Friday, March 4, 2022

Lufta filloi, ushtria shqiptare “ngre duart përpjetë”


Nga 
Leonard Veizi
 
Lufta nisi. Nuk ishte e pabesueshme, edhe pse fillimisht u duk e pabesueshme. Në fakt, asnjëherë nuk besohet se një konflikt i armatosur do të ndodhë. Edhe kur Hitleri theu kufirin polak e hyri në Varshavë askush nuk besonte se lufta do niste vërtet. Edhe kur Putini e çau kufirin Ukrainas dhe tanket rrethuan Kievin duke hipur dhunshëm mbi makinat e civilëve, askush nuk e besoi se kjo do të ndodhte vërtet, pavarësisht seriozitetit të presidentit rus.
Tanimë lufta është ndezur. Makineria është vënë në punë dhe deri në ndalimin e plotë të saj do të duhet kohë. Edhe pse organizmat ndërkombëtarë po marrin masa e po nënshkruajnë rezoluta. Por historia ka treguar se po plasi lufta, për letra me vulë e firmë nuk pyet njeri, ndaj dhe Hitleri i grisi disa nga pikat e marrëveshjes Molotov – Ribentrop, dhe nisi operacionin “Barbarossa” duke shkallmuar kufijtë e shtetit sovjetik me “luftën rrufe”.
Në rastin konkret janë disa shtete të cilat duan të lajnë hesapet e mbetura pezull nga e kaluar. Prandaj rroftë sebepi. Ndaj nuk është çudi që një konflikt i konsideruar si rajonal për çastin, të kthehet në një trend botëror. Dhe ata që kanë marrë atributin për të bërë parashikime, - si Baba Vanga apo Nostroadamusi, - thonë se pika më e nxehtë nga ku mund të zgjerohet konflikti është pikërisht Ballkani.
Dhe sa e rrezikuar është Shqipëria në këtë mes?
Fare. Po fare-fare. Sepse nëse ndokush që ka bërë plane e do t’i shkrepet në mendje të na pushtojë, atë do ta bëjë shpejt dhe pa humbje. Nuk do duhen disa ditë për të hyrë në Tiranë, por vetëm disa minuta. Dhe kjo nuk do shumë llogari për t'u bërë: sepse ne jemi të kapitulluar para se të nisi ofensiva. Në Shqipëri, - dikur një vend tepër i fortifikuar e me armatim sa për të furnizuar gjysmën e Evropës, - sot do gjesh veç koburet e policëve dhe automatikët që përdorin forcat komando. Por për be nuk e gjen një mitraloz 12.7 milimetër. Një top dygrykësh të kalibrit 37,... le më të bëhet fjalë për gryka të rënda 85 milimetër, 100 apo 120.
Edhe ushtarët profesionistë i paguajmë me aq rrogë sa ata janë gati ta hedhin pushkën në ferra e pastaj të çajnë ferrën. Rezervistë po e po nuk kemi. Veç në mbajmë shpresë tek Forcat Vullnetare. Pra, tek ata që kanë dëshirë t’i bashkohen kauzës në mbrojtje të kufijve territorialë. Por dhe atyre u rroftë vullneti, se me duar nuk luftohet sot.
Pastaj pallavrat se jo po na mbron NATO..., jo po Traktati i Varshavës... janë fjalë në erë. Në këto raste duhet t’i dalësh zot vetes, sepse sipas asaj fjalës së urtë popullore: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”.
Po pastaj?
Në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, - qoftë dhe për shkak të mendjes diabolike të njeriut të vetëm, - Shqipëria u armatos deri në dhëmbë. Kishte në statistika 25 mijë oficerë dhe nënoficerë, 60 mijë ushtarë të gatshëm, të paktën 1000 tanke rreth 240 avionë dhe helikopterë. Pa përmendur brigadat dhe regjimentet e artilerisë kundërajrore, me 4000 gryka zjarri të kalibrave të ndryshëm. Por dhe nja 200 raketa tokë-ajër. Municion pa fund. Dhe mund të bëjë një rezistencë të gjatë përballë një armiku shumë më të fortë. Sepse dhe Ukraina nuk po bën më shumë se kaq.
Sot ky arsenal nuk ekziston.
Në vitin 1975 armatimi i ushtrisë shqiptare ishte nga më modernët në rajon, duke qenë se u furnizuam që në fillim me një skuadrilje prej 12 avionësh MIG 21, e cila ishte fjala e fundit e aviacionit luftarak për Lindjen. Katër nëndetëset në kuadër të Traktatit të Varshavës erdhën me “0” kilometra, nga baza e Kaliningradit.
