Duhet
dikush të të çojë në mendje se jo vetëm nga bregdeti bëhet weekend, madje jo
vetëm në male e rrëpira, por edhe andej nga barku i Shqipërisë. Dhe kur flitet
për barkun a për kërthizën, nuk flitet vetëm për liqenet e Belshit. Një
atraksion tjetër i fuqishëm turistik është dhe liqeni i Banjës. Dhe liqenet jo
domosdoshmërish duhet të jenë prej natyre nga ato të tipit, karstik apo
akullnajor. Shpesh janë të krijuara prej njeriut. Dhe ne jemi mësuar me liqenet
artificiale, si me atë të Tiranës, atë të Farkës, e ca të tjerë që nuk po i
numëroj tani. Në antipod me to, liqeni i Banjës është gjysmë natyral e gjysmë
artificial. E që ta bëj më të qartë, është fiks si liqeni i Fjerzës. Vetëm se
ai ka si bazë lumin Drin e ky i mesit të Shqipërisë ka Devollin për kumbarë.
Fundjava
kalon shpejt dhe nuk është se ke mundësi të bësh plane afatgjata e as të
mendohesh shumë, ndaj vendos me të shpejtë të bëj një vizitë në Hidrocentralin
e Banjës, i bindur se do të dëgjoja zhurmën shurdhuese të ujit që del me furi
nga gryka ku ka vënë në punë turbinën.
Retrospektivë industriale
Si
fund nëntori, e ku kemi hyrë në vjeshtën e tretë, jashtë ishte ca ftohtë dhe në
mes të ditëve plot me diell qëlloi që e shtuna të ishte gri dhe me erë. Por
brenda në makinë jemi ngrohtë. Dalim menjëherë nga Tirana dhe futemi në autostradën
e Elbasanit. Të keqen o vëlla! Një javë më parë weekend-in e kaluam nga bregdeti.
Vetëm për të dalë nga Tirana përmes rrugës së Kasharit na u deshën nja dy orë.
E meqenëse donim të tregoheshim të zgjuar, në kthim morëm rrugën e Ndroqit.
Bereqaversën. Por aty nga fundi i udhëtimit buzëqeshja na ngriu në fytyrë. Prej
hyrjes së Kombinatit deri tek Teknologjikja, një segment prej 3-4 kilometrash,
e bëmë fiks për një orë e gjysmë. Duke ditur këto masa shtrënguese, u furnizova
“full” me naftë, aq sa në çastin e parë, (meqenëse nuk para na rastis që ta
furnizojmë makinën kaq shumë me karburant), m’u duk sikur do shkoja në luftë.
Dhe nuk isha gabuar. Sepse nëse do ishe futur në Kombinat me dritën e kuqe,
sigurisht tek Teknologjikja do vinte të të tërhiqte ndonjë karoatrec.
Këtej
për nga Elbasani meseleja ishte ndryshe. Të paktën ecën vëlla, nuk rri duke
mbajtur marrshin me dorë e këmbët në gaz-freksion.
Pas
një ore udhëtimi mes fushave të mbjella e zonave urbane, google map-si më tregoi rrugën për tek kaskada e hidrocentralit,
por nga pjesa e poshtme e saj. Epo edhe google ka tekat e saj. Gjithsesi u
njohëm me digën, dhe “përroin” ku duhet të zbriste uji me tërbim. Por në fakt
asnjë curril uji nuk rridhte prej andej e jo më sasia gjigante që të vinte në
lëvizje turbinat.
Tek
e fundit shpejtova të merrja masa, sepse e kisha të vështirë t’i përgjigjesha
bashkëshortes nëse do të më bënte një pyetje të thelluar për mungesën e
realizimit të planit me energji elektrike. Sepse ne jemi mësuar tashmë me sloganin
që “energjia është çështje e të gjithëve”. Por meqë liqeni përdoret për
bujqësinë, edhe “bujqësia është çështje e të gjithëve”. Në këtë mënyrë e gjithë
kaskada përdoret o për një qëllim o për tjetrin. Se për të dyja bashkë bëhet ca
si shumë. Shkurt, çdo çështje e rëndësishme “çështje e të gjithëve”.
