Tuesday, November 24, 2020

Ikja e Muharrem Fejzos, regjisorit të madh të “Mësonjëtores”

 

Nga Leonard Veizi
 
Muharrem Fejzo është nga ikonat e kinemasë shqiptare. Jo pse ai ishte bashkëregjisor në filmin emblemë “Kapedani”, por sepse ai i dhuroi teleshikuesit shqiptar një prej filmave më të mirë të prodhuara nga Kinostudio “Shqipëria e re”: Mësonjëtorja.
Elegant, i veshur me sqimë, me kapelë në kokë e flokë të thinjur që i mbulonin qafën, Muharrem Fejzo do të ishte i pranishëm në vazhdimësi gjatë aktiviteteve kulturore që organizoheshin në Tiranë, herë në prezantime filmash e herë në promovime librash. Sepse ai i njihte mirë të dy gjinitë, si kinemanë po aq edhe letërsinë.
Por tanimë ai nuk është mes të gjallëve. Virusi Covid e mundi dhe regjisorin e njohur të kinemasë, në moshën 87-vjeçare. Por mosha për njerëzit vitalë, ata që punojnë çdo ditë dhe kanë nëpër duar punët e së ardhmes nuk ka kurrfarë rëndësie. Muharrem Fejzo ishte pikërisht nga ky lloj artistësh. Vazhdimisht pikturonte e shkruante. Në moshë të shtyrë, por nuk mund të thuash se kishte aq kohë sa mund të qëndronte në kolltukun e tij për të ndjekur programin e preferuar në televizor. Në punën e tij të parealizuar si kineast mund të numërosh shumë tituj. Dhe shumë projekte të tij tanimë nuk do të marrin jetë: të paktën jo nga dora e tij.
Lajmin për ikjen e regjisorit të njohur e ka bërë djali i tij, kantautori Joe Ardit Fejzo i cili në rrjetin social Facebook ka shkruar: “Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”.
Dhe sot, për shansin e keq, qoftë dhe të një artisti me emër, gjithçka grupohet në ngushëllime virtuale. Sepse në varrim nuk mund të marrin pjesë veç të afërmit. Madje dhe ata nuk duhet ta kalojnë shifrën e 10 personave. Dhe kjo është shumë më pak se një shtrëngim duarsh, rrahje shpatullash dhe kthimi i kujtimeve për një të vdekur nëpërmjet një fryme të gjallë.
Kohë e tmerrshme. Kohë lufte. Madje më e keqe edhe se Lufta e Dytë Botërore, ku fishkëllenin plumbat e shpërthenin bombat. Sepse një njeri që ka punuar e jetuar me dinjitet, i duhet dhe një pasvdekje me dinjitet. 
Në jetëshkrimin zyrtar thuhet se Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Dhe ashtu si kushdo tjetër, e nisi rrugën e artit nga asgjëja. Por jeta e tij profesionale ishte me një aktivitet të dendur, ku ai ka shkruar drama e skenarë filmash, ka pikturuar dhe krijuar vepra në skulpturë, ka aktruar dhe ka qenë mbreti i sheshit të xhirimit.
Në vitin 1954, përfundon Liceun Artistik ku diplomohet si skulptor. Po atë vit punon për skenografitë e operave “Rusallka”, “Ivan Suzanin”, “Nusja e shitur”. Merr pjesë në ekspozitën kombëtare të arteve figurative. Një vit më pas realizon bustin e heroinës “Zonja Çure”, Vlorë.
Në vitin 1958 punon si piktor-grimior në Kinostudio. Hap për herë të parë repartin e grimit 1959. Specializohet në plastikë grimi në MOSFILM.
Ndërsa në vitin 1966, diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve në degën e aktrimit. Në vitin 1970 titullohet regjisor.
Muharrem Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, "Prita" të Mithat Fagut, një prodhim i vitit 1968 dhe "Njësiti Guerril" i Hysen Hakanit që u prodhua në vitin 1969. Ndërsa në vitin 1970 do të realizonte si regjisor filmin "Montatorja". Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi realizoi filmin "Kapedani", komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.
-“Beqo..., që sot e tutje ke të bësh me familje kryetarësh”.
-“Të lumtë o Sulo!”
Batutat e filmit të prodhuar gati 50 vjet më parë, vazhdojnë të lakohen edhe sot e gjithë ditën, jo vetëm nga brezat më të vjetër, por dhe nga të rinjtë që gjithsesi e kanë ndjekur filmin e jashtëzakonshëm ku interpreton dyshja e aktorëve të mëdhenj, Albert Vëria e Nikolin Xhoja.
Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni "Zjarri" më 1973 dhe "Mësonjëtorja" më 1979.
Filmi “Mësonjëtorja mbetet nga më të vlerësuarit nga shtypi dhe media shqiptare, fitues i 9 çmimeve, e propozuar për Çmimin e Republikës dhe regjisori për “Artist i Merituar”. Pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Valencias. Vlerësuar si “monument i historisë shqiptare”.
Por krijimtaria e Muharrem Fejzos do të vazhdonte edhe me filmat “Guna përmbi tela”, “Fije që priten”, “Pranverë në Gjirokastër”, “Pranverë e Hidhur”, “Binarët”, “Një emër midis njerëzve”.
Filmin e tij të fundit "Muri i gjallë", Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.
Duke parë krijimtarinë e Muharrem Fejzos mund të thuash se pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij ka të bëjë me filma që kanë tematikë historike, dhe shumë më pak ato që kishin të bënin me propagandën. Në këtë mënyrë ato janë filma që mbeten jo vetëm në celuloid, por mund të shfaqen pa frikë në ekranin e televizorit, sepse prej tyre ke çfarë mëson.
Gjithashtu ai ka punuar edhe me filmin dokumentar. Ndërkohë Muharrem Fejzo nuk arriti të vinte në jetë edhe disa filma artistikë dhe dokumentarë, të cilat mbetën të skicuara në dosjet e tij.
Ai mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i madh”.


No comments:

Post a Comment