Thursday, November 26, 2020

Të “lypësh” me nder


Nga Leonard Veizi

Tirana është një amalgamë urbane. Një qytet ku shtresat janë ndarë prej vitesh e nuk bëhet më fjalë që të ketë barazi në ndarjen e të ardhurave. Dhe natyrisht, as që mund të mendohet që njerëzit mund të jënë njëlloj e as të jetojnë po njëlloj. Pra, të kenë dhe të njëjtën menu të ngrëni, si te kampi i punëtorëve fjala vjen.
Në fakt njerëzit janë të ndryshëm, dhe në mënyra të ndryshme do të jetojnë. Thonë se ky është diversitet... domethënë larmishmëri. Me pak fjalë se ka lezet, kur secili është për qejf të vet. Kush e di sa e mërzitshme do të ishte bota nëse për miliardat e njerëzve mbi tokë do të kreditohej në bankë e njëjta shifër si e ardhur mujore. Ja, u mundua ta bënte këtë rendi socialist, u mundua shumë madje, me pleniume e kongrese dhe modifikoi njeriun e ri me kostum doku. Dhe po e lëmë me kaq se nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi.
Por përse e bëre këtë hyrje të gjatë e pa dalë askund, - do thoni ju? Sepse të shkruarin e kam zanat dhe tollovitjen e fjalëve gjithashtu. Pra më duhet të shkruaj çdo ditë që të nxjerr bukën e gojës. Ca njerëzve kjo u duket zbavitëse dhe ose blejnë një gazetë ku kam shkruar unë, ose një libër të cilin e kam shkruar gjithashtu unë. Në njëfarë mënyre, ky lloj zanati më garanton jetesën. Të tjerët kanë të tjera zanate.
Po ka dhe plot njerëz që nuk kanë as shkollë e as zanat. Dhe ata janë tek pjesa tjetër e shoqërisë, por me të cilët jetojmë në të njëjtin qark urban.
Sa herë marr rrugën për të shkuar në redaksinë e gazetës ku punoj, meqenëse dal herët e kam ca kohë të lirë në dispozicion, më duhet të pi dy kafe. Të parën me bashkëshorten dhe të dytën i vetëm, qoftë dhe për të medituar me veten, meqenëse kjo gjë nuk para gjen akses tanimë aq sa ka filluar të duket si “krim për pasion”.
Itinerari është i njohur tashmë. Mund ta bësh dhe me sy mbyllur. Por gazetarët, si praktikë, janë në shërbim të pandërrueshëm 24-orësh, ndaj sytë duhet t’i mbajnë hapur dhe të vrojtojnë gjithçka që i duket si negativitet shoqëror.
Që të kuptohet nga të gjithë, ne jemi si ushtarakët, në gadishmëri. Dhe kjo është lehtësisht e kuptueshme se shumica dërrmuese prej nesh kanë bërë o ushtrinë ose zborin.
Kafeja e parë konsumohet në afërsi të lagjes. Sepse nuk mjafton uji i ftohtë që laj fytyrën e qafën, për të më nxjerrë gjumin, por duhet dhe një dozë kafeine për të vënë në gjendje pune motorrin.
Dhe meqenëse kafeja pihet në ambientet e jashtme të barit, për të respektuar rregullat anti-covid, sa ulem dhe mendoj se të erdhi kamerieri për të më marrë porosinë, ndeshem me fytyrën qaravitëse të një lypsi që të kërkon ca të holla. Kësaj i thonë ta fillosh ditën ters.
-Ora 07.00 mor vëlla, sikur t’ia kishe marrë dhe një sy gjumë. Apo edhe ti turni i tretë...?!

