“Corona” po na i
merr miqtë. Dhe duket se nuk ka mëshirë për askënd. Nuk bën selektime dhe nuk
pranon ndërhyrje për falje jete qoftë dhe nëse “preja” e saj është njeri me
emër apo influencë aktive. Dhe kjo tregon më së miri, se asgjë nuk ka të bëjë
me atë lojën e gogolit për të cilën u pretendua në fillesën e saj. Në mes të
një mosbesimi, hera-herës mes mospërfilljesh dhe ironisë bajate, ajo po e
zbaton planin e saj të hakmarrjes ndaj botës njerëzore plot shpresë se një ditë
do të vendosë gjithçka nën këmbët e saj. Nëse do të mundet, vërtet. E në këtë
harlisje mendimesh teorike, strategji veprimesh çoroditëse e përplasjesh
mosbesuese a panikosëse jo rrallë herë ajo ka arritur të marrë disa qindra-mijë
jetë njerëzore. Valter Gjoni ishte në mes tyre. Gojëmbli, siç e etiketoi
kryetari i bashkisë, dhe burri babaxhan, siç mund ta etiketojnë shumë të tjerë...
...Për mua ai do të mbetet “Monsieur chevalier”. Sepse në takime të ngushta, unë dhe miq të tjerë i drejtoheshim në këtë mënyrë, ndoshta për t’i dhënë vlerën e duhur një titulli të madh që ai e mbante thjeshtësisht. Sepse në fund të fundit ai ishte Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës Franceze, akorduar nga presidenti Zhak Shirak.
Në 4 tetor 2020
kishte mbushur 66 vitet e tij. Në jetëshkrimin e tij thuhet se ishte lindur në
Tiranë në vitin 1954. Dhe po në Tiranë e pati shkollimin e tij prej klasës së
parë deri në vitet e Institutit të Lartë të Arteve. Por shumëkush e di mirë që
ai ishte me origjinë nga Boboshtica e Korçës. Dhe kjo e bënte shumë krenar.
Valter Gjoni më të
shumtën e kohës së tij bëri punë administrate në Bashkinë e Tiranës, duke filluar
si inspektor kulture prej kohës kur institucioni në fjalë cilësohej ende si
Komiteti Ekzekutiv. Ndaj, edhe pse i diplomuar në një fakultet aktrimi nuk pati
shumë role në skenë dhe për më tepër në kinema. Por gjithsesi, një pjesë e mirë
e roleve të tij janë kthyer në episode emblematikë me batuta që mbahen mend për
karizmën e tyre: “Zëti im me byrek në dorë. E kam zët po ç’t’i bësh. Imagjino,
shkrimtar me byrek në dorë”, është nga batutat e tij epope interpretuar tek
filmi “Pesha e kohës”. Për të vazhduar me filmin tjetër “Kur hapen dyert e
jetës”, “Bardhyl, ti je hero. Po ky është hero mor Lekë. Pse si i di heronjtë
ti, mos kujton se kanë brirë?!”.
Lajmi për ndarjen
nga jeta të Valter Gjonit është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë së
Tiranës, Erion Veliaj. Në një status në Facebook, ai shkroi: “Valteri ynë
gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë. I shërbeu
qytetit tonë me dashuri përditë për 4 dekada, duke lënë sot një boshllëk të
pangushëllueshëm për familjen dhe mijëra kolegë e miq që e njohën dhe e deshën
si kujtesa historike e Tiranës”.
Valter Gjoni
kishte një jetë shumë aktive. Mes skenës, filmit, botimeve dhe punës në
administratë. Fillimisht nisi punën si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike
të Ushtrisë, për të vazhduar më pas në Teatrin Popullor, pranë kinostudios
“Shqipëria e Re” dhe Radio Televizionin Shqiptar. Ka luajtur 60 role në teatër,
8 role në kinematografi, si dhe ka realizuar 5 filma dokumentarë. Ai ka çelur
rreth 25 ekspozita si dhe ka mbi 10 botime me tematika të ndryshme historike
dhe enciklopedike. Mban disa tituj nderi të akorduara brenda dhe jashtë vendit,
ku titulli më i lartë është “Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës
Franceze” e cila në origjinal është "Chevalier de
l’Ordre National du Mérite", Urdhrin
“Naim Frashëri” i Republikës së Shqipërisë dhe “Mirënjohja e Qytetit të
Tiranës”.
Në një intervistë
të thënë për gazetën “Shekulli” dhe të botuar në 18 tetor 2013, pyetjes time
se: “Me çfarë motivi presidenti Shirak ju akordoi një medalje të lartë?”,
Valter Gjoni iu përgjigj: Për sa i përket vlerësimit tim, ai ka ardhur si
rezultat i një punë 10-vjeçare, por sidomos gjatë situatës së luftës në Kosovë,
ku të paktën për gjashtë muaj unë bëja jo vetëm punën e përditshme në Bashki,
por koordinoja dhe marrëdhëniet me bashkitë e tjera të Francës, të cilat u
organizuan seriozisht për të kontribuar në aksionin humanitar të pritjes së
refugjatëve që vinin nga Kosova. Francezet ngritën në Shqipëri pesë kampe, dy
në Tiranë, një në Ndroq, një në Mullet dhe një në Arapaj të Durrësit. Kështu me
të njëjtin dekret të Presidentit Shirak, mua dhe Pjer Kalfas, që ishte drejtori
i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Bashkinë e Marsejës, na u akordua titulli
“Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”.
Në 36 vitet e tij
të punës në Bashkinë e Tiranës, ku për herë të parë u emërua si inspektor në
janar të vitit 1985, Valter Gjoni ka kaluar pothuaj në të gjitha nivelet e
nëpunësit, inspektor, specialist, shef sektori, shef seksioni, drejtor dhe së
fundmi këshilltar i kryetarit të Bashkisë. Dhe padyshim, si “gojëmbël” e
“zemërbardhë” që ishte ai mundi të punonte me disa drejtues institucioni, të
cilët duam apo s’duam ne vinin nga krahë të ndryshëm të politikës.
Kliton Nesturi, Valter Gjoni, Leonard Veizi |
Në vitin 1987,
krahas studimeve pasuniversitare për titull shkencor të nivelit të parë, Valter
Gjoni përfundoi edhe studimet në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të
Shkencave Politike e Juridike, por më pas ai ka kryer edhe kualifikime në disa
vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Itali, Greqi etj. Me Valter
Gjonin kemi pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm, ku nga më mbresëlënësit ishte
intervista me titullin: “Si e takova Santa Klausin në koordinatën 66º 32’ 35”
në Arktikun e Veriut” botuar gjithashtu në gazetën “Shekulli”. Ndërsa në
gazetën “Fjala”, bashkëpunimi më interesant ishte ai i botimit të shkrimit me
titullin: “Naim Frashëri, poeti me pesë varre” i publikuar në 12 shtator 2020.
Bashkëpunimi i
fundit, për të cilin kishim folur por jo mirëpërcaktuar, midis tre-katër
temave, mbeti i pakonkretizuar në letër. Covid-19 i ndërpreu jetën, pikërisht
në kohën kur me pjekurinë intelektuale ishte në kulmin e tij. Dhe padyshim, ky
do të jetë pengu im i fundit në marrëdhënie me të. Ndaj, në pamundësi të
asgjëje tjetër më mbetet veç t’i them:
Lamtumirë Valter!
No comments:
Post a Comment