Migjeni ishte një uragan. Ai ishte po aq revolucionar
në konceptin e tij fillestar, por dhe në atë të mbramin gjithashtu
O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Askush më parë si ai nuk kishte mundur që nëpërmjet një vargu të vetëm të
trasmetonte fuqinë e një poeme të tërë.
Ta shof si dridhet nga grusht' i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem tu' u qesh.”
Askush
më parë si ai nuk kishte mundur që përmes një strofe të përmbyste shumëçka që qëndronte
padrejtësisht në këmbë.
Sa
më shumë kalojnë vitet, aq më të kuptueshme bëhen “Vargjet e lira” apo “Novelat
e Qytetit të Veriut”. Dhe vijnë në realietin e ri të 85 viteve më pas, po aq
orgjinale e me një realizëm të mprehtë e shkërmoqës...
...Migjeni
ishte një uragan. Kjo nuk është vetëm një frazë e huazuar nga një film i 40
viteve më parë. Ai ishte po aq revolucionar në konceptin e tij fillestar, por
dhe në atë të mbramin gjithashtu. Dhe me këtë fjalë nuk nënkuptohen
revolucionet proletare dhe as ato që sjellin në pushtet diktaturën. Por
revolucionin si koncept. Sepse në shpirtin e tij gjithçka rebelohej ndaj së
vjetrës obskurantiste për të kërkuar pak dritën në fund të tunelit.
Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen..,
Nuk
vihet në dyshim që ai kërkonte pak dritë për të gjetur te jeta të re më shumë
dritë. Për të nuk kishte rëndësi barazia si sintezë e revolucionit bolshevik,
por drejtësia. Dhe kjo është diçka krejt e ndryshme nga ajo që janë munduar të
fabrikojnë rreth emrit dhe veprës së tij, për t’i dhënë një vlerë të shtuar të
cilën ai nuk e kishte.
Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bije bastardhe e etenve dinake,...
Migjeni
ishte një gjeni. Thonë se gjenitë e kanë jetën e shkurtër. Por përjashtimisht
ka raste kur ata jetojnë gjatë. Migjeni ishte po aq gjeni sa dhe të tjerë që
jemi mësuar t’i vlerësojmë si të tillë. Me siguri duhet të kishte një kombinim
gjenesh të pagabueshëm, trasmetim ADN-je të fjetur që ai e zgjoi, apo frymëzim
hyjnor në lidhje të drejtpërdrejtë me diçka të panjohur për tokësorët e thjeshtë,
përndryshe ai nuk do të mund t’i sillte gjuhës shqipe vargje të përsosmërisë.
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë ne "shejtnin" e tij...
Millosh
Gjergj Nikolla i mbiquajtur Migjeni, u lind më 13 tetor të vitit 1911 në
qytetin e Shkodrës. Vdiq larg vendlindjes, në Tore Pelice, afër Torinos në
Itali, më 26 gusht të vitit 1938. Ishte në të 27-at e tij, por sëmundja e
turbekulozit që e mundonte prej kohësh arriti ta mposhtë gjeniun shqiptar. Nuk
ishte vetëm poet, dhe pse më së shumti njihet për vargjet e tij. Por po aq
brilante ishte dhe proza e tij e shkurtër.
“Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën
si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me
e hangër mësuesin”.
Migjeni
është një nga poetët më të shquar të letërsisë shqiptare. Ai konsiderohet sot e
gjithë ditën si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të
letërsisë shqipe. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri asokohe në
letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare të viteve
’30 të shekullit të kaluar. Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron tema
sociale e varfërisë, aspirata për një botë të re, ndryshe nga ajo çfarë përjetonte
ai në ato vite.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa...
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
Vitet
‘30 të shekullit XX sollën në letërsinë shqiptare një grup krijuesish e
publicistësh,
kontributi
i të cilëve do të linte gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Përfaqësuesi
më i shquar i realizmit kritik, Millosh Gjergj Nikolla, futi në letërsinë shqiptare
me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndrrën për një
botë ndryshe dhe optimizmin e thellë. Në poezi ai trajtoi vjershën dhe poemën
pa subjekt me varg të lirë, që shquhet për mendimin sintezë dhe sistemin
figurativ, ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria.
Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
…dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Në
prozë Migjeni u shfaq si mjeshtër i portretizmit dhe i dhënies së psikologjisë
së tipave të ndryshëm, që përfaqësojnë shtresa e klasa të ndryshme. Ai lëvroi
tregimin psikologjik, skicën, prozën satirike, që shquhet për tipat, portretet,
dialogun, monologun, ritmin e veprimit, mendimin energjik dhe gjuhën e gjallë.
“Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në
nji shesh! dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka ma shumë
merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputeti, o ndokuj tjetër… E në rasë
se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme ,atëherë kushtonja atij që
ka merita ma pak: perëndis klasike”.
Pas vdekjes së tij, ai do të varrosej në
Tore Pelice të Torinos, trupi i të cilit, do të qëndronte për 28 vite me radhë
në dhe të huaj. 26 vite pas vdekjes, në vitin 1954, Migjenit do t’i botohej
vepra e plotë. Ndërsa dy vite më vonë, eshtrat e tij do të ktheheshin nga
Italia në Shqipëri për t’u varrosur me nderime të mëdha në Shkodër, më 5 shkurt
të vitit 1956.
No comments:
Post a Comment