Perëndimi, sa larg dhe afër. Çfarë
ndodh në rrugët e Prishtinës së pasluftës. Kosova, e pushtuar prej 30 shërbimeve
sekrete
Reportazh nga Leonard Veizi
Prishtina është një qytet që, edhe pse i ndërtuar më së shumti në vitet e socializmit jugosllav, përcjell aromë civile të Perëndimit. Tashmë gjurmët e luftës janë zhdukur krejt. Vetëm në qendër të qytetit, një godinë 7-katëshe vazhdon të tregojë se ajo çka ndodhi mes shqiptarëve dhe serbëve, u mbyll me goditje plumbash, shpërthime minash dhe goditje artilerie. Dikur kjo ndërtesë ka shërbyer si komandë e policisë. Tashmë pritet vetëm të shembet, pasi nuk ka asnjë mundësi rikonstruksioni. Ndërsa pallatit të sportit i ka mbetur ende emri “Boro e Ramiz” në kujtim të “vllazërimit” serbo-shqiptar,ku sllavi Boro përfaqësonte minorancën në vendin e shqiptarit Ramiz. Ndërkaq jeta në kryeqytetin e Kosovës është po as e gjallë, sa dhe në pjesën tjetër të Evropës. Në 360 dhomat e hotelit “Grand” më së shumti gjen zyrtarë të vendeve të tjera që kanë ardhur për bisedime, apo biznesmenë që zbarkojnë për të lidhur kontrata të reja, ndërsa nga taverna çdo natë dëgjohen tinguj nga muzika vendase. Në rrugët e Prishtinës tashmë shihen shumë më pak “Toyota”-t me shenjat UN dhe po më pak shihen mjetet e blinduara më inicialet KFOR. Vetëm gjatë udhëtimit me avion, pranë Ferizajt, shihej nga lart baza ushtarake që po ndërtojnë amerikanët. Ndërkaq Kosova njeh si gjuhë zyrtare shqipen dhe serbishten, por për shkak të komunikimit masiv po kaq e njohur është dhe gjuha angleze. Në zyrat e administratës përpunoheshin vrullshëm platforma pa fund, ndërsa pranë kompjuterave më së shumti shihje teknicienët e rinj të shkolluar jashtë vendit. Ndërkohë, tregu i vendit pa status funksionon vetëm me monedhën e re europiane.
“Sigurimi i të drejtave të pakicave në Kosovë është testi kryesor për
përmbushjen e standardeve demokratike, të cilat janë parakusht për fillimin e
negociatave për adresimin e statusit dhe sa më shumë të jetë i plotësuar ky
standard, aq më i fuqishëm do të jetë pozicioni i palës kosovare në negociatat
për statusin e Kosovës”. Duke iu përshtatur kësaj sentence, tashmë qeveria e
Kosovës si të vetmin qëllim kryesor të saj ka plotësimin e standardeve që do ta
çojnë drejt pavarësisë shtetin e ri të shqiptarëve.
Ftesa
Të paktën 6 gazetarë nga Tirana fluturuan drejt Prishtinës me avionin e
linjës direkte. Për të pasqyruar sa më mirë realitetin konkret, duhet ta prekësh
vetë me dorë atë. Disa ditë më parë, nëpërmjet një ftese me postë elektronike,
Daut Dauti, zëdhënës-këshilltar për media i kryeministrit Bajram Kosumi, ka
njoftuar për një vizitë disaditore të disa gazetarëve nga vendet e rajonit në
mënyrë që të informohen me gjendjen aktuale në Kosovë.
Në Prishtinë
Pas rreth 45 minutave fluturim, një avion modest i linjës “Albania Airlines” i ngritur në mesditën e 28 qershorit
nga aeroporti “Nënë Tereza” do të ulej në “Airport Prishtina”. Vetëm pak minuta përpara se grupi i
gazetarëve nga Tiranë të akomodohej në hotelin e njohur “Grand” aty kishte mbërritur dhe grupi i
gazetarëve serbë nga Beogradi. Ndërsa pak më vonë do të mbërrinin dhe gazetarët
nga Shkupi i Maqedonisë. Edhe pse e njëjta ftesë kishte shkuar dhe në Malin e
Zi, nga Podgorica fqinje nuk erdhi asnjë gazetar. Por duket se kjo nuk i prishi
punë askujt.
