
Nga Leonard Veizi
Në fundin e viteve ‘50, qeveria italiane dërgoi në Shqipëri një gjeneral
brigade me misionin e mbledhjes së eshtrave të ushtarëve që u vranë gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte 68-vjeçari Domeniko Bandini, i cili qëndronte
në dhomën “13” te Hotel Dajti në Tiranë. Numër tersi për një ushtarak që nuk
drejton më një divizion që lufton të marrë territore, por mbledh disfatat e
kolegëve të tij. Kësaj të vërtete historike Ismail Kadare i ka veshur dhe tisin
e tij fiksonal, duke i bashkangjitur misionit të gjeneralit të dëshpëruar e
fatkeq dhe një prift.
Me shumë gjasa, qeveria gjermane, në po në të njëjtën periudhë kishte të
njëjtin objekt, por këtë herë, sipas trillit të Kadaresë, ushtaraku me gradën e
lartë të gjeneral lejtnantit ishte i shoqëruar dhe me një kryetar bashkie.
Misioni ishte i njëjtë: Të gërmonin tokën e të nxirrnin prej andej çfarë kishte
mbetur nga trupat e ushtarëve të vrarë. Skeletet dezinfektoheshin me “Universal
62”, mblidheshin në thasë najloni të kaltër me dy vija të bardhë e një shirit
të zi, e më pas të futeshin në arkivole të vogla të përbërë nga dru kompesatoje
dyfishe e të lyera me bojë zmalto të bardhë.
Çast deliri në një prolog romani, për një situatë trilleri e të
vajtueshme.
Por le të kthehemi me këmbë në tokë.
Në po të njëjtën periudhë kohore, qeveria greke as që mendonte të niste
ndonjë nga gjeneralët e armatës së saj drejt Shqipërisë. Pesëmbëdhjetë vjet pas
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore mes Tiranës dhe Athinës nuk kishte asnjë
përfaqësues diplomatik. Prej mbi 30 vitesh ato ishin prishur. Dhe sebep ishte
bërë sulmi i ushtrisë së Benito Musolinit drejt Athinës, pikërisht nga kufiri
Shqiptar, shtet të cilën Fasho e kishte aneksuar një vit më parë se të fillonte
kjo luftë. Në vitin 1967 në Greqinë fqinje mbizotëronte “junta e kolonelëve”.
Gjeneralët kishin dalë nga skena. As që mund të mendohej për misione. Pas më
shumë se 30 vjet shkëputje në vitin 1971 marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës
dhe Athinës u rivendosën. Por do të duheshin më shumë se 30 vjet të tjera që
nga Athina të vinte kërkesa, e çuditshme fillimisht, por me një prapavijë të
fortë: varreza e memorialë për ushtarë grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke
në vitet 1940-1941, pikërisht në territorin shqiptar.
Grekët nuk i morën të rënët e tyre.
Të afërmve të këtyre të vrarëve u kanë munguar varri me eshtrat e vërteta,
ku të kishin mundësi të qanin e të ndiznin një qiri. Por duket se çështja ishte
“konservuar” për një qëllim më madhor.
A përbën ky një precedent?
Nuk besoj, gjithsesi.
Në vitin 1975, pas arritjes së një marrëveshje të përbashkët, qeveria
shqiptare gjithashtu dërgoi në Jugosllavinë fqinje 4 ekipe, ku tërhoqi eshtrat
e partizanëve shqiptarë të inkuadruar në divizionin V dhe VI të ushtrisë
nacionalçlirimtare, të cilët kishin dhënë jetën në përpjekje me trupat naziste
të Rajhut III.
Rivijmë sërish te çështja e nxehtë.
Misioni i qeverisë greke ka dështuar. Dhe kjo nuk përbën më lajm. Varrezat
janë ngritur e do të ngrihen, sipas një vendimi mes dy palëve, por lajmi që
poshtë pllakave të bardha të varreve, gjenden arkivole pa eshtra u bënë objekt
i talljes ekstreme, me pamflete, groteske televizivë dhe deri tek një
film artistik me sens të theksuar humori.
Megjithatë parodia vazhdon.
Për ne shqiptarët po thuhet gjithnjë e më shpesh se ndjenjën më të madhe
atdhetare e kemi kur luan kombëtarja. Se nuk jemi aq nacionalistë sa grekët e
as sa serbët. Pra jemi disi më kozmopolitanë sa popujt e tjerë të Ballkanit.
Dhe ajo që thuhet më së shumti ka të bëjë me faktin se varrezat po ndërtohen në
një zonë ku Greqia ka pasur pretendime territoriale dhe ekziston kufiri i
hamendësuar i Vorio Epirit. Këtu ndoshta asnjanësit, ata që na shohin pa
emocion, kanë të drejtë. Se ja... vjen një turk e kërkon ndryshimin e librave
të historisë, pasi iu dhimbka dështimi i turpshëm i dy sulltanëve në muret e
kalasë së Gjergj Kastriotit. E ne fshihemi pas gishtit, edhe pse monumentin e
Heroit e kemi në qendër të kryeqytetit. Pastaj vjen një grek që ëndërron helenizimin
e jugut të Shqipërisë qoftë dhe duke shfrytëzuar të vdekurit e një lufte që ka
mbaruar 70 e ca vite më parë. Ne vazhdojmë po njëlloj, dhe vetëm hedhim ndonjë
foto në facebook, duke formuar me pëllëmbë simbolin e shqiponjës, e
duke sharrë vend e pa vend.
Po, po... Front i dobët. Çahet me dy të shtëna pushke e një mjet të
blinduar.
Ndërkohë, partnerët tanë, strategjikë e jo të tillë, vazhdojnë të
këmbëngulin në të tyren, qetësisht dhe pa e ndërprerë procesin asnjëherë.
Në Shqipërinë e jugut do të hapen sërish varreza për ushtarët grekë, me
arkivole ku do të ketë eshtra, dhe nga ata krejt bosh, si në rastin e Kosinës.
Pritet vetëm ndryshimi i historisë... mos qoftë thënë...
Por gjithsesi, duket se fjalia tek “Gjenerali...” që Kadare e ka vënë në
gojën e një fshatari: “Bën mirë që mbledh ushtarët e vrarë, sepse çdo rob i
perëndisë duhet të prehet në vatanin e vet”, nuk pi më ujë. Në të kundërt,
grekëve do t’u duhej të nisnin për mision në shkrepat e jugut të Shqipërisë, jo
një kolonel me një prift a peshkop nga pas, por një gjeneral major shoqëruar
nga një kryepeshkop për të bërë meshën e fundit.
No comments:
Post a Comment