Nga Leonard Veizi
Këto
ditë shqiptarët kanë qenë të shqetësuar. Madje natën e së martës duke gdhirë e
mërkurë, nuk i ka zënë gjumi fare. Dhe me të drejtë. Në Amerikën e madhe
zhvilloheshin zgjedhjet. Televizionet,
si gjithmonë në raste të tilla ku ka një interes të pamasë, u vunë në garë për
të dhënë lajmin më të parë.
Sepse,
si të bëhen zgjedhjet në Shqipëri, si në Amerikë, njëlloj është, po aq sa dhe
kur zgjedhjet zhvillohen për deputetët e Kuvendit ku nga zgjedhja e tyre, më
shumë se fatet e vendit varen ato të militantëve, që presin ndonjë vend pune në
administratë. Stafet
e gazetarëve dhe teknikëve qëndrojnë në gatishmëri dhe rrjeti i
korrespondentëve funksionon sahat në të gjitha kryeqytetet e Evropës, madje
deri në Japoni.
Atmosfera
post-zgjedhore duhet pasqyruar kudo. Sepse nga zgjedhjet në Amerikë varet fati
i shumë vendeve. Në rrjetet sociale gjeje gjithfarë parashikimesh e sondazhesh,
që ua kalonin edhe atyre që zhvilloheshin në Teksas, Miçigan apo Pensilvani.
Kush
do fitojë: Tramp apo Bajden? Hall i madh. Dhe për një hall të tillë ia vlen të
mos mbyllësh sytë për gjumë një natë edhe pse të nesërmen në orën 08.00 të
mëngjesit të pret puna e bukës së gojës.
Amerika
zhvilloi zgjedhjet dhe korrespodentët përmes mikrofonëve na garantuan se edhe
në shumë vende evropiane ky proces, i vështirë e fort delikat, po ndiqej me sy
hapur e zemër të ngrirë. Fjala
vjen: shumë e shqetësuar ishte Anglia, (meqë kishte bërë ca llafe me Trampin për
çështjen e Brexit-it), po aq e shqetësuar ishte Gjermania, (meqenëse dhe
Merkeli e kishte trashur ca muhabetin me Trampin kur kishin folur për pagesat e
NATO-s) dhe në të njëjtat kuota ishte dhe Franca (ku edhe Makroni nuk ishte parë me sy të mirë
nga lideri botëror). Për
Italinë nuk u bë i gjallë njeri. Por në lojë ishte futur dhe Hungaria, ku Orban
mbështeste Trampin, madje dhe Sllovenia, që pa zbardhur dita në Europë e pa
nisur procesi i numërimit të votave i kishin dërguar një telegram President Trump
ku i uronin fitoren e re në detyrën e vjetër. Por
ngazëllimi slloven është i ligjshëm tek e fundit, sepse Donaldin e kanë robin e
shtëpisë e i kanë dhënë vajzën për nuse, ndaj dhe e mirëpritën deklaratën e tij
për fitore “të paparë” por dhe për vjedhje votash që nuk kishte ndodhur
ndonjëherë më parë.
Por
të vijmë te shqiptarët. Sepse për çështje të “pragmatizmit” i kanë ndarë me
kohë kampet. Ata që para katër vjetësh bënin tifozllëk për Hillarinë e u
zhgënjyen nga humbja e saj, këtë herë u mbështetën te Xho Bajden. Demokrat
për demokrat. Por të shumtë janë dhe tifozët e zjarrtë të Trampit, që kanë
shpresën e madhe se presidenti amerikan me mandatin e dytë do të arrijë të
çmontojë estabilishmentin e vjetër dhe frymën Sorosiane që ka depërtuar kudo në
Amerikë e Europë, e ku në Shqipëri, thonë se po bën namin e po na zë frymën.
Në
Amerikën e madhe, amerikanët, me pasaporta amerikane dhe pa viza, si hodhën
votën në kuti, i futën nga një darkë të rëndë sipas zakonit, pinë sa u dehën
për shëndetin e vetvetes dhe ranë të flenë pa pritur të shikonin ëndrra, të
bindur se vota e tyre do të numërohej, ndaj të nesërmen sido që të vinte puna,
do ta merrnin vesh rezultatin e zgjedhjeve. Por
shqiptarët që vazhdojnë të jetojnë në Republikën e Shqipërisë, dhe që ende nuk
kanë gjetur rrugën për të shkuar o në Gjermani, o në Angli, o në Kanada,
qëndronin syhapur e vigjilentë, duke ndjekur maratonën e emisioneve të tipit
“Biden vs Trump”, duke vëzhguar me shqetësim të paparë numërimin e votave, e
duke u munduar të gjenin ndonjë shkelje të tipit “vjedhje” gjë që doemos do ta
çonte çështjen në Gjykatën e Lartë.
