Friday, November 13, 2020

Inflacioni i vdekjes dhe zhvlerësimi i saj


Nga Leonard Veizi
 
Do ta nis me një frazë klishe, krejt oportune, madje dhe shumë banale: “Të gjithë do vdesim një ditë”. Kjo frazë e dalë si “koncentrim i përvojës popullore në thelb kërkon të vendosë një shenjë barazimi, se atje do të shkojmë të gjithë, të pasur e të varfër, të mençur sa më s’ka e budallenj me brirë. Pra thënë qartë e pa ekuivoke, ne të gjithë do ta lëmë këtë botë në pamundësi për t’u rikthyer më.
Në thelbin tjetër, kjo është për të shkulur leshtë e kokës. Sepse po mbyllëm sytë për gjumin e përjetshëm, nuk do të jemi më në gjendje të takojmë më të dashurit tanë, nuk do të ngrihemi në mëngjes për t'u ndeshur me flladin e ëmbël, nuk do të shohim më panoramat mahnitëse të detit me dallgë apo të një mali kryelartë plot me pemë dhe për më tepër, nuk do të kemi mundësi të pimë ndonjë gotë rakie shoqëruar me djathë nape sa të na vijë mendja vërdallë e të harrojmë hallet e kësaj jete. Shkurt, të vjen për të qarë qëkur e mendon. Kur ndeshesh me të realisht është edhe më keq se kaq.
Pra, çdo gjë e paska një fund.
Një shekull më parë vdekja ishte aq traumatike saqë për zakon e traditë edhe gratë qanin me ligje edhe burrat çirrnin fyryrën me thonj, edhe zija vazhdonte për ditë të tëra. Sepse kanë qenë të parët tanë që në lashtësi, të cilët e kanë institucionalizuar ceremoninë funebre ku i vdekuri përcillet për në botën tjetër me gjithfarë takëmesh.
Në fakt vdekja shoqërohet nga një proces mortor që fillimisht e bën njeriun të dobët si pjesmarrës të një kuje kolektive. Fill pas kësaj i njëjti njeri bëhet më i fortë duke vlerësuar ditët e tij të mbetura dhe duke e bërë më të dashuruar me jetën. Pra, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq. Ka dhe ajo anën e saj të mirë.
Por çfarë po ndodh me vdekjen sot?
Në vitin e 20-të të mijëvjeçarit të tretë pas Krishtit, vdekja duket një institucion krejt i zhvlerësuar. Riti i monedhave të florinjta për varkëtarin dhe turra e druve në flakë i ngjan një legjende. Pirja e kafesë pas ceremonisë dhe lënia e qokës poshtë filxhanit duket po aq demode tanimë. Por dhe fjalët e Biblës apo të Kuranit thënë nga një prift a një hoxhë mbi arkëmortin e mbyllur është një procedurë e shkurtuar. Tanimë gjërat janë të thjeshta sa nuk ta pret mendja. Të marrin nga shtrati i shtëpisë apo i spitalit ku ke dhënë frymën e fundit, e të rrasin drejt e në gropë. Kjo shpejtësi skëterre nuk të jep mundësinë as të qash, as të çirresh, por vetëm të bësh një njoftim masiv në Facebook.
Pandemia e Covid-it, ashtu si dhe luftërat e mëdha e zhvlerësuan vdekjen. Ashtu siç zhvlerësohen paratë ku bukën e sotme 80-lekëshe, nesër do ta blesh 80 mijë lekë. Pak a shumë sa një makinë. Në këtë mënyrë vdekja pak nga pak po kthehet thjesht në një statistikë. Dhe statistikat tani shkruhen në një tabelë exel-i
Sot Shqipëria ka 590 të vdekur nga visusi në 25.801 raste të zbuluara gjithsej.
Statistika e dytë vjen në mënyrë globale.