Gazetarët
Të paktën 15 gazetarë nga tri vende të rajonit udhëtuan nëpër Kosovë për t’u
njohur nga afër me realitetin e ri. Nuk kishte dyshim që gazetarët e ardhur nga
Beogradi panë bardhë e zi gjithçka që u servir para syve të tyre. Por edhe ata
të Shkupit ishin po aq skeptikë ndaj asaj që do të shihnin në ditët e ardhshme.
Gjithsesi, e justifikueshme apo jo, tendenca e gazetarëve sllavë nuk solli asnjë
gjë të re të skenën e deklaratave të zyrtarëve të lartë, përveç faktit që
administratori Petersen, duke iu përgjigjur gazetares Zhelka, tha: “Po ju jap
një lajm të keq. Në Kosovë punët po shkojnë shumë mirë”.
Hapësira
Në Kosovë jetojnë rreth 125 mijë serbë, ku 100 mijë prej tyre
nuk u larguan nga shtëpitë as gjatë bombardimeve. Aktualisht 18% të vendeve
në Parlament i kanë minoritetet. Në Kosovë janë të licensuara 111 masmedia të
ndryshme, nga të cilat 39 u përkasin minoriteteve, 26 prej tyre trasmentojnë në
dy gjuhë, ndërsa 10 të tjera transmetojnë në gjuhën e minoriteteve të vogla.
Shoqërimi
Në dispozicion të grupit të gazetarëve “miks” kryeministri Kosumi kishte vënë në dispozicion dy nga këshilltarët më të
rëndësishëm të tij, Daut Dautin, zëdhënës dhe këshilltar për median, dhe dr.
Naser Rugovën, këshilltar politik. Jo vetëm informacion i detajuar, por çdo kërkesë
e gazetarëve u plotësua duke plotësuar kështu dhe axhendën e paralajmëruar, si dhe takimet
shtesë që u kërkuan më pas.
Takimi i parë
Vizita e parë do të bëhej në selinë e Kuvendit të Kosovës, ku në një
bisedë me Arifin, koordinator i qeverisë për standarde, dhe Armenika Etemi, zyrtare
e lartë në zyrën e kryeministrit, gazetarët e tri kombësive u njohën me punën e
përshpejtuar që po bënte qeveria "Kosumi" në arritje të plotësimit të
standardeve. Tabloja ishte e qartë. Një nga pikat kryesore ishte dhe trashëgimia
kulturore.
Pengesat
Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën atje ku mundet. Regjistrat kadastralë
janë një nga pengesat kryesore që ka hasur administrata e qeverisë së Kosovës.
Po gjatë tërheqjes serbët i morën me vete të gjithë regjistrat orgjinalë. Gjatë
bisedimeve diplomatike në dy raste administrata serbe ka premtuar për kthimin e
regjistrave, por në asnjë nga rastet nuk e ka mbajtur fjalën. Por jo vetëm kjo.
Privatizimet
Më pas ishte organizuar një takim me ministrat e qeverisë: Lutfi Haziri,
ministër për Pushtet Lokal; Bujar Dugolli, ministër për Tregti dhe Industri; z.
Ščepanović, sekretar i përhershëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim; dr.
Astrit Ajeti, zëvendësministër për Shëndetësi; Arjeta Emra, këshilltare e
kryeministrit. Ministri Dugolli bëri të njohur se tashmë privatizimi ishte një proces
pa pengesa dhe se çdo muaj në Kosovë hidheshin në tregun e privatizimeve 30 ndërmarrje
nga 570 ndërmarrje publike që ishin trashëguar nga sistemi i kaluar. Ndërkohë
miniera e njohur e Trepçes ishte nën administrimin e UNMIK-ut. E kështu sipas
tij, definicioni mbi një status real e përfundimtar të Kosovës, do të largonte
dyshimet dhe do të afronte investitorët e rinj.
