Eksodi - 7 Mars 1991
31 vjet më parë në qytetin port të Jugut të Italisë,
zbarkuan 27 mijë shqiptarë në një ditë të vetme
Me një nxitim përndjekës dhe emocion të panjohur deri në ato çaste, ata nuk pritën sa paretet anësore të anijes të mbështeteshin mbi gomat e mëdha të bankinës dhe cimat e trasha të lidheshin fort pas hekurave të kalatës, por u hodhën nga bordi drejt pistës prej betoni duke ngritur dy gishtat përpjetë dhe thirrur me të madhe: Italia-Italia.
Shqiptarët kishin prekur së fundmi botën e madhe të Perëndimit.
Pyetjet që u shtruan në media gjithfarësh, nga reporterë e gazetarë që mbërritën njëherazi për të parë “spektaklin” kishin të bënin sa me lirinë e këtyre njerëzve të hutuar e pa orientim, po aq dhe me gjendjen ekonomike, e cila transmetohej në fytyrat e tyre dhe në veshjet gati uniformë e të një mode që kishte perënduar prej vitesh.
Çfarë po kërkonin këta njerëz që po vraponin ethshëm të kapnin brigjet e asaj që me mendjen e tyre ravijëzohej si “bota e lirë”: një jetë më të mirë, liri mendimi dhe shprehjeje e për ca dinjitet me shumë? Atë dinjitet që kishte humbur në aksionet vullnetare, në rritjen e normave për punë të papaguar, në rradhët e gjata të qumështit e vajgurit dhe në tollonin e mishit...
Deri në ato çaste të gjitha ata dhe të tjerët që kishin mbetur pas, jetën e kishin kaluar në një kamp të madh përqendrimi, rrethuar me klon, posta ushtarake me mitrioloza në gatishmëri, e piramida ku poshtë simboleve bolshevike shkruhej me të kuqe RPSSH. Ishte vendi ku punohej me turne gjashtë ditët e javës për të siguruar një jetë krejt të thjeshtë dhe ditët e pushimit mbusheshin me mbledhje propagandistike në zbërthim të fjalimit të Kongresit, Plenumit apo direktivave që dilnin kohë pas kohe nga zyrat e Komitetit Qendror.
Ishte jeta në Shqipërinë socialiste...
Bënte ftohtë dhe deti kishte qenë vazhdimisht i trazuar gjatë gjithë natës. Por ata kishin lundruar, ashtu kuturu, pasi kishin detyruar disa oficerë marine dhe timonierin brenda urës së komandimit, të mbanin kursin drejt portit më të afërt përballë brigjeve vendase. Dhe mëngjesi i zuri në Brindizi.
Ishte e enjtja e 7 Marsit të vitit 1991.
Tetë muaj më parë, në korrik të vitit 1990, shqiptarët e kishin bërë një tjetër “hata” të madhe, ku të paktën 5000, duke shembur mure e duke u hedhur nga kangjellat metalike, prej tyre kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore të akredituara në Tiranë.
Fundi i vitit 1990 kishte sjellë ndryshime të papara në jetën politike dhe sociale të Shqipërisë. Ndërsa një muaj pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në qendër të kryeqytetit, eksodi i shqiptarëve drejt Italisë filloi me mbërritjen, në vetëm 24 e njëzet e katër orë, të rreth 27,000 njerëzve. Anije të ndryshme, tregtare dhe peshkimi, mbushur me njerëz të varfëruar skajshëm e mllefosur deri nën hundë, shkëputeshin dhunshëm nga portet e Durrësit e të Vlorës. Një pjesë i përkisnin shtresave vunerabël, të cilët nuk kishin çfarë të humbnin në Shqipëri, sepse edhe shtëpitë i kishin me qira, por dhe puna e lodhshme në uzina e miniera u siguronte vetëm 5000 lekë të vjetra në muaj. Por kishte dhe shumë intelektualë, inxhinierë dhe instrumentistë orkestrash, që kishin marrë rriskun për të hipur në ato anije. E midis tyre gjeje dhe ushtarakë, oficerë e ushtarë të thjeshtë, që kronikat e kohës i tregojnë duke dorëzuar armët tek autoritetet portuale të Brindizit, të cilët mundoheshin të administronin mësymjen e paparë, nga “pushtuesit” e paarmatosur.
