Profesori e hapi
menjëherë dosjen, nxori letrat dhe i hodhi një sy të shpejtë faqes së parë.
Pastaj hapi një tjetër.
- Po kjo? - më
pyeti.
- Relacioni, -
thashë menjëherë, se e prisja pyetjen. - Ose, më saktë, një shtesë që ia
bashkëngjita relacionit. Është më shumë një refleksion për ngjarjen, s’di si ta
përcaktoj. Gjithçka që munda të mblidhja si informacion. Por ndoshta nuk është
e nevojshme…
Zgjata dorën për
ta marrë, por shefi i pavionit më pengoi.
- Jo, - më tha. -
Po e lexoj…
Relacion për
vdekjen e Sofia L.
Duhet të ketë qenë
ora tetë e gjysmë e atij mëngjesi gjysmëvjeshte, kur ajo, me sy disi të
përgjumur, por me mendje krejt të kthjellët, përshëndeti prindërit në dhomën e
ndenjjes dhe u tha se do të shkonte në tualet, të lante sytë me ujë të ftohtë,
dhëmbët me furçën krejt të re të sapohequr nga ambalazhi dhe të bëhej gati për
të ngrënë mëngjesin, që e ëma po ia përgatiste gjithë merak. Por në fakt nuk u
nis për në vend-mbërritjen e paralajmëruar; ajo përshkoi ata pak metra korridor
për t’u rikthyer sërish në dhomën e saj të gjumit, nga kishte dalë pak çaste më
parë e ku shtrati ishte ende i parregulluar. Ngriti qetësisht grilën që kishte
zënë ndryshk, dhe u përball me rrezet e diellit të mëngjesit, të cilat vërshuan
në dhomë, në të gjithë cepat e saj, deri në skutën më të errët. Por, duket se
as kjo mrekulli e natyrës nuk e bëri të
tërhiqej nga vendimi që kishte bluar në mendjen e saj për të paktën dymbëdhjetë
orët e fundit. Hapi të dyja kanatet e dritares, vuri duart mbi parvazin e
ftohtë, pastaj u ngjit më këmbë dhe… i dha trupit përpara, për ta çuar deri në
fund aktin e saj të paramenduar.
Kështu duhet të
ketë ndodhur pak a shumë me Sofinë, edhe pse askush nuk e di më mirë të
vërtetën sesa vetë ajo. Veçse tani nuk mund të na thotë asgjë. Ka mbyllur sytë,
gojën, ka bllokuar të gjitha labirintet e trurit, dhe gjithçka tjetër që e
kishte munduar për vite me radhë në luftën e egër për ekzistencë.
Epilogu
Boria e
pandërprerë e një makine që çonte drejt urgjencës së spitalit trupin e saj
thuajse pa jetë, i alarmoi të gjithë, ndihmësmjekët, laborantët, madje edhe
vetë njerëzit e sistemit të sigurisë, të cilët me shpejtësi gati marramendëse e
çuan pacienten drejt e në platformë, atje ku mjekët ishin gati të ndërhynin. Ia
matën pulsin, pastaj… ia matën sërish. Dhe nuk u desh të kalonte shumë kohë për
të ngritur supet në shenjë pafajësie dhe për të vazhduar me shprehjen e radhës
gati monotone të ironisë së fatit: “Është tepër vonë, duhet ta kishit sjellë më
parë”. E pra, nuk duhej të kishin kaluar më shumë se gjashtë a shtatë minuta
nga çasti kur ajo, me një fluturim të lirë, krejt e pasforcuar në mendje e në
trup, ka përshkuar rënien prej gati tetëmbëdhjetë metrash nga dritarja e dhomës
së saj të gjumit, e cila ndodhej në katin e gjashtë të një pallati tetëkatësh,
deri në bordurën që ndante rrëzën e themeleve me anën e këmbësores. Përplasja e
mishit dhe e kockave me betonin e ngurtë me një forcë gati të përbindshme,
ishte fatale. I menjë-hershëm ishte edhe shpërthimi i gjakrrjedhjes së
brendshme për të mbuluar me gjakun e mpiksur gjithçka që dhuronte jetë.