E
ja, kësaj i thonë: “lëre dasmën shko për shkarpa”.
Shkurt,
ne si shqiptarë na pëlqen politika globale. Kufijtë që kemi na rrinë ngushtë
për egon tonë, ndaj me zell e dëshirë mund të reagojmë në një studio televizive
duke thënë: “Unë mbështes politikat e zotit Tramp…”
Bravo
të qoftë! Se edhe pse nuk ke asnjë të drejtë vote, të drejtën e një komenti nuk
ia ndalon kush. Madje, po t’i bjerë në vesh Trampit do t’i bëhet qejfi qamet. Po
aq sa i ra në vesh dhe deklarata e kryeministrit Rama kur ai garonte përballë
Hillarisë së Billit “Mos e dhashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për
president”. Duket se ata të stafit të tij, pas fitores u ngazëllyen aq shumë sa
nuk e informuan presidentin e ri se kryeministri i Shqipërisë nuk e kishte
dashur ardhjen e tij në pushtet. Dhe
nga kjo mungesë vëmendjeje Edi shpëtoi dhe nga një ndëshkim i mundur prej Donaldit,
që me siguri po ta merrte vesh se çfarë ai kishte thënë për të, do ia tregonte
vendin.
E
ja, kështu vajti kjo punë.
Gjithsesi,
ne shqiptarët e kemi me qejf të përzihemi në çështjet e mëdha të globit dhe nuk
na hyjnë në sy punët e vogla të Ballkanit. Ndaj nuk kemi për të hequr dorë
kurrë nga politika globale, të cilën e bëjmë me dëshirë të madhe tek tavolina
zgjyrë e kafenesë së lagjes, ku herë pas here bëjmë dhe ndonjë dorë tavëll.
Për
shembull: Në Greqinë fqinje, ku kufiri është prishur prej vitesh e ka mbetur
vetëm në hartë, ku hyjmë e dalim si na do qejfi, e ku pretendohet se jetojnë
nja 600 a 700 mijë shqiptarë, nuk trasmentohet kaq shumë tension kur bëhen
zgjedhje. Madje,
me gjasa, shqiptarët e thjeshtë e marrin vesh se është ndërruar qeveria e ka
kryeministër të ri në Athinë, o pas një jave o pas ndonjë muaji. Në Itali, me
të cilën na ndajnë një ngushticë deti, pak më i madh se një lumë, e ku mendohet
se janë integruar të paktën 450 mijë shqiptarë, për çështje zgjedhjesh e
ndërrim qeverish, televizionet mjaftohen me një kronikë. Por
duke qenë se italianët i kanë ndërruar ca si shpesh kryeministrat, shumë
shqiptarë vazhdojnë të njohin Berluskonin si shefin e ekzekutivit, se këtyre të
tjerëve as që ua kanë mësuar emrat.
Por
kur vjen puna te Amerika, shqiptarët ngrenë veshët përpjetë a thua se nga lloji
i presidentit dhe administrata e tij varen dhe fatet e çdo shqiptari. Dhe ende
pas 30 vitesh nuk kemi vënë mend se administrata amerikane zbaton të njëjtën
strategji për Shqipërinë, për Kosovën, për Maqedoninë e Veriut me gjithë
shqiptarët brenda, etj. Fjala
vjen: ashtu siç u fitua liria në Kosovë nën administrimin e demokratit Klinton,
ashtu u realizua pavarësia nën administratën e republikanit Bush. Pra 1 me 1.
Ku qëndron problemi këtu…?!
Shqipëria
e vogël i do shumë miqtë e mëdhenj. Dhe Amerikën e kemi të veçantë ndër tyre.
Se i kemi dashur dhe turqit, edhe rusët, madje dhe kinezët. Por në periferi të
Tiranës, në një lagje province, me statusin e Bashkisë, emrat e rrugëve
pagëzohen me emrat e presidentëve amerikanë. Fjala
vjen, gjen emrin e Billit, të Xhorxhit e të Donaldit, por Xi Jinping-un e
kinezëve nuk e has gjëkundi edhe pse për nga potenciali, Kina po hahet përditë
dhëmbë për dhëmbë me Shtetet e Bashkuara.
Perëndi
e madhe çfarë shqiptarësh…
Epo…
Zoti e ruajtë Amerikën!
No comments:
Post a Comment