Informacioni elektronik
“Hidrocentrali
i Banjës, mbi lumin Devoll, pak më shumë se 60 kilometra në juglindje të
Tiranës ka një kapacitet të instaluar prej 73 Megawat, dhe parashikohet të
prodhojë në vit 174 GWT energji, e barabartë me 5 për qind të prodhimit aktual
vendas. Hidrocentrali ka një digë të lartë 80 metra ndërsa rezervuari i tij me
një sipërfaqe 14 kilometra katrorë mund të mbledhë deri në 391 miliard litra
ujë. Hidrocentrali i Banjës u studiua dhe u projektua nga inxhinierët e
Institutit të Studimeve e Projektimeve Nr. 3 të Tiranës. Ai nuk u quajt thjesht
hidrocentral i Banjës, mbasi vepra nuk ishte vetëm për të prodhuar energji
elektrike, pa e ndotur mjedisin, por rëndësi vepra do të kishte edhe për
zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Dhe prandaj u quajt kompleksi hidroenergjetik
i Banjës, vepër e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986. Kompleksi
hidroenergjetik i Banjës, që do ndërtohej mbi lumin Devoll rreth 25 km larg
qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km larg qytetit të Gramshit, përveç
përfitimeve ekonomike ka avantazhet e tij në ekologji. Ky hidrocentral i
përbërë nga dy grupe veprash, i parë me syrin e ekologut cilësohet si një vepër
e mirëfilltë ekologjike për dy arsye kryesore: Së pari, përfundimi i tij do të
prodhonte 250 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit pa e ndotur
mjedisin. Së dyti, përveç prodhimit të energjisë elektrike ky hidrocentral me
basenin e tij do të shfrytëzohej dhe për të ujitur tokat e zhuritura nga
nxehtësia e verës, duke hapur rrugën e krijimit të fermave ekologjike me
perspektivë në zhvillimin e agroturizmit. Në vitin 1990 punimet në
hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja demokratike
bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Në vitet e tranzicionit
hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët
natyralë. Shumë vite më vonë, Ministria e Ekonomisë, me datën 21 nëntor 2007
është zhvilluar tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të
lumit Devoll”.
Peizazhe të fotografuara
Ngjitemi
sërish e marrim rrugën kryesore. Vetëm për pak minuta përballemi me një bukuri
magjepsëse. Një liqen i madh, i qetë dhe një urë që kalon mbi të. Pak si kalon
dhe urën mahnitëse, qeveria ka menduar dhe për turistët. Ka ndërtuar një pistë
ku mund të parkohen makinat, e ku prej asaj pike dominuese mund të shijosh peizazhin
përreth. Megjithëse era të pret, zbresim nga makina. Ca të tjerë preferonin që
peizazhin ta shijonin nga brenda makinës. Nuk ishin nga ata që rrezikonin vetëm
për të bërë një foto mbi liqen. Ndërsa ne po, familjarisht. Epo... qejfi ha kumbulla
të tharta.
Secili
ka zgjedhjet e tij. Por dhe unë do të isha dakord të mos kisha zbritur nga
makina, nëse do ta dija me çfarë do të përballesha. Në lëndinën përtej pistës,
në një mënyrë bastarde e tepër të shëmtuar u ndeshëm me qese të hedhura, kanoçe
bosh e letra mbështjellëse. Paraardhësit tanë, që kishin pasur fatin të
zbaviteshin në ditët me diell, kishin lënë pas vetes gjithfarë mbeturinash,
edhe pse një kosh ku mund t’i hidhje pa u lodhur shumë, ishte aty pranë.
Gjithçka
ishte disgustuese, përveç pamjes relaksuese të liqenit dhe të vetë digës. Nuk
qëndruam dot më shumë se pesë minuta për të marrë rrugën e kthimit, madje me
njëfarë urgjence, ca nga pisllëku e ca nga të ftohtët.
Në
kthim e sipër bëjmë një vizitë të shkurtër në qytetin e Cërrikut, meqenëse në
“panik” e sipër harruam të vizitonim Gramshin. Nga ç’e mbaja mend shumë vite më
parë, Cërriku kishte pësuar vërtet transformim. Të paktën kishte një pedonale
dhe disa objekte artistike në qendër të saj. “E ta lumsha moj Parti”, mendova.
Tek e fundit, gjithçka bëhet me vendim partie.
Pimë
një kafe qetësisht dhe ia futëm vrapit për në Tiranë, ku diku andej nga
Bërzhita, një restorant na priste për të ngrënë drekën e munguar të weekendit
mbi hidrocentral.
No comments:
Post a Comment