Nata e fundit
Sofia L., një
vajzë e re, e cila atë ditë do të mbushte njëzet e pesë vjeç, bëri një gjumë të
shqetësuar. Mëngjesin e një dite më parë ajo ishte takuar me djalin e ëndrrave
të saj, i cili i kishte premtuar se ditën e përvjetorit të lindjes do t’i
shkonte për vizitë në shtëpi, ku jo vetëm do t’i uronte ditëlindjen, por dhe do
të takohej me prindërit e saj. Me sa dukej, që atë ditë ata do të quheshin të
fejuar zyrtarisht. Kjo ishte ndoshta paraditja më e bukur që prej shumë vjetësh
për Sofinë. Por duket se nata nuk ishte aleate e saj. Ndoshta nuk fjeti fare.
Ose ndoshta fjeti aq rëndë, sa gjithçka që ndodhi më pas, duhet të ketë qenë në
të njëjtën linjë imagjinare me atë që ndodhi në nënvetëdijen e saj në formën e
ëndrrës së parealizuar. Edhe pse mund të mendohet se ajo e donte jetën, sërish
logjika e ftohtë të çon në përfundimin e pashmangshëm se jeta e saj në ato
çaste nuk kishte më asnjë kuptim. Motivet papritur ishin rrëzuar njëri pas
tjetrit, si nën dridhjet e një tërmeti të beftë, edhe kur ajo u mundua të kapej
pas tyre për të mos i braktisur, deri në çastin e fundit. Por në fund mbeti
vetëm ajo, krejt e zbrazët përballë mureve të ftohta të dhomës së gjumit, që
nuk i krijonin më as imazhin e ngrohtë të jetës në familje.
Depresioni
Nëna e saj rrëfen
se Sofia ishte shumë e ndjeshme, çka, me sa duket, ia lëndonte vetë jetën. E
sforcuar për të përfunduar me rezultate të larta fakultetin e parapëlqyer,
Fizikë bërthamore, një ditë Sofia kaloi në gjendje depresive, për të cilën
mjeku i familjes bëri diagnozën e shpejtë “sklerozë multiples”. Dhjetë ditë më
pas, aparatura e ndërlikuar elektronike “Rezonanca magnetike”, e kryer në një
nga laboratorët më të mirë të vendit, përforcoi diagnozën e mjekut të klinikës
së vogël. Megjithatë asgjë për t’u shqetësuar deri në fund. Mjekime të forta,
pak kujdes dhe, më kryesorja, zënie e kohës me punë profesionale. Dhe jeta do
të vazhdonte për Sofinë.
Përpara se të
kalonte në faqen tjetër, shefi i pavionit i hoqi syzet dhe më vështroi drejt e
në sy.
- Je takuar me familjarët
e saj? - më pyeti.
Unë pohova me
kokë.
- Me prindërit e
saj dhe me mjekët e urgjencës. Doja të isha sa më i saktë në atë që do të
shkruaja. Këto ishin faktet që munda të mblidhja. Kisha parasysh se në fund të
fundit diagnoza dihej dhe ishte përcaktuar nga ky staf.
Shefi i pavionit i
hodhi sërish një vështrim faqes që sapo kishte mbaruar së lexuari, dhe tha:
- Interesante…
Pastaj vuri sërish
syzet dhe filloi të lexonte faqen tjetër.