Integrimi
Në fjalën e tij Lutfi Haziri, ministër për Pushtetin Vendor, tha: “Kemi dy
kategori të serbëve në Kosovë, ata që janë integruar dhe ata që janë kundër
integrimit. Megjithatë, u është garantuar gjuha, buxheti, punësimi, ndërtimi i
shtëpive të reja. Tashmë ne po zbatojnë formulën më pozitive në botë që cilësohet
“diskriminim pozitiv”.
Laboratori
Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur një pyetjeje,
pranoi se Kosova është kthyer në një laborator, ku dhe pse shpesh janë
tejkaluar normat, ka pasur dhe arritje pozitive. “Diskriminimi pozitiv” është
një nga projektet laboratorike që po aplikohet në Kosovën e sotme. Edhe pse
minoritetet serbe, rome, egjiptas, ashkali përbëjnë vetëm 10 për qind të banorëve
të Kosovës, pjesëmarja e tyre në vendimmarrje, Kuvend, qeveri e administratë është
shumë më i madh. Për këtë arsye kjo është emërtuar me termin “Diskriminim pozitiv”.
“Nga 120 vende që kemi në Parlament, 20 i posedojnë minoritetet”, u shpreh Daci.
Duke folur për ngritjen e institucioneve Daci tha se në Kosovë vepronin më
shumë se 30 shërbime të huaja inteligjente, ndërsa vetë Kosova nuk e kishte
ende një të tillë.
Mbrojtja
Gazetarët e tri vendeve vizituan edhe Akademinë e Trajtimit dhe Doktrinave.
Aktualisht Kosova ka një trupë mbrojtëse të përbërë nga 3032 trupa aktive dhe
2020 rezervistë. Duke bërë një rezyme të Akademisë, kolonel Shemsi Syla tha se
TKM ka si mision kryesor mbrojtjen e popullsisë. Ai u shpreh se 10% e efektivit
përbëhej nga minoritetet, ku shumicën e dominonte minoriteti serb. Por ata nuk
i kishin zënë vendet e tyre në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.
KRYEMINISTRI
Është lindur më 20 mars 1960 në Tuxhec, komuna e Dardanës. Përgatitja
profesionale e tij lidhet me Fakultetin Filologjik, dega e Letërsisë dhe Gjuhës
Shqipe, magjistër i shkencave filologjike. Fillimisht është angazhuar si
gazetar dhe më pas ka vazhduar me politikën. Gjatë takimit me gazetarët kryeministri
i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se gjatë këtyre viteve të pasluftës janë evidente
përparimet e mëdha që janë bërë në Kosovë në të gjitha fushat e jetës. Në
Kosovë janë mbajtur katër parë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nga të cilat
kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, të cilat janë funksionale dhe
të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë. Ndër prioritet bazë të qeverisë,
kryeministri ka numëruar zbatimin e standardeve, decentralizimin zhvillimin e
qëndrueshëm ekonomik dhe dialogun me shtetet e rajonit. “Zbatimi i standardeve
ka marrë deri tash notë pozitive dhe nuk ka arsye që të mos jetë kështu edhe
gjatë muajve të ardhshëm. Ne presim po ashtu një vlerësim pozitiv nga emisari
special i OKB-së, Kai Aide, me çka do t’i hapet rruga fillimit të bisedimeve
për statusin final të Kosovës. Bisedimet duhet të fillojnë në shtator dhe ato
nuk do të zgjasin deri në pakufi. Unë shpresoj se në vitin 2006 Kosova do të
jetë krejtësisht ndryshe. Ne aspirojmë të krijojmë shtetin e pavarur të
Kosovës, në të cilin të gjithë do të kanë të drejta të barabarta dhe qasje të
barabartë në jetën publike”, u shpreh kryeministri Kosumi.
