Nga Leonard Veizi
Sistemi shkollor është në prag të
provimeve. Temperaturat rriten kudo, brenda klasave dhe jashtë në natyrë.
Nxënësit që janë të ndjeshëm priren ta përjetojnë me nivele më të larta ankthi
para provimeve. Pakkush është aq i sigurt me veten sa të mos ketë emocione kur
afrohet një sezon i tillë. Sepse çdo herë e në çdo kohë ai ecën si mbi një teh
thike...
Testohen njohuritë e klasave të 5-ta, ato të klasës së 9-të dhe
sidomos të maturave. Shumë të rëndësishme për fatin e kujtdo. Të një nxënësi që
kërkon pikët maksimale, sepse kjo do t’i sigurojnë një degë të mirë, apo dhe
ndonjë bursë, por dhe për ata që kërkojnë pikët minimale aq sa për të marrë
diplomën, e cila gjithashtu ka të bëjë me sistemin e të punësuarit. Në të dyja
rastet, nxënës a studentë qofshin, janë në stresin e pragprovimeve.
Dhe stresi dihet çfarë sjell...
Askush nuk do ta humbasë fëmijën për shkak të një depresioni të tillë, ndaj një
pjesë e mirë prindërish marrin masat për të krijuar një situatë më të qetë
brenda familjes, më të favorshme, duke bërë dhe një punë psikologjike. Veçohen
ata që nuk ia kanë idenë në çfarë klase e kanë fëmijën dhe as që e dinë se
stresi i provimeve ka kosto të rënda nëse nuk menaxhohet si duhet.
Nxënësit janë të stresuar.
Ky vit është dhe më keq se më parë, pasi 80 për qind e leksioneve janë dhënë
nëpërmjet sistemit online, çka do të thotë se mund të jetë marrë informacion më
i cunguar dhe vetë përgatitja e nxënësit është testuar jo aq sa duhet, si në
kushtet kur mësimi zhvillohej normalisht në një klasë, ku gjithçka është e
drejtpërdrejtë. Kjo i fut edhe më shumë në stres nxënësit. Dhe nuk janë pak,
por nxënësit e klasave të pesta, të nënta, dhe maturantët. Nuk po përfshijmë
këtu studentët, sepse ata si më të rritur arrijnë ta menaxhojnë më mirë veten e
tyre.
Provimet nuk janë gogoli, i cili ose të ha e të çon për skrap, ose të zbardh
faqen me limë. Jo kaq shumë nga provimet varet fati i jetës, edhe pse ato në
vetvete janë shumë të rëndësishme për ecurinë e një fëmije. Por meqenëse rrugët
për të mbërritur tek suksesi janë të shumta, sezoni i provimeve nuk duhet parë
si porta e vetme hyrëse që siguron jetën po aq sa siguron të ardhurat në një
bankë të nivelit të dytë.
Ndaj stresi duhet zhbërë. Jeta vazhdon dhe pas provimeve.
No comments:
Post a Comment