Dëshpërimi
Për vite me radhë
Sofia, ndonëse vazhdimisht ishte nën kujdesin e plotë të të dy prindërve, nuk
ka mundur të sistemohet në asnjë punë për të qenë. Edhe pse profesoresha e saj
kujdestare kishte shumë besim tek ajo, sërish Sofia iu nënshtrua pjesës më të
keqe të fatit të saj. Kjo ka qenë një tjetër dramë, të cilën nuk e përballoi
dot. Një gjë e tillë do të ishte shumë e rëndë për të dhe do ta çonte
pashmangshmërisht drejt fundit fatal që e zgjodhi vetë. Dhe, që nga ajo kohë,
në mendje i ishin regjistruar vetëm konsulta mjekësh dhe buzëqeshjet që e
përcillnin duke mos i mundësuar një vend pune, qoftë edhe si asistente. E ëma
kujton se Sofia, edhe pse nuk tregonte, kishte nisur të mbante në mënyrë të
fshehtë ditarin e jetës. Vizatonte me laps në muret e dhomës së saj. Në fletore
të tjera shkruante poezi pa fund. Këto ia lehtësonin shpirtin e lënduar. Por
edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme. Dhe janë pikërisht ata rreshta që zbardhën të
vërtetat tronditëse të jetës së saj, pasi u ekzaminua si një e sëmurë kronike.
Dhe, natyrisht, çastet e fundit ishin edhe më të rënda për nënën, kur kujton se
si po ia përgatiste mëngjesin vajzës. Dhe nuk kishte as ndjesinë më të vogël se
ky mëngjes i papërfunduar do të ishte i fundit për të. Dëgjoi një zhurmë të
shurdhët dhe, pasi vështroi bashkëshortin në sy, pëshpëriti me gjak të ngrirë: “Çfarë
ndodhi?”. Doli menjëherë në dritare dhe u përball me pamjen më tronditëse që
mund ta çonte ndonjëherë në mendje në çaste vegimi një nënë: Sofia, vajza e saj, të cilën ajo e priste që të ulej në
tryezë, dergjej e shtrirë mbi këmbësoren
e boshatisur. Klithi me zë të çjerrë, u çlirua me gjithë fuqinë e
shpirtit të saj dhe, ashtu e zbathur, zbriti shkallët rrëmbyeshëm për t’u
gjendur vetëm në pak sekonda pranë së bijës që bulëzonte frymën e fundit të
jetës. Ia shtrëngoi kokën në gjoks, dhe… s’mban mend gjë tjetër.
Fundi
Sofia mbylli sytë
vetëm dy ditë më parë. Një ditë më pas trupi i saj me të gjitha stolitë që
kishte përdorur, u mbyll në arkivolin prej druri. Shtypi i ditës do të
shkruante se ajo ishte një viktimë e brishtë, ashtu si edhe shumë të rinj të
tjerë. Një e papunë e depresuar që
duket se kërkonte të hiqte dorë nga të qenët barrë për prindërit e saj. Dhe
zgjodhi rrugën më të vështirë të mundshme: u largua me dëshirën e saj, paksa si
të sforcuar, nga kjo jetë. Atë ditë do të mbushte njëzet e pesë vjeç. Ose ndoshta
i mbushi… por pa tortë me njëzet e pesë qirinj të ndezur, që duhet t’u frynte,
duke menduar për realizimin e shpejtë të një ëndrre të vjetër, dhe pa
shampanjën që shpërthen plot zhurmë pas heqjes së tapës. Atë ditë, të afërmit e
saj e qanë me ngashërime, duke u shtrënguar kokë më kokë me njëri-tjetrin, dhe
kujtuan si padashur kohët e shkuara, atëherë kur Sofia ushqente ambicie të
mëdha për jetën. E pra, ishte vetëm njëzet e pesë vjeç dhe iku e trishtuar nga
kjo botë…
Profesori ngriti
sytë nga faqja e fundit, pasi u përqendruar në fund të saj, ku ishte emri dhe
firma ime. Mbështeti dy parakrahët mbi dosjen e hapur dhe duke më vështruar në
sy më pyeti:
- Ke shkruar herë
tjetër ndonjë relacion vdekjeje?
- Jo, - iu përgjigja
me zë të thatë, duke e kuptuar se në atë
që kisha shkruar, kishte diçka që nuk përputhej shumë me një relacion të
zakonshëm mjekësor. - Kjo është hera e parë.
- Interesante…, -
tha ai. Pastaj uli kokën, hoqi syzet dhe e mbylli kapakun e dosjes pa thënë
asnjë fjalë më shumë.
No comments:
Post a Comment