Por kishte dhe shumë familjarë që guxuan të merrnin e vete, - në një aventurë që nuk dihej se si do të përfundonte, - dhe fëmijë të sapolindur me vete. Dukej sheshit se shpirti u kishte ardhur në “majë të hundës”, ndaj kërkuan të mbërrinin me çdo kusht në Itali, duke udhëtuar fare pak milje a kilometra, por që në atë kohë, me ndarjen e botës në blloqe kundërshtare, dukej vite dritë larg.
Në harkun kohor të 30-orëve mbi 24 anije u ankoruan në bankinat e portit të Brindizit. Statistikat e atyre kohëve thonë se ishin rreth 27 mijë shqiptarë, ndërkohë që vetë qyteti port i Jugut të Italisë nuk i kapte 90 mijë banorët.
Anija e parë me 4000 persona në bord ishte “Liria”. Transoqeaniku "Tirana" që sipas pamjeve filmike duket e akostuar tek bankina “Sant' Appollinare” kishte zbarkuar 3000 vetë të tjerë. Ndërsa anija “Legend” e mbiquajtur “panamezja” udhëtoi me 5000 vetë në bord. Dhe pastaj do të mbërrinin me rradhë anijet e thera: Butrinti, Sazani, Sopoti, Alba, Kallmi, Apollonia, etj.
Italianët ishin zënë në befasi. Ishin krejt të papërgatitur për këtë “pushtim”. Dhe vetë shërbimi sekret nuk kishte ndonjë informacion të saktë.
Dukej se shqiptarët ishin krejt spontanë në këtë veprim, aspak të organizuar, sa për të kuptuar se çfarë pritej të ndodhte.
“Brindizianët hidhnin nga dritaret qeset plot me ushqime”, citohet të ketë thënë vite më vonë, - për mediat italiane, - ish-kryetari i bashkisë së Brindisit, Pino Markiona.
“Dritat në shtëpi, zyra dhe shkolla nuk u fikën për tri ditë. Një popull i tërë hapi dyert dhe vuri në dispozicion kohë, forcë dhe mallra për të na pritur. Ishte një mrekulli”. - Kjo është vetëm një nga dëshmitë e shumta të kohës nga shumë shqiptarë që më pas u integruan në strukturën shoqërore të Italisë.
Më pas kryebashkiaku Markiona, foli me banorët e Brindisit përmes radios dhe TV lokale: - “Më duhej të isha qetësues, sepse plaçkitja e një dyqani ushqimor do të kishte mjaftuar për të nisur një luftë me gishta të zhveshur. Unë thashë: ‘Ata janë vetëm të uritur dhe të ftohtë, ndihmoji ata’. Mesazhi i regjistruar që në 08.00 të mëngjesit, transmetohej çdo 15 minuta gjatë gjithë ditës. Në orën 13:00 pata sinjalin e parë: njerëzit po hidhnin nga dritaret qeset plot me ushqime”, - ka dëshmuar ai më pas për mediat italiane.
Ishte një garë solidariteti e paprecedentë. Prefekti Antonio Barreli kërkoi që rreth dyzet shkolla, të shndërroheshin në konvikte. Ndërsa kryebashkiaku Markiona kërkoi nga mensat e kompanive të gatuanin dymijë vakte të tjera në ditë. Të tjerat i bënë brindizianët. Vetëm mesditën e pesë ditëve më vonë, do të fillonin të mbërrinin ndihmat e para nga Roma.
“Bukë e liri, këtë kërkuan shqiptarët e mbërritur në rrugë detare atë ditë marsi në Brindizi. Dhe Brindizi u përgjigj” – do të shkruanin mediat ato ditë të vështira, ku shqiptarët në mes të të ftohtit të fillim marsit qëndronin në kalatën e portit të Brindizit të mbuluar me plastmas.
Kjo ishte përpjekja e parë.
Mbërritja e dytë masive do të bëhej më 8 gusht të po atij viti, me ankorimin në portin e Barit të transoqeanikut “Vlora”që nisej nga Durrësi, me njëzetmijë emigrantë në bord.
Ato pamje edhe sot jehojnë në kujtesën e kujtdo.
...Eldorado...
Shqiptarët gjetën Amerikën në Italinë fqinje.
No comments:
Post a Comment