Pas vitit 1975 ndërsa vendet e tjera rreth nesh po armatoseshin me shpejtësi dhe mbajtën të njëjtin ritëm, ushtria shqiptare mbeti prapa. Por deri në vitet 2000 gjithsesi arsenali i saj ishte në gatishmëri. U deshën vetëm 20 vite që gjithçka të kthehej në asgjë.
Dikur, ministria e Mbrojtjes, - si godinë, - kishte gjysmën e kapacitetit dhe pa ajër të kondicionuar, por mbante nën hyqëm të paktën 21 divizione të ndara në tre Fronte, apo thënë ndryshe në tre Armata. Në varësi të Shtabit të Përgjithshëm ishin dhe komanda e Forcave Ajrore ato Detare, Divizioni i Xhenios dhe njësi speciale.
Shkurt, mund të cilësoheshim si një shtet ushtarak.
Sot struktura e ushtrisë ka hyrë në ujë. Qeveritarët e të gjitha kabineteve janë shprehur se ne nuk kemi këllqe ta modernizojmë ushtrinë me mjete të reja. Jemi mjaftuar vetëm me disa helikopterë, gjysma e të cilëve nuk ngrihen në fluturim. Të tjerët janë për emergjenca civile. Por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të hedhë një kovë ujë kur pyjet marrin flakë. Praktikisht ajrin tonë e kontrollojnë një çift avionësh, herë italianë dhe herë grekë, në kuadër të NATO-s. Tek forcat detare, nga 100 anije të ndryshme, bashkë me nëndetëset, kemi mbetur me katër anije patrulluese.
Ushtria sot ka në përbërje të saj vetëm një brigadë komando dhe disa batalione. Po t’i mbledhësh të gjithë këto në një njësi, ato duhet të drejtohen prej një ushtaraku që mban gradën e kolonelit. Mirëpo në organika janë të pakën 10 gjeneralë të ushtrisë shqiptare ku një pjesë ka kaluar në rolin e këshilltarëve të burrave të shtetit. Ndërkohë që sipas termave ushtarakë, një gjeneral brigade, - që është dhe grada më e ulët e një gjenerali, - duhet të ketë 10 mijë burra nën armë.
Si justifikohen gradat në një ushtri inekzistente?
Sot godina e ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka kaluar në ambientet e ish-Akademisë Ushtarake, ka dyfishin e kapacitetit. Ambientet janë fantastike, me tapet te dera kryesore dhe ajër të kondicionuar. Por se çfarë platformash mbrojtjeje hartohen aty në dobi të sigurisë kombëtare, nuk është në gjendje ta thotë njeri?! Madje as ministri vetë dhe as shefi i shtabit të përgjithshëm, që gjithsesi e ka gradën e gjeneral majorit.
Nëse konflikti, - me një hipotezë të hedhur ashtu në tym, - do të zhvendosej nga Lindja drejt Ballkanit, dhe ne si shqiptarë do të ndiheshim të rrezikuar, çfarë do të bëjmë....?
Të mbajmë shpresë te NATO pa zbrazur vet asnjë pushkë? A ka kandar që e mban këtë? Mendoni se do vijë të vritet këtu një ushtar amerikan, francez apo italian dhe ne do qëndrojmë duarkryq se demek “nuk kemi mjetet e nevojshme”. Sepse në emër të demilitarizimit i zhdukëm të gjitha armët që kishim, ku ca i premë me sharrë elektrike, me ndihmën e aktorit Majkëll Dagllas që erdhi deri në Gramsh për spektakël, e ca i shitëm si mundëm në tregun e zi.
Sot në Shqipëri ka armë me të cilët mund të vrasim njëri-tjetrin, por jo të mbrojmë Atdheun.
Dhe meqenëse bunkerët i prishëm e u morëm hekurin për skrap, nuk kemi as ku të fshihemi. Ndaj jemi me duar përpjetë që në fillim të konfliktit.
-Ejani o vëllezër, futuni brenda... Mirë se na erdhët!
Se do t’i thuash derrit dajë, kur nuk ke nga ia mban.
Por ne jemi me shpresën se konflikti nuk do zgjerohet. Dhe shpresa vdes e fundit.
 

No comments:

Post a Comment