Kur jam me nge i jap ndonjë qindarkë. Kur jam pa humor nuk e ngrej kokën fare por hap celularin te facebooku të njihem me thashethemet e mëngjesit edhe pas këmbënguljes së tij për të marrë qoftë dhe një pjesëz të racionit. Por kur jam me nerva nuk përtoj t’i jap përgjigjen e bërë zhele tashmë: Ik ore mbushu, unë jam bërë vetë për të lypur...!” .
Mirëpo kjo punë është e përditshme. Pa ndalesë, pa u mërzitur. Mbaron lypsi i parë, vjen e dyta, kjo është femër, me fëmijë në krah. Ta bën shpirtin copë. Mirëpo po të vazhdosh t’u japësh të gjithëve nga pak, në fund të muajit i bie të jesh vetë trokë. Dhe me gjasa shprehja zhele kthehet në proverbiale. Sepse ndonjë ditë do ta shoh veten duke lypur vetë aty nëpër lokalet e lagjes.
Sepse për shansin tonë të keq, si shqiptarë që jemi, pjesën më të madhe të kohës e kalojmë në kafe. Dhe aty do nuk do, s’ka lypës që nuk parakalon e të kërkon ndonjë “qindëshe”.
-Sa shumë lypsa ka mor jahu, - shfryj ndonjëherë me ndonjë të njohur me të cilin jam përplasur në rrugë e për ta sajdisur e kam ftuar për kafe. Dhe kjo është kafeja e tretë.
Lypsi i rradhës ka ikur pa futur gjë në torbë këtë herë. Thonë se lypësit ia japin paratë e mbledhura dikujt që pi raki. Dhe pastaj plas ahengu. Epo domosdo, po pive raki do ia marrësh dhe këngës. Po ky është tjetër hesap. Me këtë temë merren emisionet invetigative.
-Papunësi e madhe, - ma kthen tjetri me dhimbje.
Dhe kjo është një shprehje standard që futet si pykë kur nuk di çfarë të thuash tjetër.
-Papunësi...?
Ndërkohë përgjatë rrugës për të shkuar te kafeja e dytë, ku me thënë të drejtën më duhet të bëj nja 5-6 kilometra në këmbë, se Tirana është zgjeruar ca dhe s'të mjafton as biçikleta më për të kryer punë, jam mësuar të shoh disa fytyra, për të cilët kam krijuar një simpati të veçantë.
Pasi kam lënë kazanët e mbeturinave, ku kam hedhur qesen e 24 orëve të fundit, kam lënë pas në punë nja dy djem të rinj të cilët që herët në mëngjes ia kanë filluar zanatit për të seleksionuar gjithfarë mbetjesh, nga të cilat një pjesë duke qenë dhe të riciklueshme, mund të themi se marrin vlerë. Dhe padyshim, kjo punë vlen sa për të nxjerrë shpenzimet e ditës.
Nis rrugën time kilometrike.
Fillimisht ndeshem me gazetashitësin, me një tezgë të sajuar me kartona ambalazhi, në trotuar. Me siguri i paliçensuar. Por nuk e kam pyetur ndonjëherë nëse i paguan taksat në shtet. Ç’taksa zeza... E kam zakon që blej një gazetë të ditës aty. Gazetashitësi më përshëndet me respekt.
Po aq mund të blesh ndonjë gjë të vogël tek një mesogrua e cila gjithashtu shet me tezgë, pak gjëra, cigare, kartëpeceta e çamçakëza, por gjithmonë me një ndjenjë frike mos i vjen policia bashkiake. Kjo po të paguajë taksat i bie të shesë dhe ndonjë orendi të shtëpisë që të plotësojë shumën. Edhe aty ndalem që një ditë të blej diçka e ditën tjetër diçka tjetër.
Një bukinist me disa çanta të rënda mbi supe e shoh çdo mëngjes të rreshtojë librat mbi një bordurë. Për librat qeveria e ka lëshuar dorën, mjafton që populli të lexojë ndonjë faqe se u bëmë gazi i botës. Edhe unë kur kam kohë i shoh gjithmonë kopertinat e librave, sepse qëllon të gjej ndonjë titull të mirë me çmim të lirë.
Pas tij një grua plakë, që ka punuar e nxjerrë sytë me shtiza gjithë natën, del në mëngjes te cepi i pallatit, në të ftohtin acar, por dhe kur temperaturat shkojnë 40 gradë dhe shet çorape leshi.
Asnjëri prej tyre nuk lyp. Edhe pse me një ide të gabuar mund të përcaktosh se janë në ditë të hallit. Dhe normalisht që janë. Se po t’i kishin punët në terezi, të kishin pensione të mira apo shtëpi të lëshuara me qira, nuk do të robëtoheshin për të nxjerrë ca para më shumë.
Këto janë paratë e bukës së gojës. Sepse ata ose janë pa punë, ose pa pension e s’kanë asnjë mundësi tjetër. Por nuk ia përtojnë punës, madje që sa zbardh dita e të tjerët ende nuk janë ndarë me krevatin e ngrohtë.
Por nuk lypin.
Thjesht bëjnë biznes, nese mund të quhet i tillë. Madje ata nuk thërrasin blerësit, as nuk reklamojnë asortimentet, as nuk u vardisen kalimtarëve me qëllim për t’u shitur diçka. Thjesht presin me dinjitet që dikush të vijë e të marrë nga malli i tyre i tezgës. 

No comments:

Post a Comment