Friday, May 28, 2021

Për pandeminë, shtetrrethimin dhe lirinë utopike


Nga Leonard Veizi
 

Pandemia vazhdon.
Prej ditësh çështja e zgjedhjeve, - e fitores së ndershme e legjitime apo e ndonjë vjedhjeje me dorën e majtë, si dikur maçoku me çizme, - ka rënë nga kreu i klasifikimit e ka kaluar si lajm i dorës së tretë.
Po aq lajm i dorës së dytë mbetet dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike që e kemi nga mesi i qershorit. Them lajm i dorës së dytë sepse sipas zërave që vijnë nga brenda PD-së, - edhe zërat nga jashtë merren parasysh këtu, - Lulzim Basha e ka të garantuar fitoren mes katër kandidatësh garues, kështu që zgjedhjet nuk do të kenë aq shumë interes. 
Jemi në situatë pandemie.
Megjithatë shtetrrethimi i shpallur nga qeveria nuk është më aq nopran sa të na mbajë mbyllur edhe ditën për diell. Për më tepër që maji po e mbyll plot shkëlqim ndërsa sipas të gjitha gjasave me qershorin nis me shëllim masiv mbi shezlonat e plazhit. Veç s’duhet harruar vaji me karotë, ndryshe u përcëllove.
Helbete, dimri i këtij viti na e nxori bojën fare. Na duhet një regjje e re.
Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh dhe këtë herë. Mjekë me emër e drejtues të institucioneve shëndetësore. Lançuan ca masa lehtësuese. Me qëllim që t’u vijë në ndihmë njerëzve. Por jo se kufizimet u hoqën tërësisht. Sepse edhe kjo u vjen në ndihmë njerëzve. Pra Komiteti Teknik veproi sipas parimit: “mishi të piqet e helli të mos digjet”. Nga ora 23.00 e mbrëmjes deri në 06.00 të agimit nuk do të ketë lëvizje. Koha më e mirë për të fjetur. Si në Kampin e Pionierëve.
Pandemia vazhdon.
E megjithatë njerëzit tashmë janë më të lirë. Nuk ka nevojë më të mbajnë maska në rrugë. Edhe pse një gjë e tillë ishte bërë fakt i kryer prej të paktën një muaji, duke shpërfillur gjithashtu edhe ca masa të tjera. Por tani e kemi të ligjëruar thithjen e ajrit pa pengesë të ca oksigjen të pastër... e më shumë dioksid karboni.
Virusi nuk e ka mbyllur ciklin afatgjatë.
Të paktën 750 mijë shqiptarë e kanë bërë nga një dozë vaksine dhe shumë nga këta i kanë marrë të dyja dozat. Ca kineze, ca amerikane, e ca të tjerë ruse. Ja kështu e kemi rregulluar punën. Se ndryshe mbeteshim me gisht në gojë. Për më tepër, të mërkurën e 26 prillit, pas 244 ditësh vdekjesh të vazhdueshme, nuk u shënua asnjë viktimë nga Covid-19. Kjo është një datë për t’u shënuar, por jo aq sa të shpallet kreshmë. Dhe nëse do të besojmë katërcipërisht se vaksinat na kanë marrë në mbrojtje, të paktën për nja 6 a 8 muaj mund t’i gëzohemi lirisë së përkohshme.
Por dhe kjo ka koston e vet. Se kopenë po e lëshove nga vatha... aha...
Është ulur ndjeshëm numri i viktimave nga Covidi, por është rritur ai i vrasjeve dhe vdekjeve aksidentale. Pa përmendur ata që deri dje i cilësonin “me sëmundje bashkëshoqëruese”. Se edhe sëmundjet bashkëshoqëruese të çojnë në “Shën Triadhë”. Dhe numri i viktimave mbetet i njëjtë. Pra, ku jemi: hiçgjëkundi. Ishim më mirë kur ishim keq. Këtë gjë e kam thënë edhe në një shkrim të mëparshmin. Mirëpo thonë se përsëritja është nëna e dijes, edhe pse për djall ka baba mërzinë.
Shifrat e statistikat kanë hyrë në një bilanc pozitiv. Dhe njerëzit duket se janë të kënaqur me kaq. Hë për hë. Se “oreksi vjen duke ngrënë” saktëson një fjalë e urtë. Megjithatë askush nuk është në gjendje të thotë se në të përfunduar të verës, - andej nga shtatori, apo tetori ndoshta, - a do të kemi sërish një riaktivizim të virusit?
Alarm ajror...
Çështja mbetet e hapur. Asnjë mjek apo epidemiolog nuk mund të garantojë diçka të pagarantueshme. Sepse Covidi, ose ata që e ndërsejnë atë, është dinak dhe mund të ndryshojë formë po aq sa kameleoni ngjyrën. Dhe të godet atje ku s’e pret.
Eh..., luftë.
Luftë the?!
Po, Po. E drejtë! Për më tepër statistikat thonë se në të gjithë botën, pandemia ka rezultuar me vdekshmëri më të lartë te meshkujt.
Domethënë, burrat që nuk i ka ngrënë plumbi i ha Covidi.
Kështu balancohet dhe numri i popullsisë në botë. Për aq sa mundet sigurisht.
Dashur padashur dalim tek teoritë që konspiracionistët, - ata të vërtetët, - nuk i hedhin anë e kënd rrjeteve sociale, po i kanë shkruar nëpër libra: “Këshilli i Treqindëve”, “Klubi i Romës”...
Shtetrrethimi vazhdon.
Ç’rëndësi ka në hiqet apo jo ora policore. Në del nga shtëpia një orë më herët dhe hyn një orë më vonë. Dikur ia mbyllëm ne dyert Evropës, e kishim klon që të mos guxonte kush të vinte këmbën ndër ne. Sot është Evropa që nuk të lë ta nxjerrësh këmbën nga gardhi. Në rastin më të mirë të kërkon pasaportën e vaksinimit si dhe një tampon 80 dollarësh ku të vërtetohet se nuk je i infektuar me Covid.
Jemi në situatë pandemie.
Liro, shtrëngo.
Vazhdojmë të jetojmë në burgje edhe pse jo në formën klasike të tij, një qeli dy me dy, hekura tek dera e dritarja dhe një WC një metër larg krevatit.
Pandemia vazhdon...
Shtetrrethimi gjithashtu.
Liria mbetet tek termat utopike të saj.

No comments:

Post a Comment