ADMINISTRATORI
I vendosur në atë që thoshte, shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Soren Jessen
Petersen, për gazetarët “miks” të tri vendeve rajonale u shpreh: “Është shënuar
progres, por ka dhe mangësi. Liria e lëvizjes është përmirësuar, por ka dhe
serbë që nuk e ndiejnë veten të lirë për të lëvizur lirisht. Por them se ka nja
konfuzion midis realitetit dhe perceptimit. Gjatë këtyre 15 muajve ka pasur
shumë pak incidente me baza etnike dhe ka më shumë siguri. Nuk mendoj se duhet
të ketë kthime të organizuar të serbëve në Kosovë, por ai duhet të jetë
individual, pasi ka shumë njerëz që duan të integrohen në Serbi. Për sa i përket
çështjes kadastrale, them se ishte një nga zhgënjimet e mia me Beogradin. Tashmë
statusi përfundimtar i Kosovës është në interes të rajonit dhe nga kjo do të përfitojnë
të gjitha shtetet në rajon”.
Rahoveci, krahina ku serbët po rikthehen
në shtëpitë e tyre të paraluftës. Ngritja e shtëpive të reja, meremetimi i oblekteve
të kultit dhe ruajtja e trashëgimisë kulturor
Bashkëjetesa e vështirë e pasluftës
Në krahinën e Rahovecit e rreth saj është bërë luftë e ashpër mes trupave të
UÇK-së dhe atyre serbe. Mbas lufte shumë nga familjet serbe, sidomos ato që i
lyen duart me gjak, u zhvendosën. Të tjerët qëndruan në një bashkëjetesë të vështirë
me shqiptarët e tradhtuar prej tyre. Automjeti ynë ndalon në qendër të qytetit.
Një xhami fare pranë qendrës po meremetohej. Autoritetet lokale na shpjegojnë
se po rikonstruktohen gjithashtu dhe kishat e manastiret ortodokse. Ato futen në
trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kryetari i kësaj komune, Esat Haxhijaha na
shpjegon se para lufte marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve ishin shumë të
mira. Ata hynin e dilnin tek njëri-tjetri. Por pasojat e luftës e kishin çrregulluar
këtë raport. Por pas lufte autoritetet vendase nisën sërish të gjenin mënyrën
se si bashkëjetesa të normalizohej. “Është krijuar një grup pune prej 17 vetash
që prej vitit 2002, i cili kthen dhe integron të larguarit. Që prej pesë vjetësh
nuk kemi pasur incidente të rënda në këtë komunë, ndaj them se gjendja është e mirë”,
na thotë kryetari. Ndërsa nënkryetari shtesë, Lubisa Duricic, i cili i përket
etnisë serbe, thotë se bashkëkombasit e tij e ndjejnë frikën ndaj shqiptarëve
dhe nuk janë të lirë. Gazetarët serbë kërkuan të kontaktonin me familjet serbe.
Ne të tjerët gjithashtu. Lagjja e serbëve është vendosur në lartësi të qytetit.
Opinione të ndryshme. Kemi dhe s’kemi frikë. E megjithatë të gjithë serbët janë
aty, me shtëpitë dhe lokalet e tyre. Shesin e blejnë. Nga ana tjetër marrin
ndihma dhe rroga dyfishe nga Beogradi. Një familje serbe ofron gazetarët
shqiptarë në oborrin e shtëpisë. “Eja të pini një gotë nga vera jonë”. Pranojmë.
Në komunën e Klinës një serb 75-vjeçar na thotë: “U larguam për 6 të vjet për në
Vojvodinë, por jetuam si mos më keq. Atëherë, menduam të kthehemi në shtëpinë
tonë. Unë kam lindur këtu. Nuk kam bërë asgjë të keqe dhe s’kam pse ta ndjej
veten fajtor. Tanimë kemi hapur një dyqan”. Ndërkaq me një “Pasat” vjen djali i
tij. Nga bagazhi nxjerr ushqime. Marrim vesh se ishte furnizimi i zakonshëm që
vinte nga Beogradi. Ndërsa kryetari i kësaj komune, Prenk Gjataj shpjegon se
zona fillimisht ishte goditur fort nga serbët, por më pas ishte rimarrë po me
luftë nga shqiptarët. E tashmë po investohej që të dyja palët të bashkëjetonin.
Rruga po bëhej e re dhe shtëpi të reja po ngriheshin gjithashtu.
