Nga Leonard Veizi
“E para ishte fjala…”, thuhet në Dhiatën e Vjetër. Për më tutje nuk rrekem
të perifrazoj asgjë më shumë se kaq. Sepse në të kundërt, do të më duhet të drejtohem
për regjistrim e marrje leksionesh në institutin jezuit të fretërve, ose atë françeskan,
nëse më pranon kush.
E shkëputa këtë fjali nga Bibla e Shenjtë, pasi dua të shtroj një argument
të stërnjohur, por këtë herë sipas meje natyrisht, gjë që më del herë ballazi e
herë tërthorazi, sa herë ulem të shkruaj. E gjitha kjo mund të marrë ndopak vlerë,
por dhe mund të shumëzohet me zero në infinit, pasi me shkrime të tilla janë
mbushur tej e mbanë librat e analistëve “gjitharmësh” dhe muret e gjirizeve
publike, ku mendimet origjinale e të paturpshme shkruhen pa drojë.
“E para ishte fjala…”, thuhet në hyrje të dëshmisë së Gjon Pagëzorit.
Mund të ketë edhe 99 kuptime të tjera ky fragment frazeologjik, por ajo që
më vjen më përshtat, është se në kapitullin “Mishërimi i Fjalës” shprehja merr
kuptim universal, domethënë hyjnor, dhe më pak tokësor, që do të thotë se po të
kapet, jep masë elektrike e me pasoja. Kjo ka të bëjë me thënien e fjalës, pra
të një mendimi të lirë dhe fare të pa censuruar, që vjen nga kohët për të sjell
diçka të paperceptueshme, ose udhëton për në një destinacion transparent.
Përndryshe ç’kuptim kishte që “Fjala” të ishte e para.
Çuditërish Bibla nuk parashtron, fjala vjen se: “E para ishte buka…”, që me
siguri do të nënkuptonte mbushjen e barkut deri në grykë, me mish, raki e…
fruta deti. Për më keq se kaq, Bibla nuk i mëshon as idesë se “E para ishte
paraja…”. Sepse me siguri kjo do të na tundonte aq shumë të gjithëve, sa do ta sfidonim
njëri-tjetrin për t’u bërë, në mos bankierë e anëtarë bordi, të paktën nëpunës
banke ose punonjës security-je, në hollin e saj.
Po përse “Fjala”?
Sërish mund të dalin 99 pikëpyetje të tjera. Por në argumentimin tim më
vjen më për shtat të them: Sepse robi kërkon ta thotë një fjalë djalli e mori, një
mendim të lirë pa censurë dhe pa auto ç’është më e rëndësishmja, edhe pse kjo
mund t’i kushtojë ca si shumë shtrenjtë, kur rasti nuk është oportun.
Ndaj dhe Bibla, sipas meje, ka dashur t’i japi ligjshmëri fjalës, ndoshta
duke e marrë thellësisht në konsideratë atë aq Aristoteli kishte thënë ca
shekuj më parë se “njeriu është një kafshë politike”. Pra “kafsha politike” në
këtë rast është njeriu që komunikon, apo thënë ndryshe: që i jep gojës edhe atëherë
kur nuk duhet. Mirëpo ja që në Bibël, fjala na qenka e para, ndërsa në vitet moderne
të “Hi Tech”-ut, fjala e lirë mbrohet
me ligj.
Ndaj është e rëndësishme ta përsërisim sot e gjithë ditën: “Fjala është e
para”. Për më tepër sot, kur liria e fjalës i ka fituar betejat e mëdha ndaj censurës,
apo asaj që në zhargonin e përditshëm e quajmë: mbyllja e gojës.
E që të mos ngatërrohemi, fjala e lirë nuk ka të bëjë shumë me propagandën,
edhe pse aty llomotitet pa fund për bëma dhe idera strategjike. Por kjo nuk është
se ka ndonjë rëndësi të veçantë në këtë mes. Ajo që dua të them për së fundi është
se tanimë, zërin në gazetë, radio, a portal televizion nuk e ndalon dot kush.
Ai është i destinuar të mbetet në eter.
Dhe kaq na duhet për të shkuar më tej. Sepse kushdo ka të drejtë ta thotë mendimin
e tij, edhe kur çirret me portavoce
para një turme njerëzish që e dëgjojnë plot adhurim, por dhe kur është i vetëm
në shkretëtirën përvëluese a në stepën siberike dhe mendimet e tij ia thotë me
zë të lartë vetëm vetvetes.
Tek e fundit, “Fjala” ishte e para dhe është e para, sigurisht.
No comments:
Post a Comment