Tuesday, March 10, 2026

1981 – Pranvera e madhe e Kosovës, zgjimi kombëtar që kërkoi Republikën


Nga Leonard Veizi
 
Marsi vitit 1981 ishte kthesa e madhe historike që vulosi fillimin e fundit të zgjedhës jugosllave mbi shqiptarët. Ajo që nisi në mensat dhe auditorët e Universitetit të Prishtinës u shndërrua rrufeshëm në një kryengritje dinjitoze popullore, duke artikuluar për herë të parë, qartë dhe zëshëm, vullnetin e patjetërsueshëm: Kosova Republikë...
 
...Pranvera e vitit 1981 nuk ishte thjesht një shpërthim spontan. Ajo ishte kulmi i një tensioni historik të akumuluar për dekada. Nën sipërfaqen e një federate që propagandonte parullën e “vëllazërim-bashkimit”, në realitetin e përditshëm të Kosovës mbizotëronte një pabarazi e thellë politike, ekonomike dhe kulturore. Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë, por mbeteshin një popull me të drejta të kufizuara në kuadër të Jugosllavia. Prandaj shpërthimi i vitit 1981 ishte shumë më tepër sesa një revoltë studentore. Ai ishte një çast ndërgjegjësimi kombëtar.
 
Nisja
Në mars të vitit 1981, studentët e Prishtinës, të lodhur nga diskriminimi i hapur dhe kushtet degraduese të jetesës, u bënë zëri i një populli të tërë të shtypur. Ndonëse shkëndija e parë u ndez për çështje sociale, brenda pak orësh kauza mori trajtën e saj të vërtetë: Liri dhe Barazi.
Në auditorët dhe konviktet e universitetit u artikulua një vetëdije e re politike. Brezi i ri nuk kërkonte më vetëm përmirësime të përditshme; ai kërkonte dinjitet kombëtar dhe barazi institucionale.
Përballë padrejtësisë sistematike të Beogradit, studentët shqiptarë treguan një pjekuri politike të jashtëzakonshme. Thirrjet e tyre nuk ishin thjesht kërkesa për ushqim, por klithma për drejtësi historike:
“Kosova Republikë!” – një kërkesë legjitime për status të barabartë në një federatë që i trajtonte shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë.
“Jemi shqiptarë, jo jugosllavë!” – një riafirmim i identitetit kombëtar që nuk mund të zhbëhej nga ideologjia federale.
Në thelb, studentët kërkonin një gjë të vetme: barazi politike me republikat e tjera të federatës.
 
Plebishiti i rrugës
Ajo që autoritetet jugosllave tentuan ta minimizonin si një “revoltë konviktesh”, u përhap si zjarri në çdo cep të Kosovës. Demonstratat nga Prishtina u përhapën në qytete të tjera si Prizreni, Peja dhe Mitrovica. Punëtorët e fabrikave, nxënësit e shkollave të mesme dhe intelektualët braktisën heshtjen dhe iu bashkuan rinisë. Ky ishte çasti kur protesta studentore u shndërrua në një plebishit të rrugës. Sheshet e qyteteve u kthyen në tribunë politike të popullit shqiptar në Kosovë.
Në thelb, demonstratat e vitit 1981 treguan një të vërtetë që Beogradi nuk donte ta pranonte: ideja e Republikës ishte rrënjosur thellë në ndërgjegjen kolektive.
 
Dhuna e regjimit
Reagimi i Beogradit zbuloi fytyrën e vërtetë të shtetit jugosllav. Në vend të dialogut politik, autoritetet federale zgjodhën forcën brutale. Kosova u shpall zonë e gjendjes së jashtëzakonshme. Njësi të shumta policore dhe ushtarake u dërguan në qytetet kryesore për të shtypur protestat. Tanket dhe automjetet e blinduara dolën në rrugët e Prishtinës. Demonstruesit u përballën me gaz lotsjellës, plumba dhe arrestime masive. Bilanci ishte i rëndë: qindra të vrarë e të plagosur, mijëra të arrestuar, dhe një valë dënimesh të rënda ndaj studentëve dhe intelektualëve shqiptarë.
Shumë prej tyre u dënuan si “irredentistë” apo “kundërrevolucionarë”, etiketa politike që përdorej për të kriminalizuar çdo kërkesë për barazi. Në të vërtetë, ata nuk kërkonin asgjë më shumë sesa të drejtën për të qenë të barabartë në vendin e tyre.
 
Gurthemeli i Pavarësisë
Viti 1981 shënoi një pikë pa kthim në historinë politike të Kosovës. Pas asaj pranvere, iluzioni i ideologjisë së “Vëllazërim-Bashkimit” u shemb përfundimisht për shumë shqiptarë. Demonstratat treguan se sistemi jugosllav nuk ishte i gatshëm të pranonte barazi reale për shqiptarët. Nga ai moment, konflikti politik mes aspiratës shqiptare për vetëvendosje dhe strukturës federale jugosllave u bë i pashmangshëm.
Në këtë kuptim, viti 1981 mund të konsiderohet gurthemeli ideologjik i proceseve që do të pasonin. Pa guximin e studentëve të asaj pranvere: nuk do të kishte rezistencë politike të organizuar në vitet ’90, nuk do të kishte mobilizimin kombëtar që do të çonte drejt çlirimit, dhe ndoshta historia e Kosovës do të kishte marrë një drejtim tjetër.
 
Epoka e re
Pranvera e vitit 1981 mbetet një nga periudhat më domethënëse të historisë moderne të Kosovës. Ajo ishte çasti kur një brez i ri theu frikën dhe sfidoi hapur një sistem që dukej i pathyeshëm. Në retrospektivë historike, ajo pranverë mund të shihet si agimi i një procesi të gjatë politik, që do të kalonte përmes dekadash përplasjeje, represioni dhe rezistence, deri në transformimet e mëdha të fund shekullit XX. Historia e vitit 1981 na kujton një të vërtetë të thjeshtë: as tanket, as burgjet dhe as propaganda nuk mund ta shuajnë vullnetin e një populli që kërkon liri, barazi dhe të drejtën për të qenë zot në shtëpinë e vet. 

No comments:

Post a Comment