RAHOVECI
Komuna e Rahovecit shtrihet në pjesën jugperëndimore të Kosovës dhe
kufizohet në veri me komunën e Malishevës, në lindje me Therandën, në perëndim
me Gjakovën dhe në jug me Prizrenin. Kjo komunë ka rreth 75 mijë banorë, nga të
cilët 95 % janë shqiptarë, 3% serbë dhe 2 %, romë, ashkali dhe egjiptas. Në
komunën e Rahovecit ekzistojnë dhe funksionojnë disa objekte industriale, ku më
i madhi është kantina e verërave NBI. Komuna e Rahovecit ka gjithsej 25 shkolla
me ente parashkollore, një shkollë të mesme me dy paralele të ndara. Gjithsej
23 shkolla fillore, prej tyre 2 shkolla fillore serbe. Në sferën e shëndetësisë
ekzistojnë 6 qendra të mjekësisë familjare nëpër bashkësitë lokale dhe një qendër
shëndetësore është në lagjen serbe.
STANDARDET
Ja si do përmbushen standardet
Standardet për Kosovën adresojnë një axhendë për tejkalimin e problemeve.
Kjo axhendë është e afatizuar dhe sfiduese për institucionet kosovare,
shoqërinë civile dhe UNMIK-un.
1-Institucionet demokratike
funksionale – IPVQ-ja është
zgjedhur në mënyrë të lirë e të drejtë. Ajo qeveris në mënyrë të paanshme,
transparente dhe të përgjegjshme. Mediat janë të pavarura dhe të gjitha
bashkësive u ofrojnë qasje në informim. Ekziston një organ i pavarur
rregullativ për t’i vëzhguar të gjitha mediat dhe ky organ është reduktuar pa
diskriminim. Fjalimi urrejtës dënohet nga mediat, komisioni rregullativ dhe
komentatorët e mediave.
2-Sundimi i ligjit – Ekziston një kornizë e mirëfilltë ligjore dhe një
zbatim efektiv i ligjit, në pajtim me standardet evropiane. Askush nuk është
mbi ligjin dhe askush nuk mund të ndiqet penalisht për krim pa marrë parasysh
kush janë ose kë e njohin. Ekzistojnë masa të rrepta për të luftuar krimin e
motivuar etnikisht, si dhe krimin ekonomik dhe financiar. Personat të cilët
kërkojnë dhe ofrojnë ryshfet, dënohen.
3-Liria e lëvizjes – Të gjithë njerëzit në Kosovë mund të udhëtojnë,
punojnë në siguri, pa frikë nga sulmi, ngacmimi apo kërcënimi. Të gjithë
njerëzit janë të lirë ta përdorin gjuhën e tyre amtare kudo në Kosovë. Të
gjithë njerëzit kanë qasje në tregje, shërbime publike e sociale dhe shërbime
komunale.
4-Kthimet e qëndrueshme dhe të
drejtat e bashkësive dhe të anëtarëve të tyre – Anëtarët e të gjitha bashkësive duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë
plotësisht në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore në Kosovë dhe nuk duhet të
ballafaqohen me kërcënime për siguri dhe mirëqenie për shkak të përkatësisë
etnike. Të gjithë personat e zhvendosur që dëshirojnë të kthehen në Kosovë
duhet ta bëjnë këtë në siguri e dinjitet.
5-Ekonomia –Zbatohet korniza ligjore për një ekonomi të qëndrueshme
dhe konkurruese të tregut. Është themeluar një komision rregullativ, që i mban
përgjegjës nëpunësit qeveritarë dhe sektorin privat. Ka një regjim taksash që
mbështet funksionimin e qeverisë, që inkurajon investimin dhe që ofron shërbime
themelore si kujdesin shëndetësor dhe arsimimin.
6-Të drejtat pronësore – Të gjithë duhet të kenë të drejtë të posedojnë
dhe jetojnë në shtëpitë e tyre kudo në Kosovë. Zbatimi i drejtë i të drejtave
pronësore është esencial për ta inkurajuar kthimin e PZHBV-e dhe trajtimin e
barabartë të të gjitha bashkësive etnike.
