Nga Leonard Veizi
Facebook-u u nxi
sërish nga një tjetër njoftim vdekjeje. Po nga virusi Corona, siç po ndodh
gjatë gjithë këtyre kohëve. Dhe këtë herë personazh që mori aq shumë vëmendje
nuk ishte as njeri i politikës, as i artit dhe as i sportit. Ai ishte Enver
Veseli. E meqenëse për shumëkënd ky emër nuk thotë asgjë, duhet të përmendim
pseudonimin e tij: Ver Llapa.
Kështu e kemi
njohur të gjithë. Me këtë emër, me këtë zhargon. Sepse emri origjinal për të
ekzistonte vetëm në gjendje civile. I butë e paqësor Enver Veseli ishte nga
personazhet më të njohura të kryeqytetit. Dy metra i gjatë, më shumë se 100
kilogram në peshë, dukej sikur do të fuste frikën kur e shihje të afrohej. Por
nuk ishte aspak ajo çfarë dukej në pamje të parë. Ai ndalte pranë teje vetëm
për të të kërkuar ndonjë lëmoshë, qoftë dhe nëse ti në këmbim i kërkoje që ai
të bënte ndonjë gjest qesharak, si fjala vjen: të nxirrte gjuhën sa më shumë
jashtë zgavrës së gojës. Dhe ai këtë e bënte me kënaqësi. Ndërsa ti qeshje duke
“paguar” 200 lekë të vjetra.
Për Verin nuk u
dha ndonjë njoftim se ishte sëmurë, as se kishte vështirësi në frymëmarrje dhe
temperaturë. Nuk u tha se ishte kuruar me antiviral, antibiotik apo remdesivir
dhe as se i kishin dhënë oksigjenin e munguar. Madje nuk u tha se: mjekët u
kujdesën për të. Por nuk u tha as se nuk e qasën te dera e spitalit. U tha
thjesht që: vdiq. Dhe kaq.
Facebook-u u mbush
plot me njoftime e ngushëllime. Kishte nga ata që e cilësuar si “legjenda e
Tironës” ca të tjerë si “gjiganti i 21 Dhjetorit”. Por, pavarësisht keqardhjes
dhe ngushëllimeve të panumërta, të gjithë ishin në një mendje, që Veri do na
mungojë këtej e tutje. Do na mungojë me praninë e tij aty te “21”-shi kur
zgjaste dorën për të kapur lekët e ditës. Do na mungojë ta shohim me një panine
në dorë apo me ndonjë gotë birre ku më shumë kishte shkumë. Sepse Veri nuk
ishte mësuar të trajtohej në restorante të klasit të parë, ku gatuhen aragosta,
pihet verë “chardonnay” e ku të japin aperitiv me qëllim që të të stimulohet
oreksi e të mbash nga fundi edhe një krem karamele që nuk ta vret stomakun.
Veri kishte oreks sa për katër veta, por bukën ishte i detyruar ta hante thatë.
Për Verin nuk u
tha se autoambulanca e urgjencës shkoi ta merrte me shpejtësi vetëtime e
sinjale akustike ndezur aq sa të shurdhojnë veshët. Dhe nuk do të kishte fare
kuptim të thuhej se Ver Llapën e transportuan me një çarter për në një nga
spitalet më të mira të Turqisë. Sepse Veri i shkretë mezi fitonte lekët për
bukën e përditshme dhe jo të kursente 30 mijë dollarë, aq sa shkon paketa turke
e “Covid-19”-tës.
Ndërkohë, përditë
dëgjojmë për fluturimet të posaçme që prenotohen nga njerëz publikë të pasur
por dhe anonimë të pasur gjithashtu, të cilët në alarm për spitalet vendase u
paguajnë faturën e kripur “vëllezërve” tanë përtej Bosforit. Dhe nuk kthehen me
barelë siç dhe shkuan, por në këmbë me faqet që u pëlcasin nga shëndeti. Se
thonë që turqit të mbajnë mirë po ua pagove paratë në dorë.
Ndërsa Veri vdiq,
ashtu si dhe shumë të tjerë.
Por me sa duket
kjo ka vlerë vetëm për librat e shenjtë, atje ku njeriu trajtohet si një qenie
e barabartë. Sepse në realitetin e hidhur, dikush shkon në një spital ku ta
shtrojnë me petale lulesh si ditën e martesës, dikush përballet te pavijoni i
zymtë i Infektivit, e një tjetër ca më tutje jep shpirt në krevatin e prishur
të banesës plot lagështirë, se nuk e ka as kaq mundësi.
Për Verin u thanë
fjalë të mira në ditën e tij të vdekjes, ashtu si për çdo njeri që e lë këtë
jetë. Megjithatë në të gjitha rastet askush nuk ia hoqi mbiemrin e zhargonit e
ta quante me emrin e tij të Gjendjes Civile. Sepse për të gjitha ai ishte Ver
Llapa, njeriu që të sillte gaz kur nxirrte gjuhën e tij një metër të gjatë. Dhe
dukej se më shumë se për këdo Ver Llapa e nxirrte llapën për politikanët tanë.
Sepse dhe ai e dinte mirë që ata nuk vlejnë një dyshkë, paçka se për jetën e
tyre janë gati të paguajnë miliona.
Lajmi për vdekjen
e Enver Veselit u përhap në mënyrë të menjëhershme nëpër rrjetet sociale. Dhe
padyshim ky është një sukses i vërtetë. Shumë më i madh se “bëmat” e jetës së
tij bohemiane nëpër rrugë e kryqëzime. Sepse Verin e njihnin të gjithë,
qytetarë të Tiranës, por dhe ata të rretheve që u binte rruga të kalonin nga
kryqëzimi i “21 Dhjetorit”. Pasi ai, për djall a për shans, ec e ta marrësh
vesh, mbante për kapistër dhe emrin e komandantit tonë legjendar, shokut Enver.
Por Veri nuk donte
t’ia dinte për këtë lloj fame. Madje ai as që e vrau mendjen kur emri i tij u
ngrit si lapidar në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Sepse edhe deputetët jo
rrallë e krahasonin njëri-tjetrin me nofkën “Ver Llapa”. Ndoshta me të drejtë.
Ndoshta ata janë më keq se ai vetë, por ende nuk e kanë kuptuar. Ndoshta ata
do të vazhdojnë ta përdorin lehtësisht këtë emër për njëri-tjetrin edhe pas
vdekjes së tij mjerane.
Por Enveri nuk
ishte ambicioz, as tahmaqar. Madje as që i mbeste hatri kur një politikan e
mbante si qyrk emrin e tij. Në të vërtetë Veri donte të siguronte bukën e gojës
dhe vetëm kaq. E nëse deputetët e Kuvendit do t’i mundësonin jetesën, ai me
siguri do t’ua jepte nofkën të gjithëve me radhë e të bënin nga një xhiro. Kush
të dëshironte mund ta mbante për vete e kush nuk e donte mund t’ia dhuronte
ndonjë shoku idealesh, ose dhe kolegut përkarshi.
Enver Veseli e
mbylli këtë jetë, nga Covid-i. Ashtu si dhe shumë të tjerë, po nga Covid-i.
Kuvendi nuk e zhvilloi seancën e fundit. Deputetët duhen ruajtur nga Covid-i.
Urdhri i fundit i qeverisë është të mos mblidhen më shumë se 10 veta në një ambient
të mbyllur.
Ata janë 122.
No comments:
Post a Comment