Monday, March 9, 2026

Sharon Stoun, bukuria e ftohtë që u kthye në ikonë të kinemasë

 


Leonard Veizi
 
Ka aktore që hyjnë në ekran në heshtje, duke u kërkuar leje dritëhijeve, dhe ka të tjera që shpërthejnë si një rrufe që ndriçon për një çast gjithë qiellin e kinemasë. Sharon Stoun i përket kësaj të dytës. Elegante, me një bukuri të ftohtë që ngjan me një skulpturë mermeri, por me një prani magnetike që përvëlon, ajo u bë një nga figurat më të paharrueshme të viteve ’90. Ajo nuk ishte thjesht "muza" e radhës; Stone ishte një uragan intelektual që sfidoi rregullat e lojës në Hollivud. Përmes vështrimit të saj depërtues dhe asaj buzëqeshjeje enigmatike, ajo ridimensionoi figurën e “Femme Fatale” – jo më si një viktimë e rrethanave, por si një grua që zotëronte çdo centimetër të hapësirës ku shkelte. Nëse kinemaja është një tempull i imazhit, Sharon Stone ishte ajo misteriozja e rrezikshme që guxoi të thyejë heshtjen, duke lënë pas një gjurmë që as koha e as harresa nuk mund ta zbehin...
 
...Për publikun shqiptar, ajo u njoh fillimisht nga një rol dytësor në filmin “Above the Law” që vjen në shqip “Mbi Ligjin”, i njohur gjithashtu në transmetimet televizive si “Niko”, ku ajo luante përkrah aktorit të filmave aksion Stiven Sigal. Edhe pse roli i saj ishte i vogël, prania në ekran la përshtypje dhe e bëri emrin e saj të fillonte të qarkullonte në industrinë e filmit.
Më pas erdhi filmi televiziv “Tears in the Rain” apo siç vjen në shqip “Lot në shi”, ku ajo interpretonte personazhin Kethrin. Ky rol kishte një ton më dramatik dhe tregonte se përtej bukurisë së saj të spikatur, Sharon Stoun kishte edhe potencial të vërtetë interpretimi.
Por shpërthimi i saj i madh erdhi në vitin 1992 me filmin legjendar “Instinkti bazë” apo siç njihet në orgjinal  “Basic Instinct”. Në këtë thriller të famshëm ajo interpretoi personazhin Kethrin Tramell, një shkrimtare misterioze dhe provokuese që bëhet qendra e një hetimi për vrasje. Përballë saj ishte aktori i famshëm Majkëll Dagllas, i cili luante detektivin që përfshihet në një lojë psikologjike të rrezikshme me të.
Roli i saj në këtë film e ktheu menjëherë në një ikonë të kinemasë dhe një seks-simbol botëror. Personazhi i saj ishte një kombinim i inteligjencës, sensualitetit dhe rrezikut – një figurë femërore që dominoi ekranin dhe hyri në historinë e filmit.
Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, Sharon Stoun arriti ta mbante nivelin e lartë me role të tjera të rëndësishme që u transmetuan gjerësisht edhe në televizionet shqiptare. Një prej tyre ishte filmi “Sliver” i njohur ndryshe si “Copëz / Apartamenti misterioz”, ku ajo luante përkrah aktorit Uilliam Bolduin. Historia zhvillohej në një ndërtesë luksoze në Nju Jork ku banorët spiunoheshin në mënyrë sekrete nga kamerat e fshehta, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe misteri.
Një tjetër moment kulmor në karrierën e saj erdhi me filmin “Casino”, një dramë e fuqishme e regjisorit Martin Skorseze. Në këtë film ajo interpretoi personazhin Xhinxher Mekenna, një grua karizmatike dhe tragjike në botën e errët të kazinove të Las Vegasit. Përkrah saj luante aktori legjendar Robert De Niro, dhe roli i saj i fuqishëm dramatik i solli edhe një nominim për çmimin Oscar.
E lindur në vitin 1958 në Meadville të Pensilvanisë, rrugëtimi i Sharon Stoun nisi larg dritave të verbuese të famës. Fillimet e saj si modele ishin vetëm uvertura e një simfonie më komplekse; një periudhë ku ajo përgatitej të sfidonte kornizat e thjeshta të bukurisë. Inteligjenca e saj e mprehtë, e shoqëruar me një elegancë të lindur, e bënë atë të mos mjaftohej me role kalimtare, por të kërkonte personazhe që kishin peshë, rrezik dhe shpirt.
Në fundin e shekullit XX, Stoun u shndërrua në arkitektet e një standardi të ri për gruan në Hollivud: e pathyeshme, intelektuale dhe plotësisht në kontroll të fatit të saj. Ajo vërtetoi se pas një vështrimi joshës mund të fshihej një forcë dramatike e jashtëzakonshme, duke kulmuar me interprete që tronditën botën dhe i dhanë asaj mirënjohjen e kritikës dhe nominimet për çmimet më të larta të industrisë.
Sot, emri i saj nuk është thjesht një shënim në historinë e kinemasë, por lidhet me një epokë të tërë të artit të shtatë – një kohë kur thrilleri psikologjik, drama njerëzore dhe sensualiteti i matur krijuan disa nga momentet më të paharrueshme të ekranit të madh. Dhe në qendër të këtij universi qëndron ajo: Sharon Stoun. Aktorja që diti ta kthejë misterin në poezi dhe elegancën në një armë artistike, duke mbetur, edhe sot e kësaj dite, rrufeja që vazhdon të ndriçojë qiellin e kinemasë botërore.

No comments:

Post a Comment