Friday, October 30, 2020

Covid-19 që do të sjellë “padronin” e ri të tokës dhe qiejve

Nga Leonard Veizi


Nëpër rrugët e Tiranës, autoambulancat që paralajmërojnë me drita verbuese e sinjale akustike, janë shtuar ndjeshëm. Shoferët dhe ekipi mjekësor që qëndron në ulëset e para të furgonit spitalor, mbajnë maska profesionale mbi fytyrë, gjë që tregon, se në shumicën absolute të rasteve, pacienti që transportohet shtrirë mbi krevatin portativ e me oksigjen në hundë, është një kontigjent i virusit “Covid-19”. Asnjë familiar nuk lejohet ta shoqërojë në bagazhin e makinës dhe në pavionin e Infektivit nuk ke shans të hysh, veç në je Ministër i Shëndetësisë. Dhe se çfarë ndodh aty askush nuk është në gjendje të thotë gjë. Sepse një “protokoll” i brendshëm të ndalon të flasësh lartë e poshtë nëpër pazar për informacione që dashur padashur janë futur në kasafortën “Top Secret”. Veç nëse dikush i sajon në mënyrë fantazmagorike. Prandaj dhe sot ato quhen në shumicë: teori konspirative. Të pambështetura mbi diçka konkrete e të dukshme. Dhe kështu asgjë nuk është e ndriçuar, përveç faktit që nja dy-tre mjekë të “licensuar” dalin në ekrane për të na qetësuar me një tollovi fjalësh, ku bazë e skenarit është këshilla për mbajtjen e maskës, të distancës dymetroshe, por sidomos këshilla shumë e vlefshme për higjienën personale, ku larja e duarve me sapun është “A”-ja e gjithçkaje të dobishme.
Mos kemi të bëjmë gjë me një terr informativ?
Sipas kësaj që po përjetojmë prej muajsh, e që është intensifikuar kohët e fundit, duket se kemi të bëjmë më diçka që nuk na thuhet troç. Pra, kemi njerëzit tanë të pamundur fizikisht që ua besojmë disa njerëzve të panjohur, të veshur me skafandra e kominoshe hermetike, e të paidentifikueshëm, si në filmat fantashkencë me alienët. Thënë shkurt, duket sikur ata shkojnë si “cjapi tek kasapi”. Të gjithë jetojnë ditë të tmerrshme me ankthin, nëse i afërmi do të mund të dalë me këmbët e veta nga ku hyri me barelë, apo do të dalë nga ana e pasme e pavionit, si një kufomë drejt morgut dhe prej andej, pa asnjë lloj ceremonie, drejt e në varreza.
Situata mund të mos jetë ende alarmante, por ajo është dramatike gjithsesi, përderisa sipas shifrave zyrtare, çdo ditë e dy javëshit të fundit ka kapërcyer shifrën e 300 të infektuarve dhe të 6 viktimave. Por situata mund t’i kapërcejë kufijtë që njohim. Sepse asnjëri prej nesh nuk e di cili do të jetë hapi i radhës, me të cilën do të luhet pak ditë më vonë. Fjala vjen, si do të shkojë fati i botës pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. 
Deri dje, “Sars Cov-2” që shkakton “Covid-19” ishte parë më së shumti si një teori konspiracioni, ku njerëz me njëfarë peshe në jetën publike e që dinë të jenë opinionbërës, as që besonin që ajo ekzistonte. Ashtu siç kishte dhe nga ata që flisnin të njëjtat gjëra që lëshonte zyra e shtypit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku më së shumti theksi vihej në larjen e duarve me sapun, apo dezinfektimin me alkool 90 gradësh. Sepse çështja e maskave, kaloi në disa etapa, derisa u mor vendimi përfundimtar për përdorimin e tyre njëlloj si pjesa tjetër e setit të veshjes njerëzore. Do të kishte urdhra dhe kundërurdhëra të ndryshëm, për rrezikshmëri apo jo rrezikshmëri gjatë përdorimit të tyre, por në përfundim OBSH ra dakord se maskat duhen mbajtur. Dhe përdorimit të saj i shërbyen dhe akte ligjore, me qëllim penaliteti për ata që guxonin të mos e mbulonin fytyrën, po aq sa e mbulonin dhe pjestarët e organizatave terroriste kur hidheshin në sulme kamikazësh.
Dhe një gjë e tillë, si dhe shumë gjëra të tjera të tilla, u kanë lënë vend mjaftueshëm konspiracionistëve, të thonë se “Sars Cov-2” është një virus i modifikuar nga specialistët e laboratorëve, që po përdoret për të ulur numrin e popullsisë së botës dhe për vendosjen e një rendi të ri botëror. Pastaj konspiracionet trashen kur në lojë hyjnë vaksinat, mikrocipet dhe antena e telefonisë celulare 5G.