7-Dialogu – Duhet të ketë dialog konstruktiv dhe të
vazhdueshëm ndërmjet IPVQ-së dhe homologëve të tyre në Beograd për çështje si
energjia, transporti, komunikacioni, të zhdukurit etj.
8-TMK – TMK në tërësi e zbaton mandatin e vet, siç ceket
në Kornizën Kushtetuese, si organizatë civile për emergjenca, që kryen detyra
të ndërhyrjes së shpejtë për sigurinë publike në kohë të fatkeqësive natyrore
ose emergjencave. TMK i përfaqëson të gjitha bashkësitë e Kosovës.
KUSHTET
Çfarë janë standardet
Standardet janë 8 fusha në të cilat Kosova duhet të përparojë në mënyrë që
të funksionojnë, të ketë stabilitet dhe të marrë rrugën drejt Evropës. Kur të
arrihet përparim në këto fusha, jeta në Kosovë do të jetë dukshëm më e mirë. Standardet
janë çelësi për vende pune dhe siguri. Ky është një plan i detajuar që i
përshkruan veprimet konkrete që nevojiten për t’i përmbushur standardet.
Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u punuan në këto dokumente në partneritet. Më pas
dy tekstet u miratuan nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE-ja, Grupi i
Kontaktit dhe aktorë të tjerë kryesorë ndërkombëtarë. Të 8 standardet u
publikuan më 10 dhjetor 2003, kurse plani për zbatimin e tyre për Kosovën më 31
mars 2004.
SITUATA
Ndërlikueshmëria e realitetit
kosovar
Kosova gjendet në një nga periudhat më sfiduese të historisë dhe zhvillimi
të saj, të bëjë hapa vendimtarë në realizimin e vullnetit politik të qytetarëve
për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, prosperuese dhe me shanse
të barabarta për të gjithë, si dhe të inkuadrohet në proceset e integrimeve
euroatlantike. Në Kosovë janë mbajtur katër palë zgjedhje të lira dhe të
ndershme, nga të cilat kanë dalë institucionet demokratike të Kosovës, që janë funksionale dhe të ndërtuara në bazë të parimit pozitë-opozitë.
Megjithatë, kalimi nga faza emergjente e ndërtimit të pasluftës në fazën e
zhvillimit të qëndrueshëm social e ekonomik po shoqërohet me probleme në
rritjen ekonomike dhe ashpërsim të gjendjes sociale, në efektivitetin e
strukturave qeverisëse, transferimin e ngadalshëm të kompetencave nga UNMIK-u
tek institucionet kosovare, problemet e integrimit të minoritetit serb dhe
kthimin e të zhvendosurve nga Kosova: ekzistenca e enklavave jashtë tërësisë
institucionale të Kosovës, ngjarjet e marsit dhe pasojat e rënda të tyre,
problemet në marrëdhëniet me Serbinë dhe personat e zhdukur. Të gjitha këto
paraqesin anën tjetër të realitetit. Ato shprehin ndërlikueshmërinë e
realitetit kosovar. Raportet ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në
Kosovë kanë shënuar një ndryshim pozitiv në raport me periudhën e kaluar,
respektivisht nga koha e ngjarjeve të marsit 2004, ngjarje këto që patën
rënduar këto raporte. Në një masë bojkotimi i votimeve nga serbët e Kosovës në
zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar do të ndikonte negativisht në raportet
ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, dhe para së gjithash në integrimin
e pakicës serbe në institucionet qendrore të Kosovës. Sidoqoftë, angazhimet e
vazhdueshme të qeverisë së Kosovës, si në kohën kur kryeministër ishte Ramush
Haradinaj, ashtu edhe tanimë në drejtimin e kryeministrit Bajram Kosumi, kanë
krijuar një tendencë pozitive dhe një politikë më integruese në krahasim me
periudhën e kaluar. Si rezultat i kësaj ka ndodhur një shtensionim i
marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, respektivisht një komunikim
ndëretnik më intensiv dhe një inkuadrim i grupeve etnike në administratën
lokale dhe qendrore të Kosovës.
Botuar në gazetën Ballkan - Korrik 2005
No comments:
Post a Comment