet e tyre deri në Vlorë. Po kështu është kisha e Zvërnecit që ka
elemente të periudhës romanike-gotike. Kemi ndikime në Kurjan, ku ndikimi këtë
herë ka hyrë nëpërmjet Vlorës.
Një pyetje të
fundit. Monumentet e kulturës kanë nevoja të vazhdueshme për restauratorë. Në
dijeninë tuaj, a prodhojmë dot ne më restauratorë të cilët do të vazhdojnë
punën e mëtejshme?
Sot
ka nevojë për restauratorë. Por duhet rikthyer në kushtet e reja, me format të
reja organizative nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Është bërë një kurs
për Master Restaurimi, por në formën më absurde për mendimin tim. Duhet
riforcuar Instituti, duhen kualifikuar njerëzit, sepse aktualisht është në
nivel më të ulët shkencor se sa 30 vjet më parë. Shkencëtarët nuk dalin në
pension. Them që nuk është në rrugë të drejtë, por kanë nevojë për ndryshim
rrënjësor përpara se të mbetemi pa monumente kulture dhe në fond të mbeten
vetëm fotografitë dhe librat tanë.
No comments:
Post a Comment