Domethënë, jemi në një luftë të pashpallur, por që me gjasa nesër do të cilësohet si Lufta e Tretë Botërore. Dhe kjo lloj lufte nuk ka nevojë për armët e shkatërrimit në masë: avionë supersonikë, nëndetëse nukleare dhe bomba me hidrogjen. Kjo është një luftë inteligjente, ku për të nënështruar njerëzimin është hedhur një virus i programuar dhe i koduar si “Sars Cov-2”, pjesë integrale e familjes së madhe “Corona”. Ajo po bën gjëmën më shumë se një divizion shfarosës me brigada këmbësorie e të koracuara në përbërje të tij.
Padyshim, pjesës konspiracioniste nuk ia heq njeri dyshimet, por që virusi ekzistonte, ai ishte i rrezikshëm dhe shkaktonte vdekshmëri, edhe kjo ishte një gjë që u vërtetua shpejt.
Pra thënë shkurt: shumë prej nesh do jenë të detyruar ta lënë këtë botë, për t’u hapur rrugën qëllimeve të reja hegjemoniste. 
“Covid-19” është shkruar këmbëkryq në Shqipëri. Dhe jo vetëm. Nëpër rrugë do të ndeshësh dukshëm me autoambulanca që kërkojnë rrugë të hapura për të shpejtuar drejt Infektivit apo drejt Sanotoriumit. Shtete të fuqishme të Evropës, si Franca dhe Gjermania, po përgatiten të rihyjnë në karantinë. Italia dhe Spanja janë shkundur që në raundin e parë. Të vetmet që duket sikur janë jashtë kësaj vorbulle, janë vendet Nordike. Britania po bën përpjekje të mëdha për ta mbajtur të presuar të gjithë paketën. Ekonomia që mori goditjen e parë në mars-prillin e këtij viti, me sa duket do të marrë një tjetër goditje gjatë nëntor–dhjetorit të po këtij viti.
Kujt i shërben kjo?
Ata që priren nga teoritë konspirative thonë se kjo u shërben atyre pak njerëzve, të cilat dinë të mbledhin paratë rreth vetes dhe që nesër do të jenë sunduesit e rinj globalë. Njerëzit nuk kanë qëndruar fort indiferentë ndaj këtyre situatave. Madje ka pasur protesta dhe kundërshtime të ashpra ndaj masave radikale që janë marrë për kufizimin e lëvizjes. E megjithatë bota është në karantinë. Ajo po vdes pak nga pak nën masat terrorizuese që herë vijnë nga OBSH-ja e herë nuk dihet se nga çfarë zyre dalin.
Bota po bëhet e frikshme. Jo thjeshtë nga pandemia, por nga ajo çfarë do të ndodhë më pas.
Zërat që flasin për një epidemi të sajuar apo të amplifikuar, për një vaksinë çip që do të injektohet me detyrim për të shtuar kontrollin mbi qenien njerëzore dhe për ndikimin e rrjetit 5G në të gjithë këtë ndërmarrje, janë shtuar shumë. Po t’i analizojmë hapat një për një duket se i jemi afruar së tepërmi këtij skenari.
Dhe pas kësaj do të vijë Rendi i Ri Botëror dhe “padroni” i ri.
Bota ka njohur plot padronë që kur nisi të shkruhej historia. Ka njohur Aleksandrin e Madh, Çezarin, Xhingis Khanin, Sulejmanin e Madhërishëm por dhe Adolf Hitlerin. Por ajo që nuk dihet ende është: kush do të jetë pardroni i ri i qiejve dhe tokës?

No comments:

Post a Comment