Sot bota ka mbi 52 milion raste të verifikuara nga të cilat 1,291,841 kanë gjetur vdekjen.
Pra, duam apo nuk duam jemi në fushën e statistikave. Sepse një VKM e thjeshtë ndalon grumbullimin e njerëzve, qoftë për mort a qoftë për gaz, e për pasojë e bën më të pandjeshme marrdhënien njerëzore.
“Vini re, vini re. Urdhëri i komandaturës gjermane: Ndalohet qarkullimi në grupe prej tre vetësh, ndalohet të ecësh me duar në xhepa. Pas orës 6-të të mbrëmjes ndalohet çdo lloj qarkullimi në qytet”.
Shtetrrethimi i vitit 2020 ka ndryshuar fare pak nga ai i vitit 1944.
Ku qëndron problemi këtu...?
Luftë atëhere, luftë tani.
A u tha që në fillim që bota duhet të përgatitet për ndryshime thelbësore. Fillimisht u ndaluan përqafimet... se mos na ngjitet virusi. Pastaj dhënia e dorës... se mos marrim virusin. Pastaj pushuan së ekzistuari ceremonitë e dasmave dhe fill pas tyre edhe ceremonitë mortore... se mos na futet virusi nga hundët, nga sytë apo nga goja. Dhe e gjitha kjo në emër të jetës. Të mos infektohemi. Domethënë: jo çdo gjë e keqe vjen për keq. Ja që edhe kjo e paska të mirën e saj. Sepse për fat (të keq a të mirë nuk di ta them) ceremonitë funerale janë shkurtuar ndjeshëm. Nuk ka më drekë pas varrimi, nuk ka më kafe e raki, nuk ka më të 3-ta, të 7-ta, të 9-ta të 40-ta e me rradhë. Dhe duke mos funksionuar më institucioni i ceremonisë funerale gjithçka tjetër është zhbërë. Nuk ka më vaje me ligje, nuk ka më çjerrje fytyre me thonj dhe rënie të gjoksit me grusht nën thirrjet “Ah ç'më gjeti mua të mjerin.”
Pra nuk ka një shfrim, por një akomulim...
Dhe le të kthehemi edhe një herë: Nëse dikur vdekja e një të afërmi a të njohuri shoqërohej me shqetësim, telefonata miqsh për pjesëmarrje në funeral, apo gjetjen e një makine për të mbërritur sa më shpejt në shtëpinë e xhenazesë, tanimë e gjithë kjo odise lodhëse dhe e trishtuar kalohet qetësisht maksimumi me ndonjë mesazh ngushëllimi: “T’u ketë lënë uratën”. Ose akoma më thjeshtë në përtesë të shtypjes së tastierës: Ngushëllime. Dhe familjarëve u duhet ta mbajnë vetë të gjithë peshën e vdekjes. Sepse sado traumatike të ishte një vdekje, prania e njerëzve të tjerë e lehtësonte disi barrën e rëndë, duke e ndarë atë për njëfarë kohe dhe disa dhjetra njerëz, që qoftë dhe për një çast të shkurtër mbanin nga pak peshë.
Në fakt kjo duket më humane, edhe pse ca e tepruar në kushtet shqiptare.
Vdekja në vitin 2020 nuk është më aq traumatike sa një vit më parë. Gjithçka u lehtësua si me magji që nga çasti kur u ndalua të shkohej nëpër ceremonitë e varrimit. Meqenëse vdekjet nga Covidi janë shtuar si në një betejë frontale mes trupash alpine. Por në luftra të mëdha kishte dhe varre të përbashkëta për ushtarët e vrarë, si dhe për civilët e mbetur të vdekur nga bombardimet. Sot kur pretendohet se Covidi po bën kërdinë, ashtu si dhe murtaja në mesjetë, ideja e varreve të përbashkëta duket ende një iluzion. Të paktën, për momentin, jemi ende larg një gjëje të tillë. Edhe pse nuk duket e pamundur.
Zot, na e kurse këtë. 

No comments:

Post a Comment