Thursday, May 20, 2021

Ligji xhunglës në mes të Tiranës


Nga Leonard Veizi

 
Në metamorfozën e përgjithshme të qenies njerëzore, në kushtet hibride të pandemisë globale, shqiptari zë një vend të veçantë. Jo se është më i zgjuar apo më trim, jo se është më debil a frikacak, madje jo se është më punëtor a dembelhane. Ai thjesht është më i çakorduar në rrethanë kur përballë ka si armik a kundërshtar vetveten, pra një njeri të së njëjtës racë.
Të themi që pozita gjeografike në bash të Mesdheut, na ka dëmtuar duke na bombarduar me rreze diellore, aq sa mund të nxihemi pa pasur nevojë për vaj plazhi, po dhe të na e rrudhë ca trurin?!
Sociologëve e njerëzve të tjerë që merren me psikikën njerëzore do t’u duhet ende kohë për të arritur në një përfundim apo për të dhënë një definicion shterues mbi problematikat e qenësisë shqiptare në përballje me pasqyrimin.
Mund të jetë dhe rasti i Narcisit, për të cilin legjenda thotë se i përkiste popullit helen, apo grek siç jemi mësuar ta quajmë sot. Por tek e fundit ai ra në dashuri me vetveten. Shqiptari, për të cilin thonë se është derivat i ilirëve të lashtë, e që jetonin pranë helenëve po aq afër sa dhe këta të sotmit me emra të rinj, çuditërisht e urren vetveten.
Diávolos douleiá
Në një meridian e paralel jetojmë.
Po të vijmë ca më pranë, se kështu siç e kemi zënë zor se kupton njeri. Sikur nuk po ndjejmë hiç rehat në ato që po themi. E kemi kapur lart shumë. Të ulemi ca...
Lajmet e fundit thonë se agresiviteti i Sars Cov-2-shit ka rënë ndjeshëm. Covid-19 nuk është më ai i pari. Epo jemi te ‘21-shi tani. Rrodhën ujërat... u shpëla. Kjo po, është për t’ia marrë valles. Të pimë e të gëzojmë se jetën e kemi me pikatore.
Mirëpo...
...A mos ndoshta ishim më mirë në ethet e Covid-it, por në një qetësi absolute ku nuk ndodhte asgjë, dhe veç diçka pritej me ankth: transmetimi i buletinit të përditshëm nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë, ku flitej për situatën epidemiologjike në vend? Por po aq me ankth priteshin dhe lajmet nga bota ku vaksina ishte në rendin e ditës.
Ëëëëë... ishin kohë të arta më duket. Karantinë. Rri në shtëpi shiko televizor. Koka po tërë ditën e ditës në frigorifer. Ha e pi e mendjen mos e vri. Gjumi po gjumë... Tërë të mirat e botës demek.
Do thoni ju, se paskam rrëshqitur. Po unë do bëj çmos të them të kundërtën. Ja se do t’ia nxjerrim kokën muhabetit, mos u mërzisni dhe pak.
Sot në mënyrë apriori jemi të çliruar prej pandemisë dhe maskat gjithmonë e më pak po i mbajmë mbi fytyrë. Kemi nisur të çlirohemi e të mendojmë plot gaz e hare për ditët e lumtura që na presin, qoftë me planet pushimore, ku përfshihen masazhet SPA në pikë të diellit, qoftë me turet travel për t’i rënë anekënd botës sapo të liberalizohet trau i doganës.
Subhan Allah!
Por që nga çasti që nisi “rikthimi në normalitet” mirazhet tona plot nuanca e ëndërrim oazesh me ujë kristali, u prishën nga shkreptimat.
-Nisi shiu. S’po mban hiç koha këtë behar.
Ç'është e vërteta edhe stinët janë bërë lëmsh.
-Çfarë shiu thua or derdimen, ishin krisma kallashi. Sapo e hoqën qafe njonin. Lexoje në celular, mo e mbaj kot në dorë!
In nomine Patris, et Filii, et Spiritus Sancti.
Tanimë buletini i situatës epidemiologjike është zëvendësuar me një buletin të ri. Ky del nga Ministria e Punëve të Përbrendshme. Dhe është i mbushur me vdekje të pashembullta: ose larje hesapesh, ose për motive të dobëta, ose për trafik influencash e ndarje territoresh, ose nga... aksidentet. Gjithsesi të gjitha vdekje janë, po aq sa dhe nga Covidi.
Nuk po gjejmë kund karar.
Ore po vritemi me njëri-jatrin. Ne nuk jemi as shumë. Nuk kemi qenë shumë asnjëherë. Veç kësaj shumicën e hëngri emigracioni. Përsëri duam ta ulin numrin e popullsisë vendase.
Ndërkohë bangladeshasit janë duke pritur...
Prisni-prisni, do vijë dhe dita juaj. Kështu si ka nisur...
U desh pak, sa të çliroheshin nga virusi që të fillonim me serialin e denoncimeve për dhunë brenda familjes si dhe dhunën seksuale. Vetëm në dy ditë tre raste. Ore po ne kemi qejf ta hamë njëri-tjetrin me gjithë lecka. Nga “dashuria” e kemi. Ashtu siç ndodhi në romanin “Parfumi” të Patrick Suskind, ku Jean-Baptiste Grenouille, personazhit kryesor ia hëngrën kockat dhe rrobat e trupit, vetëm pse derdhi mbi kokë një parfum me aromë mahnitëse. Kjo do të thotë se njerëzit e hanë njëri-tjetrin jo vetëm nga urrejtja, por dhe nga adhurimi.
Nejse... Pas denoncimeve nisën dhe arrestimet. Ata që nuk e duronin ngujimin në shtëpi, tani do ta “shijojnë” normalitetin në qeli.
Mos ishim më mirë kur ishim keq? Se birinxhi, të paktën ruheshim nga Covidi. Antibiotikë sa të duash, kishim marrë dhe nga një bombulë oksigjeni. Dhe dinim si t'ia bënin hyzmetin vetes. Pjesa e mbetur në dorë të Perëndisë, jo në dorë të robit.
Tanimë nuk di nga të ruhesh. Se të merr tjetri përpara me makinë dhe kur je duke ecur me hallin tënd në cep të trotuarit.
Përfundimisht nuk dimë ku është e mira jonë: te situata pandemike ku në orën 20.00 të nisë shtetrrethimi e të mos ketë këmbë njeriu të vërdalloset, apo të hapen lokalet e mejhanet dhe të nisë mbijetesa si në perëndimin e largët. Kush është i zoti le të rrojë, në mos po... 
...ligji i xhunglës në mes të Tiranës.

No comments:

Post a Comment